Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Kyci dhe celesi

Kyçi dhe çelësi

Si çdo ditë, bujku, mori veglat e tij dhe u nis drejt tokës, për të cilën kujdesej në maksimum. Ai u përshëndet me të shoqen dhe pasi puthi në ballë kolopuçët e tij të dashur, mori rrugën drejt fermës. Por, bujku i cili e bënte këtë rrugë çdo ditë, që prej kushedi sa vitesh, duke u kthyer çdo ditë me perëndimin e diellit, atë ditë nuk u kthye. E shqetësuar, e shoqja alarmoi gjithë fshatin. Njerëzit nuk lanë vend pa e kërkuar, por asnjë gjurmë nuk i gjetën.
Njëzet vite më vonë, me perëndimin e diellit, e shoqja e tij dëgjoi të trokitura në derë. Hapi derën dhe sytë i panë një burrë tashmë të moshuar, me veglat e punës në dorë. Sakaq, në sytë e tij, ajo dalloi të shoqin e saj, i cili njëzet vite më parë ishte zhdukur pa lënë gjurmë.
I shoqi hyri brenda dhe e lëshoi trupin e tij të ligsht në karrigen e parë që i doli para. E shoqja iu ul në gjunjë para, i vendosi duart e saj mbi supet e tij dhe i pëshpëriti në vesh:”Ku ke qenë gjatë kësaj kohe?!”
I shoqi, uli shikimin dhe iu përgjigj:”A të kujtohet ditën kur dola nga shtëpia për të vajtur në fermë, siç bëja çdo ditë? Atë ditë, rrugës u takova me një burrë, i cili më la përshtypjen se po kërkon diçka, ose pret të kalojë dikush. Me të më parë, mu afrua dhe në vesh më pëshpëriti ca habrakadabra, nga të cilat nuk kuptova asnjë llaf. I çuditur e pyeta:”Çfarë po thua more?!”
Ai qeshi me zë të lartë, sakaq sytë i lëshuan shkëndija. Mandej tha:”Fjalët që të thashë në vesh, ishin një formulë e magjisë së zezë, e cila të ka depërtuar gjer në thellësitë e zemrës, shpirtit dhe trupit. Që në këto çaste, ti je skllavi im dhe do të vazhdosh i tillë sa të jem gjallë. Nëse më thyen ndonjë urdhër, apo të shkon mendja të arratisesh, do të arrestohesh menjëherë nga lugetërit dhe përbindëshit e mi, të cilët do ta shqyejnë trupin tënd, kurse shpirtin do ta flakin në thellësitë e detit të errët me ujë të ëmbël. Aty do të torturohesh pa reshtur, përderisa është në fron mbreti i xhindeve.”
Mandej, ai më mori me vete dhe udhëtuam për shumë kohë drejt shtëpisë së tij, e cila ndodhej shumë larg nesh. Rrugës, i shërbeja ditën dhe e ruaja natën. Me të mbërritur në shtëpinë e tij, e cila i ngjante një varri, pashë shumë njerëz si puna ime, të cilët i shërbenin gjithë frikë. Secili prej tyre mbante në qafë një zinxhir hekuri, në fund të së cilit gjendej një çelës. Me të rënë nata, secili prej tyre hynte në qelinë e tij, kyçte derën me çelësin që kishte në qafë dhe flinte. Të njëjtën gjë fillova të bëj dhe unë. Sa shtrihesha të fle, merrja çelësin në dorë dhe më shpërthenin lotët duke qarë me ngashërime. Ajo që më ndante prej teje dhe fëmijëve, ishte thjesht të hapja derën me çelës dhe t’ia mbathja nga sytë këmbët. Por egërsia e atij burri të kallte datën dhe nuk ma mbante ta hedh një hap të tillë. Ai njeri ishte i pashpirt dhe i pamëshirshëm, as që donte t’ia dijë nëse dikush vuante prej tij. Kushedi sa herë kam dëgjuar ngashërimet e njerëzve të tjerë, të cilët qanin si fëmijë dhe i luteshin që t’ua largojë magjinë. Ai ua kthente:”Betohem se as që e di formulën e shpëtimit nga magjia juaj. Ju nuk do të shpëtoni nga robëria, vetëm nëse vdes i kënaqur me shërbimin tuaj.”
Ai u plak, u thinj dhe sëmundja e detyroi të zërë shtratin. Kur pikasa se po vdes, i thashë një ditë:”Zotëria ynë! Ti do të vdesësh dhe do të na lësh në pikë të hallit, duke mos ditur si të çlirohemi nga magjia juaj e zezë, me të cilën jemi sprovuar.”
Ai shpërtheu në të qeshura, njëlloj siç kishte qeshur ditën që e takova. Mandej më tha:”O injorantë dhe trutharë! Unë nuk ia kam fare haberin nga magjitë. Ato habrakadabrat që të pëshpërita në vesh, ishin ca fjalë që i shpika aty për aty, fjalë të cilat nuk ua di fare kuptimin. Është karakteri i dobët dhe i lëkundur i juaji, ai që u bëri skllevër, është frika juaj nga dënimi ajo që ua burgosi trupin në ato qeli të cilat i kyçni dhe i hapni vetë çdo ditë. Zoti u ka dhënë mendje, e cila është njëlloj si çelësi që u kam varur në qafë. Nëse do e kishit refuzuar poshtërimin dhe zgjedhën time, do ta kishit hapur derën e qelisë ku torturoheshit dhe do ia kishit mbathur tek familjet tuaja. I dëgjoja të qarat e tua dhe të shokëve të tu çdo natë. Të them të drejtën, jam çuditur me mendjelehtësinë dhe idiotësinë tuaj.”
Menjëherë ia dhashë vrapit drejt qelisë time, ku mora sëpatën dhe u ktheva sërish tek ky njeri i çuditshëm, kisha vendosur ta bëj copë-copë, për atë që më kishte bërë mua dhe bashkëvuajtësve të tjerë. Por kur u ktheva, pashë që kishte ndërruar jetë. Shkova menjëherë dhe u tregova gjithë bashkëvuajtësve të tjerë, të cilët iu hodhën sipër dhe pasi e copëtuan trupin e tij, i vunë flakën. Unë u turra me vrap drejt shtëpisë. Më dukej sikur këmbët nuk më ceknin fare mbi tokë, më dukej sikur fluturoja. Gjatë gjithë rrugës, më shoqëronte pyetja:”Vallë a më ka pritur ime shoqe, apo më ka harruar dhe është martuar me dikë tjetër?”
Morali:
Shumë prej nesh e burgosin veten në qeli si ajo e frikës, lakmisë, urrejtjes, pakënaqësisë, demoralizimit, humbjes së shpresës, pesimizmit etj... Të gjitha këto, janë qeli që na pengojnë që ta shijojmë jetën. E kemi ne në dorë ta hapim kyçin dhe ta nxjerrim veten nga këto qeli