Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Udhetim drejt lumturise,hyrje

Me të lindur dielli, mbi tokë fillojnë miliona e miliarda lëvizje… makina, trena, aeroplanë, fakse, posta elektronike, telefona, shkolla, universitete, klube, sektorë pune etj… Kjo fillon me lindjen e diellit gjer në perëndimin e tij. Të gjithë kërkojnë një gjë të vetme, të jetojnë të lumtur. E gjithë kjo lodhje, mundim dhe punë, me qëllim që të ketë një jetë të lumtur me njerëzit më të afërt.
Të gjithë e kërkojnë lumturinë, por askush nuk pyet mbi burimin e vërtetë të saj. Kush është ai që ia fal njeriut lumturinë në këtë botë? Kush është ai që e bën diellin të lindë dhe jetën të vazhdojë?
Lumturia është risk prej Zotit, prandaj le ta lusim Atë të na bëjë të lumtur. Vetëm Zoti e ka në dorë lumturinë tonë. Zoti thotë në Kuranin famëlartë: “...se Ai jep gazin dhe vajin”. (Nexhm, 43)
Ashtu siç është risk aspekti ekonomik, është risk edhe niveli i lumturisë në këtë botë. Secili prej nesh, le ta lusë Zotin t’ia bëjë risk të jetojë i lumtur. Është e çuditshme ndoshta, por vetë Profeti (a.s.) i kërkonte lumturinë Zotit, në lutjet e tij të mëngjesit dhe të mbrëmjes. Ai i lutej Zotit me fjalët: “O Zot! Unë të kërkoj të jetoj i lumtur, të vdes dëshmor dhe të shoqërohem me profetët. O Zot! Unë të kërkoj një jetë të rehatshme, një vdekje të ndershme dhe një mbyllje as poshtëruese dhe as skandaloze.”
Prandaj, udhëtimi ynë drejt lumturisë, është një mënyrë e re për të gjithë ata që ndihen të lodhur nga kjo botë dhe që kërkojnë lumturinë. Udhëtimi ynë drejt lumturisë, u kushtohet të gjithë atyre, të cilët ndihen në hall, të rinjve të pashpresë, të brengosurve etj…
Gjatë kontakteve të mia me të rinj, shpeshherë i pyes nëse ndihen të lumtur apo jo. Më kanë habitur përgjigjet e shumë prej tyre, të cilët më përgjigjeshin: “E çfarë do të thotë të jesh i lumtur? Si ta kuptoj nëse jam i lumtur apo jo?” Ndërkohë që shumë të rinj dhe të reja të tjerë, më përgjigjeshin: “Do të donim të ishim të lumtur, por nuk jemi të tillë. E si mund të jem i lumtur, kur nuk gjej askënd që të më kuptojë, të më mbajë pranë, të më vlerësojë dhe të mos më thotë se jam dështak dhe i pavlerë. Unë dua dikë që të më kapë për dore, të respektojë mendimet dhe idetë e mia, të më shtyjë drejt suksesit të mëtejshëm dhe të më dojë.”
Kurse të rejat më përgjigjen: “Unë do të doja që babai dhe nëna të më qëndronin pranë dhe të më falnin lumturi, por ata ka vite që janë ndarë.” Një tjetër thotë: “Unë do të doja dikë që të më dëgjojë, dikë që të më përkëdhelë dhe të më mbajë pranë, dua dikë që t’i flas dhe të më dëgjojë.”
Udhëtimi drejt lumturisë, nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet dhe hallet tona. Ajo që mund të bëjmë përgjatë këtij udhëtimi, është të ndezim dritë dhe shkëndija shprese. Nëse të gjithë i ndjekim ato, mund të arrijmë lumturinë e kërkuar. Unë do të përpiqem të ndezim drita shprese, me burim hyjnor dhe profetik. Nëse ne veprojmë sipas porosive të profetit Muhamed (a.s.), të jeni të sigurt që do ta ndryshojmë jetën për mirë. Porositë e tij u ngjajnë pishtarëve të ndezur netëve plot errësirë. Kur Zoti e citon të dërguarin e Tij në Kuran, e përshkruan si nur (dritë).
“Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kurani).” (Maide, 15)
“Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” (Araf, 157)
“O ju që besuat, ruajuni Allahut dhe besoni në të Dërguarin e Tij (Muhamedin), se Ai do t’ju dhurojë pjesë të dyfishtë nga mëshira e Vet, do t’ju japë dritë, me ndihmën e së cilës do të ecni dhe do t’ju falë; Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Hadid, 28)
Besimi që kërkohet në ajetin e mësipërm, është besim që të ndriçon udhët e jetës.
Unë ju ftoj që udhëtimin drejt lumturisë ta përshkojmë së bashku. Përse të mos e provosh dhe këtë udhëtim? Gjatë jetës tënde, ke provuar shumë gjëra që të jesh i lumtur. Ti ke provuar pushimet, shëtitjet, udhëtimet, ke bredhur kushedi sa net me makinë deri në mëngjes, në kërkim të lumturisë. Kushedi sa net i ke gdhirë në facebook, duke parë foto e video të ndryshme, në kërkim të lumturisë së munguar. Ke provuar të kalosh me orë të tëra në chat, duke komunikuar me njerëz të ndryshëm. Ke provuar të shoqërohesh me vajza/djem, me qëllim që të ndihesh i/e lumtur. Ti o motër ke blerë kushedi sa çanta të reja, syze dielli, çizme mode, celularë të rinj, ke vënë thonj dhe qerpikë artificialë etj... megjithatë lumturinë akoma nuk e ke arritur. Është e vërtetë që për disa çaste je ndjerë e lumtur, por shumica e jetës tënde ka qenë një ferr. Ashtu siç mund të ketë njerëz, të cilët falen, agjërojnë, veshin hixhabin etj... megjithatë nuk ndihen të lumtur.
Përse të mos provosh diçka të re me ne përgjatë Udhëtimit tonë drejt lumturisë?
Unë ju siguroj se nuk do të pendoheni. Madje, ju siguroj se nga Ramazani i këtij viti, do të dilni plot shpresë, energji dhe kthjelltësi. Këtë unë e them nga eksperienca ime personale.
Shumë njerëz e kufizojnë lumturinë në diçka të caktuar. Dikush mendon se lumturia gjendet në jetën familjare, dikush tjetër në të qenët i kënaqur, një i katërt e mendon tek shoqëria e mirë, një i pestë e mendon te jeta e kamur, një tjetër e mendon te shëndeti e kështu me radhë.
Në fakt, lumturia është një përzierje, e cila përbëhet nga shtatë elementë. Ashtu siç njeriu ka pesë shqisa dhe mungesa e njërës i shkakton stres dhe lodhje, ashtu dhe lumturia ka shtatë elementë, ku mungesa e njërës i shkakton dëshpërim dhe vuajtje.
Këto shtatë elementë të lumturisë, u ngjajnë shtatë stacioneve, të cilat nëse nuk i kalon të gjitha, nuk mbërrin dot në destinacion.
 
Elementi i parë: Provo një fillim të ri me Zotin tënd, me veten dhe me objektivat në jetë. Ky është elementi i përcaktimit të objektivave, ëndrrave dhe qëllimeve të tua. Këtë element e kemi ngjyrosur me ngjyrë portokalli, ngjyrën e lindjes së diellit.
 
Elementi i dytë: Lumturoji ata që janë përreth teje, të lumturohesh vetë. Këtë element e kemi ngjyrosur me ngjyrën e gjelbër, e cila simbolizon zhvillimin dhe kontributin.
 
Elementi i tretë: Shpirt i pastër nga përbërësit që e turbullojnë lumturinë, si mendjemadhësia, smira, urrejtja etj... Këtë përbërës e kemi ngjyrosur me ngjyrë të kuqe, e cila simbolizon rrezikun dhe kanosjen.
 
Elementi i katërt: Zemër e madhe, e cila di të falë, të jetë e dhembshur dhe zemërgjerë me njerëzit. Këtë element e kemi ngjyrosur me ngjyrë blu, e cila simbolizon kthjelltësinë.
 
Elementi i pestë: Vullneti i çeliktë. Nëse ke vullnet, është e sigurt se do të jesh i suksesshëm në jetë. Këtë element e kemi ngjyrosur me ngjyrën e verdhë, ngjyrën e floririt dhe të suksesit.
 
Elementi i gjashtë: Marrëdhënie familjare të ngrohta, ku hyjnë marrëdhëniet e tua me familjarët e tjerë, me farefisin dhe shokët. Këtë e kemi ngjyrosur me ngjyrën blu të errët, llullaq.
 
Elementi i shtatë: Lidhje të forta me Zotin, të cilën e kemi ngjyrosur me ngjyrën e bardhë, ngjyrën e pastërtisë dhe të qartësisë.
 
Këto ishin shtatë elementët e lumturisë, të cilat u ngjajnë faqeve të kubit shumëngjyrësh. Nëse njëra nga ngjyrat nuk është e plotë, loja nuk quhet e përfunduar. Po kështu, nëse njëri nga këto shtatë elementë nuk përmbushet, nuk arrihet lumturia e dëshiruar.
Qëllimi im me trajtimin e një teme të tillë, është vetëm të lumturoj dikë që ndihet në hall dhe i pezmatuar, t’i kthej buzëqeshjen dikujt që e ka humbur atë. Unë dua që familjeve dhe shtëpive tona t’u kthehet buzëqeshja dhe hareja.
Profeti (a.s.): “Nuk ka gjë që i bën njerëzit të fitojnë xhenetin, si gëzimi që u falin njerëzve të tjerë.”
“Kush i bën të gëzuar banorët e një shtëpie, nuk ka shpërblim tjetër përveç xhenetit.”
Veçse nuk duhet të harrojmë se lumturia nuk është diçka që blihet në treg, nuk është diçka që peshohet, apo i merret dikujt për t’ia falur dikujt tjetër. Ajo nuk matet me depozitat bankare, me vila dhe makina. Lumturia është diçka që gjendet dhe zë vend në zemër. Thotë profeti Muhamed (a.s.): “Në trupin e njeriut është një organ, i cili nëse është në rregull ai, i gjithë trupi do të jetë në rregull dhe nëse është i prishur ky organ, i gjithë trupi do të jetë i prishur. Ky organ është zemra.”
Në një hadith tjetër, Profeti (a.s.) thotë: “Zemrat janë mes dy gishtave të të Gjithëmëshirshmit, ai i përmbys nga të dojë.”
“Secili prej jush formohet në barkun e nënës dhe qëndron spermë për dyzet ditë. Më pas transformohet në pikë gjaku dhe ajo qëndron e tillë po dyzet ditë. Më pas transformohet në copë mishi dhe qëndron dyzet ditë e tillë. Më pas i dërgohet një melek ku i jep shpirtin dhe urdhërohet që të shkruajë katër gjëra: Riskun, kohën e vdekjes, punët që do të veprojë dhe nëse do të jetojë i lumtur apo do të vuajë”.
Në këtë trajtesë, ne nuk do të merremi me problemet ekonomike të njerëzve, pasi është e pamundur t’u japim zgjidhje. Sot kemi vëllezërit tanë në Gazë, të cilët nuk janë të lumtur, pasi vuajnë nga bojkoti ekonomik. Ka të rinj, të cilët nuk janë të lumtur pasi janë të papunë. Ka vajza, të cilat nuk janë të lumtura, pasi u ka kaluar mosha e martesës.
Udhëtimi ynë drejt lumturisë nuk ka si qëllim që të zgjidhë probleme të tilla, pasi është e pamundur, por do të përpiqemi të ndezim shkëndija drite dhe shprese. Ne do të përpiqemi që t’ju ofrojmë pishtarë nga i dërguari i Zotit, të cilët janë orientues drejt lumturisë dhe kompensimit të aspektit material.
Le ta fillojmë udhëtimin tonë drejt lumturisë me elementin e parë: Një fillim të ri dhe të drejtë me Zotin, veten tënde dhe objektivat e ëndrrat e tua në jetë. Jo pa qëllim e kemi ngjyrosur portokalli këtë element, pasi kjo ngjyrë simbolizon diçka të re, një ditë të re, çastin e lindjes së diellit.
Meqë këto tema po trajtohen gjatë muajit të Ramazanit, le të jetë ky muaj një fillim i ri. Le t’i ridimensionojmë marrëdhëniet tona me këtë muaj të shenjtë. Le ta agjërojmë dhe adhurojmë Zotin si asnjëherë më parë. Le ta agjërojmë me nijetin që ky muaj do të më pajisë me energji, të cilat do të më ndihmojnë të përballoj problemet gjatë vitit. Ti e di që problemet dhe hallet janë të shumta, prandaj të duhet energji e mjaftueshme për t’i përballuar. Nëse e ke lexuar një herë Kuranin, filloje së dyti. Nëse i ke falur teravitë, fal dhe ca rekate të tjera. Mbushe llogarinë tënde këtë muaj, pasi muajt e ardhshëm do të harxhosh shumë energji.
Ramazani është mundësi e shtimit të llogarisë tënde bankare me Zotin. Ai është muaj i furnizimit shpirtëror dhe plotësimit të deficiteve vjetore.
Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur vjen muaji i ramazanit thërret një thirrës: ‘O kërkues i të mirës, eja, dhe o kërkues i së keqes frenohu!’.”
Psikologët pohojnë se për të luftuar një ves të keq, të duhen vetëm njëzet e një ditë luftë me të. Nëse mundesh që për njëzet e një ditë të distancohesh prej tij, ke triumfuar ndaj këtij vesi. A ka më mirë se Ramazani për të provuar aftësitë dhe vullnetin tonë?!
Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur vjen muaji i ramazanit hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e zjarrit dhe prangosen shejtanët.”
Le ta adhurojmë Zotin këtë muaj, me nijetin që të na largojë hallet, streset dhe vuajtjet.
“Kush agjëron ramazanin me besim dhe shpresë se do t’i falen gjynahet, do t’i falen të gjitha gjynahet që ka vepruar.”
Kjo, sepse fillimi është i saktë dhe i drejtë. Që ta arrish këtë gradë, duhet të kesh nijet të mirë, të agjërosh jo thjesht sepse agjërojnë të gjithë njerëzit, por sepse e përjeton dhe ndjen dashuri të madhe për Zotin.
“Kush falet natën gjatë ramazanit me besim dhe shpresë se do ti falen gjynahet, do i falen të gjitha gjynahet që ka vepruar”
“Kush falet natën e Kadrit me besim dhe shpresë se do ti falen gjynahet do i falen të gjitha gjynahet që ka vepruar”
Të gjithë këto hadithe, simbolizojnë një fillim të duhur dhe të drejtë.
Lumturia më e madhe dhe më kulminante është xheneti. Profeti (a.s.) ka thënë lidhur me këtë:“Xheneti zbukurohet vit pas viti në muajin e Ramazanit. Kur hyn ky muaj, xheneti i lutet Zotit: ‘O Zot, bëji agjëruesit e këtij muaji banorët e mi…’ Kush e ruan veten e tij në këtë muaj, do t’i ndërtohet në xhenet një vilë prej ari dhe argjendi dhe me gurë të çmuar. Sikur e gjithë bota të mblidhej dhe të vendosej në këtë vilë do të zinte vend aq sa zë një dhi në gjithësi. Për çdo natë, Zoti nxjerr njerëz nga zjarri për në xhenet.”
Gjatë Ramazanit, duket sikur çdo natë ekziston një fillim i ri. Kush është i gatshëm që këtë Ramazan ta konsiderojë si një fillim të ri?
Nëse duam lumturinë në këtë botë, duhet të kemi një fillim të ri edhe me lidhjet tona me Zotin, dhe Ramazanin është stacioni më i përshtatshëm për këtë.
Pavarësisht nga vuajtjet dhe problemet e jetës, Zoti ka caktuar në udhëtimin e jetës stacione të shumta lumturie. Vetë fakti që e ka zbukuruar jetën mbi tokë, është tregues që lumturia është e mundur edhe në këtë jetë. Vetë Zoti na e ka premtuar lumturinë në këtë jetë në Kuran:
“Taha. Ne nuk ta shpallëm Kuranin që të vuash.” (Taha, 1-2)
“Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim.” (Taha, 123)
“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (Nahl, 97)
Jeta është e bukur dhe Zoti na ka premtuar lumturi edhe në këtë botë, nëse jetojmë sipas dispozitave dhe ligjeve të Tij.
 
 
Përkushtoja jetën Zotit
 
Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Çdo  vepër që vepron biri i Ademit e bën për vete, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe vetëm Unë do ta shpërblej për të.”
Ky hadith flet mbi rëndësinë e sinqeritetit në veprat tona. Ne i përkasim Zotit dhe duhet të jetojmë për Zotin. Sado e gjatë të jetë jeta dhe sado e mbushur me të papritura të jetë, një ditë do të përfundojë. Ajo që do të mbetet dhe nuk shuhet asnjëherë, është sinqeriteti për Zotin.
Me këtë, unë nuk bëj thirrje për sinqeritet ndaj Zotit, duke hequr dorë përfundimisht nga kjo botë. Aspak. Unë u bëj thirrje që këtë botë ta përdorim sipas dispozitave dhe ligjeve të Zotit. Unë bëj thirrje që t’i shijojmë të mirat e kësaj bote, por këtë ta bëjmë me qëllim që të fitojmë kënaqësinë e Zotit.
Fillimi i duhur i udhëtimit tonë drejt lumturisë, duhet të jetë pikërisht me Zotin. Secili prej nesh, së pari, duhet të ridimensionojë marrëdhëniet e tij me Zotin.
Një miku im, i cili është artist i famshëm, më tregoi mbi udhëtimin e tij në kërkim të lumturisë. Ai thotë: “Kur isha vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç, e shihja lumturinë vetëm në dy gjëra: te fama dhe te pasuria. Nëse do isha i famshëm dhe i pasur, rrjedhimisht do të isha edhe i lumtur. Ëndrra për të qenë i lumtur duke u bërë i famshëm dhe i pasur më orientonte në çdo hap të jetës. Fillimisht, u angazhova me programe të ndryshme në radio, sidomos në programet e mëngjesit. Njerëzit filluan të më duan, por unë nuk ndihesha i lumtur. Me vete mendova se ndoshta ngaqë fama ime nuk është në nivelin e duhur, pasi njerëzit vetëm dëgjojnë zërin tim dhe nuk më shohin. Kështu, fillova të ngjis shkallët e karrierës në programet televizive, gjë e cila ma shtoi famën. Emri dhe fotoja ime shihej kudo dhe njerëzit më kishin për zemër. Megjithatë, nuk ndihesha i lumtur, ndjeja një shtrëngim në kraharor, diçka që nuk më linte të qetë, diçka që më bënte të mos mbyll sytë natën. Dëshira që më kishte pushtuar për të qenë i lumtur, më bëri të mendoj se tani më mungon pasuria që të ndihem i lumtur. Meqë famën e kisha, i hyra aktrimit, ku më ofruan role të rëndësishme dhe kështu, ditë pas dite pasuria ime shtohej. Tashmë kisha një vilë të madhe, pishinë, makina etj… por lumturinë nuk po e gjeja. Madje, më dukej sikur vuajtjet veç më shtoheshin. Si fama, ashtu dhe pasuria kërkonin përkushtim dhe më dukej vetja si një pallto, e cila tërhiqej nga dy krahët dhe gati sa nuk shqepej. Në këtë rast, ai që po shqepej isha vetë unë, më dukej sikur zemra po më copëtohej. Jeta e famës më tërhiqte nga njëra anë, kurse nga ana tjetër më tërhiqte ajo e kamjes. I gjendur ngushtë, mendova se ajo që më mungonte tashmë ishte shoqërimi me femra dhe gra të ndryshme. Kështu fillova të njihem dhe të krijoj lidhje me femra, por vuajtjet veç më shtoheshin. Tashmë ishin tre gjëra që më tërhiqnin dhe nuk më linin rehat. Për ta përballuar këtë gjendje, mendova të organizoj ballo, mbrëmje dhe takime të ndryshme me shoqërinë, por edhe kjo doli pa rezultat.
Një ditë, isha ftuar në një program, ku gazetari më tha: “Ti je filani dhe kjo do të thotë që je nga njerëzit më të lumtur.” Unë ndërhyra dhe i thashë: “Në fakt, nuk është e vërtetë që jam i lumtur. Fjala i lumtur (në arabisht said) përbëhet nga katër shkronja. Deri tani unë kam përvetësuar vetëm tre shkronjat e para (saj, që do të thotë: mund, përpjekje dhe tentativa) dhe më mungon shkronja e fundit që të jem i lumtur. Të premtoj që me ta gjetur dhe shkronjën e fundit, do të tregoj.” Gazetari më pyeti i habitur: “Po përse?!” Unë i thashë: “Sepse kam shumë preokupime, ku secili sikur më tërheq drejt një drejtimi të caktuar.”
Pas këtij programi, më merr në telefon një kushëriri im, fetar, dhe më kërkon të takoheshim. Pasi u takuam, më tha: “Mi trego preokupimet e tua.” Unë iu përgjigja: “Po ja, pasuria, fama, vlerat tek të cilat besoj, familja, femrat etj…”
Ai më tha: “A e di se në Kuran gjendet një ajet, i cili flet për njerëz si ti?!” Unë i thashë: “E cili është ai?”
Ai u përgjigj: “Dëgjojeni këtë shembull që ka sjellë Allahu! Janë dy njerëz: njëri ka shumë bashkëpronarë të cilët e kundërshtojnë njëri-tjetrin, ndërsa tjetri ka vetëm një pronar, të cilit i përkushtohet. A janë të njëjtë ata në krahasim?!” (Zumer, 29)
Pastaj më tha: “O kushëriri im! Përkushtoju vetëm Zotit, që të jetosh i lumtur.”
Unë iu përgjigja: “Nuk jam gati që ta hedh pas krahëve famën, pasurinë dhe shoqërinë.” Ai më tha: “Jo, unë nuk të kërkova këtë. Merre famën, pasurinë dhe gjithçka tjetër dhe jeto sipas dispozitave të Zotit. Gjithçka që të veprosh në jetë, bëje me nijet që të fitosh kënaqësinë e Zotit.”
Një ditë më pas, po lexoja Kuran dhe lexova ajetin:
“Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.” (En’am, 162)
Atëherë e kuptova se çfarë duhej të bëja. Pas disa kohësh, i telefonova kolegut tim gazetar dhe i thashë: “Tashmë e gjeta dhe shkronjën e fundit të lumturisë. Unë dhe gjithçka që posedoj, i jemi dedikuar vetëm Zotit të plotfuqishëm.”
Hadithet e profetit Muhamed (a.s.) u ngjajnë pishtarëve ndriçues në netët pa hënë. Në një hadith të tillë, fjalët e të cilit Profeti (a.s.) i citonte sapo niste të falej, ai (a.s.) ka thotë: “O Allah! Ti je Sunduesi, nuk ka zot tjetër përveç Teje. Ti je Zoti im dhe unë jam robi Yt. E mira ndodhet në duart e Tua, ndërkohë që e liga nuk të atribuohet Ty. Unë jam i varur prej Teje dhe jam drejtuar drejt Teje.”
Prej Teje o Zoti im varet jeta ime, fuqia ime, gjithçka që posedoj. Meqë gjithçka e imja varet prej Teje o Zot, atëherë unë të jam drejtuar me gjithë qenien time, ty ta dedikoj çdo vepër të mirë, Ty ta dedikoj sinqeritetin tim, jetën dhe vdekjen time.
Le të jetë motoja jonë në jetë: “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.” (En’am, 162)
Dikush mund të pyesë me të drejtë: Si mund të arrihet kjo? Diçka e tillë mund të arrihet me një vendim që merr në këto çaste. Asgjë tjetër nuk ndryshon, ti je po ai që ishe dhe gjithçka që të rrethon mbetet po ajo. Është vendimi që merr që gjithçka që posedon, t’ia dedikosh Zotit ajo që ndryshon. Është vetëm nijeti dhe drejtimi i busullës tënde, ai që ndryshon.
Nëse Zoti të ka dhënë pasuri, më parë e shpenzoje vetëm për vete dhe familjen tënde. Kurse tani përveç shpenzimeve të familjes, do të bësh nijet që me to t’u gjendesh njerëzve në mjerim, do të kontribuosh për arsimimin e shoqërisë etj... Pra do t’i përdorësh sikur të ishin të Zotit dhe sikur ti je thjesht një administrator. Fëmijët e tu do t’i edukosh që t’i shërbejnë fesë së Zotit dhe shoqërisë ku jetojnë, do t’i mësosh që të jenë të dobishëm në jetë etj... Kështu, çdo lodhje që bën për këtë qëllim, çdo shëtitje, çdo larje e rrobave të tyre, çdo vajtje për t’u stërvitur me ta etj... i dedikohet Zotit dhe për të gjitha shpërblehesh.
Siç e kemi cekur dhe më lart, një ves mund të ndryshohet në njëzet e një ditë. Ne jemi në Ramazan dhe kemi mundësi që nijetin tonë ta ndryshojmë. Le t’ia dedikojmë gjithçka Zotit. Le t’ia dedikojmë Atij diplomat që kemi marrë, duke i përdorur në dobi të shoqërisë ku jetojmë. Studentët dhe studentet le të kenë si qëllim shërbimin e komunitetit ku jetojnë dhe jo vetëm një diplomë dhe vend pune pas diplomimit. Kështu, çdo shkronjë që lexojnë, çdo provim, çdo natë që nuk flenë, çdo hap etj... u kthehet në vepra, për të cilat do të shpërblehen nga Zoti.
Për Umer ibnu Abdul Azizin thuhet se çdo hap e bënte me një nijet të caktuar.
“Kujto kur gruaja e Imranit tha: “Zoti im, unë Ty ta kam kushtuar atë që është në barkun tim, që të të shërbejë vetëm Ty.” (Al Imran, 35)
Akoma pa i lindur foshnja, gruaja e Imranit ia dedikoi atë Zotit dhe shërbimit të faltores ku njerëzit i luteshin Atij.
Imagjinoni për një çast, që gjithçka që posedoni, gjithçka që keni vënë mënjanë, e keni në një çantë. Brenda çantës keni depozitat monetare, xhevahiret, certifikatat, diplomat, dokumentet e shtëpisë dhe gjëra të tjera të rëndësishme, pasaporta, celularë etj...
Bëje nijet që këtë çantë t’ia dedikosh Zotit. Nëse ke një shtëpi tënden, bëje nijet që t’ia dedikosh Zotit, duke e shndërruar në një qendër ku takohen besimtarët. Bëje nijet që ajo të shndërrohet në një vend ku adhurohet Zoti dhe përmendet emri i Tij.
Sinqeriteti (ihlas) është që fjalët e tua, veprat dhe gjithçka që posedon t’i vësh në shërbim të kënaqësisë së Allahut. Sinqeriteti është që ngado që të drejtohesh të mos shohësh tjetërkënd, përveç Allahut. Ne duhet ta përcaktojmë mirë destinacionin tonë dhe drejtimin që duhet të ndjekim. Një anije dhe aeroplan, që para se të niset e ka të qartë destinacionin dhe koordinatat që duhet të ndjekë.
Zanafilla e lumturisë është: “Unë e kthej fytyrën time nga Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën, duke qenë besimtar i vërtetë...” (En’am, 79)
Një burrë e pyeti Profetin (a.s.): “O i dërguari i Allahut! Cili është Islami më i mirë?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Kur t’ia dorëzosh zemrën plotësisht Allahut dhe fytyrën ta mbash gjithmonë drejt Tij.”
Fetari dhe besimtari më i mirë është ai që fytyra dhe sytë e tij nuk shohin gjë tjetër, përveç Allahut. Provoje këtë Ramazan që jetën tënde dhe gjithçka që posedon t’ia dedikosh Zotit dhe do të shohësh që lumturia është e mundur dhe në këtë botë.
 
Shpërblimi i sinqeritetit
Në çastin kur ti o vëlla dhe oj motër jeni të sinqertë dhe gjithçka ia dedikoni Zotit, dijeni se jeni në mbrojtjen, përkujdesjen dhe dashurinë e Zotit.
Ai që e shpëtoi Jusufin (a.s.) nga tundimi i gruas së Azizit, ishte pikërisht sinqeriteti dhe fakti se gjithçka ia kishte dedikuar Zotit.
“Ajo e dëshiroi atë; por edhe Jusufi do ta kishte dëshiruar atë, sikur të mos kishte parë provën e Zotit të vet. Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë.” (Jusuf, 24)
Ai që e ngriti Musanë (a.s.) në grada të larta, saqë komunikonte direkt me Zotin pa ndërmjetës, është pikërisht sinqeriteti.
“Trego në Libër edhe për Musain! Njëmend, Ai ishte i sinqertë, ishte i dërguar dhe profet.” (Merjem, 51)
Shejtani e pranon se vetëm njerëzit e sinqertë nuk mund t’i mashtrojë. Zoti thotë në Kuran: “Ai tha: “Betohem në madhërinë Tënde se unë do t’i mashtroj ata të gjithë, përveç robërve të Tu të sinqertë!” (Sad, 82-83)
Surja Ihlas (sinqeritet) konsiderohet si një e treta e Kuranit, pasi aty deklarohet haptazi sinqeriteti për Zotin.
“Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (Ihlas, 1-4)
Veçohu për disa sekonda në këto çaste, mbylli sytë dhe gjithçka që posedon dedikoja Zotit. Nëse e ke të pamundur që gjithçka t’ia dedikosh Zotit, të paktën zgjidh vetëm një gjë të shtrenjtë dhe dedikoja Zotit. Vetëm kështu do ta shijosh lumturinë që kërkon në këtë botë, e cila është një premtim prej Zotit. Zoti ka thënë në Kuran: “...dhe duke mos pritur shpërblim prej dikujt tjetër për këtë, por vetëm për të kërkuar Fytyrën (kënaqësinë) e Zotit të tij, më të Lartit. Dhe ai, me siguri, do të jetë i kënaqur!” (Lejl, 19-21).
Ti i ke provuar shumë kënaqësi nga kjo botë, përse të mos e provosh dhe këtë? Të gjithë njerëzve u bëhet qejfi nëse familjarët apo kolegët dëshmojnë për sinqeritetin e tyre në familje apo në punë. Nëse përpiqemi të jemi të sinqertë me punëdhënësit tanë, përse të mos jemi me Atë që na ka krijuar?
Sinqeriteti nuk bie ndesh me asnjë kënaqësi tënden të përditshme. Ti sërish mund të vishesh bukur si gjithmonë, sërish mund të kalosh pushimet ku të duash, sërish do të punosh për ta shtuar kapitalin tënd, por të gjitha këto t’i bësh për hatër të Zotit dhe për të fituar kënaqësinë e Tij.
“E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë..” (Bejine, 5)
Mos harro, o vëlla dhe oj motër! Nëse çantën e jetës e keni të mbushur me gjithçka, por që nuk ia keni dedikuar Zotit, Ditën e Kiametit ajo çantë do të jetë e mbushur me gurë e zhavorr. Dijetari Ibnul Kajjim ka thënë: “Puna pa sinqeritet i ngjan një udhëtari me çantë në shpinë. Në çantë, ai ka vetëm qerpiçë e gurë, të cilët vetëm sa e rëndojnë pa i bërë asnjë dobi.”
Veç kësaj, nëse nuk je i sinqertë me Zotin, ti ecën në drejtim të kundërt me universin.
I gjithë universi i është dedikuar dhe përkushtuar vetëm Zotit. Një makinë e vetme po të dalë në krah të kundërt, shkakton me dhjetëra aksidente duke çrregulluar trafikun.
“A nuk e sheh ti se, në të vërtetë, Allahut i përulen në sexhde ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, edhe Dielli, edhe Hëna, edhe yjet, edhe malet, edhe drurët, edhe kafshët dhe shumë nga njerëzit (myslimanët)? Por ka shumë njerëz (mohues), që meritojnë dënimin. E atë që e poshtëron Allahu, askush nuk mund ta bëjë
të nderuar.” (Haxh, 18)
Nëse vazhdon të ecësh në drejtim të kundërt me universin, vetëm vuajtje dhe probleme do të hasësh. Mund të bredhësh gjithë natën me makinë deri në mëngjes në kërkim të një çasti kënaqësie dhe lumturie, por do të shijosh vetëm rraskapitje dhe topitje. Mund të kalosh gjithë natën në facebook duke parë foto, por nga vendi do të ngrihesh i mpirë dhe aspak i lumtur. Mburru sa të duash me pamjen tënde, rrobat firmato dhe trupin e bukur, por veç vuajtje dhe dëshpërim do të vjelësh.
Nëse të mirat materiale që të ka dhënë Zoti, ia dedikon Atij, atëherë do të ndihesh i qetë dhe i lumtur, pasi lëvizja jote është e njëtrajtshme me atë të universit.
“Në fakt, edhe te bagëtitë ju keni shenja për të mësuar prej tyre. Ne ju japim atë që kanë në barkun e tyre prej ushqimit të përpunuar dhe gjakut: qumësht të pastër dhe të shijshëm për ata që e pinë.” (Nahl, 66)
Përderisa qumështi është i pastër, ai konsumohet nga të gjithë. Në çasin që konstatojmë në të qoftë dhe një pikë gjaku, ne refuzojmë ta konsumojmë.
Po ti o vëlla, a je i pastër në marrëdhëniet e tua me Zotin? Si është e mundur që ti e refuzon gotën e qumështit për një pikë gjaku dhe pranon t’i shkosh Zotit me qindra e mijëra pika gjynahesh?!
Zoti ka thënë në një hadith kudsij: “Unë nuk e pranoj rivalitetin (shirkun). Kushdo që bën një vepër të mirë dhe nijetin për Mua, e shoqëron me nijetin për dikë tjetër, ajo vepër nuk është për mua dhe unë distancohem prej tij.”
Në një lutje, e cila është si një pishtar, Profeti (a.s.) ka thënë: “O Zot! Ma bëj risk dashurinë Tënde, dashurinë e atyre që të duan dhe dashurinë për një punë, që më afron me dashurinë Tënde. O Zot! Nëse më jep diçka që e dua, shndërroje atë në energji që ta përdor sipas dëshirës Tënde. O Zot! Nëse e merr diçka që e dua, më bëj që kohën që do të merresha me të, ta mbush me vepra që Ti i do.”
 
Si ta arrijmë sinqeritetin?
1 – Lute Zotin çdo ditë që të pajisë me sinqeritet! Që sot, derisa të përfundojë Ramazani, kërkoji Zotit sinqeritet në çdo sexhde. Lutja e përforcon idenë që ke në kokë.
2 – Përveç veprave të mira të zakonshme, bëj diçka që të mos e dijë tjetër kush, përveç Zotit.
3 – Hadithet që i lexove në këtë temë, printoji në një fletë dhe vendose atë në një vend ku e lexon shpesh.
4 – Para se të dalësh nga shtëpia çdo ditë, bëj nijet që të jesh i sinqertë në veprat e tua.
E lus Zotin që konceptin e sinqeritetit ta kem përcjellë siç duhet tek të gjithë lexuesit dhe dashamirësit.