Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Muzika ( kënga ) në Islam

Kënga dhe muzika në kohën tonë janë bërë çështje aq të zakonta saqë gati nuk të lejohet të vesh në shqyrtim këtë çështje apo të bisedosh për qëndrueshmërinë e tyre në sheriat. Kjo tashmë nuk ndodh vetëm me masën e popullatës së gjerë por është bërë edhe qëndrim i pjesës dërrmuese të hoxhollarëve dhe qarqeve fetare, pa patur ndonjë mbështetje fetare të shëndoshë, por vetëm duke u vënë në ndekje të paarsyeshme të ndonjë mendimi a individi që edhe ai vet, si muzika, nga rrethanat dhe koha, ka arritur të bëhet zakon t’i shkohet mbrapa.

Që këndej, ndodh të shohësh njerëz që e lavdërojnë muzikën, e quajnë art të bukur që Islami s’ka pse ta refuzojë dhe se përkundrazi, ai e preferon atë si formë të prehjes shpirtërore; por edhe kësaj radhe pa ndonjë mbështetje tjetër përpos dëshirës për të patur prani në opinionin e gjerë dhe te publiku.

Me dëshirë që të zbardhet e vërteta lidhur me këngën dhe muzikën, të kuptohen kushtet, format e tyre dhe rrethanat e kërkuara në sheriat, do të paraqesim këtë shqyrtim mbi muzikën mbështetur në literatura të besueshme, kryesisht të medhhebit hanefi, medhheb të cilin e ndjek popullata jonë në çështjet juridike të sheriatit.

Imam Merginani në librin e tij „El-Hidaje“, Kapitulli mbi Dëshmitë shënon thënien e Imam Kudurit në Muhtesar „Nuk pranohet dëshmia e muhannethit (burrë me tipare femre), po as e vajtimtares së kufomës dhe e këngëtares“ dhe pas kësaj shton: „Sepse këto dyja bëjnë veprim haram pasi që Pejgamebri a.s. „I ka ndaluar dy zëra të marrë: zërin e vajtimtares dhe të këngëtares“.

Lidhur me këtë hadith Imam Zejleiu në Nasbu Rajeh shënon: Hadithin e nxjerr Tirmidhiu në Kapitullin e Xhenazes nga Isa Ibën Junus nga Ibën Ebu Lejla nga Atau nga Xhabir ibën Abdullahu ku thotë: „Pejgamberi a.s. e mori për dore Abdurrahman ibën Aufin dhe shkoi me të te i biri Ibrahimi i cili ishte i sëmurë. Pejgamberi a.s. e mori në prehër Ibrahimin dhe qau. Abdrurrahmani i tha: „O, i Dërguar, a ti qan, kurse e ke ndaluar të qarët? –Jo, u përgjigj Pejgamberi a.s., - Unë nuk e kam ndaluar të qarët por kam ndaluar nga dy zëra afmakë: Zëri në tingullin e një ahengu dhe fyejt e djallit si dhe zëri në një fatkeqësi duke gërvishtur fytyrat, shkyer robat dhe tingulli i shejtanit“, dhe thotë që hadithi është hasen.

Hadithin poashu e përcjell Ibën Ebi Shejbe, Ishak ibën Rahuvejhi, Abd ibën Hamid dhe Ebu Davud Tajalusiu në musnedet e tyre. Ibën Ebi Shejbe thotë: „Këtë hadith na ka treguar Ali ibën Hashim nga Ibën Ebi Lejla. Ndërkaq Rahuvejhi thotë: hadithin në ka treguar Vekiu nga Ibën Ebi Lejla. Ndërsa Abd ibën Hamidi thotë që hadithin ua ka treguar Ubejdullah ibën Musa ngë Ibën Ebi Lejla, përderisa Ebu Davud Tajalusiu thotë që atë ua ka treguar Ebu Avane nga Ibën Ebi Lejla. Të gjithë këta e shënojn hadithin në musnedin e Xhabirit.

Hadithin gjithashtu e përcjell edhe Bejhekiu në „Sunen“ përmes Ebu Avanes me shtesën: „Kjo është mëshirë, kështu që kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet. O, Ibrahim, sikur të mos ishte thënie e vërtetë, premtim i drejtë, rrugë që do shkohet, gjykim i gjykuar, dhe se i fundit nga ne do të takohet me të parin, do të mërziteshim për ty më shumë se kaq.“

Disa përcjellës të tjerë hadithin në fjalë e fusin në musnedin e Abdurrahman ibën Aufit. Kështu e përcjell Bezzari dhe Ebu Ja’la Meusiliu në musnedet e tyre nga Nadr ibën Ismail nga Muhammed ibën Abdurrahman ibën Ebi Lejla nga Atau nga Xhabiri nga Abdurrahman ibën Aufi i cili thotë: „Më mori Pejgamberi a.s. për dore dhe më mori deri te djali i tij Ibrahimi“, dhe e përmend hadithin.

Kështu Bezzari dhe Ebu Ja’la hadithin e fusin në musnedin e Abdurrahmanit. Lidhur me hadithin Bezzari mandej shton: „Nuk dimë që ky hadith përcillet nga Abdurrahmani në ndonjë formë dhe isnad (zinxhir) tjetër.“

Hadithin Bejhekiu e përcjell edhe në „Shuabu’l-Iman“ nga Hakimi me zinxhirin e tij nga Junus ibën Bukejri nga Muhammed ibën Abdurrahman ibën Ebi Lejla. Neveviu në „Hulasa“ thotë: „Muhammed ibën Abdurrahman ibën Ebi Lejla është i dobët por ndoshta është mbështetur nga ndonjë tjetër. „Tingulli i shejtanit“ është këndimi dhe fyejt, kështu shpjegohet kjo në rivajetin që e shënon Bejhekiu.“

Hadithin gjtihashtu e përcjell edhe Hakimi në „Mustedrek“ në pjesën mbi vlerat e Maries kopte, nga Ismail ibën Muhammed ibën Abdurrahman ibën Aufi nga i ati nga gjyshi i tij Abdurrahman ibën Aufi i cili thotë: „Më mori Pejgambeir a.s. për dore“, dhe përmend hadithin. Pasi e shënon hadithin, Hakimi hesht, nuk shton asgjë lidhur me të.“ Shiko: Nasbu Raje.

Imam Kemal ibën Humami lidhur me tekstin „Nuk i pranohet dëshmia muhannethit, as vajtimtares e as këngëtares“ të theksuar në Kuduri dhe Hidaje, në librin e tij të njohur Fet’hu’l-Kadir thotë: „ Ky tekst është i Kudurit. Këtu ai e përgjithëson shprehjen, mirëpo më pas kthehet dhe e kufizon duke thënë „dhe as atij që këndon për njerëzit“, për çka edhe i bëhet vërejtje se ky përkufizim do të kuptohej nga vet forma e përgjithësuar e cekur më parë, domethënë kur thotë „këngëtares“. Baza e kësaj vërejtje është se emri këngëtare ose këngëtar i vihet si zakonisht atij që e ka zanat të kënduarit përmes të cilit fiton para. Për këtë edhe shohim se kur thuhet „ç’farë është zanati i tij?“, kthehet përgjigjeja: „këngëtar“, ashtu ciç thuhet robaqepës ose farkëtar.

Ky është edhe kuptimi që ka për qëllim shprehja e cekur, mirëpo ai e thekson gjininë femërore (këngëtare) që të përputhet me fjalët e hadithit ku Pejgamberi a.s. thotë: „Allahu i ka mallkuar vajtimtaret, Allahu i ka mallkuar këngëtaret“, kurse është e njohur që motiv i këtij mallkimi është të kënduarit, e jo femëria, po as të kënduarit me femërinë, sepse vendimi që ngrihet mbi një fjalë rrënjë tregon që vetëm kuptimi i rrënjës është motiv i vendimit jo me ndonjë shtesë tjetër. Po, një gjë e këtillë është më e shëmtuar për gruan sepse e ngre zërin e kjo është haram. Që këndej, dijetarët kanë theksuar se të kënduarit për argëtim ose për të grumbulluara para është haram, pa patur ndonjë mospajtim për këtë.

Njësoj vlenë edhe për fjalën „vajtimtare“ pra nënkupton atë që zakonisht e bën vajin zanat fitimprurës. Pas kësaj, kuptimi i tekstit të librit do të ishte: „Nuk i pranohet dëshmia atij i cili e ka bërë të kënduarit zanat prej të cilit fiton por jo atij që nuk e ka bërë zanat këngën“, për këtë edhe e motivon në libër vendimin me atë se ai i grumbullon njerëzit në bërjen e një mëkati të madh (kebire).

Ndërkaq në „Nihaje“ autori cek që kënga për gratë është haram pa ndonjë përjashtim sepse ajo e ngre zërin kurse ngritja e zërit të gruas është haram, për këtë edhe përdoret fjalë e përgjithësuar kur thotë „këngëtare“, kurse kur flet për burrat i shton përkufizimin „për njerëzit“. Mirëpo është e qartë që „kush këndon për njerëzit“ nuk i nënkupton vetëm burrat, sepse përemri „kush“ („men“, ar.) përdoret për gjininë femërore në formë të veçant e jo më kur ka të bëjë për burra e gra bashkë, dhe pse përemri vetor ka ardhur në mashkullore dhe thuhet „juganni“ me „Ja“ poshtë, nuk e veçon atë vetëm për burrat, pasi që dihet që është rregull që për caktimin e përemrit vetor të saj mund të vërehet edhe kuptimi edhe fjala por ka përparësi fjala edhe nëse kuptimi është në femërore, e ku mbetet më kur kuptimi është më i gjërë se femërore ose mashkullore.“

Në vazhdim, Imam Kemal ibën Humami shënon një vërejtje lidhur me motivin që i bën Imam Merginani në Hidaje vendimit të mospranimit të dëshmisë atij që këndon për njerëzit dhe thotë: „Nëse thua: motivi „pse i grumbullon njerëzit në bërjen e një mëkati të madh (kebire)“ që i bën autori, Allahu e mëshiroftë, vendimit në fjalë, lë të kuptohet që të kënduarit është haram në të gjtiha rastet edhe pse prej vet shprehjes kuptohet që të dëgjuarit është mëkat i madh sepse ata tubohen për vet dëgjimin, mirëpo dëgjimi nuk është haram vetëm për shkak të asaj që dëgjohet, mirëpo në fakt nuk është ashtu, sepse nëse ai këndon pa e dëgjuar askush po për veten për largim të mërzisë së shpirtit nuk është e urrejtur. Gjithashtu thuhet që nëse ai e bën atë për të mësuar renditjen e tingujve dhe për të fituar oratori. Mandej thuhet që edhe nëse e bën për ta dëgjuar njerëzit nuk është e urrejtur nëse është rast dasme edhe pse aty ka një lloj argëtimi, leje të cilën e japin vet tekstet.“

Në përgjigjen e kësaj vërejtje Imami shënon: „Lidhur me këndimin në vete dhe për ta larguar mërzinë ka mospajtime mes shujuhve. Disa thonë që nuk është e keqe, e keqe është nëse bëhet për argëtim. Këtë e mbështesin në hadithin e Enes ibën Malikut i cili hyri te vëllau i tij Berra ibën Maliku i cili ishte një nga sahabët e devotshëm dhe e gjeti duke kënduar. Këtë mendim e zgjedh Shemsul Eimmeti Serahsi r.h.

Disa meshajih e quaj të keqe (të ndaluar) çdo formë kënge. Këtë mendim e ka Shejhul Islami (Huvahirzade) dhe hadithin e Berraut e kupton se ai ka thurrur poezi të lejuara me përmbajtje urtësish dhe këshillash, sepse „këndim“ ashtu siç thuhet për të kënduarit e zakont thuhet edhe për forma tjera. Kështu Pejgamberi a.s. thotë: „Kush nuk këndon me Kur’anin nuk është prej nesh“, ndërsa dihet që në thurrjen e poezive të lejuara (mubah) nuk ka gjë të keqe. Prej poezive të lejuara mandej është edhe nëse përmban përshkrimin e një gruaje të pacaktuar, për dallim nga rasti kur ajo është e caktuar dhe e gjallë.

Pasi është kështu, është e mundur që autori të thotë se ndalesa i përfshinë të gjitha situatat, sikurse Shejhul Islami. Mirëpo prej kësaj kuptojmë se kënga haram është ajo e cila ka përmbajtje që nuk lejohet, si: përmendja e një burri ose gruaje të caktuar, përmendja e verës, haneve, tallja me një musliman ose dhimmi nëse vet tallja është për qëllim, jo nëse dëshiron të dëshmojë diçka me të apo për të treguar oratorinë dhe shprehjen artistike të tij.

Se të përmendurit e gruas në poezi është e lejuar kuptohet edhe nga poezia e Ebu Hurejrës r.a. që e përmendëm në kapitullin e haxhit më herët. Pastaj nga poezia e Ibën Abbasit r.a. Mandej poezia e Ka’b ibën Zuhejrit në prezencë të Pejgamberit a.s. Po edhe shumë poezi të Hassanit janë të këtij lloji dhe e dëgjonte Pejgamberi a.s. pa e i thënë gjë. Për këtë edhe nuk ka arsye për ta ndaluar. Po, nëse thuhet në shoqërim të veglave muzikore është e ndaluar edhe nëse përmban urtësi dhe këshilla, për shkak të vet veglave jo për vet këngën, vallahu a’lem.

Në Mugni ibën Kudameja thotë: veglat janë dy llojesh: vegla haram, këto janë veglat e fryrejes pa u shoqëruar me këngë, si: fyejt, tumburi e të ngjashme, për shkak të hadithit të Ebu Umames ku thuhet se Pejgamberi a.s. ka thënë: „Allahu i lartëmadhërishëm më ka dërguar mëshirë për botërat dhe më ka urdhëruar për thyerjen e istrumenteve muzikore dhe fyejve“. Lloji i dytë: veglave të lejuara (mubah), si: defi, në rast martese, dhe vegla të ngjashme me të në raste gëzimi. Kurse veglat tjera janë mekruh, sepse Umeri r.a. kur dëgjonte ndonjë def dërgonte një njeri të shoh, nëse ishte në dasmë heshtte, e nëse jo, atëherë i ndëshkonte me kamxhik.

Në librin Enxhas autori shënon që e kanë pyetur Muhammed ibën Shuxhaë për një person i cili këndon ndër vete dhe ai është përgjigjur: „Nuk e dëmton dëshminë e tij“.

Pra siç shihet, Imam Kemal Ibën Humami këtu thekson se edhe këngët me përmbajtje të lejuar ndalohen nëse këndohen në shoqërim të veglave muzikore dhe si motiv të ndalesës i përmend vet veglat.

Në tekst përmenden qartë situatat dhe format e muzikës së lejuar dhe ky është qëndrim që haset në literaturat e medhhebit hanefi dhe medhhebeve tjera pa dallim, dhe nuk është vetëm mendim i Imam Kemal ibën Humamit, Imam Kuduriut apo Imam Merginanit. Prandaj qëndrimi ynë mbi muzikën dhe pikëpamja jonë mbi qëndrimin e sheriatit ndaj muzikës duhet të kufizohet me qëndrimet e tyre si emra të mëdhenj në njohjen e shkencës së fikhut.