Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Historia e banoreve te qytetit,ne suren Jasin

"Përmendu atyre shembullin e banorëve të qytetit, kur u erdhën të dërguarit." (Jasin, 13)
Shumica e historianëve mendojnë se ky qytet është qyteti i Antakies, në veri të Shamit. Në këtë vend, Zoti dërgoi dy profetë dhe meqë njerëzit i përgënjeshtruan, Zoti dërgoi dhe një të tretë. Thotë Zoti mbi këtë ngjarje:"Ne u dërguam atyre dy vetë, që ata i quajtën gënjeshtarë. Pastaj i përforcuam të dërguarit me një të tretë e ata thanë: “Ne, me të vërtetë, jemi dërguar te ju!” (Jasin, 1414)
Ishin tre profetë që dërgoheshin në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend. Historianët thonë se këta profetë quheshin: Sadik, Saduk dhe Shelum. Të tre ftonin popullin në besimin e drejtë si përmbushje të misionit që u ishte ngarkuar. Përgjigja e popullit të tyre ishte e njëjtë me përgjigjen e popujve të parakaluar.
"Banorët u thanë: “Ju jeni vetëm njerëz si ne, e i Gjithëmëshirshmi nuk ju ka shpallur asgjë; ju vetëm gënjeni”. (Jasin, 15)
Duke parë insistimin e profetëve, populli dhe paria e tyre menduan t'i kërcënojnë dhe t'u bëjnë shantazh.
"Banorët thanë: “Ne parandiejmë fatkeqësi nga ju. Nëse nuk tërhiqeni, do t’ju gurëzojmë dhe me siguri do t’ju godasë një dënim i dhembshëm prej nesh”. (Jasin, 18)
Përgjigja e profetëve ishte:
"Ata u përgjigjën: “Fatkeqësia, që ju ndollët, mund të vijë vetëm nga vetja juaj. Vallë, për shkak se po ju këshillojmë, na kërcënoni?! Ju jeni popull që kaloni çdo lloj kufiri.” (Jasin, 19)
Kur çështja dhe konflikti mbërrin aty saqë profetët kërcënohen dhe u rrezikohet jeta, ndërhyn përkujdesja hyjnore dhe i shpëton. Ju o njerëz i keni kaluar të gjithë kufinjtë.
Duke ndjerë rrezikun që i kanosej popullit të tij, ndërhyn një burrë besimtar dhe i drejtë. Përderisa populli i tij po kërcënonte profetët, ai duhej të ndërhynte që t'a shpëtojë popullin e tij nga ndëshkimi i Zotit. Shumica e historianëve mendojnë se ai është Habib En-nexhar, Zoti e mëshiroftë. Ai punonte në periferi të qytetit dhe me të dëgjuar sfidën që populli i tij u kishte bërë profetëve u nis menjëherë.
"Dhe nga skajet e qytetit erdhi një njeri, duke nxituar dhe tha:“O populli im, ndiqni të dërguarit! Ndiqni ata, që nuk kërkojnë prej jush kurrfarë shpërblimi e që janë në rrugë të drejtë! – këta njerëz po u këshillojnë të veproni sipas normave të moralit -
"Përse të mos e adhuroj Atë, i Cili më ka krijuar e tek i Cili do të ktheheni të gjithë? Vallë, përse duhet të adhuroj zota të tjerë përveç Tij? Nëse i Gjithëmëshirshmi do të dëshironte të më godiste me ndonjë të keqe, ndërmjetësimi i atyre (zotave) nuk do të më sillte kurrfarë dobie e as që do të mund të më shpëtonin. Atëherë, unë do të isha me siguri në humbje të dukshme. Unë i kam besuar Zotit tuaj, andaj, më dëgjoni!” (Jasin, 20-25)
Reagimi i njerëzve ishte i paimagjinueshëm. Ata e rrethuan, e rrëzuan dhe filluan ta gjuajnë me shqelma dhe me ç'të mundin. Transmeton Abdullah ibnu Abasi:"Vazhduan ta rrahin derisa ia nxorën ezofagun vendit." Kështu vdiq Habib En-nexhar.
"(Pasi e vrau populli i vet, atij) iu tha: “Hyr në Xhenet!” (Jasin, 26)
Menjëherë pasi ndërroi jetë dhe u shkëput nga kjo botë, ai iu bashkua jetës së amshuar të banorëve të xhenetit. Edhe në këto çaste ai jeton dhe bredh në çdo qoshe të xhenetit. Kur konstatoi të mirat dhe mrekullitë e xhenetit, ai shprehu një dëshirë:"Ai tha:“Ah, sikur ta dinte populli im, se si më fali Zoti im dhe më bëri të nderuar!” (Jasin, 27)
Vdekja si dëshmor për hir të Zotit, u shpërblye me jetën në xhenet. E lusim Zotin që të gjithë ne të vdesim shehidë për hir të Zotit.
 
Ndëshkimi
"Por pas (vdekjes së) tij, Ne nuk i dërguam kurrfarë ushtrie nga qielli (si dënim) popullit të tij dhe as që kishte nevojë për të dërguar." (Jasin, 28)
Nuk ishte e nevojshme që Zoti të dërgonte ushtarët e tij për t'i ndëshkuar këta njerëz. Për këta, mjaftonte vetëm një britmë e tmerrshme.
"(Mjaftoi për t’i dënuar ata) vetëm një zë i tmerrshëm, pas të cilit u shuan përnjëherësh." (Jasin, 29)
Ishte meleku Xhibril a.s ai që me një britmë i dërgoi në botën tjetër.
Ah, sa mjerim për ata njerëz! Kurdo që u vinte ndonjë i dërguar, ata nuk bënin tjetër, por vetëm talleshin me të." (Jasin, 30)
Këto ishin disa histori që u ndodhën popujve dhe profetëve që erdhën pas profetit legjendar, Ibrahimit a.s.
 

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free