Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Shtëpi e ngrohtë

Me këtë temë, ne hyjmë në elementin e gjashtë të lumturisë, atë të ngrohtësisë familjare. Është e pamundur që njeriu të ndihet i lumtur ndërkohë që njerëzit që e rrethojnë ndihen të trishtuar, të pezmatuar dhe të vuajtur. Njerëzit më të afërt të njeriut, janë familjarët e tij. Nëse vuajtjet dhe trishtimi kanë ngritur fole në familjen tënde, do ta kesh të pamundur të jetosh dhe të ndihesh i lumtur. Nuk ka vuajtje dhe trishtim më të madh kur rrekesh të vësh në vijë ambientin përreth, ndërkohë që familja jote gjendet në kaos dhe mjerim. Ka njerëz të cilët në komunikimin me kolegët e punës janë model i mirë, por me të mbërritur në familje, shndërrohen në përbindësha.
Elementi i gjashtë i lumturisë, përbëhet nga tre tema. Tema e parë do t’u kushtohet lidhjeve familjare mes teje dhe prindërve, fëmijëve, gruas dhe vëllezërve e motrave. Tema e dytë do t’i kushtohet shoqërisë dhe miqësisë. Kurse tema e tretë, do t’u kushtohet atyre njerëzve që të kanë bërë mirë dhe të janë gjendur në çdo kohë.
Vallë si do e përshkruanit atmosferën tuaj familjare në shtëpi, të ngrohtë apo të ftohtë? Që kur e krijoi njeriun e parë mbi tokë, Zoti krijoi familje, një burrë dhe një grua, Ademin (a.s.) dhe Havanë. Zoti e kishte në dorë të krijonte një numër të madh njerëzish, prej të cilëve do të shtohej më pas njerëzimi. Ademi (a.s.) dhe Havaja u martuan në xhenet. Marrëveshja dhe akti i parë që njeh njerëzimi nuk është marrëveshje biznesi dhe tregtie, por marrëveshje dhe akt martese.
Termin besëlidhje e fortë, Zoti e përmend dy herë në Kuran, një herë në kontekstin e profetëve dhe herën e dytë në kontekstin e aktit martesor mes dy bashkëshortëve.
Zoti na ka krijuar për një objektiv madhor. Toka të cilën e ka krijuar Zoti dhe mbi të cilën jetojmë, na është lënë amanet. Ne jemi përgjegjës për mbarëvajtjen e jetës mbi tokë. Kjo përgjegjësi dhe ky amanet, fillimisht iu propozua maleve hijerëndë dhe madhështorë, të cilët e refuzuan këtë përgjegjësi. Ishte njeriu ai që e pranoi përgjegjësinë e mbarëvajtjes së jetës mbi tokë.
Duke qenë se përgjegjësia është shumë e madhe dhe e vështirë, Zoti e pajisi njeriun me katër ndjenja, ku të gjitha burojnë nga familja. Ndjenja e parë, është dashuria që ekziston mes dy bashkëshortëve. E dyta, është dashuria e nënës për fëmijët e saj. E treta, është dashuria e babait për fëmijët e tij. E katërta, është dashuria e fëmijëve për prindërit e tyre. Që nga ekzistenca e njeriut të parë, dashuria është rrënjosur fort në botën e brendshme të njeriut, që nëna t’i dojë fëmijët e saj. Edhe pse gjithçka përreth ndryshon dhe përparon, siç ndryshon teknologjia e moda, kjo ndjenjë mes nënës dhe fëmijëve nuk ka ndryshuar aspak. Kjo ndjenjë kaq e fuqishme, ekziston me qëllim që të garantojë vazhdimësinë e misionit të njeriut mbi tokë. Pa mirësinë e familjes, njeriu do ta kishte të pamundur përmbushjen e misionit të tij.
Nga katër ndjenjat e mësipërme, burojnë shumë të tjera, si ajo mes gjyshërve, xhaxhallarëve, dajallarëve, tezeve e hallave, fëmijëve etj...
“O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”. (Furkan, 74)
Pra, është një lutje për ngrohtësi dhe dashuri familjare. Që të jesh shembull për njerëzit e mirë, në radhë të parë duhet të kesh marrëdhënie të mira dhe të ngrohta me familjarët e tu.
“Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush miqësi dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.” (Rum, 21)
“Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato.” (Bekare, 187)
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër...” (Bekare, 201)
Të mirat e botës tjetër janë në xhenet, kurse të mirat e kësaj bote, sipas interpretimit të shumë dijetarëve, janë në një jetë familjare të qetë.
Një njeri pa familje është i mjeruar dhe i përvuajtur. Një ushtar në fushën e betejës e merr malli me shumë pikërisht familja e tij. Futbollistët kur fitojnë kupën, në fillim u telefonojnë familjarëve të tyre.
Një artist në nivel ndërkombëtar, thotë gjatë një interviste: “E çfarë vlerë ka fama ime dhe se e gjithë bota më njeh, nëse kur shkoj në shtëpi nuk më pret djali krahëhapur dhe i gëzuar?!”
Për Zotin nuk ka mirësi dhe lumturi më të madhe se fakti që ke një familje. Prandaj, mos prano t’i ushqesh fëmijët e tu me haram. Në të kundërt do të fitosh urrejtjen dhe neverinë e tyre.
Vallë a jemi ne të lumtur? A na ngroh jeta jonë familjare? Vallë a janë familjet dhe shtëpitë tona të ngrohta?
Krisja e parë që ndodh në jetën familjare, është se nuk dalin më shëtitje bashkërisht. Hapi që e pason është të ngrënit veç e veç. E treta është se shuhen të gjitha gjërat e përbashkëta mes familjarëve, nuk ka më asnjë temë mbi të cilën pajtohen. Mandej e kanë të vështirë të qëndrojnë në një ambient bashkërisht. Hapi tjetër është se ndihet nevoja për t’u larguar nga shtëpia, duke shfrytëzuar pretekste dhe justifikime të ndryshme.
Të rinjtë dhe të rejat, më hapen shpesh dhe më thonë se sidomos etërit janë të padurueshëm. Ata janë dy llojesh, ose t’i plotësojnë të gjithë dëshirat, veç t’i lësh rehat dhe të mos i mërzitësh me kërkesa, ose janë imponues dhe sugjestionues në gjithçka. Ka etër të tjerë, të cilët nuk u thonë asnjë fjalë të ngrohtë fëmijëve të tyre, përveçse “Ti je dështak, ti nuk merr vesh, ti je i trashë etj...
Kjo i shton problemet në familje, derisa ndodh divorci. Pasojat e divorcit janë tragjike për fëmijët. Të rinjtë, të cilët janë rritur me prindër të divorcuar, më thonë se kanë probleme të shumta edhe me shoqërinë, pasi i etiketojnë si çuna mamaje. Kjo ka bërë që të urrejmë babanë dhe mamanë njëkohësisht.
Ne si myslimanë kemi humbur shumë beteja në mejdanin civilizues. Beteja e fundit që e kemi në dorë ta fitojmë është ajo e familjes. Unë vuaj shpirtërisht kur shoh se divorcet janë shtuar mes myslimanëve. Unë vuaj shpirtërisht kur shoh gra të divorcuara që organizojnë ceremoni me rastin e divorcit.
Kur shoh fëmijë që jetojnë me prindër të divorcuar, mua më rrjedh zemra gjak nga dhimbja. Si është e mundur që prindërve nuk u dhimbsen fëmijët e tyre?
Sot jemi dëshmitarë të shpërbërjes së shumë familjeve. Babai ulet në kolltukun e tij dhe ndjek shtypin dhe lajmet sikur jeton në një ishull të izoluar. Fëmijët luajnë lojëra kompjuterike më vete dhe nuk u intereson asgjë tjetër. Të rinjtë mbyllen në dhomat e tyre dhe komunikojnë virtualisht me të gjithë botën, duke injoruar familjarët e tyre me të cilët i ndajnë disa metra. Vajzat ua hapin zemrën vetëm shoqeve, por kurrë nënës apo babait. Edhe kur u nevojitet diçka, fëmijët e shkruajnë kërkesën në një letër dhe e vendosin sipër derës së frigoriferit.
 
Pesë rregulla
Që ky fenomen të mos marrë përmasa tragjike, ne do ju ofrojmë pesë rregulla, të cilat do t’ju ndihmojnë për një jetë familjare normale. Këto rregulla kërkohet të respektohen si nga prindërit ashtu dhe nga fëmijët. Secili duhet të interesohet që familjes t’i kthehet ngrohtësia dhe lumturia.
 
1 – Falu të gjithë familjarëve dashuri, dhembshuri dhe respekt. Nuk është kusht që t’i doni, por kërkohet që t’i respektoni dhe të jeni të dhembshur me ta.
Në ajetin: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush miqësi dhe mëshirë.” (Rum, 21) Zoti nuk përmend termin dashuri, por miqësi. Kjo, pasi jo të gjitha familjet bazohen në dashuri.
A është e mundur që ju o prindër t’u falni fëmijëve tuaj dhembshuri, t’i respektoni dhe të silleni butësisht me ta? A është e mundur o fëmijë, që të silleni me respekt me prindërit tuaj?
Shembullin më të mirë ne kemi tek i dërguari i Zotit (a.s.). Ai ishte model dhe shembull dhembshurie e respekti për dy nipat e tij, të cilët i donte shumë. Një herë, teksa po predikonte në xhami, aty hyjnë dy nipat e tij, Hasani dhe Hyseni. Të dy kishin veshur rroba të gjata dhe sa herë niseshin të ecnin, ngatërroheshin dhe përplaseshin përtokë. Profeti (a.s.) e ndërpreu predikimin, zbriti nga minberi, i mori në krahë, u ngjit sërish në minber dhe vazhdoi predikimin. Myslimanët ngaqë ishin fokusuar tek fjalët e tij, nuk kuptuan përse zbriti nga minberi. Profeti (a.s.) kur e pa këtë, u tha: “I pashë dy nipat e mi që ngatërroheshin dhe më erdhi keq për ta, prandaj i mora në krahë.”
Një herë tjetër, teksa po falej me myslimanët në xhami ai mbajti në krahë Umamen, mbesën e tij, vajzën e Zejnebes. Nga kjo, gratë mësuan se bën të falesh duke mbajtur në krahë foshnjat.
A sillesh kështu me fëmijët e tu, o prind? A u fal dhembshuri dhe a i respekton siç bënte Profeti (a.s.)?
Nëse ti o prind ke një fëmijë të prapë dhe të pandreqshëm, e ke provuar me rrahje, me fyerje dhe kacafytje, por që s’kanë dhënë rezultat. Përse të mos e provosh me mirësi, dhembshuri dhe respekt? Të vazhdosh me metodën e parë, është si të kërkosh të hapësh një portë me një çelës që nuk është i saj. Çelësi i duhur në raste të tilla, është dhembshuria dhe respekti.
Unë njoh një baba dhe nënë, të cilët ishin sprovuar me një djalë të prapë. Kur mbushi moshën e adoleshencës, konflikti mes tyre u acarua. Të gjendur në një situatë të tillë, ata ndryshuan metodën e komunikimit. Kështu, teksa ai flinte, i vinin nën jastëk mesazhe të ndryshme, ku i shkruanin: “Ne të duam, të respektojmë, nëse ke nevojë për diçka na e thuaj, mendoje mirë filan çështje etj...”
Tregon vetë djali: “Letrat që gjeja nën jastëk ishin qetësuesi më i mirë për mua. Gjatë adoleshencës, unë nuk pranoja që dikush të më këshillonte në mënyrë të drejtpërdrejtë. “
Një nënë, djali i së cilës e kishte lodhur me sjelljet e tij, i shkruan një letër dhe ia vendos nën jastëk. Në letër, ajo i shkruan: “Mendoja për ty që para se të ekzistoje, të dashurova para se të lindësh, jetova vetëm për ty gjer sa u bëre burrë, prandaj sillu me të butë me nënën tënde!”
Nuk ka çelës më të efektshëm sesa çelësi i dhembshurisë dhe i respektit. Familja është mirësia më e madhe, prandaj kapuni fort pas saj, para se ta humbisni. Pyesni për këtë fëmijët që rriten në jetimore, pyesni fëmijët që rriten pa prindër.
Tregon një nënë: “Kur fëmijët mbushën moshën dhjetëvjeçare, angazhimet u shtuan dhe nuk kisha kohë që t’i kushtohesha babait tim. Për shkak të punëve të shumta, e shihja shumë rrallë. Një ditë më marrin në telefon dhe më tregojnë se babai gjendej në gjendje të rëndë në spital. Me të vajtur, ia kapa dorën dhe ndjeva një ngrohtësi, të cilën kisha kohë që nuk e ndjeja. Disa ditë më pas, babai ndërroi jetë. Kur dal me fëmijët për shëtitje, vajza e madhe nuk pranon të më kapë për dore, ndërkohë që djali i vogël po. Mua nuk më vjen mirë që vajza e refuzon dorën time. Nuk dua që ajo ta kapë dorën time vetëm në spital apo në shtratin e vdekjes.”
Njoh një të ri i cili i keqtrajtonte prindërit e tij. Një herë, ata u zunë keq dhe djali braktisi shtëpinë dhe jetonte larg tyre. Prindërit e mbushën vendin me lajmërime dhe foto të djalit të tyre. Një ditë, djali sheh foton e tij mbi një shtyllë dhe poshtë saj të shkruar: “Kush e njeh, të kontaktojë në këtë adresë...” Kjo e zemëroi dhe menjëherë u nis drejt shtëpisë, e cila gjendej në një lagje të varfër. Kur u afrua pranë, e gjeti derën e shtëpisë të hapur. Me të hyrë brenda, i gjeti prindërit duke fjetur. I përmallur i përqafoi dhe i pyeti përse e kishin lënë të hapur. Prindërit i thanë se që ditën që kishte ikur, nuk ishte mbyllur ajo derë, ngaqë shpresonin se do të kthehej shpejt.
Mëshira dhe dhembshuria e prindërve për fëmijën, është një model për të treguar mëshirën dhe dhembshurinë e vetë Zotit të gjithësisë. Nëse prindërit e lënë hapur derën me shpresën se fëmija do të kthehet sërish, çfarë mendoni për Zotin e lartësuar, i cili e ka deklaruar se dera e pendimit është gjithmonë e hapur?
 
2 – Zhvillo një takim javor me familjarët. Profeti (a.s.) i përmbahej çdo javë një takimi me familjen e tij. Transmeton imam Buhariu se Aisheja thotë: “I dërguari i Zotit, pasi falte namazin e sabahut vinte tek unë, ulej dhe bisedonim.”
Nëse ti nuk e bën dot këtë çdo ditë, të paktën një herë në javë duhet ta bësh. Një herë, në javë dilni bashkë dhe hani një vakt jashtë. Thotë Abdullah ibnu Abasi: “Melekët e Zotit luten për pjesëtarët e një familjeje, të cilët bashkohen në një vakt ngrënieje.”
Edhe pse ishte i dërguari i Zotit dhe kishte angazhime të shumta, Profeti (a.s.) gjente kohë, dilte me Aishen dhe bënin gara vrapi bashkë. Nëse i dërguari i Zotit (a.s.) gjente kohë për të shëtitur dhe vrapuar me të shoqen, ti nuk ke asnjë justifikim. E kush mund të jetë më i angazhuar se i dërguari i Zotit (a.s.)?! Përse gjen orë të tëra për të kaluar me shokët dhe me gruan e fëmijët ngushtohesh? Nuk ka trishtim dhe mjerim më të madh, sesa kur rrekesh të rregullosh gjithçka, ndërkohë që kaosi dhe rrëmuja kanë kapluar shtëpinë tënde.
Tregon Xhabir ibnu Abdilah: “Ditën kur u firmos marrëveshja e Akabes, unë isha i ri në moshë. Babai im më mori për dore dhe më tha: “Hajde me mua!” Disa nga banorët e Medinës si thanë: “Mos e merr me vete! Mos e merr më qafë!” Por ai ua ktheu: “Për Zotin nuk do ta privoj tim bir nga kjo ditë e shënuar.”
Unë njoh një prind, i cili udhëtoi me të birin nga një qytet në një tjetër, thjesht për të parë një ndeshje futbolli. Pa dyshim që qëllimi nuk ishte ndeshja, por ishte udhëtimi bashkë, fjetja në hotel bashkë, bisedat, vaktet e të ngrënit etj...
A e imagjinoni dot çfarë ndikimi do të kini te njerëzit, nëse do t’ju shohin të hani një vakt me djalin tuaj në restorant? Vallë kur ke dalë për shëtitje për herë të fundit me gruan tënde? 
Gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, Profeti Muhamed (a.s.) mbyllej në xhami në itikaf. Një ditë, vjen gruaja e tij Zejnebeja dhe i sjell disa gjëra, të cilat ia kishte kërkuar Profeti (a.s.). Edhe pse ndodhej në itikaf, Profeti (a.s.) doli nga xhamia, e përcolli Zejneben deri në shtëpi dhe u kthye sërish.
Nëse kërkojmë lumturinë, fillimisht duhet ta kërkojmë në marrëdhëniet e ngrohta familjare.
 
3 – Caktoni dhe gjeni diçka të përbashkët me pjesëtarët e tjerë të familjes. Nëse je prind, kërko diçka të përbashkët me djalin tënd. Nëse të dyve u pëlqen futbolli, diskutoni bashkërisht rreth kampionatit, skuadrave dhe futbollistëve më të mirë. Nëse djalit tënd i pëlqen të luajë PlayStation, por ti nuk di të luash, mësoje dhe bëji shoqëri. Nëse nuk keni diçka të përbashkët me fëmijët tuaj, nuk do të dini të uleni dhe të bisedoni me ta. Nëse ti o motër të pëlqen të bësh pazar, gjë e cila i pëlqen dhe nënës, bëjeni bashkërisht këtë.
Ibrahimi (a.s.) është model i mirë në marrëdhëniet që kishte me djalin e tij Ismailin (a.s.). Edhe ai kishte të përbashkëta me djalin e tij, siç ishte ndërtimi i Qabesë. Profetin (a.s.) e bashkonte me Hadixhen gjithçka. Edhe kur ai qëndronte në shpellë i vetëm, ishte vetë Hadixheja ajo që ia dërgonte ushqimin dhe qëndronte me të për t’i larguar vetminë dhe mërzinë. Kjo, edhe pse ajo nuk e kuptonte përse bashkëshorti i saj qëndronte aq larg për të adhuruar Zotin.
Profeti (a.s.) kishte me çdo njeri diçka sekrete, të cilën nuk e ndante me të tjerët. Ditën që vdiq, ai e afroi vajzën e tij Fatimen dhe i pëshpëriti diçka në vesh. Nga kjo, Fatimeja shpërtheu në të qara. Mandej ai i pëshpëriti diçka tjetër dhe Fatimeja qeshi. Kur gratë e Profetit (a.s.) e pyetën se çfarë i pëshpëriti, ajo ua ktheu: “Është sekret mes meje dhe babait tim.” Vetëm pasi kishte ndërruar jetë Profeti (a.s.), Fatimeja u tregoi se herën e parë i kishte thënë se ai do të vdiste atë ditë dhe për këtë qava. Kurse herën e dytë i kishte thënë se ajo do të ishte personi i parë që do të bashkohej me të në botën tjetër. Për këtë kishte qeshur.
 
4 – Sillu me familjarët sikur sillesh me shokët dhe miqtë e tu. Le të janë familjarët e tu shokët dhe miqtë më të ngushtë. Sa herë që Kurani përmend lidhjet prind-fëmijë, i përmend në kontekstin e shoqërisë dhe të miqësisë. Kurani këshillon që lidhjet prind-fëmijë të jenë si lidhjet mes shokëve.
Dikush vajti te Profeti (a.s.) dhe e pyeti: “Kush e meriton më shumë shoqërinë time, o i dërguari i Allahut?” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Nëna jote.” Duke mos gjetur një përgjigje që shpresonte, burri e pyeti sërish: “Cilët njerëz e meritojnë shoqërinë time, o i dërguari i Allahut?” Profeti (a.s.) ia ktheu sërish: “Nëna jote.” Burri e pyeti: “Mirë, po pas saj?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Nëna jote.” Burri e pyet: “Po pas saj?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Babai yt.”
A jeni shokë dhe miq ju o prindër me fëmijët tuaj? A dilni shëtitje bashkë? A e qerasni njëri-tjetrit? A hapni tema të ndryshme për diskutim me njëri-tjetrin? A luani futboll bashkë? A luani PlayStation apo çfarëdo loje tjetër? Nëse duam që fëmijët tanë të na tregojnë sekretet dhe të na flasin mbi jetën e tyre, duhet që ne si prindër t’ju flasim mbi jetën tonë dhe disa sekrete tonat. Bisedat mes prindërve dhe fëmijëve nuk ka përse të bëhen vetëm mbi heroizmat e prindërve dhe kërkesa që edhe fëmijët të jenë të tillë. Të gjithë prindërit pretendojnë se kanë qenë të dalluar dhe të parët si në shkollë ashtu dhe në punë. Tregohu i sinqertë me fëmijët e tu, me qëllim që të të besojnë.
Të gjithë ne e dimë historinë e Kab ibnu Malikut, i cili nuk iu bashkëngjit qëllimisht ushtrisë myslimane në luftë. Është e çuditshme, pasi ai që e rrëfen historinë e tij është vetë Abdullahu, djali i Kab ibnu Malikut. I ati ia kishte rrëfyer gjithçka që kishte ndodhur, përjetimet, emocionet, frikën dhe pendimin. Kjo nuk do të thotë që fëmijëve t’ju tregojmë gjynahet tona.
E njëjta gjë kërkohet edhe mes bashkëshortëve.
Pak para se të vdesë, Ebu Bekri e la amanet që ta lajë e shoqja, Esma bintu Amis. Kur e pyetën mbi shkakun, ai u tha: “Ajo është njeriu më i dashur i zemrës time.”
Një marrëdhënie e tillë bashkëshortore mua më ka lënë pa fjalë.
 
5 – Adhurojeni Zotin së bashku. A ka gjë më të bukur sesa të shohësh dy bashkëshortë të falen bashkë? A ka gjë më të bukur sesa të shohësh një familje tek lexojnë Kuran bashkërisht?
Profeti (a.s.) ka thënë: “Zoti e mëshiroftë një burrë, i cili ngrihet natën për t’u falur. Ai e zgjon dhe të shoqen dhe bashkërisht falin dy rekate. Zoti i shënon bashkë me ata që e kujtojnë Zotin shpesh.”
Nuk ka përjetim më të bukur dhe lumturi më të madhe, sesa kur e gjithë familja, prindër dhe fëmijë rreshtohen dhe falin së bashku namazin. Muaji i Ramazanit është muaji ku familja bashkohet më shumë se në çdo muaj tjetër.
E lusim Zotin që dashuria, respekti dhe ngrohtësia familjare të mbizotërojnë në familjet tona! Amin!
 


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free