Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Sporti ne Islam

Islami erdhi si një fe universale dhe e harmonizuar. Erdhi që t’i rregullojë çështjet e kësaj bote dhe të tjetrës (Ahiretit), dhe të përkujdeset për jetën e individit dhe të shoqërisë, kujdeset për çështjen e individit në aspektin fizik, shpirtëror dhe psikik, sepse ai dëshiron që muslimani të jetë i fortë fizikisht, intelektualisht dhe shpirtërisht, gjithashtu të jetë i fortë edhe në besimin e tij: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se besimtari i dobët” (Transmeton Muslimi nga Ebu Hurejra r.a.).

Islami i kundërvihet feve (besimeve) të cilat nuk i kushtojnë rëndësi aspektit fizik të njeriut, dhe nuk i kushtojnë rëndësi përveç shpirtit (madje disa prej tyre ngriten në baza të ndëshkimit trupor ashtu që shpirti të pastrohet e të lartësohet) e ia ndalojnë trupit ushqimet e mira dhe zbukurimet e Allahut. Islami e kundërshton këtë pikëpamje, Allahu thotë: “O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin). Thuaj: Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që Allahu i krijoi për robtë e vet?” (El- A’raf, 31-32).

Kush është ai që e ndaloi këtë zbukurim, kush i ndaloi këto ushqime të mira për njeriun? Kush është ai që pretendon se e ka të drejtën e ndalimit përveç Allahut xh.sh.? Islami erdh që të kujdeset për trupin e njeriut, dhe për herë të parë njerëzit dëgjuan në mjedisin fetar këtë fjalë të Pejgamberit a.s.: “Me të vërtetë ti ke obligim ndaj trupit tënd” ( Buhariu nga Abdullah ibën Amër ibën A’si r.a.).

Nga obligimi që ke ti ndaj trupit tënd është që ta forcosh atë kur të dobësohet, ta ushqesh kur të ketë uri, të i japësh ujë kur të ketë etje, ta pastrosh kur të ndotet, ta pushosh kur të lodhet, ta shërosh kur të sëmuret, madje ta mbrosh sa të mundesh nga sëmundjet.

Islami në këtë mënyrë dëshiron ta formojë një shoqëri të fortë, e kjo nuk mund të realizohet përveç nëse pasuesit e saj janë të fortë, sepse nga individët formohet shoqëria, ashtu siç formohet ndërtesa nga tullat.A është e mundshme që një ndërtesë të jetë e fortë e që është ndërtuar nga tullat e dobëta dhe jo kualitative? Jo, nuk është e mundur.

Për këtë arsye, Islami i kushton kujdes formimit të individit të shëndoshë e të fortë në çdo aspekt, ndër të edhe në aspektin fizik.Islami dëshiron ta formojë njeriun fizikisht mbi tri shtylla kryesore:

Shëndeti

Shëndeti i mirë dhe mbrojtja nga sëmundjet. Njeriu duhet të jetë i shëndetshëm në trupin e tij, siç është cekur në një hadith: “Kush zgjohet i sigurt në familjen e tij, i shëndosh në trupin e tij, posedon ushqim ditor të mjaftueshëm, është njëlloj sikur t’i jetë dhënë e gjithë bota” (Transmetojnë: Buhariu, Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe nga Abdullah ibën Mihsan el-Hatmi r.a.).
Trupi i shëndosh është faktori kryesor për një jetë të sigurt e të lumtur.

Stërvitja

Ruajtja e kondicionit është e nevojshme për dinamizëm dhe lëvizje. Njeriu duhet të posedojë trup elastik, lëvizës, të aftë për kryerjen e obligimeve fetare dhe botërore.Islami na ka detyruar me obligime fetare të ndryshme, na ka obliguar pesë kohët e namazeve, të cilat njeriu i falë në xhami aq sa mundet. Për këtë arsye, ai e mund përtacinë dhe pasionet, duke shkuar në xhami për t’u falur, dhe e tërë kjo ka nevojë për fuqi fizike dhe kondicion. Edhe agjërimi i muajit të Ramazanit për çdo vit është një lloj i urisë së detyrueshme, gjithashtu ka nevojë për fuqi fizike.Në Haxh, njeriu bëhet si kampist apo endacak, shkon dhe jeton sipas mundësive të tija, që gjithashtu edhe kjo kërkon fuqi fizike.Në xhihad, kur njeriut t’i sulmohet feja, atdheu apo nderi i tij, atëherë ai duhet të mbrohet.
Si mund të mbrohet njeriu i dobët? Njeriu duhet të jetë i fortë: “E ju përgatituni sa të keni mundësi force” (El-Enfal, 60).
Forca që duhet të përgatitet është fuqia fizike.Për këtë arsye, Pejgamberi a.s. kishte trup të fuqishëm. Ai doli në mundje me një mundës të njohur që quhej Rukane, të cilin e mposhti. Gjithashtu, ai e kalëronte atin pa shalë e pa fre. Në mesin e shokëve të Pejgamberit a.s. kishte nga ata që bënin gara në kalërim, dhe të gjithë ishin të shkathët në kalërim, në ngasjen e kuajve, në shigjetari, luanin lojërat e kalërimit, dhe në këtë mënyrë i përgatitnin vetët e tyre për xhihad (luftë të shenjtë). Ky është ymeti i vërtetë.

Në mesin e sahabëve nuk ka pasur as asketë e as fanatik

Omeri r.a. e pa një njeri i cili në namazin e tij ishte tepër i përulur, e i tha atij: “O ti, ngrite kokën, sepse devotshmëria është në zemër e jo në qafë”. Një sahabije i vërejti në rrugë disa të rinj të cilët ecnin ngadalë e të pakujdesshëm, pyeti për identitetin e tyre: “Kush janë ata? I thanë: Ata janë asketë (adhurues). Ajo tha: Kur Omeri r.a. ecte, shpejtonte; kur fliste, ishte i qartë (i kuptueshëm); kur rrihte, (të) dhembte; e edhe pas tërë kësaj ai ishte asket i vërtetë”. Megjithatë, Islami ka obliguar edhe detyra të kësaj bote: furnizimi me ushqim për vete dhe fëmijët, edhe për këtë është e nevojshme fuqia. Prandaj, njeriu duhet të jetë i fortë e i aftë për lëvizje. Nga këtu, Islami i ka ligjësuar të gjitha llojet e sportit të lejuara të cilat forcojnë trupin, si: notin, shigjetarin dhe kalërimin e kuajve. Pejgamberi a.s. ka thënë: “E drejtë e fëmijës tek prindi i tij është që prindi t’ia mësojë shkrimin, notin dhe shigjetarinë” (Hakim Tirmidhiu, Ebush-Shejhi dhe Bejhekiu nga Ebu Rafiu r.a.).
Transmetohet nga Omeri r.a. të ketë thënë: “Mësojuani fëmijëve tuaj notin, shigjetarinë, dhe urdhëroni që të kërcejnë mbi shpinën e atit”.
llojet e sporteve që ishin të njohura në mesin e tyre Në kohën tonë, ekzistojnë lloje të ndryshme të sporteve, madje sporti është bërë shkencë dhe artë. Ekzistojnë institute sportive (të mesme dhe të larta), që u mësojnë njerëzve se si të bëhen sportistë. Një gjë e tillë sot është më se e nevojshme, pasi që njerëzit pothuajse fare nuk ecin. Në të kaluarën, njerëzit për nevojat e tyre ecnin me milje e milje, ndërsa sot hipin në mjete të udhëtimit për çdo nevojë që kanë, për
arsye se ata kanë nevojë për ushtrime sportive që ua forcojnë trupin, ashtu që mos t’u shkaktohet ndonjë sëmundje nga pushimi i tepërt dhe pasiviteti.Islami nuk e ndalon asnjë lojë, por me kusht që të mos teprohen. Teprimi i ngatërron të gjitha çështjet. Kur ndonjë gjë të kalojë kufirin e vet të caktuar, atëherë ajo është në kundërshtim me të.S’ka gjë nëse njerëzit luajnë futboll, volejboll, basketboll, tenis, apo ndonjë lloj tjetër të sportit, mirëpo me kusht që sporti mos të bëhet shkak për t’i harruar obligimet tjera, dhe njerëzit të mos largohen nga përmendja e Allahut e nga namazi. E as mos të bëhen shkak për ndarjen e njerëzve në grupe ndërmjet vete e ta përkrahin dikë, e të bëhet topi idhull që adhurohet. Kjo nuk guxon të ndodh.

Rezistenca

Kjo është e posaçme vetëm për meshkuj. Të rinjve tanë duhet t’ua mësojmë rezistencën, sepse jeta nuk është vetëm trëndafil pa gjemba. Ndonjëherë jeta është edhe trëndafil me gjemba, jeta është fllad dhe stuhi, jeta është e ëmbël dhe e hidhur.Njeriu duhet ta përgatitë veten e tij për ta takuar jetën ashtu siç është. Ai duhet ta përballojë urinë, etjen dhe dhembjet kur të ketë nevojë. Për këtë arsye, Islami e ka obliguar agjërimin një muaj për çdo vit, që ta ushtrojë muslimanin për uri dhe etje, sepse ndonjëherë jeta e bie muslimanin në atë situatë përkundër dëshirës së tij.Njeriu duhet të rezistojë, e të ushtrohet për rezistencë, siç është cekur në hadith: “Bëhuni të qëndrueshëm si Ma’di” (Taberaniu, Ibën Shahini dhe Ebush-Shejhi nga hadithi i Jahja ibën Zekerijja ibën Ebi Zaide nga Ebu Seid El-Makberij), si Ma’d ibën Adnani i cili ka qenë një burrë i qëndrueshëm dhe i fuqishëm.”Bëhuni të fortë e të qëndrueshëm, sepse mirësia nuk zgjat shumë”. Mirësia dhe luksi nuk zgjasin përherë, sepse është e pamundur që një gjendje të qëndrojë e pandryshueshme. Ndodh që bota dhe koha të ndryshojnë: “Ne, këto ditë i ndërrojmë (u japim në përdorim) mes njerëzve” (Ali Imran, 140).
Ai që tërë jetën e tij e jeton në luks dhe në komoditet, ai nuk mund ta përballojë jetën e tij nëse ajo i ndryshohet. Ai do të mund të e përballojë vetëm atëherë kur ta mësojë veten e tij në qëndrueshmëri, rezistencë, dhe në përballimin e vështirësive. Këto ishin tri bazat që Islami kërkon për përkujdesjen e trupit të njeriut, trupit të muslimanit. Këto janë të domosdoshme për formimin e personalitetit të muslimanit.Personaliteti i myslimanit është i fuqishëm në trup, në mendje dhe në shpirt. Këto janë karakteristikat personale të cilat i kërkon Islami.

Cfare thonë Dijetarë e Islamit të kohës tonë për Futbollin më veqantisht ?

Dr. Zakir Naik thotë:

Sporti lejohet me tri kushte:
1. Të mos bie ndesh me kohen e namazit, ndryshe, nëse vonohet apo humb tërësisht namazi shkak i sportit, ai është i ndaluar.
1. Rrobat e lojtarëve të jenë të rregulluara sipas fesë.
Mashkulli duhet ta ketë të mbuluar, së paku, pjesën prej kërthizës deri nën gjunjë. Nëse nuk ka një veshje të tillë, atëherë kjo është e ndaluar.
3.Të mos pengojë nga përmendja e Allahut, të mos duaj dhe urrejë për hire të sportit dhe të mos humbasësh kohë të shumtë në të.

All-llahu e di më së miri.