Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Ti shkosh gjer në fund

Një dashamirës dhe nxënës më shkroi një letër ku dukej qartë se ai i kërkon një ftuesi ti shkojë gjërave gjer në fund. Po aq qartë, dukej se ai nuk e bënte dot dallimin mes një ftuesi, mësuesi, gjykatësi dhe pushtetari. Ai i sheh gjërat nga një këndvështrim i vetëm sipas të cilit: “E vërteta duhet thënë”. Ama, sa e madhe është kjo e vërtetë që duhet thënë, kur duhet thënë, si duhet thënë, kush duhet ta thotë etj. nuk i ka shkuar në mendje.

Të vërtetat janë të shumta dhe të mëdha. Askush nuk mund ta thotë të vërtetën të plotë. Një njeri i mençur dhe i urtë, e thotë të vërtetën në mënyrë të përgjithshme. Një nga tiparet e profetit Muhamed a.s. ishte oratoria, ku me pak fjalë shprehte kuptime të gjera dhe plot domethënie.

Një ftues, kur flet apo shkruan, merr në konsideratë humorin dhe gjendjen psikologjike të dëgjuesit apo lexuesit, aftësitë e tyre perceptuese dhe intelektuale, me qëllim që ti bashkojë zemrat e tyre rreth të vërtetës.

Fakihu hulumton dhe përpiqet të kontrollojë shprehitë, disiplinat, kriteret dhe rrethanat duke i ndarë sipas nivelit dhe duke u mbështetur në fakte. Mësuesi ndjek linjën akademike për rrënjosjen e informacioneve fillestare në mendjet e studentëve si dhe ushtrimin e tyre për të bërë kërkime shkencor dhe hulumtime.

Gjykatësi dhe pushtetari kanë në duar pushtetin ekzekutiv dhe detyrimin. Secili prej tyre i jep të drejtë këtij ose atij, por edhe mund të manifestojnë pështjellim dhe hezitim.

Prandaj, them që ftuesi operon në një terren më të gjerë dhe nuk është i detyruar ti kufizojë dhe mbyllë çështjet, duke i çuar gjer në pikën e fundit. Kjo, sepse ato gjëra që nuk përmbushen sot, do të mund të përmbushen nesër, ajo që nuk është thënë këtu, do të thuhet diku tjetër, atë që se dëgjoi ky do e dëgjoi ai.

Është padrejtësi që ti kërkojmë ftuesit dhe ta përndjekim derisa të thotë e të thotë bazuar në këndvështrimin tim personal për atë që duhet thënë.

Në koleksionin e imam Muslimit, tregohet se Muavije ibnul Hakem Sulemiji ka thënë: “Ndërkohë që ishim duke u falur me të dërguarin e Zotit a.s. dikush nga xhemati teshtiu. Unë i thashë: “Shëndet! Njerëzit përreth më panë vëngër, kurse unë ua ktheva: Ç’keni që më shihni ashtu?! Disa filluan të qëllojnë kofshët me pëllëmbë. Kur pashë që duan që të mos flas, heshta. Pasi mbaroi namazin i dërguari i Allahut a.s. i cili ishte mësuesi më i mirë që më kanë parë sy, u kthye dhe pa më qortuar dhe fyer, më tha: Ky është namaz dhe teksa falesh, nuk bën të flasësh gjëra të tjera, përveç tekbirit, leximit të Kuranit dhe lartësimit të Zotit.”

Këtu ne shohim Profetin a.s në statusin e ftuesit, ndërkohë që personi që e tregon ngjarjen ishte një njeri i sapo konvertuar në Islam. Kjo duket qartë në të folurën e tij në namaz. Disa nga myslimanët e ndaluan dhe kritikuan por Profeti a.s i ndaloi.

Një burrë i tregoi Profetit a.s: “O i dërguar i Allahut! Unë sapo jam konvertuar mysliman, duke hequr dorë nga paganizmi. Njerëzit e mi shkojnë dhe frekuentojnë fallxhorët. Profeti a.s i tha: “Atëherë ti mos shko!”

Në një hadith të tij profeti Muhamed a.s thotë: “Kush shkon tek një fallxhor dhe e pyet për diçka, nuk i pranohet namazi për dyzet net.” (Muslim)

Në një hadith tjetër Profeti a.s thotë: “Kush shkon tek një fallxhor apo parashikues fati dhe e beson për atë që i thotë, ka përgënjeshtruar atë që i është shpallur Muhamedit.” (Ebu Daud)

Kur rrethanat janë të tilla që disa herë lipset verdikti i nxjerrjes nga feja, herë të tjera ai i haramit dhe herë të tjera mospëlqimi, ftuesi bën vlerësimin e tij personal. Prej tij nuk kërkohet ti dalë në qosh dhe të thotë se diçka e tillë është mosbesim, pasi nuk përjashtohet mundësia e keqkuptimit dhe keqinterpretimit. Ai nuk është i detyruar as të deklarojë verdiktin e haramit. Nëse e dënon si akt dhe përmend pasojat e tij të rënda, bazuar në disa tekste, ka kryer detyrën e tij sipas rrethanave.

Deklarimi i daljes nga feja, ndjekjes së rrugës së humbur dhe pretendimi i prerë i një gjykimi të caktuar, shpesh herë shkakton ftohje tek dëgjuesit. Prandaj, pozita më e përshtatshme e një ftuesi është motivimi, stimulimi, nxitja për punë të mira, përkujtimi mbi vlerën dhe shpërblimin për punët e mira dhe pasojat për punët e liga. Ai nuk është i obliguar të zhytet në tekstet që nxjerrin nga feja dhe konsiderojnë në humbje disa shtresa, pasi kjo nuk përkon me statusin e tij.

Dispozitat dhe nxjerrja e dekreteve ka ekspertët e vet profesionistë të cilët thellohen në çështje të tilla.

Selman Aude