Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Xhamite jane shtepite e Zotit

Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin fisnik: “Zoti Ka urdhëruar, që të ngrihen e të lartësohen dias shtëpi, në të cilat përmendet emri i Tij, në të cilat ka burra, që kujtojnë Zotin dhe e lavdërojnë emrin e Tij në mëngjes e në mbrëmje. Ata nuk i mashtron as tregtia e as shitblerja nga përkujtimi i emrit të Zotit, nga falja e namazit, nga dhënia e zekatit. Ata janë burra që kanë frikë atë ditë, kur do të rrotullohen zemrat dhe sytë e njerëzve”.
Xhamitë janë shtëpitë e Zotit në tokë. Ato janë vendi, ku zbuten zemrat e njerëzve, pasi janë ngurtësuar. Janë nga të rrallat vende, ku lotojnë sytë e njeriut, ku ai reflekton me veten e tij, me botën e me gjithçka tjetër.
Xhamitë janë vendi, ku mësohet praktikisht vëllazëria, vendi ku aplikohet të paktën 5 herë në ditë barazia përpara Krijuesit tonë, vendi ku mësohet se besimtar i  mirë është ai, që do për tjetrin atë që do për vete.
Nëse doni të dini se sa e rëndësishme është xhamia në fenë tonë, atëherë dijeni se dora e bekuar e profetit (a.s) e nisi dhe e mbaroi nga themeli deri në çati xhaminë e tij, sepse ai besonte thellë në zemrën e tij, se feja e tij do të dalë prej xhamie. Ai besonte, se civilizimi i tij që do të hapë zemrat e njerëzve anembanë botës, përsëri do të dalë nga xhamitë. Ai besonte, se pasuesit e tij forcën më të madhe e kanë brenda xhamisë dhe dalin prej tyre për t`u folur të gjithë njerëzve.
Nëse doni të dini rëndësinë e xhamive, atëherë imagjinoni botën islame pa xhami, pa minare, pa xhemate që falin xhumatë apo 5 vaktet e namazit. Nse do të ishte kështu, atëherë kjo do të ishte thjesht një botë e vdekur, në të cilën nuk ka asnjë shenjë jete.
A të ka ndodhur të kesh shkuar në ndonjë vend, ku ke çdo gjë, por nuk ke xhami. Nëse nuk të ka qëlluar ty vetë, pyete dikë që i ka  ndodhur diçka e tillë. Ai do të të thotë: “Pasha Zotin e ndjeja veten si zogu pa fole, si peshku pa ujë”. Besimtari nuk ndjehet rehat, kur nuk ka një vend për të vendosur ballin në sexhde, kur nuk gjen  xhami ku të falet.
Xhamia nuk është një vend i vdekur, që hapet një herë në javë, por është vend i gjallë, që i gjallëron të gjithë zemrat e atyre, që hyjnë në të të paktën pesë herë në ditë.
Xhami nuk është vend i ftohtë, që të sjell frikë kur futesh në të, por përkundrazi është një vend, që kush futet në të ndihet rehat, ndjen ngrohtësi e gjallëri, sheh shpresë dhe optimizëm për jetën e tij edhe pse deri në ato momente mund të ketë qenë njeriu më pesimist.
Xhamia nuk është një vend, që hapet e mbyllet me orar, por është një vend, që i ngjan kosheres së bletëve. Aty ka jetë, ka punë, ka lëvizje. Kosherja e bletëve është shumë e rregullt, prandaj nuk bën që të ketë rrëmujë në shtëpitë e Allahut (xh.sh).
Xhamia për Muhamedin (a.s) ishte vendi ku përmendet Zoti, vendi ku lartësohet gjithmonë emri dhe madhështia e Tij. Allahu (xh.sh) përmendet në çdo vend, por në xhami meriton të përmendet më shumë se në çdo vend tjetër. Pra përmendja e Zotit është shkaku i ndërtimit të xhamive në tokë.
Njëherë profeti (a.s) pasi fali namazin, doli nga shtëpia e tij dhe pa në xhami një grup njerëzish, që nuk kishin ikur në shtëpi. Ai i pyeti: “Pse rrini këtu?” Ata u përgjigjën: “O profet i Zotit, jemi ulur dhe po madhërojmë Allahun (xh.sh)”. Profeti (a.s) i pyeti me ngulm: “A vërtet për këtë punë jeni ulur apo për diçka tjetër?” Ata i thanë: “Betohemi në Zot se vetëm për këtë punë jemi ulur”. Atëherë profeti (a.s) u tha: “Ju lumtë o njerëz, se Zoti në këto momente po krenohet me ju përpara melekëve të Tij”. Allahu (xh.sh) krenohet dhe u thotë melekëve: “Shikojeni atë grup njerëzish. Ata janë mbledhur vetëm për hatrin Tim dhe po më përmendin Mua”.
Prandaj le t`i japim jetë xhamive tona. Të mos i bëjmë xhamitë vende debati e polemikash, por vend ku kujtohet dhe lartësohet gjithmonë emri i Allahut (xh.sh).
Për Muhamedin (a.s) një xhami ishte vendi ku njeriu mëson. Njeriu mëson për fenë e tij, mëson për dynjanë dhe për ahiretin. Prandaj xhamitë e muslimanëve nxorën dijetarë, shkencëtarë, komandantë e strategë. Në xhami i mësuan të gjitha. Feja e profetit (a.s) nuk ishte fe e injorancës, por ishte fe e diturisë, që i ka shpallur luftë injorancës.
Njëherë profeti (a.s) hyri në xhami dhe pa dy grupe njerëzish. Njëri grup po lusnin Zotin bashkarisht, kurse grupi i dytë po dëgjonte një mësim. Profeti (a.s) u ul tek grupi i dytë. Shokët e pyetën: “O profet i Zotit, pse nuk u ule tek grupi që lusin Zotin?” Profeti (a.s) tha: “Grupi i parë e lusin Zotin e Ai mund t`u japë, por edhe mund të mos u përgjigjet lutjes së tyre. Kurse këta të tjerët mësojnë për Zotin. Unë jam dërguar mësues. Ku ka xhemat që mëson, ai është xhemati im”.
Prandaj le ta kthejmë xhaminë në vend ku mësojmë ne, gratë tona, fëmijët tanë. Do ta shohësh se mësimi më i hajrit, mësimi më i bereqetshëm është ai mësim, që merret në shtëpinë e Zotit.
Profeti (a.s) i priste në xhaminë e tij delegacionet, muslimane apo jomuslimane qofshin. Në xhaminë e tij ai diskutonte problemet e popullit të tij. Aty ai edukoi udhëheqësat, që drejtuan gjithë botën.
Revolucionin që bëri profeti (a.s), njihet sot nga e gjithë bota, por ndryshe nga njerëzit e tjerë, revolucioni i tij nisi në mes të shkretëtirës, nga xhamia.
Nga xhamia ai edukoi një popull, që ishte injorant dhe ziheshin me njëri – tjetrin për një pikë ujë dhe për një deve. Nga ky popull mbajti afër një brez, shokët e tij. që i edukoi me dorën dhe sytë e tij. Nga ky brez dolën liderë, që u shpërndanë në të katër anët e globit dhe kur bota i pa me sy, tha: “Kush janë këta njerëz?” Ata thanë: “Ata janë shokët e profetit (a.s) dhe dëshmojnë se ai solli fe të vërtetë”. Këta ishin dëshmitarë të vërtetë të Zotit, që kur ecnin mbi tokë, të ngjallnin optimizëm, shpresë e besim. Ata ishin njerëz që kur i shihje me sy, të kujtohej Zoti dhe kur i dëgjoje me veshë, fjalët e tyre të kujtonin Zotin dhe ahiretin.
Një kundërshtar i Islamit, i cili e ka studiuar thellë Islamin, ka thënë një fjalë që është mirë ta dëgjojmë. Ai thoshte: “O njerëzit e kësaj bote! Për sa kohë të ketë xhami dhe Kuran në duart e muslimanëbe, ata njerëz kurrë nuk do të dorëzohen edhe sikur të shkojnë deri në fijen e fundit të perit”. E lus Zotin ta forcojë Kuranin në zemrat tona dhe t`i forcojë xhamitë tona.
Xhamia është vend i shenjtë dhe i pastër, ndryshe nga ç `mund të jetë shtëpia jonë, ndryshe nga pallati ku ti jeton. Ajo është vendi, ku ti vendos ballin dhe hundën tënde në tokë vetëm për Krijuesin e gjithësisë, Allahun (xh.sh). Le të jemi njerëz me edukatë në këto vende. Profeti (a.s) na mësoi, se si sillet një musliman ndaj një xhamie. Ai (a.s) ka thënë: “Mbani pastër xhamitë, sepse pastërtia është cilësi e kësaj feje”. Xhamia është simbol i Islamit dhe nëse kemi fe të pastër, këtu le të duket pastërtia. Është fatkeqësi, që në disa vende muslimane e gjen xhaminë vendin më të pisët. Ç`fe është kjo, kur as xhamitë nuk mbahen të pastërta?!
Njëherë profeti (a.s) pa në murin e xhamisë së tij një pështymë të thatë dhe tha: “A nuk keni frikë Zotin?! Pështyni në xhami dhe në muret e saj? Kjo është gjynah. Mbajeni pastër xhaminë”. Sa pë dijeni xhamia e tij nuk kishte tapët, por ishte prej dheu dhe qerpiqi. Megjithatë ai i mësoi shokët e tij, që ta mbajnë pastër xhaminë, ta parfumosin atë, se është vendi ku lartësohet emri i më të lartit, i Allahut (xh.sh). Një grua me ngjyrë e pastronte xhaminë e profetit (a.s) dhe askush nuk ia vinte veshin. Një herë profeti (a.s) nuk e pa atë grua në xhami dhe pyeti: “Ku është ajo gruaja që pastronte xhaminë?” Shokët i thanë: “Ka vdekur o profet i Zotit”. Profeti (a.s) tha: “Po përse nuk më keni thënë?” Ata thanë: “Menduam se je i zënë me punë të mëdha, prandaj nuk të ngatërruam”. “Jo – tha profeti (a.s) - më tregoni ku është varri i saj?” Pastaj shokët e tij e çuan tek varri i asaj gruaje dhe ai i fali namazin e xhenazes mbi varr, sepse ai nuk e neglizhonte punën e kësaj gruaje, edhe pse ishte e panjohur nga të tjerët.
Ftoj veten time dhe ju që të mos bëhemi shkak për të bërë pis xhmitë e Allahut (xh.sh). Mbajini pastër ato më shumë se ç`mbani shtëpitë tuaja. Profeti (a.s) na mësoi të jemi të rregullt në xhamitë tona dhe vendi ku meriton të vishesh më bukur është xhamia e Zotit. Allahu (xh.sh) urdhëon në Kuran: “O bijtë e Ademit! Vishuni bukur kur shkoni në xhami”. Nëse ke një rrobë të bukur e të hijshme, dije se e meriton të vishet në xhami. Sidomos për ditë xhumaje zgjidhe rrobën më të mirë. Kij kujdes mos të të vijë erë e keqe nga goja, nga trupi apo nga rroba jote. Profeti (a.s) tha: “Nëse dikush prej jush ha hudhra ose qepë, apo i vjen erë nga trupi, është më mirë për të, që të falet në shtëpi. Mos t`i bëjë keq atyre që ka majtas e djathta dhe le ta dijë, se melekët e Zoti ndihen keq, kur dëgjojnë erëra të këqija”. Le t`i mbajmë pastër xhamitë tona, gjuhët dhe trupat tanë.
Muhamedi (a.s) na mësoi, që të jemi të qetë në xhamitë tona. Kur nisesh për xhami, nuk po shkon në luftë, por po shkon tek Zoti i gjithësisë. Mos shko në xhami duke vrapuar e as duke bërtitur, se njerëzit mund të jenë duke falur namazin. Profeti (a.s) na mësoi, se në xhami hyhet me këmbën e djathtë, pastaj i lutesh Zotit për falje, pastaj ulesh dhe përkujton Zotin. Fali dy rekate namaz, kujto Zotin, lexo Kuran dhe mos i bezdis njerëzit që ke përreth. Mos e bëj xhaminë vend për debat e për përçarje, por xhamia le të jetë vend që i bashkon muslimanët.
Kur të dalësh nga xhamia, dil me këmbën e majtë, lutju Zotit që ta ketë pranuar kohën që ke kaluar duke bërë ibadet. Xhamia gjithmonë duhet të jetë vendi, ku mbahet qetësi e pastërti, vendi ku bashkohen zemrat e muslimanëve dhe jo vend grindjesh e konfliktesh.
Xhamia ka një imam, ka një këshill xhamie, ka njerëz që lodhen e punojnë. Nëse ke diçka të paqartë, pyeti ata njerëz. hyr si njeri, kujto Zotin e dil si njeri duke e falenderuar Zotin, që të bëri nga ata që e kujtojnë Atë.
Umei (r.a) dëgjoi njëherë dy burra, që po ziheshin në xhami. Pasi mbaroi namazi, nuk i pa dhe pyeti: “Ku janë ata, që po ngrinin zërin në xhami?” i thanë: “Kanë dalë”. Umeri (r.a) tha: “M`i sillni këtu ata”. Ia sollën dhe ai u tha: “Prej nga jeni ju?” Ata i thanë: “Jemi nga qyteti i Taifit”. Taifi ishte larg Medines. Umeri (r.a) tha pastaj: “Betohem në Zot, se skur të ishit nga banorët e Medines, do t`ju jepja një mësim që kurrë s`do ta harronit në jetën tuaj. A nuk e keni frikë Zotin, që bëni zhurmë në xhaminë e Tij, por bërtisni dhe ngrini zërin tuaj në xhami?”
Muhamedi (a.s) na mësoi se xhamia nuk është vend tregtie. Ai tha: “Largoni xhamitë tuaja nga shenjat e pazarit”. Shenja e pazarit është kur të gjithë bërtasin, secili ka diçka në mendje, ndërsa xhamia është vend ku të gjithë grumbullohen e afrohen përpara Zotit.
E lus Zotin e gjithësisë t`i lartësojë xhamitë tona, të na lartësojë ne brenda xhamive tona. E lus Zotin t`i bëjë këta vende, vende ku edukohemi ne, familjet tona dhe fëmijët tanë. Zoti mundësoftë që prej këtyre xhamive të dalin njerëz, që gjykojnë e qeverisin në emër të Zotit, jo thjesht familjen apo shoqërinë e tyre, por mbarë botën.
A M I N
 


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free