Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Paqja në Islam, burimi dhe garancitë e saj

“O besimtarë! Hyni në paqe me të gjitha rregullat e saj dhe mos shkoni gjurmëve të djallit, se ai është armiku juaj i përbetuar.” (Bekare, 208)
Kjo është një ftesë e qartë nga Zoti e cila u drejtohet robërve të Tij besimtarë, që marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin ti ndërtojnë në bazë të respektit dhe paqes së ndërsjellë. Ftesa është shprehur me foljen “Hyni”, e cila është në mënyrën urdhërore. Kjo për tu orientuar drejt këtij parimi human të përgjithshëm me dëshirë dhe bindje të brendshme.
Pyetja që shtrohet është: Përse kjo ftesë u drejtohet besimtarëve, duke përjashtuar të tjerët? Përse të mos bëhej p.sh: O njerëz, hyni në paqe me gjithë rregullat e saj?
Përgjigja: Njeriu – me gjithë instinktet – është i prirur për egoizëm, vetëpëlqim, për rivalitet dhe triumf ndaj të tjerëve. Në përgjithësi, këto janë vese dhe tipare që shkaktojnë konflikte, përplasje, tensionojnë marrëdhëniet deri në gjakderdhje. Pikërisht kjo është frika e engjëjve të cilët kur dëgjuan se Zoti do të vendoste një krijesë të re në tokë, thanë:
“A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të...” (Bekare, 30)
Vallë cila është ajo gjë e cila i shkrin këto ligësi dhe dobësi, që transformon ndjenjat egoiste në altruiste, konfliktin në harmoni dhe përplasjen në paqe e ndërveprim?
Ajo që i jep fund një herë e mirë një natyre kaq kontradiktore, është zgjimi i ndërgjegjes Islame në kraharorin e njeriut. Por kjo ndërgjegje dhe natyrë e pastër, nuk do mund të zgjohet dhe nuk do e kryejë rolin e saj për ti shuar veset dhe ligësitë e lartpërmendura, veçse me udhëzimin dhe dritën hyjnore që mishërohen me udhëzimin Islam. Atij që nuk i është ndriçuar mendja dhe shpirti nga pishtarët e kësaj drite, është e pamundur të shkojë pas thirrjeve për paqe me të tjerët, duke lënë pas egoizmin, fanatizmin dhe epshet.
Bazuar në këtë, thirrja hyjnore për të hyrë në paqe me të tjerët u drejtohet pikërisht besimtarëve të Zotit. Dihet se besimi, është diçka më specifike se Islami. Të gjithë ata që i besojnë Zotit janë edhe myslimanë, por jo çdo mysliman në aparencë, është besimtar me zemër dhe shpirt, pasi mund t’i përkasë kategorisë së hipokritëve.
Dikush mund të pyes: Si ndikon bindja dhe dorëzimi i plotë ndaj pushtetit të Zotit dhe njësimit i Tij, për tu shtrirë njerëzve dorën paqedashëse?
Kushdo që e njeh Allahun si Zotin e vetëm, që gëzon cilësitë dhe tiparet perfekte, larg çdo të mete dhe dobësie e pranon që është rob i Tij. Nëse kjo njohje hedh rrënjë në ndërgjegjen dhe vetëdijen e njeriut, qenia e tij çlirohet nga marrëzitë. Atij i shuhet zjarri i egoizmit para madhështisë dhe lartësisë së Sovranit mbi të gjithë sovranët. Është pikërisht ky lloj pastrimi dhe çlirimi, ai për të cilin flet në shumë ajete Kurani fisnik. Herë duke përdorur mënyrën urdhërore dhe herë të tjera duke vlerësuar njerëzit e angazhuar me pastrimin e vetes së tyre.
Një person me një perceptim të qëndrueshëm në mendje dhe dominues në shpirt, shndërrohet në një individ ku sjelljet e të cilit janë sipas dispozitave hyjnore. Sa herë që ngrihet, ulet, jep, merr, flet dhe dëgjon ai e bën në atë formë që i pëlqen Zotit të lartësuar. Ai beson se është i pafuqishëm, i pa aftë dhe në kulmin e nevojës për ndihmën hyjnore. Me anën e ndihmës hyjnore ai i vjen rrotull biznesit që ka ngritur. Me anën e ndihmës hyjnore ai mendon, shqipton, dëgjon dhe sheh. Ndoshta, kjo është një ndër domethëniet e thella të hadithit kudsij, ku Zoti thotë: “Robi Im do të vazhdojë të afrohet me Mua nëpërmjet veprave vullnetare derisa ta dua. E nëse e dua, do të jem veshi me të cilin dëgjon, syri me të cilin sheh, dora me të cilën prek dhe këmba me të cilën ecën. Nëse do të më kërkojë ndihmë, Unë do e ndihmoj.” (Buhariu)
Le ta studiojmë më thellë këtë njeri hyjnor. Si i sheh njerëzit e Zotit dhe si i trajton ata, ndërkohë që lexon ajetin Kuranor: “Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar.” (Isra, 70)
Apo duke lexuar hadithin e transmetuar nga Enesi (Zoti qoftë i kënaqur me të) sipas të cilit i dërguari i Zotit a.s ka thënë: “Të gjithë krijesat janë nevojtare për Zotin. Më i dashuri prej tyre tek Zoti, është ai që është më i dobishëm për këta nevojtarë.” (Ebu Jala dhe Bezzari)
Pa më të voglin dyshim, që ky person i sheh besimtarët e drejtë me syrin e respektit dhe dashurisë. Ai vë në shërbim të tyre gjithçka që zotëron. Sakaq, ai i sheh njerëzit e degjeneruar, të humbur dhe të devijuar, me syrin e keqardhjes dhe mëshirës. Ai nuk lë shteg pa ndjekur, për ti këshilluar dhe për ti nxjerrë nga ai batak. Nëse e pranojnë këshillën e tij dhe udhëzohen në rrugë të drejtë, ai përjeton çaste kënaqësie dhe gëzimi. Në të kundërt, vazhdon ta lusë Zotin që ti udhëzojë dhe drejtojë në udhën e mbarë.
Delegacioni i parë që mbërriti tek i dërguari a.s, vinin nga Abisinia për të ripërtërirë besimin e tyre tek Zoti një dhe i vetëm. Gjithashtu edhe për të deklaruar besimin tek i dërguari i Zotit. Ata i përkisnin asaj shtrese hyjnore besimtarësh, të cilët i shohin njerëzit me syrin e lartpërmendur. Pasi i përfunduan bisedat me të dërguarin e Zotit a.s, idhujtarët e Mekës filluan të tallen dhe ti ironizojnë. Ebu Xhehli u tha: “Nuk kemi parë njerëz më budallenj se ju! Njerëzit tuaj u kanë çuar të merrni informacion për këtë burrë (Profetin a.s), por ju akoma pa u ngritur prej tij e braktisët fenë tuaj!”
Abisinasit iu përgjigjën: “Paqja qoftë me ju! Nuk do të sillemi pa edukatë si ju. Ne kemi besimin tonë dhe ju tuajin. Kemi përfituar nga çdo e mirë”. (Ibnu Is’hak)
Nëse burrat e këtij delegacioni do të bazoheshin tek natyra e tyre humane, larg natyrës fetare dhe hyjnore, do ua kishin kthyer me të njëjtën monedhë. Me sharje dhe ironi në vend të përshëndetjes me paqe.
 
Krijesat janë nevojtare për Zotin
Në jetëshkrimin e dijetarit dhe figurës së shquar Islame sheh Maruf Kerhit lexojmë se një ditë ai ishte duke ecur rrugës me një duzinë nxënësish dhe dashamirësish. Vendi ku po shëtisnin ishte pranë brigjeve të lumit Tigër. Një moment njëri nga nxënësit e tij dallon një lundër me disa të rinj të cilët dëfreheshin, kërcenin dhe gajaseshin. Nxënësi i drejtohet mësuesit të tij dhe i thotë: “O sheh i nderuar! A nuk i shikon këta horra dhe njerëz të degjeneruar?! Mallkoji dhe lute Zotin ti shkatërrojë!”
Menjëherë dijetari i nderuar ngriti duart drejt qiellit dhe u lut: “O Zot! Ashtu siç i ke gëzuar zemrat e këtyre të rinjve në këtë botë, gëzoji zemrat e tyre edhe në  botën tjetër!”
Mesa duket dijetari i nderuar nuk i pa të rinjtë me syrin njerëzor, i cili rëndom e përzien  triumfin e fesë së Zotit me triumfin e vetes dhe egos së tij. Ai i shihte me syrin e kristalizuar të nënshtrimit ndaj Zotit. Nëse njeriu i ka sytë të lidhura me Zotin i nënshtrohet tërësisht Atij, e ndjen se me njerëzit e tjerë është i afërt sikur të kishte lidhje gjaku, edhe pse janë larg dhe dallojnë mes veti. Kjo ndjenjë afërsie imponon që njerëzit ti shohë me dashamirësi, keqardhje dhe dashuri. Bazuar në këtë, shehu i nderuar iu lut Zotit për të rinjtë.
Ai u lut që Zoti ti udhëzojë dhe ti falë, pasi Zoti nuk i çon në xhenet, veçse ata njerëz të cilët i ka udhëzuar në rrugë të mbarë dhe ua ka falur të metat në këtë botë.
Kjo është paqja që vërshon nga besimi i besimtarëve të sinqertë, të cilët i falen një Zoti të vetëm. Këta besimtarë e shohin familjen njerëzore nëpërmjet optikës së hadithit: “Të gjithë krijesat janë nevojtare për Zotin. Më i dashuri prej tyre tek Zoti, është ai që është më i dobishëm për këta nevojtarë.”
Zemrat e tyre janë pastruar nga urrejtja, mllefi dhe egocentrizmi, duke u shndërruar në depozita të dashurisë hyjnore. Nga trungu i kësaj dashurie të shenjtë, kanë çelur filiza dhe degë të panumërta dashurie dhe dhembshurie për robërit e Allahut. Kjo është paqe, pushteti i së cilës ka shpërthyer nga besimi që këta besimtarë kanë tek Zoti i tyre. Një paqe e tillë është e pamundur të burojë nga zemra të boshatisura nga besimi në Zot dhe të pa prekura nga adhurimi i Zotit. Edhe pse urdhri hyjnor mund ti drejtohet kësaj shtrese për të hyrë në paqe. Reagimi dhe përgjigja e tyre do të bëhet vetëm në bazë të qejfeve, pasioneve dhe fanatizmit të tyre. Këto janë mbetje të cilat nuk i fshin dhe pastron përveçse ndjenja e të qenit rob i Zotit të lartësuar.
Përse është sanksionuar lufta?
Ka njerëz të cilët me të drejtë shtrojnë pyetjen: Nëse besimi tek Zoti është alternativa dhe porta e vetme me të cilën arrihet paqja aq shumë e dëshiruar, nëse Islami ka ardhur për të vendosur paqen në mbarë botën, atëherë përse është sanksionuar lufta? Përse ushtritë myslimane iu turrën katër anëve të botës?
Përgjigja: Përse është sanksionuar dënimi me vdekje për të mbrojtur jetën? Përse përdoret ndëshkimi dhe penalizmi për ti dhënë fund krimit? Për të siguruar dhe vendosur paqe në mbarë botën, janë sanksionuar ligje dhe penalitete të ndryshme. Një ndër garancitë për të ruajtur paqen është prerja e çdo dore e cila synon groposjen e paqes ose dëshiron të abuzojë me të.
Lufta e sanksionuar nga Zoti i lartësuar, kurrë nuk ka synuar të kufizojë liritë e njerëzve. Ai kurrë nuk ka synuar ti shpjerë njerëzit me forcë drejt një ideologjie dhe besimi të caktuar, të cilin nuk e duan apo drejt një sistemi që nuk e pëlqejnë. Në fakt lufta është sanksionuar për të mbrojtur paqen nga duart dashakeqe të abuzuesve, duke mos lejuar të cenohen gjymtyrët e saj. A nuk ka kjo botë njerëz lakmitarë dhe batakçinj të cilët i mbajnë sytë tek të drejtat e të tjerëve dhe nuk lënë shans pa shfrytëzuar për ti shtënë në dorë? Sa toka që u përkisnin njerëzve të pafuqishëm janë pushtuar? Sa pasuri të tyre janë zhvatur dhe plaçkitur? Sa femra janë ç’nderuar? Sa liri janë kufizuar? Cili është syri që nuk e zë gjumi për të garantuar dhe mbrojtur territoret, pasuritë, nderin dhe lirinë? Padyshim që është sheriati Islam me të cilin ishte pajisur vula e profetëve, Muhamedi a.s. Territoret e Lantonit (Sham), Egjiptit etj. nuk u morën nga myslimanët veçse për të dëbuar pushtuesit e tyre që kishin ardhur nga përtej detit dhe i kishin shtypur e terrorizuar banorët e atyre viseve. Bota nuk ka njohur njerëz më të lumtur se banorët e atyre viseve, gjatë triumfit Islam atje pasi iu rikthyen liritë që më parë u ishin mohuar dhe kufizuar prej bizantinëve.
A do të ishte e mundur kthimi i të drejtave njerëzore dhe dëbimi i armikut të ulur këmbëkryq, përveçse me anë të luftës? Pra, ligji i luftës dhe ndëshkimit është një ndër garancitë e domosdoshme për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive njerëzore. Kjo demonstrohet qartë dhe në ajetin Kuranor: “Në ligjin e barazisë, në ndëshkim ka siguri për jetën tuaj, o të zgjuar, në mënyrë që ju të përmbaheni!” (Bekare, 179)
Kalifi i drejtë, Umer ibn Hattabi e ndëshkoi djalin e valiut të tij, Amr ibnul Asit, për shkak se djali i këtij të fundit ishte orvatur të përdhosë lirinë e një të riu kopt, një jomyslimani egjiptian. Mandej, Umeri iu drejtua Amr ibnul Asit me fjalët qortuese: “Që kur keni filluar ti skllavëroni njerëzit, ndërkohë që nënat i kanë lindur të lirë?!”
Një akti i tillë, shërbeu për mbrojtjen dhe garancinë e paqes dhe jo si shkelje e saj. Deklarata hyjnore në Kuran, e ndalon shkatërrimin dhe keqbërjen në tokë, duke paralajmëruar ndëshkim për këdo që abuzon me rendin. Kurani urdhëron që keqbërësve dhe abuzuesve tu tregohet vendi, gjë të cilën e përsërit në shumë pasazhe. Kur flet mbi Karunin, Zoti thotë: “Mos shkakto ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët.” (Kasas, 77)
“Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve.” (Rum, 41)
“Ka ndonjë njeri (hipokrit), fjalët e të cilit në jetën e kësaj bote ta bëjnë qejfin dhe që betohet në Allahun për atë që mban në zemër, por që, në të vërtetë, është kundërshtari (yt) më i betuar. E, kur largohet, përpiqet të bëjë të këqija në tokë, duke shkatërruar të mbjellat dhe bagëtinë. Por Allahu nuk e do shkatërrimin.” (Bekare, 204-205)
Po çfarë do të thotë të bësh të këqija dhe të shkatërrosh në tokë? Shkurtimisht, do të thotë të abuzosh me elementët e paqes dhe garancitë e saj në shoqëri. Kjo gjë shfaqet në forma të ndryshme ku të gjitha bëjnë pjesë tek zullumi dhe shkelja e të drejtave.
A nuk është pjesë e mbrojtjes së paqes dhe elementëve të saj, penalizmi dhe ndëshkimi i abuzuesve, shkelësve të të drejtave të njeriut si dhe atyre që cenojnë jetën e njeriut? A nuk është për tu çuditur që mbrojtja e garantimi i paqes globale, duke penalizuar abuzuesit të konsiderohet terrorizëm dhe ekstremizëm?! A nuk të lë pa fjalë fakti që shkatërrimi dhe rrënimi i shteteve me anë të luftërave të fabrikuara, si dhe nxitja e konflikteve mes vëllezërve dhe fqinjëve paqësorë, të konsiderohet luftë kundër terrorizmit dhe garanci e paqes?!
Si rrjedhojë
Nëse njeriu nuk do të vuante që nga kohët e lashta nga fanatizmi, egoizmi dhe pasioni për të shkelur të drejtat e të tjerëve. Zoti nuk do ia besonte amanetin e besimit në një Zot të vetëm, bindjes, nënshtrimit, të qenit rob i Tij si dhe përmbajtjes dhe respektimit të ligjeve të sanksionuara nga Zoti. Këto ligje shërbejnë si mekanizëm për tu çliruar nga ato mbetje dhe sëmundje të egos që cekëm më lart. Prandaj këtij njeriu i lehtësohet misioni për instalimin e paqes në rang global, mision i fortifikuar me muret e drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave.
Nëse dëshira për pushtet, shkelja e të drejtave dhe keqbërja në tokë nuk do të ishte natyrë e pandashme e shumë njerëzve në çdo kohë, Zoti nuk do e sanksiononte luftën, pasi nuk do të ishte nevoja. Ai nuk do të kishte sanksionuar as dënimin me vdekje, nuk do të ekzistonte kodi penal me anë të të cilit përndiqen kriminelët. Të gjithë e dimë se keqbërja dhe zullumi janë tipare të një pjese të mirë të shoqërisë njerëzore. Tipare që në përgjithësi shoqërohen me një farë egërsie të pashembullt më keq se egërsia e kafshëve të egra dhe bishave. Atëherë, lind nevoja e një force të drejtë e cila ua thyen dhëmbët dhe kthetrat zullumqarëve dhe rruga e vetme për realizimin e kësaj force është parë xhihadi (Lufa).
Xhihadin Zoti e sanksionoi për të frenuar keqbërjen dhe zullumin në tokë, për vendosjen e paqes që askush të mos dëmtohet. Kurrë ky xhihad nuk është përdorur për detyrimin e dikujt të pranojë një fe të caktuar. Zoti që sanksionoi xhihadin është po Ai që në Kuranin fisnik i drejtohet profetit Muhamed a.s me fjalët: “Prandaj këshilloji (njerëzit o Muhamed), se ti je vetëm këshillues dhe nuk je ngarkuar t’i detyrosh ata me forcë!” (Gashije, 21 – 22)
Është po Ai që i thotë: “Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që gjenden në tokë. Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?!” (Junus, 99)
Zoti dhe Krijuesi i këtij universi, i cili e sanksionoi xhihadin e ka ndaluar rreptësishtë që ai të përdoret për të sulmuar të tjerët dhe për të shkelur të drejtat e tyre. Zoti thotë në Kuran: “Luftoni në rrugën e Allahut ndaj atyre që luftojnë kundër jush, por mos e kaloni kufirin, se Allahu nuk i do ata që e kalojnë kufirin.” (Bekare, 190)
Dallimi mes paqes dhe nënshtrimit
Së fundmi e shoh me vend që teksa flasim për paqen, burimin dhe rëndësinë e saj, të bëjmë dallimin e thellë mes paqes dhe nënshtrimit. Sot është bërë normale që qarqe të caktuara të na ftojnë për paqe, ndërkohë që planifikohet kapitullimi dhe nënshtrimi ynë. 
Paqja mes popujve, ose më mirë mes individëve të kësaj familjeje njerëzore, në radhë të parë do të thotë dashuri dhe harmoni mes tyre. Ata komunikojnë, ndërveprojnë dhe shkëmbejnë eksperiencat dhe aftësitë e larmishme mes tyre, pa agresivitet ndaj dikujt. Kur drita e besimit në një Zot hedh rrënjë mbi mendjen dhe botën e brendshme të njeriut, është ajo që motivon projektimin e marrëdhënieve njerëzore të cilat lidhin zemrat me urën e paqes dhe të vëllazërisë.
Sakaq, nënshtrimi dhe kapitullimi është rezultat i intrigave dhe planeve dashakeqe, të projektuara nga “i forti” për të thyer dhe shfrytëzuar ligështinë e të dobëtit. Nëse ky plan dhe ky objektiv realizohet, prej të dobëtit pritet ta pranojë këtë fund të dhimbshëm dhe ti injorojë dhe harrojë të drejtat prej të cilave është zhveshur. E nëse ai e refuzon këtë dhe brof në kërkim të të drejtave të veta, në bashkëpunim me dashamirësit ky konsiderohet armik i paqes dhe militant që punon për llogari të terrorizmit.
Islami, aq sa i beson paqes dhe bën thirrje për paqe, tërheq vëmendjen dhe paralajmëron dhe rrezikun e nënshtrimit, duke mos lejuar që njeriu i cili nderuar aq shumë prej Zotit, ti nënshtrohet dikujt tjetër përveç Tij. Zoti thotë në Kuran: “Thuaj: O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!” Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: “Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut!” (Al Imran, 64)