Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Vetëm një minutë

Po prisja radhën të blej një biletë autobusi, pasi do të shkoja në një qytet 330 km larg. Para meje ishte një zonjë tek të gjashtëdhjetat, e cila nuk po shkëputej nga dritarja ku bliheshin biletat. Në fund, biletashitësja i tha:”Zonjë! Njerëzit po presin! Të lutem hape rrugën dhe qëndro mënjanë!”
Zonja para meje bëri një hap anash dhe më liroi radhën mua. Para se të blej biletën time, e pyeta biletashitësen rreth problemit me zonjën në fjalë dhe ajo më tha se ajo e kishte çmimin e biletës, por nuk kishte një euro për të blerë xhetonin që i duhet të hyjë në stacion. Ajo kërkon që autobusi ta marrë jashtë stacionit dhe kjo është e ndaluar.”
Unë i thashë:”Ja ku e keni një euro! Ia jepni një xheton që të futet në stacion.” Mandej, u tërhoqa dhe i lashtë vend zonjës të shkojë sërish tek dritarja, pasi e thirri biletashitësja.
Pasi mori xhetonin, zonja u kthye nga unë. Me vete mendova:”Po më falënderon!” Por ajo më tha me një ton urdhërues:”Merre këtë çantë dhe mbaje deri tek autobusi!” duke bërë me shenjë një valixhe të fryrë nga gjërat që mbante brenda.
Për mua ishte diçka e papritur. Pa u menduar më gjatë, mora valixhen e saj dhe të dy u nisëm drejt autobusit. Ishte normale që vendet ti kishim pranë njëri-tjetrit, pasi biletat i blemë njëri pas tjetrit. Unë i parapriva të ulem nga ana e dritares, të shijoj borën që kishte mbuluar tokën dhe që vazhdonte të bjerë. Ndjeja se ajo na flet ne njerëzve dhe na thotë:”Unë u sjell të mira pafund dhe tani dimrit, fjala më takon mua.”
Teksa futa këmbën e parë drejt sedijes pranë xhamit, zonja më tërhoqi nga krahu dhe hyri vetë, pa thënë asnjë fjalë. U ula dhe shihja vetëm para, pa ia varur fare asaj zonje hundëpërpjetë dhe mosmirënjohëse. Pasi ishte nisur autobusi, ajo u drejtua nga unë dhe më shihte në sy gjithë kërshëri. Kurse unë nuk e shihja fare, vetëm para. Fillova të ndihem në siklet nga shikimet e saj. Nuk e shihja, por e ndjeja.
Më në fund, u ktheva nga ajo. Zonja buzëqeshi dhe më tha:”Po testoja durimin dhe maturinë tënde!”
“Durimin tim?! E përse?!” e pyeta gjithë habi.
Ajo u përgjigj:”Për sjelljen time të paedukatë. E di shumë mirë çfarë kishe në mendje.”
Unë:”Nuk mendoj se e dini.. e çfarë vlere ka edhe sikur ta dinit...”
Ajo:”Mirë mirë, do ta them më pas. Tani po mendoj si të ta kthej borxhin dhe të mirën që më bëre.”
Unë:”Jo, jo, mos e ço fare nëpër mend. Ishte diçka modeste, nuk më detyroheni asgjë.”
Ajo:”Kam diçka që dua ta shes dhe me paratë që do të marr prej saj, do të kthej euron që të kam borxh. Mos do ta blesh ti?”
Unë:”Çfarë?! Të blej diçka që as që e di çfarë është?!”
Ajo:”Në fakt, nuk është send, është një fjalë e urtë. Më jep një euro, të të them fjalën e urtë.”
Unë:”Po nëse nuk më pëlqen kjo fjala juaj e urtë, do ma ktheni sërish euron?”
Ajo:”Mos e thashtë Zoti! Fjala, nëse del nga goja, nuk mund të kthehet sërish. Pastaj mua më duhet vetëm një euro që të shlyej borxhin.”
Nxora një monedhë euro nga xhepi dhe pasi ia lashë në dorë, u hodha një vështrim rrudhave të fytyrës së saj. Dy sytë e saj të bukur por dhe dinakë akoma nuk e kishin humbur shkëlqimin e tyre. Hunda e saj e mprehtë bashkë me dy sytë, tregonin se pas fshihej një grua mendjehollë. Nga pamja e jashtme, të linte përshtypjen e një gruaje të mirë arsimuar. Megjithatë, nuk kisha ndërmend ta pyes për të tilla gjëra, pasi e dija se do të rrëfehet vetë, udhëtimi sapo kishte nisur.
Ajo mbylli dorën dhe u gëzua me monedhën e vetme të euros, siç gëzohet një fëmijë kur i japim të holla. Pa e zgjatur, tha:”Unë jam pensioniste tashmë dhe kam dhënë lëndën e filozofisë. Isha në qytetin tim të lindjes për të shoqëruar një mikeshën time gjer në aeroport. I harxhova të gjitha të hollat që pata marrë me vete dhe lashë aq sa për tu kthyer në shtëpi. Taksisti që më përcolli gjer tek stacioni, më vuri në siklet dhe më mori një euro më shumë. Me vete thashë ta pres autobusin jashtë stacionit, por nuk e dija se ishte e ndaluar. Doja që nderin që ma bëre të ta shpërblej në një mënyrë të ndryshme nga tradicionalja. Ti pagove një euro për mua pa ta kërkuar. Nuk ka të bëjë me aspektin material, aq sa ka të bëjë me etikën dhe aspektin moral. Shumë mirë mund të thuash se ishte një shumë e papërfillshme, por unë të them që ti nxitove të bësh diçka të mirë.”
Unë e ndërpreva dhe duke i buzëqeshur i thashë:”Mos do më rrëfesh historinë e gjithë jetës tënde tani?! Ku e ke urtësinë që bleva prej teje?”
Ajo:”Një minutë.”
Unë:”Ok, por vetëm një minutë.”
Ajo:”Jo, jo, mos prit më shumë, vetëm një minutë. Kjo është urtësia.”
Unë:”S’po kuptoj asgjë.”
Ajo:”Mos mendon se të kam ngritur pusi dhe po të mashtroj?!”
Unë:”Ku i dihet?”
Ajo:”Do ta them, por prit një minutë. Asnjëherë mos e harro këtë fjalë! Sa herë që të duhet të marrësh një vendim dhe të arrish në momentin final, jepi vetes një minutë kohë, vetëm 60 sekonda. A e di sa informacioni mund të procesojë truri përgjatë 60 sekondave? Gjatë këtij një minuti para se të marrësh vendimin, mund të ndryshojnë shumë gjëra, por me një kusht...”
Unë:”Cili qenka kushti?”
Ajo:”Të zhvishesh nga vetja jote dhe ti shkarkosh në trurin dhe zemrën tënde njëherazi të gjitha vlerat humane dhe moralet më të larta. Pastaj trajtoji të gjitha me objektivitet dhe në mënyrë neutrale. Për shembull, nëse beson se ke të drejtë, ndërkohë që kolegu yt të ka bërë padrejtësi, gjatë këtij minuti, pasi të jesh zhveshur nga vetja jote, mund të zbulosh se është e kundërta. Asokohe mund ta ndryshosh mendimin për tjetrin.
Nëse ke vendosur të ndëshkosh dikë, gjatë këtij minuti mund të gjesh arsye dhe justifikime për lehtësimin e ndëshkimit, ndoshta mund të heqësh dorë përfundimisht nga kjo ide.
Vetëm një minutë mund të bëjë të marrësh një vendim të rëndësishëm në jetën tënde, por këtë herë i bindur se po merr vendimin e duhur, ndërkohë që tjetri do kishte qenë tragjik.
Një minutë mund ta shtojë dozën e humanizmit tënd, duke larguar më shumë nga egoja dhe pasioni shtazarak.
Një minutë mund të ndryshojë jetën tënde, por dhe të dikujt tjetër. Nëse je epror, kjo minutë mund të ndryshojë jetën e një komuniteti të tërë.
A e di se të gjithë këto fjalë që ti thashë rreth këtij minuti kaq të vyer, nuk më morën më shumë se një minutë kohë?!”
Unë:”Po dhe unë e pranova me kënaqësi marrëveshjen dhe hallall e paç monedhën një euroshe.”
Ajo:”Tani dua të kthej borxhin, prandaj merre monedhën që pagove për mua tek stacioni i autobusit. Të jam shumë mirënjohëse për gjestin tënd bujar.”
Ma la monedhën në dorë, kurse unë e vështroja dhe buzëqeshja i lumtur. Në një çast, ajo më kap për koke dhe më puth ballin, duke thënë:”A e di se mund të kisha pritur me orë të tëra, pa ditur si të dal nga ai telash? Askush nuk e kuptonte problemin tim, kurse unë e kisha të pamundur tu kërkoj qoftë dhe një euro të vetme. Megjithatë... po e konsideroj si dhuratë martesore dhe jam gati të të pranoj si bashkëshortin tim!!!”
Të dy shpërthyem në të qeshura, saqë mua më rrodhën lot. Herë pas here bëja sikur dua të ngrihem nga sedilja, por ajo më kapte për dore dhe më thoshte duke qeshur:”Ulu, ulu! Im shoq më do çmendurisht dhe tani për tani, as që e ka ndërmend të vdesë!”
Unë i thosha:”Një minutë, një minutë sa të mendohem...”
Nuk më kishte ndodhur asnjëherë që koha të rrëshqasë aq shpejt pa e ndjerë. Ky udhëtim kryeson listën time të udhëtimeve si më i bukuri, saqë kur na u desh të ndahemi, më erdhi keq. Një çerek ore para se të mbërrijmë në stacion, ajo nxori telefonin që të flasë me të birin për ti kërkuar të dalë dhe ta presë. Por.. u kthye nga unë dhe si e pezmatuar më tha:”Nuk paskam kredit.” Unë i dhashë telefonin tim që të flasë.
Dhjetë minuta pasi ishim ndarë, ndërkohë që unë vazhdojë rrugën drejt destinacionit tim, më vijnë dy mesazhe në celular. I pari thoshte se krediti im ishte shtuar me dhjetë euro, kurse i dyti ishte shkruar nga vetë zonja e lartpërmendur ku thoshte:”Unë kisha kredit në celular, por doja të marr numrin tënd të telefonit që të shpërblej për atë që bëre. Nëse dëshiron, mund ta ruash numrin tim të telefonit dhe po të ra rruga nga qyteti im, dije se aty ke një nënë e cila të mirëpret”
Unë i ktheva një mesazh në të cilin i shkrova:”Kur të pashë në sy për herë të parë, mu dukën sytë e një dinakeje, por nuk guxova të ta them. Uroj që ditët të na takojnë sërish. Faleminderit për urtësinë, të cilën unë do e shes shumë më shtrenjtë nga sa e shite ti...”
Vetëm një minutë!
Një urtësi të cilën unë po ua ofroj falas! Po deshët, mund të bëni një lutje për mua!
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free