Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Foleja familjare

Zoti e ka bërë vetminë të posaçme vetëm për vete, kurse të gjitha krijesat i ka krijuar çift. Pastaj, duke vënë ligjin e tërheqjes dhe shtytjes mes tyre, e ka kushtëzuar përkryerjen materiale e moraloshpirtërore me bashkimin dhe njësimin e tyre me njëri-tjetrin. Pa asnjë dyshim, prirja për intimitet dhe dashuri që është e natyrshme te njeriu si krijesë e nderuar, përbën shkallën e parë të lartësimit në dashurinë pasionante hyjnore. Nisur nga kjo, Zoti, për ta mbrojtur këtë shkallë të lartë të dhënë prej Tij dhe për t’i dhënë vazhdimësi në mënyrë të pastër dhe të bekuar brezit njerëzor, e ka bërë të detyrueshme jetën familjare, për nisjen e së cilës ka urdhëruar kurorën martesore.

Për njeriun e krijuar në formën e krijimit të bukur, kurora kryen detyrën e mbrojtësit moraloshpirtëror dhe shoqëror të nderit dhe dinjitetit njerëzor. Si rrjedhojë e kësaj, kurora është kushti më esencial i ngritjes së familjes, ose, e thënë ndryshe, shtylla qëndrore e çatisë familjare.

Për femrën, kurora është dorëzimi i ndjenjave femërore, i aftësive dhe mundësive të posaçme të saj, seksit tjetër, gjë që është mbrojtje hyjnore e seriozitetit dhe dinjitetit të saj. Kurse për mashkullin, kurora është një shtrat sublim që e shpëton atë nga përfundimi i keq i dorëzimit ndaj sensualitetit dhe që i jep mundësi të bëjë një jetë familjare të ndershme.
Pas devocionit, pasuria më e çmuar e besimtarit është një grua e mirë.

“Dhe një ndër argumentet e Tij është se krijoi për ju, nga vetja juaj, shoqe që të bashkoheni dhe që mes jush të lindë mëshirë, afërsi dhe dashuri. Me të vërtetë, në këtë fakt ka mësime për njerëzit që mendojnë!” (er-Rum: 21)
Në lidhje me zgjedhjen e bashkëshortes me të cilën njeriu do të kalojë jetën, Profeti (s.a.s.) na porosit: “Gruaja merret për katër gjëra: pasurinë, bukurinë, fisin dhe përsosmërinë e besimit. Ju zgjidheni për besimin në mënyrë që të gjeni bekim!..” (Buhari, Nikah, VI, 132; Muslim, Rada, 53)

Meqë faktori më me ndikim për mbrojtjen e moralit të shoqërisë është kurora, Profeti (s.a.s.) e ka paralajmëruar kështu bashkësinë e tij për të mos krijuar vështirësi në kurorë:

“Kurora më e dobishme dhe me të ardhmen më të mirë është kurora e pasforcuar.” (Ebu Davud, Nikah, 32)
Vështirësitë, kushtet e rënda, shtrëngesa dhe të gjitha llojet e sforcimeve që nxirren para kurorës ose që e shoqërojnë atë, bëhen shkak për lindjen dhe përhapjen e prostitucionit, gjë që do të thotë vetëvrasje për shoqërinë.

Muheddini Arabiu (k.s.) është shprehur kështu për vlerën e nxitjes së kurorës dhe ndihmën që duhet t’u jepet të martuarve:

“Sadakaja xharije (gjithëvepruese) më e madhe është të bëhesh pretekst për martesën e dikujt,
sepse ai që bëhet pretekst për martesën e një çifti dhe i ndihmon ata, ka për të ma-rrë shpërblim nga çdo e mirë e kryer prej pasardhësve të atij çifti!”

Nga ana tjetër, ceremonitë e martesave duhen bërë në mënyrë të thjeshtë duke u shmangur nga çdo shpenzim i tepërt.
Gjithashtu, në ngritjen e familjes duhet vepruar me shumë seriozitet, sepse foleja familjare e ngritur me mendimin e një bashkëjetese të thjeshtë përfundon me ndarje të rënda. Profeti na porosit:

“Martohuni, por mos u ndani!..” (Muhtaru’l-Ehadisi’n-Nebevijje, 228)

Veçanërisht, ndarja e gruas për qejf dhe dëfrim është një padrejtësi dhe mëkat i madh me ndëshkim të rëndë.

Të drejtat e burrit dhe gruas

Individualiteti dhe personaliteti i vërtetë i njeriut del në pah në formën më të qartë në folenë familjare. Po qe se në familje sundon mirësia, ajo fiton nivel moralo-shpirtëror.
Lumturia e familjes varet nga përdorimi i mirë i të drejtave nga ana e të dy palëve.

Kryetari i familjes është burri. Ndërkaq, kryerja e mirë e kësaj detyre varet kryesisht nga burri.
Kur’ani thotë:
“Burrat janë administrues të grave...” (en-Nisa: 34)

Kryesia e familjes i është dhënë burrit dhe jo gruas për shkak të ndjeshmërisë së tepërt të saj. Në mënyrë të veçantë, mbrojtja e brezit mund të bëhet vetëm me anë të ndjenjave të dhembshurisë.

Kryesia e burrit nuk ka për qëllim sigurimin e epërsisë dhe sundimit të tij mbi gruan, por sigurimin e rregullit të familjes dhe mbrojtjen e jetës bashkëshortore. Edhe gruaja kryeson dhe përgjigjet për punët brenda shtëpisë.

Fakti që mashkulli merr përsipër përgjegjësi të tilla si sigurimi i ushqyerjes dhe veshmbathjes së pjesëtarëve të familjes, sigurimi i banesës, pjesëmarrja në luftë, imameti në namaz, sundimi politik, etj., tregojnë se mashkulli është poli i bindjes. Ky është argumenti më i rëndësishëm i faktit që nuk ka pasur femra profete.

Në lidhje me ndërtimin e lumturisë së familjes, është shumë e rëndësishme që të merret pjesë nga burimi i devocionit që përmbahet në fjalën itteku të ajeteve kur’anore. Sepse gjatë gjithë historisë, kur është respektuar ligjshmëria mbi respektimin e të drejtave të gruas, bota është kthyer në xhennet, kurse kur është shkelur, është kthyer në xhehennem. Në hutben e tij të lamtumirës, Profeti (s.a.s.) u drejtohet muslimanëve kështu mbi të drejtat e grave:

“O njerëz! Respektoni të drejtat e grave! Trajtojini ato me da-shuri dhe dhembshuri! Ju porosis të keni frikë Allahun për to! Ju i morët gratë si amanet nga Allahu dhe, në emër të tij, u bekuat me nderin dhe virtytet e tyre!” (Sahih-i Buhari Muhtasari, X, 398)
Përsosmëria e gruas arrihet me anë të ruajtjes së mundësive dhe aftësive të dhëna asaj nga Allahu.

Po qe se femra i orienton veçoritë e veta në anë të kundërt me kahjen hyjnore dhe e braktis të vërtetën e vet, e shkatërron vlerën e vet dhe bëhet fatkeqe, e varfëron folenë familjare dhe, kështu, jeta shoqërore bëhet djerr. Në kohën tonë ka filluar një garë për barazinë artificiale burrë-grua. Kjo garë që bie në kundërshtim me veçoritë e krijimit, i dobëson aftësitë amësore dhe bashkëshortore të femrës dhe e plagos familjen. Nga ana tjetër, abortet e kohëve të sotme s’janë veçse një formë tjetër e modernizuar e groposjes përsëgjalli të vajzave në periudhën paraislame të injorancës idhujtare e politeiste si dhe krimi i shekullit.

Mes femrës së lodhur e të rrëgjuar të këtij shekulli dhe femrës së periudhës paraislamike të injorancës ka vetëm një dallim veshjeje. Dhe kjo gjë është një krim shoqëror i rrjedhur nga edukimi materialist i ftohtë e pa shpirt.

Paralajmërimi hyjnor mbi përgjegjësinë e groposjes përsëgjalli të vajzave të vogla është mjaft i rëndë:

“Dhe kur të pyetet vajza e groposur përsëgjalli në tokë se për shkak të ç’mëkati e kanë vrarë, ...” (et-Tekvir: 8-9)

Të mos duash të kesh fëmijë, është mosmirënjohje ndaj favorit hyjnor, kundërshti ndaj qëllimit serioz të kurorës, andjeshmëri ndaj vlerave dhe shijeve shoqërore, shpirtërore e morale!

Etërit, nënat, vëllezërit e motrat në familje

Babai është autoriteti i rregullit, qetësisë dhe lumturisë së familjes. Eshtë kartvizita e familjes.
Duke e bërë burrin përgjegjës për luftën për jetën dhe për jetesën e familjes, Allahu (xh.xh.) e ka bërë atë më të fuqishëm fizikisht dhe më të fortë shpirtërisht se gruan.

Pa dyshim, sigurimi i lumturisë së familjes mbështetet mbi administrimin e pjekur të një babai të mirë.

Roli edukativ i babait në familje është t’i aftësojë pjesëtarët e familjes fetarisht dhe moralisht.

Babai dhe nëna duhet t’i ruajnë pjesëtarët e familjes nga bisedat, programet televizive, letërsia, etj. me karakter negativ. Allahu i Lartë urdhëron:

“O ju që keni besuar! Ruajeni veten dhe familjen nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët!..” (et-Tahrim: 6)
Me rregullin dhe pamjen e brendshme të shtëpisë, me administrimin e saj si dhe me lindjen dhe rritjen e brezit të ri është e ngarkuar nëna. Prandaj nëna është e pajisur me aftësi të tilla si thellësia e ndjenjave, delikatesa, dhembshuria, mëshira, vetëmohimi dhe sakrifica, mirërritja e fëmijëve dhe mbrojtja e brezit.

Nëna është kryetari i dytë i familjes pas babait. Nga ky këndvështrim, nënat janë për shtëpitë burimi i lumturisë, drita e kënaqësisë dhe begatia e brezit!
Nuk ka një krijesë tjetër që të meritojë atë dashuri dhe respekt që meriton nëna që na ka mbajtur në bark, pastaj në krahë dhe pastaj në zemër gjatë gjithë jetës! Në lidhje me këtë, Allahu i Lartë urdhëron:

“Ne e porositëm njeriun që të sillet mirë ndaj nënës dhe babait. Sepse e ëma e ka bartur atë duke përballuar shumë shqetësime. Pastaj i ka dhënë gji që vazhdon dy vjet. Prandaj e kemi urdhëruar të na falënderojë së pari Ne, pastaj nënën dhe babanë. Pastaj kthimi i tyre do të jetë tek Ne!” (Lukman: 14)

Ndërkaq, koncepti nënë është, në vetvete, si syzet pa numër. Ndërsa akrepi, madje, e bart pjellën e vet mbi shpinë, edhe nëna që e braktis fëmijën e saj të bukur në anë të rrugës, edhe nëna që e rrethon me mëshirë dhe dhembshuri fëmijën e saj të gjymtuar, është nënë! Profeti porosit:?

“Xhenneti ndodhet nën këmbët e nënave!” (Dejlemi, Musned, 2611)

Nëna është një prehër i zgjeruar me mëshirën hyjnore. Nënat janë bartëset e posaçme e të zgjedhura të emrave hyj-norë Rahman dhe Rahim në këtë botë!
Bijtë janë, për familjet ku s’janë prishur harmonia e ndje-njave, delikatesa e ndërgjegjes dhe rregulli moral, dhunti të posaçme që, duke forcuar lidhjet e dashurisë, bëhen pretekst për lumturi.

Në hadithin profetik theksohet:
“Fëmijët janë fryti i zemrës, drita e syve!..” (Tenbihu’l-Gafilin, 838)

Ndërkaq, fëmijët kanë përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të prindërve dhe për respektin ndaj tyre.

Allahu i Lartë urdhëron:

“Zoti yt ju urdhëroi ta adhuroni vetëm Atë dhe të silleni mirë me prindërit. Po qe se njëri prej tyre ose të dy plaken pranë teje, mos u thuaj as “uf”, mos i qorto, por thuaju fjalë të mira!”

“Hapi krahët mbi ta me thjeshtësi dhe falje dhe lutu për ta kështu: “Zoti im! Siç patën treguar mëshirë ata për mua kur isha i vogël dhe më rritën, ashtu dhe Ti tani ki mëshirë për ta!” (el-Isra: 23-24)

Ndërkaq, “nuk mund të ketë bindje ndaj krijesave në kundërshtimin e Zotit”. Prandaj Allahu e
urdhëron kështu fëmijën:

“Por po qe se prindërit të shtrëngojnë ty të njohësh zota të tjerë veç Meje, për ty s’ka asnjë argument, prandaj mos iu bind atyre! Megjithëkëtë, në punët e kësaj bote sillu mirë me ta dhe ec në rrugën e atyre që kthehen nga Unë. Pastaj ju do të ktheheni tek Unë!” (Lukman: 15)

Të gjitha që u thanë këtu tregojnë se familja është guri themelor i qetësisë, lumturisë dhe paqes individuale e shoqërore.

Prandaj është thënë se:
“Xhenneti i personit është shtëpia e tij!..”

Kjo do të thotë se, na ruajttë Zoti, shtëpia e vet mund t’i bëhet njeriut edhe xhehennem, skëterrë!

Zoti ynë! Na mundëso neve dhe familjeve tona një jetë devocioni me të cilën Ti do të ishe i kënaqur dhe na i bëj banesat parajsa favori dhe lumturie, jo skëterra mundimi ku marrin flakë mijra akte indiferentizmi dhe kundërshtimi ndaj Teje!

Amin, ashtu qoftë!

Marrë nga Libri: Enigma e dashurisë ndaj Allahut dhe Profetit

Autorë: Osman Nuri Topbash

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free