Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Konflikt në luginën e milingonave

Milingonat janë në kërkim të një jete të ndershme, të lumtur dhe të drejtë... Por, ato përplasen me një aktualitet të hidhur, shtypje, margjinalizim dhe persekutim. Ngaqë s’kanë ç’të bëjnë tjetër, orvaten të bashkëjetojnë me këto probleme. Pas disa orvatjeve dhe tentativave, të gjithë milingonat pajtohen se s’ka mbetur rrugë tjetër veçse të përballemi me shkaktarin kryesor të problemeve të tyre. Kështu ata vendosin njëzëri të shkojnë tek mbreti i pyllit, luani plak, të cilin e kishin lënë forcat dhe e kishin kapluar sëmundjet. Ai ishte përgjegjësi numër një për të gjitha problemet e shkaktuara në pyll, e për rrjedhojë, ai duhej të merrej drejtpërdrejt me trajtimin e tyre. Dobësia dhe mefshtësia e luanit u kishte krijuar hapësira elefantëve, dhelprave dhe hienave të abuzojnë me pasuritë e pyllit, pa pyetur për ligjet dhe normat.
Milingonat qëndruan ballëlartë para luanit plak dhe kopesë së tij dhe pothuaj me një zë i thanë:”Nëse nuk do na hiqesh qafe ti bashkë me suitën tënde, ne do të marshojmë drejt veshëve tuaj, e që andej do të depërtojmë në kokat tuaja e nuk do u lëmë të qetë derisa të ngordhni të gjithë.”
Pas disa manovrash, arritën këto milingona ta trembin për vdekje luanin plak, i cili vendosi të mbledhë plaçkat e të marrë arratinë. Përgjegjësinë e mbarëvajtjes së jetës në pyll pas largimit të tij, luani plak ia la tigrit, i cili shquhej për forcë dhe urtësi.
Tigri arriti ta kontrollojë zemëratën e milingonave, ua dëgjoi me qetësi shqetësimet dhe arriti tu sigurojë pak liri. Milingonave iu bë qejfi për lirinë që ua fali tigri zemërmadh. Milingonat luanin dhe ushqeheshin pa problem tani në pyll, kurse tigri ndihej i lumtur që më së fundi e mbylli këtë problem.
Pas disa kohësh, tigri propozoi që kafshët e pyllit të shpërnguleshin tek lugina e madhe e pyllit, ku nuk mungonte ushqimi, banesat dhe rendi për të gjithë. Sigurisht propozimi i tigrit u pranua edhe nga milingonat.
Pas njëfarë kohe, tigri emëroi “sorrën” si administratore të jetës në pyll. Ajo kishte goxha përvojë në këtë fushë, ishte marrë me vëzhgime, ishte administratore shumë e mirë e kohës dhe shumë e zellshme në punën e saj.
Edhe këtë herë, milingonat e pranuan ofertën, aq më tepër që synimi ishte përmirësimi i jetesës të gjithë kafshëve të pyllit.
Vendimi i parë që mori sorra, ishte kufizimi i orëve të lëvizjes brenda atij vendi i cili i ngjate një qyteti. Po ashtu, ajo nxori një dekret në të cilin lokalizoheshin disa vende të caktuara për shit-blerje. Gjatë punës, ajo pa se i lipsej dhe një ndihmës, ose sekretar i cili do e ndihmonte me shkresurinat, raportet e punës dhe strategjitë. Kështu, ai mori një duzinë milingonash të zellshme dhe tepër aktive, të cilat do të kontrollonin çdo lëvizje të milingonave. Që këtu, lindi çarja e parë mes milingonave.
Ajo emëroi një duzinë tjetër merimangash, të cilat do të përgjonin bisedat që zhvilloheshin mes milingonave. Një duzinë bletësh do të merrej me sistemimin e informacioneve. Një mori karkalecash do të vëzhgonin rreptësishtë organizimin dhe mbarëvajtjen e jetës në pyll.
Të zënë ngushtë, një grup i zgjedhur milingonash, vajtën ti qajnë hallin tigrit, për konfliktet që veç shtoheshin, mbledhjet e shumta shterpë dhe vështirësinë e të jetuarit në një sistem dhe rend të tillë. Ato i treguan se merimangat dhe karkalecat ishin të pamëshirshëm me milingonat, saqë në një të ardhme të afërt specia e tyre rrezikohej të shfarosej. Një problem tjetër ishte dhe mungesa e ushqimit. Pasi i dëgjoi, tigri vendosi ta ndryshojë sistemin dhe rendin në pyll. Menjëherë ai emëroi qenin, i cili kishte përvojë të gjatë në administratë. Vendimi i parë i qenit ishte ndryshimi i pamjes së qytetit. Ai urdhëroi të ndërtoheshin disa liqene artificialë, ura dhe rrugë të reja. Për këtë, ai solli një kope minjsh të cilët do të punonin në hapjen dhe shtrimin e rrugëve, tuneleve dhe urave. Një tufë gjarpërinjsh do të merreshin me pastrimin e ujërave të liqeneve.
Sërish milingonat u gjendën përballë një “bumi” ndryshimesh të cilat e rrënuan më shumë jetesën e tyre, prandaj morën udhën ti ankohen përsëri tigrit. Por, këtë herë ankesat e tyre u paraqiten me një gjuhë më të butë, ku dominonte demoralizimi dhe humbja e shpresës. Ato e kishin të pamundur të jetojnë dhe punojnë në një mjedis plot korrupsion.
Këtë herë, tigri vendosi të kërkojë mendimin e ekspertëve dhe strategëve, për ta zgjidhur një herë e mirë këtë problem. Ai kërkoi elefantët, dhelprat dhe hienat, me të cilët kishte bashkëpunuar gjatë epokës së luanit.
Pas disa muajsh studime, vëzhgime dhe konkluzione, grupi strateg i punës, i propozoi tigrit që të merreshin masa për të ulur popullatën e pyllit, pasi qyteti ishte i mbipopulluar. Për pasojë, u dëbuan të gjitha milingonat nga lugina, me akuzën: Performancë e dobët në punë, paaftësi dhe mungesë koordinimi me kafshët e tjera. Më në fund, tigri arriti ta zgjidhë problemin dhe ti dëbojë të gjithë milingonat nga lugina.
Por, ajo që nuk e dinte tigri, ishte se milingonat janë qeniet më të afta për tu riorganizuar sërish. Ku i dihet, ndoshta kjo që ndodhi ka qenë më e hajrit.
“Ata bënin kurthe, por edhe Allahu ngrinte kurthe (kundër tyre). Allahu është planifikuesi më i mirë.” (Enfal, 31)