Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Na mbytën vogëlsirat

Shoh se jemi një popull, që na kanë preokupuar gjërat dytësore kundrejt atyre parësoreve, degëzimet kundrejt bazave, kallëpi kundrejt përmbajtjes, të folurit dhe paraqitja kundrejt tiparit dhe sjelljes. U shkërmoqëm me njëri-tjetrin për çështje të debatueshme, lamë pas dore thirrjen tek themelet e fesë, kujdesin për ruajtjen e pacenueshmërisë së njësimit të Zotit, inkurajimin dhe përforcimin e besimit, disiplinimin e moraleve, integrimin e drejtësisë, përhapjen e paqes, selamit, thirrjes në Islam me mençuri, rrezatimin e vëllazërisë, lulëzimin e tokës përmes zhvillimit të bujqësisë, industrisë, novacionit dhe ndërtimit.

Dijetarët tanë janë të zënë me çështjen e këngës, mëkimit të të rriturit, përzierjes midis dy gjinive, zbulimit të fytyrës së gruas, vozitjes  së makinës për gratë; teksa milionat në botën islame janë të paditur kundrejt njësimit të Zotit, sinqeritetit dhe adhurimit të Tij, vërtiten rreth tempujve dhe vrapojnë të kërkojnë derman tek varret, varin nuska dhe u ngashërohen evliave (të ashtuquajturve njerëz të shenjtë); të rinjtë po na i kredh vala e ekstremizmit, narkomanisë dhe mykjes fetare.

Njerëzit po preokupohen me dynjanë, risitë, ndërtimin dhe lulëzimin e saj, ndërsa ne jemi të preokupuar me polemikën, debatin destruktiv dhe thashethemet, jemi kredhur në çështje të gatuara dhe pjekura qëmoti, më se një mijë vite më parë, ende vijojmë të përsërisim po ato fjalë, po ata fraza dhe derdhim me duf polemikë. Na ka angazhuar imitimi i verbër dhe fjalosja në kurriz të reformimit, po kënaqemi me memorizimin e fjalëve të imamllarëve (liderëve fetar islam) në kurriz të deduksionit (konkludimit) dhe kuptimit nga Kurani dhe Suneti (Tradita Profetike).    

Perëndimi e prodhoi radion, televizorin, mikrofonin dhe kamerën, ndërsa ne u grimë për çështjen e dispozitës së përdorimit të tyre, perëndimi solli frigoriferin, kondicionerin, ngrohësen, grirësen e mishit, aeroplanin, makineritë e gërmimit dhe lërimit. Ndërkaq lypsej prej nesh t’u mësonim atyre besimin, moralet, prehjen, mëshirën dhe udhëzimin, por ne u preokupuam me sharjet ndaj tyre, me kanosjen ndaj tyre, lutjen kundër tyre për dënim, shkatërrim, rrënim dhe gjëmë… Ata na sollën mjekë, inxhinierë dhe novatorë, ndërsa disa prej të rinjve tanë shkuan i rrënuan dhe i hodhën në erë. Të parët tanë e çliruan dhe emancipuan lindjen dhe perëndimin me fjalën e njësimit “La ilahe il Allah, Muhamedun resulu Llah”, me drejtësi, barazi, liri dhe paqe, ndërsa ne mbetëm në vend numëro, duke qortuar veten tonë, duke mbajtur zi për fatin tonë, duke i thurur himne të shkuarës sonë dhe duke u therur me njëri - tjetrin për shkak të çështjeve dytësore dhe përkufizimeve ligjore. Çdo vit i shfaqemi botës me një fushatë kolosale poteresh dhe turbullirash, britmash, piskamash dhe ngërdheshjesh, në çështjen e vozitjes së makinës nga ana e gruas, udhëtimit të saj në Meke me aeroplan pa mahram (familjarin e saj), dispozitës së përdorimit nga ana e saj të lenteve të ngjitshme, dispozitës së muzikës dhe pjesëmarrjes së thirrësve islam në disa kanale satelitorë.

Pashi Allahun, a janë preokupuar Umer ibn Khatabi, Khalid ibn Uelidi, Salahudin Ejubi, Muhamed el Fatihu, Jusuf ibn Tashfini dhe dijetarët e kombit islam prej reformatorëve dhe përtëritësve, me polemikat dhe kundërpërgjigjet kundër disa personave, me debatin destruktiv, të sëmurë dhe shterp, apo librat e tyre rrodhën lum dhe diejt e tyre ndriçuan çlirimin dhe emancipimin e kthjellët, fitoren dominuese dhe thirrjen tek Zoti i botëve?!…

Më vjen vërtet keq, kur këqyr gazetat tona dhe faqet tona elektronike, kur këqyr kanalet tona, që të befasojnë me reagimet përvëluese dhe përgjigjet rrëmuese kundër bartësit të një mendimi ndryshe në çështje që i nxë debati.

Përse nuk i jepet secilës çështje dimensioni që i takon?

Përse nuk po angazhohemi me çështjet madhore, themelet e fesë dhe preokupimet strategjike?

Përse interesimet tona nuk janë në rang çështjesh vendimtare dhe kësisoj të jemi në nivelin e përgjegjësisë e të konkretizohet tek ne fjala e Allahut të Lartësuar: “Ishit kombi më i mirë i dalë për njerëzimin” dhe fjala e Tij: “Kësisoj ne ju bëmë ju një komb të balancuar”.

Nëse brenda nesh shpirtra madhështorë jetojnë,

Trupat do sfiliten që synimin e tyre ta realizojnë.

Fetvaja (opinioni) në mesin tonë ka dalë jashtë çdo kontrolli, prandaj shohim, që atë e jep çdonjëri, që mëson diçka nga Kurani shoqëruar me dy hadithe (thënie profetike) nga Suneti (Tradita Profetike), që vesh çallmën dhe lëshon mjekrën, donator dhe ambicioz për kreun. Të rinj që pyeten në kanalet satelitore rreth çështjeve, të cilat nëse do t’i shtroheshin Umer ibn Khatabit, ai do kishte tubuar të kualifikuarit për të. Këta të rinj përgjigjen mbi to pa u thelluar dhe pa u ngirë. Njëjtë gjen publicistët dhe intelektualët tanë, t’u duartrokasin atyre që lehtësojnë, legjitimojnë dhe hapin dyert e lejimit, pa iu përmbajtur kritereve ligjore islame.

Sa herë që njerëzve u jep opinion (fetva) lejimi, sa herë që u thua: Bëni më të rehatshmen, çështja është e lehtë, asnjë dert nuk ka, mos u ngushto, është gjë e thjeshtë, bëje pa ndrojtje, meseleja është e thjeshtë; sa më shumë u shprehesh kështu njerëzve, ti bëhesh për ta ylli ndriçues, hëna vezulluese, teologu i zgjuar dhe i mirënjohur me situatat bashkëkohore; edhe nëse opinioni që ti ke dhënë është jo korrekt dhe kapërcyes.

O vëllezër!

Hebrenjtë shtuan vetëm një gërmë dhe për pasojë u futën në qorrsokak, rrëshqitën dhe ranë në faj; sepse teksa u orientuan të thonin “hitta-ndjesë”, ata thanë: “hinta-grurë”[1].

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free