Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

I falimentuari i Ahiretit(shume kuptimplote)

Zoti ynë thotë ne Kuranin fisnik :” Thuaj: “A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre? Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se po bëjnë mirë. Të tillët janë ata që nuk besuan argumentet e Zoit të tyre as takimin (ringjalljen) e Tij, prandaj veprat e tyre shkuan huq dhe në ditën e Gjykimit atyre nuk do t’u japim kurrfarë vlere”. (Kehf: 103-105).
Cili person quhet i falimentuar ? I falimentuar është ai njeri, që ka shumë para , por me shumë se para ai ka borxhe dhe kur bën llogarinë, ai është i falimentuar. I falimentuar është ai njeri, që ka shumë ndërtesa në pronësi, po kur bën llogaritë, ai s`ka as shtëpinë e vet, pasi është i detyruar ta shesë edhe atë. I falimentuar është ai njeri, që mund të ketë shumë pasuri, por në fund fare edhe rrobën që ka veshur nuk e ka të tijën. I falimentuar është ai njeri, që ka bërë shume llogari, por s`ka bërë mirë llogaritë e vetes së tij, ky është i falimentuari  i dynjasë. Realisht është për të ardhur keq për njerëz të tillë dhe mos na bëftë Zoti prej tyre. Por ka një të falimentuar tjetër, që është i falimentuari i Ahiretit, i falimentuari i botës tjetër, i cili është më i keq se i dynjasë. Personit, që falimenton në dynja, mund t`i vijë bota në atë formë, saqë ta nxjerrë nga situata dhe bëhet përsëri pasanik, mund t`i dalë një shok dhe një mik që e nxjerr nga falimentimi, ndërsa atë të Ahiretit nuk ka kush e nxjerr prej falimentimit. Muhamedi (a.s) i pyeti një herë shokët e tij: ”Cilin njeri e quani te falimentuar?” Ata i thanë: “ I falimentuar tek ne o profet i Zotit është ai njeri, që nuk i ka mbetur asnjë grosh në xhep, asnjë dinar e asnjë dirhem”. Profeti (a.s) ua ktheu: “Jo, ky nuk është i falimentuari i vërtetë. I falimentuari i vërtetë është ai i ditës së Kijametit, është ai që ka për të dalë përpara Zotit me shumë namaz, me shumë agjërim, me shumë sevape dhe shumë Haxh, por ky njeri ka bërë edhe disa punë të tjera. Ai ka ofenduar dikë, ka sharë dikë tjetër, një tjetër e ka rrahur, ndërsa një tjetri ia ka prekur nderin, ka vrarë dikë dhe ka derdhur gjakun e dikujt tjetër. Ky fillon dhe jep borxhin e tij. Por atë ditë borxhi s`jepet me para, jepet me sevape. I jep të parit sevapet e veta, derisa e shlyen borxhin e të parit, por ka dy tre apo katër njerëz që u ka borxh, që u ka hyrë në hak. Kështu vjen fundi dhe atij i mbarojnë sevapet, por akoma s’i ka larë borxhet e veta. Atëherë Zoti thotë: “Merr nga gjynahet e këtyre njerëzve, që u ke hyrë në hak!” Njeriu fillon e merr nga gjynahet e tyre dhe ato i rendohen mbi supe, derisa në fund e fusin në Zjarr“.  Ky është i falimentuari përpara Zotit. Ka ardhur me male me sevape, dhe fundi i tij është zjarri i Xhehenemit. Ai, që kur i jep borxhet e tij, s’i ngelet kurrgjë , falimenton dhe fundin e ka në zjarrin e Xhehenemit.
I falimentuari i vërtetë tek Zoti është ai që falet, por kurrë s’ka mësuar prej namazit të vet, është ai që agjëron një muaj, por kurrë s`ka marrë mësim prej këtij mësuesi të madh, është ai njeri që ka qenë në Haxh, por ai kurrë se ka respektuar emrin haxhi, është ai njeri që e quan veten musliman dhe njeri të mirë, por i ka hyrë në hak të tjerëve dhe kur fillon e lan borxhet e veta, s’i ngelet as edhe një sevap, përkundrazi përfundon në zjarrin e xhehenemit. Me të vërtetë imagjinoje një njeri të falimentuar. Të vjen shumë keq për të, por e mira e të mirave është ta pyesim veten tonë: Çfarë punësh ka bërë ky njeri që përfundoi në zjarrin e xhehenemit”? E kuptuam se ai ka falur namaz, se ka qenë në haxh, se ka agjëruar, por ka bërë disa punë të tjera, të cilat ia kanë marrë të gjitha sevapet. Çfarë ia dogji sevapet këtij njeriu? Sevapet ja dogji ofendimi, gjuha e vet. Ai shan, ofendon dhe nëpërkëmb dinjitetin e njerëzve. Ai me të vërtetë përmend emrin e Zotit me gjuhë, por po me atë gjuhe ai përmend fjalët e liga. Muhamedi  (a.s) thoshte: “Ai që është besimtar, s’mund të jetë akuzues, s`mund të bëjë akuza të pabaza, ai s`mund të mallkojë, ai s`mund të jetë njeri i ulët, ai s`mund të jetë fjalëndyrë. Ai që i vepron këto punë, ai s`mund të jetë besimtar”. Është e vërtetë sot, se në tre fjalë që thuhen. një e ke fjalë të pistë. Sot edhe plaku i vjetër skuqet nga turpi, ndërsa fëmija i vogël nuk skuqet prej kësaj fjale. Kjo është shumë e vërtetë, por besimtari është gjithmonë besimtar. Atij i vjen turp, kur e dëgjon këtë fjalë e jo më ta thotë atë me gjuhën e tij. Ai njeri, që ka në gjuhën e tij emrin e Zotit, nuk duhet ta prishë atë me fjalë të pista, me fjalë të liga, se me të vërtetë këto fjalë të liga ia djegin punët. Mos përgojo të tjerët, mos merr gjynahet e të tjerëve e t`u japësh sevapet e tua. Është i çuditshëm fakti, që e ke inat një njeri dhe kur vjen fundi i jep sevapet atij dhe i merr gjynahet. Kështu është puna e atij, që përgojon të tjerët dhe bën thashetheme ndaj të tjerëve. Ai ka akuzuar pa të drejtë, ka njollosur nderin e të tjerëve, duke thënë: “Ky është imoral dhe kjo është imorale”. Ky lloj njeriu ka kënaqësi të madhe, kur vulos për keq një njeri të ndershëm. Profeti (a.s) ka thënë: “Nga shtatë gjynahet që e fusin robin në zjarr dhe s’e nxjerrin atë prej zjarri është t`i akuzosh gratë e ndershme dhe burrat e ndershëm”. Ata s’dinë asgjë se çfarë thua ti, ndërsa ti e përhap fjalën në shoqëri. Ti je një mysliman. Nëse shikon diçka, bëj sikur s’e ke parë, nëse dëgjon diçka, bëj sikur s’e ke dëgjuar. Nëse as këtë punë s’e bën dot, të paktën mos akuzo të tjerët pa të drejtë. Me të vërtetë është nga cilësitë më të ulëta, që s`mund ta ketë një njeri i mirë e mbi të gjitha s’mund ta ketë një besimtar. Ajo që ia dogji punët dhe sevapet këtij njeriu është, se ka ngrënë pasurinë e të tjerëve. Dikujt i ka falsifikuar dokumentet, dikujt i ka marrë ryshfet, dikë e ka vjedhur, dikë e ka mashtruar , ai ka vënë pasuri, po e ka vënë pa djersë. Zoti nuk ia begaton këtë pasuri as në këtë botë, por përkundrazi ka për t`ia bërë shkatërrim dhe dënim në botën tjetër . Muhamedi (a.s) u tha njëherë shokëve të tij: “Betohem në Zot, se ai njeri që i merr tjetrit pasurinë, duke dëshmuar në gënjeshtër, Zoti e ka caktuar vendin e tij në mes të xhehenemit dhe ia ka bërë haram të hyjë në xhenet”. Fjalë e frikshme. Shokët e tij e pyeten: “ O profet i Zotit, po nëse bëhet fjalë për punë të vogël, për mall të vogël?” Profeti (a.s) u përgjigj: “Betohem ne Zot, se nëse njeriu i merr dikujt një shkop të thatë pa të drejtë, vendin e ka në zjarrin e xhehenemit”. Zoti na ruajt  nga pasuria dhe haku i tjetrit. Njeriut ia djeg sevapet vrasja e tjetrit. Profeti (a.s) ka thënë: “Njeriu do të jetë në hajr, derisa s`ka derdhur gjak në mënyrë të paligjshme. Nëse ai derdh gjakun e tjetrit, ka bërë gjynahun më të madh”. Ai (a.s) thoshte gjithashtu: “ Betohem në Zot, se sikur gjithë bota të shkatërrohet përpara syve të Allahut, kjo është më e lehtë sesa një njeri i pafajshëm të vritet pa të drejtë”. Zoti i ruajt duart tona dhe mendjet tona nga gjaku i të tjerëve.
Le të imagjinojmë pak fytyrën e atij njeriu, që ka falimentuar. Ai nuk ka fjalë për të thënë, ai e ka fytyrën të nxirë, ai kishte shumë por të gjitha iu bënë shkumë. Imagjinoje atë njeri, që ditën e Gjykimit shkon tek Zoti me shumë sevape dhe mendon se jo vetëm që do të hyjë në xhenet, por do të jetë në majat më të larta të tij, mirëpo ai futet në zjarr. Me të vërtetë do të jetë për të ardhur keq gjendja e këtij personi. Imagjinoni njerëzit, që kërkojnë hakun. Njeriu ka falimentuar, ndërsa ata përsëri turren pa mëshirë për të kërkuar hakun e tyre. Mbani mend se ç`ndodhi në 97-tën, kur njerëzit morën vesh, se bankat në të cilat kishin futur para me kamatë, kishin falimentuar. Ata u bënë egërsira. Po ashtu edhe ditën e Kijametit njeriu kërkon hakun një më një dhe s`ta fal. Atëherë imagjinojeni veten tuaj, Zot na ruaj, sikur të na thuhet ditën e Kijametit: “Ti ke bërë shumë punë të mira, ke shumë sevape, por gjynahet e tua janë më të shumta, pasi u ke hyrë në hak njerëzve. Sot ti je i falimentuar”.
Njeriu në këtë botë ka tre lloje detyrimesh. Një detyrë e ka ndaj vetes ndaj nefsit të tij, një tjetër e ka ndaj Krijuesit, ndaj Allahut (xh.sh) e të tretën e ka ndaj njerëzve të tjerë.
Nëse i ke hyrë në hak vetes tënde, dije se vetja jote do të kërkojë hakun ndaj teje. Nëse i ke hyrë në hak Zotit, ka shumë mundësi të të falë, se Ai është Falës është Bujar i madh dha ka mëshirë shumë të madhe, por në qoftë se i ke rënë në qafë njerëzve, ji i sigurt, që ata s`ta falin as në këtë botë, por sidomos në atë tjetrën dhe vetë Allahu fuqiplotë nuk hyn ndërmjetës, që të të pajtojë ty me njerëzit e tjerë, sepse ti u ke hyre ne hak atyre. Zoti është i drejtë me të gjithë njerëzit dhe ia kthen hakun secilit prej tyre. Sikur ata të thonë: “Të kemi falur”, lum si ti. Por nëse nuk të falin, atëherë dije se kjo do të jetë humbje për ty.
Le t`i ruajmë gjuhet tona dhe vetet tona që të mos i hyjmë në hak të tjerëve. Njeriu do të llogaritet një ditë, por atë ditë kur bëhet llogaria, nuk ka para, s`ka as euro e as dollarë, nuk mund ta marrësh me të mirë tjetrin , atë ditë njeriu ka hallin e veprave të tij dhe është i shqetësuar për përfundimin e tij. Prandaj Muhamedi (a.s) thoshte: “O njerëz! Kush i ka hyrë në hak një tjetri, le ta lajë sot borxhin, përpara se të vijë e nesërmja, ku nuk ka dinar e dërhem, por ka vetëm sevape dhe gjynahe. Lajini borxhet në këtë botë, se ato janë shumë të rënda në botën tjetër”.
Ka shumë përkufizime se kush është muslimani. Po të na pyesësh ne se kush është një musliman, fillojmë e flasim gjithë ditën, por profeti (a.s) e ka përmbledhur me dy fjalë. Ai (a.s) ka thënë: “Musliman i mirë është ai njeri, që prej gjuhës dhe dorës së tij nuk i vjen e keqja të tjerëve”. Nëse gjuha e tij s’i hyn në hak të tjerëve, nëse dora e tij nuk i hyn në hak të tjerëve, atëherë ky është myslimani i vërtetë.
 O Zot! Të lutemi ty që siç i zbukurove fytyrat tona, zbukuroi moralet tona, na trego të mirën dhe na bëj nga ndjekësit e saj, na e trego të keqen dhe na bëj nga ata, që gjithmonë i largohen asaj.
A M I N

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free