Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Femra muslimane dhe padrejtësitë shoqërore bashkëkohore

Femra muslimane dhe padrejtësitë shoqërore bashkëkohore Islami me normat dhe botëkuptimin e tij erdhi për të çliruar njeriun, mendjen, zemrën, shpirtin dhe trupin e tij, nga prangat e paragjykimeve, idhujtarisë, iluzioneve dhe kotësisë ... Islami me normat dhe botëkuptimin e tij erdhi për të çliruar njeriun, mendjen, zemrën, shpirtin dhe trupin e tij, nga prangat e paragjykimeve, idhujtarisë, iluzioneve dhe kotësisë; për ta pastruar atë nga ndotjet e nënshtrimit dhe përuljes ndaj çdo gjëje përveç Zotit; për të realizuar njeriun e përsosur me anë të nënshtrimit të plotë të tij ndaj Allahut të Madhëruar dhe për t'ia bërë të qartë njeriut qëllimin e krijimit të tij, që është adhurimi i Allahut: "Nuk i krijova xhindët dhe njerëzit përveç se për të më adhuruar. Nuk dua prej tyre të më ushqejnë, sepse Allahu është ai që furnizon gjithçka e Ai është i forti" [Edh-Dharijat: 56-57], dhe ndërtimi i kësaj bote duke zbatuar ligjin e Allahut, së pari në veten e tij e më pas në realitetin që e rrethon: "Dhe kur Zoti yt i tha engjëjve: Unë do të krijoj në tokë një mëkëmbës…" [El Bekare: 30]. Në këtë mënyrë realizohet drejtësia e plotë në tokë. Ibn Kajimi thotë: "Sheriati (ligji) islam është për të mbrojtur interesat e njerëzve për këtë botë dhe për tjetrën. Ai është i tëri drejtësi, mëshirë dhe urtësi. Çdo çështje që del nga drejtësia në padrejtësi, nga mëshira në mizori dhe nga urtësia në kotësi, në të vërtetë nuk është prej tij edhe po u munduan me anë të ndonjë interpretimi të kotë ta bëjnë prej tij. Ligji islam është drejtësia e Allahut për krijesat e Tij, është mëshira e Tij në mes tyre, është hija e Tij në tokë dhe urtësia e Tij që argumenton ekzistencën e Tij dhe vërtetësinë e mesazhit të profetit të Tij të fundit, Muhamedit a.s". Ai që i studion me kujdes burimet e ligjit islam, Kuranin dhe porositë e Profetit a.s., si dhe parimet e përgjithshme mbi të cilat ngrihet ky ligj, vëren se ata i drejtohen njeriut si krijesa më e lartë: "Me të vërtetë që i nderuam njerëzit … dhe i lartësuam ata prej shumë krijesave të tjera" [El Isra: 70], e cila u dallua nga të tjerat se Allahu krijoi gjithçka për të: "A nuk e patë që Allahu ju vuri në shërbim gjithçka që krijoi në qiell dhe tokë dhe ju dha nga begatitë e Tij që i shihni dhe nuk i shihni" [Lukman: 20] dhe i dha mendjen që është kushti për të marrë përsipër përgjegjësinë e zgjedhjes midis të mirës dhe të keqes: "Ne ia ofruam përgjegjësinë (e zgjedhjes midis të mirës dhe të keqes) qiejve, tokës dhe maleve, por ata e refuzuan se s'e mbanin dot dhe e mori atë përsipër njeriu. Me të vërtetë që ai u tregua i padrejtë (me veten) dhe i paditur (për pasojat e saj)" [El Ahzab: 72]. Ky njeri, që iu dhanë gjithë këto veçori, është qendra e botës, qendra e qytetërimeve, madje qendra e gjithë mesazheve hyjnore. Dhe ky njeri është burri dhe gruaja, pa dallim midis tyre. Gruaja në ligjin islam dhe në konceptet e drejta islame është e plotësisht e barabartë me burrin në: të drejtat, detyrimet, përgjegjësitë dhe ndëshkimet. Teksti hyjnor i drejtohet të dyve pa dallim, përveçse në disa hollësira që janë të veçanta për secilin prej tyre, veçori këto që i detyrohen urtësisë së ndryshimit të tyre në natyrën, pozicionin dhe rolin e tyre në shoqëri. Allahu i Madhëruar thotë: "Kushdo që bën vepra të mira, mashkull apo femër qoftë dhe është besimtar, do të futet në Xhenet dhe nuk do t'i bëhet asnjë padrejtësi" [En-Nisa: 124]. Islami, si nga ana ligjore ashtu dhe nga ajo humane, e sheh gruan si të barabartë me burrin dhe në fillesë ata janë të barabartë, pasi Profeti a.s. ka thënë: "Gratë janë motrat e burrave". Ibn Rushdi (Averroesi) thotë: "Dispozitat e sheriatit janë të njëjta për të dy në fillesë, veçse nëse vërtetohet ndonjë dallim ligjor". Kurse imam Ibn Kajimi thotë: "Dihet se nëse dispozitat e përmendura në Kur'an apo Sunet janë në gjininë mashkullore dhe nuk shoqërohen me atë femërore, vlejnë për të dyja palët". Pra, parimisht, teksti hyjnor i drejtohet burrave dhe grave duke filluar që nga nderimi i njeriut e deri te përgjegjësia penale. Doktor Muhamed Said Ramadan El Buti, kur flet për bazën e Sheriatit Islam thotë: "Kjo bazë e bën të domosdoshme që burri dhe gruaja të jenë partnerë të barabartë në të drejtat e përgjithshme të njeriut, si e drejta për të jetuar, e drejta e lirisë etj. Ajo kërkon gjithashtu që burri dhe gruaja të jene partnerë në detyrimet që kanë kundrejt ndërtimit të jetës njerëzore sipas sistemit që vuri Islami duke filluar me ndërtimin e individit të ndershëm e duke vazhduar më tej me familjen dhe shoqërinë. Pra, burri dhe gruaja ndajnë përpjekje të barabarta për nga rëndësia dhe rreziku në rrugën e ndërtimit dhe ruajtjes së jetës". Madje nuk e teprojmë po të themi se Islami i kushtoi femrës një rëndësi të veçantë, aq sa Profeti a.s. ka thënë disa herë: "Përkujdesuni dhe silluni mirë me gratë", "Më i miri ndër ju është ai që është më i miri për familjen e tij dhe unë jam më i miri i jush për familjen time", "Më i miri prej jush është ai që tregohet më i mirë me gruan e vet". Pas gjithë kësaj a mund të thuhet se ndodhin padrejtësi nën hijen e këtij sistemi ligjor hyjnor të përpiktë, që përcaktoi të drejtat dhe detyrimet, që sistemoi marrëdhëniet personale, familjare dhe shoqërore, madje dhe ato ndërkombëtare nëpërmjet parametrave ligjorë që rregullojnë botëkuptimet, sistemet shoqërore, normat morale, marrëdhëniet politike, ekonomike e financiare me përpikmërinë më të lartë, duke i bërë ato të përshtatshme për çdo idivid, në çdo kohë e vend? A mund t'i bëhet padrejtësi nën këtë sistem njërit prej anëtarëve të shoqërisë, gruas, e cila u nderua dhe u lartësua, madje iu dha përparësi ndaj burrit për sa i përket bindjes dhe përkujdesjes sipas ngjarjes në të cilën një njeri e pyeti të Dërguarin e Allahut a.s.: O i Dërguari i Allahut! Kush e meriton më shumë përkujdesjen time? Nëna jote - tha Profeti a.s. Po pastaj? - e pyeti ai. Nëna jote - tha Profeti a.s. Po pastaj? - e pyeti ai. Nëna jote - tha Profeti a.s. Po pastaj? – e pyeti ai. Babai yt - iu përgjigj Profeti a.s.". Përgjigjja logjike do të ishte "jo". Sepse mirësia, drejtësia dhe barazia janë vlera që e përfshijnë shoqërinë me të gjithë individët e saj, për sa kohë që kjo shoqëri gjykohet nga ligji i Allahut, i cili nuk merr me të mirë askënd dhe nuk preferon askënd në dëm të tjetrit, siç thotë dhe vetë Allahu i Madhëruar: "O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Më i miri prej jush te Allahu është ai që i trembet më shumë Atij" [El Huxhurat: 13]. Këto ideale u bënë realitet në kohën e Profetit a.s., në kohën e kalifëve të drejtë dhe në kohën e lulëzimit të qytetërimit islam, kur gruaja qëndroi përkrah burrit për ndërtimin e lavdisë së kombit musliman, për lartësimin e fjalës së Allahut dhe realizimin e virtyit të mirësisë me të cilin Allahu i Madhëruar i dalloi muslimanët duke thënë: "Ishit kombi më i mirë që doli prej njerëzve, (sepse) urdhëroni për të mirë , ndaloni nga e keqja dhe e besoni Allahun" [Ali Imran: 110]. Në këtë mënyrë ata plotësuan fjalën e Allahut: "Besimtarët dhe besimtaret janë afërt të njëri-tjetrit. Ata urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja, e falin namazin, e japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Allahu ka për t'i mëshiruar, (se) Ai është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm" [Et-Tevbe: 71]. Prandaj a ka vend për gjithë këtë zhurmë që bëhet për të drejtat e gruas në shoqëritë e sotme muslimane, ku gruaja merr pjesë tashmë në fushat e ndryshme të dijes, kulturës dhe politikës, apo janë thjesht imitim i verbër i Perëndimit? Përgjigjen e kësaj pyetje do të mundohet ta japë ky libër.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free