Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Nje keshille prej zemre

Zoti ynë thotë në Kuranin famëlartë: “Nëse juve o besimtarë ju godet një fatkeqësi, atëherë mos harroni se edhe njerëzve të tjerë u kanë ndodhur fatkeqësi e këto ditë të kësaj dynjaje Zoti ia jep njerëzve dorë mbas dore e Zoti do t`i dijë ata që kanë besuar dhe prej tyre do të marrë dëshmitarë. Zoti nuk i do të padrejtët”. (Ali Imran: 140).
 
Është e vërtetë se ndonjëherë besimtarin e përplasin dallgët e jetës dhe e lodhin shumë. Sprovat i vijnë njëra pas tjetrës dhe nuk e lenë të marrë frymë. Ndonjëherë besimtarit i duket se e drejta po vonon, fitorja nuk po vjen dhe ai lodhet dhe ndihet keq.
Por le ta këshillojmë këtë besimtar, që mund të jetë secili prej nesh dhe t`i kujtojmë ligjin e Zotit, që njerëzit sprovohen e sidomos njerëzit e mirë sprovohen më shumë. Ky është një ligj i lashtë, ligj që nisi me Ademin (a.s) e do të mbarojë me besimtarin e fundit, që do të jetojë mbi shpinën e kësaj toke. Ai është ligj i fortë e i pandryshueshëm. Është ligj i atij Zoti, që ka krijuar Ademin (a.s) dhe Iblisin, Ibrahimin (a.s) dhe Nemrudin, Musain (a.s) dhe faraonin, Muhamedin (a.s) dhe armikun e tij Ebu Xhehlin, besimtarin dhe jobesimtarin, të mirin dhe të keqin.
 
Për habinë tonë ky ligj sprovon më shumë besimtarët dhe ata që kanë besimin më të fortë. Ata që janë sprovuar më shumë kanë qenë profetët e Zotit.
Profeti (a.s) ka thënë: “Njerëzit që sprovohen më shumë janë profetët e Zotit e pas tyre sprovohen njerëzit sipas besimit që kanë. Ai që ka besimin e fortë, e ka sprovën e fortë, ai që ka besimin e dobët e ka sprovën e dobët. Zoti ia fal gjynahet besimtarit edhe kur gjembi i hyn në këmbë, derisa të ecë mbi shpinën e kësaj toke pa gjynahe”. (Buhari).
Ky është ligji i Allahut (xh.sh). Këtë ligj duhet ta pranojmë dhe me të duhet të jetojmë, sepse ne nuk e dimë se sa të mira ka fshehur Zoti pas sprovës.
Situata e muslimanëve në botë apo edhe në Shqipëri të bën të ndihesh keq dhe pesimist, saqë thua me vete: “A do të ketë një ditë të hajrit në jetën tonë? A do të triumfojë e mira dhe vlera në këtë vend”?
Jemi të gjithë njerëz me gjak dhe me shpirt e nuk jemi njerëz prej hekuri, prandaj duam apo nuk duam, ndikohemi nga kjo gjendje, por le t`i themi vetes tonë, që nuk duhet të bëhemi pesimistë, se pesimizmi nuk është nga cilësitë e besimtarëve, sepse ai vjen prej shejtanit të mallkuar dhe besimtari nuk e ndjek shejtanin.
 
Dëgjoni profetin e Zotit, Jakubin (a.s), i cili humbi dy djemtë e tij, Jusufin (a.s) dhe Benjaminin, madje humbi edhe shikimin në moshën e tij të pleqërisë. Atëherë kur mendohej se ai ishte më i dobët se asnjëherë tjetër, ai u tha djemve të tij: “..dhe shkoni o bijtë e mi dhe kërkoni vëllezërit tuaj e mos i këputni shpresat nga mëshira e Zotit, se shpresën tek mëshira e Zotit e këput vetëm jobesimtari”. (Jusuf: 87).
Nuk mund të jemi pesimistë dhe nuk na lejohet diçka e tillë. Prandaj thoni lamtumirë pesimizmit, sepse ai nuk ka vend në zemrat tona.
 
Ndoshta unë dhe ti, por dhe shumë besimtarë të tjerë ndihemi të huaj në këto ditë. Jemi pak e të vetmuar. S`kemi mbështetje e as përkrahje dhe në krahun tjetër armiqtë e Islamit janë shumë, por kjo nuk ka pse të jetë e habitshme.
Jemi të huaj, sepse kjo fe nisi e huaj e profeti Muhamed (a.s) tha: “Islami filloi i huaj dhe përsëri do të kthehet i huaj. Lum ata që janë të huaj, lum për ata që e mbajnë fenë edhe pse janë të vetmuar, edhe pse janë pak”. (Ahmedi dhe Muslimi).
Ndoshta besimtari ndihet keq, sepse shikon se e keqja po triumfon dhe e drejta nuk duket asgjëkudi. Nuk është habi ta ndjesh diçka të tillë, sepse këtë e kanë ndjerë njerëz më të mirë se ne, e kanë ndjerë profetët e Zotit bashkë me besimtarët.  Aq ngushtë e kanë parë veten saqë kanë thënë: “O Zot kur do të vijë ndihma Jote”! Allahu (xh.sh) thotë: “Ndihma e Zotit është shumë afër” (Bekare: 214) dhe pastaj ka ardhur ndihma e Zotit.
 
Lexoni në Kuran historitë e profetëve, apo historinë e profetit tonë (a.s).
Ka kaluar situata aq të vështira, saqë nuk ta merr mendja se pse duhet të ndodhnin këto gjëra. Por Zoti i sprovon njerëzit dhe pas sprovës vjen fitorja, pas vështirësisë vjen lehtësimi.
 
Ne duhet t`i themi të gjithë bashkë JO pesimizmit, JO dorëzimit, JO dobësisë, se vallahi ndoshta nuk na e merr mendja, por jemi krijesat më të forta të Zotit.
A e dini se besimtari është krijesa më e fortë e Zotit?! Po, është krijesa më e fortë që ka krijuar Zoti i gjithësisë.
Kur Zoti krijoi tokën, ajo lëkundej. Atëherë Zoti urdhëroi të krijohen malet e ata e stabilizuan tokën. Kur melekët e panë diçka të tillë thanë: “O Zot sa krijesa të forta janë malet. A ka krijesë më të fortë se malet”? Allahu (xh.sh) u përgjigjet: “Po, hekuri është më i fortë se malet”. Melekët e pyetën përsëri Krijuesin e Universit: “A ka krijesë më të fortë se hekuri”?
“Po – tha Zoti – është zjarri”. Engjëjt pyetën përsëri: “A ka krijesë më të fortë se zjarri o Zot”? “Është uji- u përgjigj Allahu (xh.sh)”. “A ka krijesë më të fortë se uji o Zot – pyetën melekët”. Allahu (xh.sh) tha: “Po, është era”. Melekët vazhduan të pyesin: “A ka krijesë më të fortë se era o Zot”? Allahu u përgjigjet përsëri: “Po, ai është robi im besimtar, i cili jep sadaka me dorën e djathtë dhe nuk e merr vesh e majta e tij”. “Kjo është krijesa më e fortë që kam krijuar”. (Tirmidhiu dhe Ahmedi. Hadithi është i dobët).
 
Prandaj t`i themi vetes tonë: “Ne jemi të fortë, sepse kemi me vete të Fortin, Allahun (xh.sh) e po të ishte për ne, nuk do të ishim askushi në këtë botë”. Por shpresojmë ta kemi Zotin me vete dhe Allahu (xh.sh) të na ketë pranë madhështisë së Tij.
 
Sot duhet t`i flasim vetes dhe njëri – tjetrit për më shumë besim, më shumë shpresë, më shumë optimizëm.
Le të kemi pak më shumë besim tek Allahu (xh.sh). Të duket vetja se je vetëm, por dije se me vete ke Zotin e gjithësisë. A mendon se e ka lënë fenë e Tij në dorën tënde?! Mos mendon se çështja e fesë ka mbetur tek forca ime dhe tek e jotja?!
Allahu (xh.sh) ka dashur që të na fusë mua dhe ty në projektin e Tij, të na respektojë, të na lartësojë. Le t`i lutemi fort këtij Zoti, që ta njohim mirë Atë, se me të vërtetë është Madhështor.
 
Profeti (a.s) ka thënë: “Sikur ta njihnit Zotin siç e meriton Ai, me duanë tuaj do të shkuleshin malet prej vendit”. (Bejhakiu në Zuhd. Hadithi është i dobët).
Po kush prej nesh e njeh Zotin, siç e meriton Ai?! Ka njerëz, duaja (lutja) e të cilëve i shkul malet nga vendi.
Të kesh më shumë besim tek Allahu (xh.sh), do të thotë të kuptosh se nuk jemi të vetëm. Jemi me Krijuesin e të gjithë forcave të universit, me Allahun (xh.sh).
 
Gjithashtu duhet të kemi pak më shumë besim tek e vërteta. Zoti e krijoi universin, me qëllim që ta vendosë të vërtetën në vend.
Kush prej nesh ka hyrë në këtë fe për qejf apo për interesat e tij?! Çfarë na bashkon neve?!
Kemi hyrë në këtë fe, se duam ta ndjekim të vërtetën dhe e paguajmë faturën e saj. Atëherë dije se e vërteta mund të vonojë por nuk harron, sepse Zoti i gjithësisë do ta sjellë atë, ashtu siç ua solli banorëve të shpellës pas 309 vitesh.
Një grup të rinjsh nga familje shumë të pasura dolën kundë tiranisë dhe dhunës. Ata u futën në një shpellë. Pas 309 vitesh, gjatë të cilave Zoti i kishte lënë në gjimë, ua dha shpirtin edhe njëherë, i zgjoi që ta kuptojnë se e vërteta nuk humbet e të binden edhe njerëzit e tjerë se çfarë bën Zoti i botëve për të kthyer të vërtetën. E vërteta do të vijë më lejen e Allahut (xh.sh) se Zoti thotë në Kuranin famëlartë: “..dhe thuaj: “Erdhi e vërteta dhe iku e kota. E kota është e ikur, ajo nuk ekziston”. (Isra: 81).
Shpresojmë dhe i lutemi Zotit të gjithë bashkë, që të jemi me të vërtetën dhe nëse jemi me të vërtetën nuk do të na humbë Zoti inshallah as në këtë jetë as në jetën tjetër.
 
Pak më shumë besim tek e ardhmja. E ardhmja është e ndryshme nga e sotmja. Nuk e them unë këtë por e thotë Zoti në Kuranin e Tij: “Ka vendosur Zoti që Unë dhe profetët e Mi do të fitojmë”. (Muxhadeleh: 21).
Zoti është i Fortë dhe Krenar. Do të fitojë Zoti i gjithësisë, do të fitojnë profetët dhe besimtarët e Zotit.
Profeti (a.s) thoshte: “Vallahi do të arrijë kjo fe, atje ku arrin lindja dhe perëndimi i diellit”. (Ahmedi dhe Taberaniu me përcjellës të vërtetë. Hadithi në formë të ngjashme përcillet edhe nga Muslimi).
E lus Zotin e gjithësisë të na bëjë pjesë të vërtetë të kësaj feje, të na lidhë fort pas madhështisë së Tij, të mos lerë vend për shejtanin në zemrat tona.
E lusim Zotin që të mos na lerë asnjëherë në duart e veteve tona, por gjithmonë të na mbajë me mëshirën e Tij.
 
I dashuri i zemrave tona, profeti (a.s), ai që nuk fliste kot, ai që fjalët i peshonte mirë thoshte: “Feja është këshillë”. E pyetën: “Për kë është këshillë o profet i Zotit”?
Ai (a.s) tha: “Për librin e Tij, për profetët e Tij, për të parët e muslimanëve dhe për të gjithë besimtarët në përgjithësi”. (Muslimi).
Të këshillosh është pjesë e kësaj feje dhe të këshillon vetëm ai, që ta do të mirën, kurse tjetri të bën kurthe e lajka dhe pret rastin kur të të hedhë përmbys.
Besimtari që ia do të mirën tjetrit, e këshillon atë. Të themi të vërtetën, nuk ka njeri të madh përpara këshillës. As profeti (a.s) nuk ishte më i madh se këshilla. Ai i nxiti shokët e tij ta thonë këshillën. Kur ta shikojnë gabimin, ta thonë atë edhe sikur atë gabim ta bënte profeti (a.s). Ata e bënin një gjë të tillë në mënyrë të natyrshme. Kur shikonin diçka, e pyesin profetin (a.s): “Pse e bëre këtë o profet i Zotit? A nuk do të ishte më mirë ta bëje në formën tjetër?”
Profeti (a.s) e pranonte këshillën e tyre pa u mërzitur fare, sepse vetë i kishte nxitur ta thonë këshillën.
Ai u kishte thënë shokëve të tij: “Mos u bëni diktatorë. Mos ua mbyllni gojën njerëze, por i lini ata, që t`ju këshillojnë e t`ju qortojnë, se e kanë për të mirën tuaj, pasi kjo fe është e Allahut (xh.sh)”.
Omer Ibn Hattabi (r.a), ai që kujdesej që të mos bënte as edhe një grimcë padrejtësie, qoftë edhe ndaj kafshëve, deshi t`i provonte njerëzit, për të parë nëse ata e ndiqnin nga frika apo ndiqnin ligjet e Zotit. Njëherë ai ngjitet në minberin e profetit të Zotit dhe u thotë besimtarëve: “Nëse më shikoni se do të devijoj pak nga e drejta, çfarë do të bëni me mua”. Ndërsa të tjerët heshtën se e kuptuan qëllimin e Omerit (r.a), dikush nga fundi i xhamisë u ngrit, nxorri shpatën dhe tha: “Vallahi po të pamë se devijon nga e drejta, do të të kthejmë tek rruga e drejtë qoftë edhe me shpatë”. Njerëzit i thanë: “Si i flet kështu prijësit të besimtarëve”? Ndërsa Omeri (r.a) tha: “Nuk ka hajr prej jush, nëse nuk e thoni këtë fjalë dhe nuk ka hajr prej nesh, nëse nuk e pranojmë atë”. Kështu i rriti profeti (a.s) këta njerëz. Ta dëgjojnë të vërtetën, nëse besojnë bindshëm tek Zoti i gjithësisë dhe duan ta lartësojnë këtë fe.
 
Profeti (a.s) tha: “Shembulli i besimtarëve është si puna e udhëtarëve në një anije. Ata të katit poshtë për të marrë ujë duhej të hipnin sipër tek ata të katit lart. Ata të katit të poshtëm menduan të thyejnë një dërrasë me nijetin e mirë, që ta marrin ujin direkt prej detit e të mos i shqetësojnë ata të katit lart. Por po i latë ta thyejnë atë dërrasë, do t`ju mbysin ju dhe veten e tyre”. Mos i lini shokët të bëjnë gabime. Anija është e të gjithëve”. (Buhariu).
 
Gjithashtu duhet të pyesim për ato gjëra, që i kemi të paqarta. Profetit të Zotit i vinte shpallja, por përsëri i pyeste shokët e tij dhe vetëm kur i vinte urdhër nga Allahu (xh.sh) për një punë, e bënte atë pa pyetur shokët e tij, kurse në të gjitha rastet e tjera ai konsultohej me ta.
Por duhet të dimë edhe sesi të reagojmë, sepse na shikojnë të gjithë njerëzit e tjerë., prandaj duhet ta masim zemërimin tonë. Nëse e bëjmë diçka për hir të Zotit, le ta bëjmë atë siç na mëson feja e Allahut (xh.sh).
A i shihni muslimanët në vendin tonë se ku falen. Në zhurmë, në pluhur, në djersë. Nuk po mundemi t`iu krijojmë rehati as për 5 minuta. Le të bashkohemi e të bëjmë një xhami. Jo gjithmonë do të bëhet me ndihma, se të tjerët i kanë bërë me kontribut vullnetar. Të mendojmë për një shkollë, për një Medrese. Fëmijët po rriten e njerëzit nuk dinë ku t`i çojnë. Të mendojmë për arsimin e kuadrove tanë. Kur kuadrot e feve të tjera kanë nga 2-3 fakultete, kuadrot tona nuk kanë shkollën e duhur, arsimin e duhur. Kush do të punojë për këta njerëz, kush do ta ngrejë nivelin e kësaj feje?!
 
Të punojmë për moralet, që po kërcënohen në familjet tona. Kush do t`u flasë njerëzve që kjo punë është e mirë dhe kjo tjetra nuk është e mirë, nëse nuk u flasim ne? Le të bashkohemi për hatër të atyre myslimanëve, që janë në fshatin më të skajshëm të Shqipërisë, që veten e njohin për muslimanë, por s`dinë asgjë nga kjo fe. Askush nuk u ka trokitur në derë e t`ju thotë: “Besoni në Zot. Bëjeni këtë punë të mirë. Mos e bëni këtë punë të keqe”. Fatkeqësisht kemi mbetur duke u marrë me njëri – tjetrin, duke përgojuar njëri – tjetrin. Dijeni se ka nga ata njerëz, që e kanë dëshirën për t`u bërë muslimanë, por kur shohin se si janë muslimanët dhe se çfarë opinioni kanë të tjerët për ta, atëherë zmbrapsen nga feja e Allahut (xh.sh).
Për hir të Allahut (xh.sh) le t`i shikojmë punët pak më ndryshe. Përgjegjësia është e madhe, por inshallah mëshira e Zotit ështe edhe më e madhe.
 
E lus Allahun (xh.sh) të na fusë në mëshirën e Tij, ta largojë shejtanin prej zemrave tona dhe të mos na përçajë.
E lus Allahun (xh.sh) t`i falë gabimet tona, ata që duken dhe ata që nuk duken, ata që i kemi bërë dhe ato që do t`i bëjmë. Zoti na faltë sa jemi gjallë, kur të vdesim dhe kur të dalim para Madhështisë së Tij.
A M I N


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free