Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Fjalë në Erë

Petku nuk mund t'i sjellë femrës nderin dhe dlirësinë, nëse ajo nuk e ka ... Autor: Prof. Dr. Muhammed Seid Ramadan El-Buti Marrur nga libri: "Femrës që beson All-llahun Fuqiplotë" Sido që të jetë çështja e këtyre dyshimeve jo të drejta, prapseprapë armiqtë e kësaj feje kanë argumente dhe fjalë tjera nëpërmes të të cilave shpresojnë të forcojnë padrejtësinë e tyre! Por, përsëri ato ngelin fjalë të pabaza në esencë si dhe të pakuptimta për t'i pranuar mendja e shëndoshë. Ato janë të atij lloji të cilat dijetarët e logjikës i emërtojnë sofizma, që duken të drejta nga jashtë por në thelb janë të gabuara! Qëllimi i këtyre fjalëve më tepër është për t'iu nënshtruar epshit se sa për ta bindur mendjen e shëndoshë. Një numri të madh të femrave besimtare këto fjalë në erë e mashtruese ua kanë humbur pjekurinë dhe kthjellësinë e tyre logjike. Shumica e femrave në fjalë, kanë kuptuar këtë mashtrim por kur kjo çështje ka arritur deri në atë shkallë sa që më nuk kanë energji që të largohen nga janë fundosur në greminë të pafund prej së cilës nuk mund të dalin e as të ngrihen lart. Unë, motër besimtare, do t'i paraqes të gjitha fjalët bashkë me zbukurimet dhe mashtrimet e tyre, duke shpaluar falsifikimin e tyre një nga një në mënyrë shkoqitëse që sa më qartë të shohësh se sa shumë mashtrime dhe gënjeshtra mbanë ato fjalë, e kur kjo do të bëhet e qartë, atëherë do të jeshë më e mundshme dhemë e vendosur t'i përballosh ato të pavërteta të cilat i hasish si dhe do të bëhesh më stabile dhe më e qëndrueshme në të vërtetën (hakun) me të cilën ti krenohesh. Ata të thonë: Nderi i femrës në realitet qëndron në vetë femrën e jo në mbulesën që lëshohet mbi trupin e saj. Sa femra ka që nga jasht janë të mbuluara dhe fshehen prej burrave, por fshehtazi janë të pandershme, bëjnë avantura dhe kurvëri me sjelljet që i kanë, ndërsa nga ana tjetër ka shumë femra që ecin me krye dhe fytyra të shpaluara por e keqja nuk gjen rrugë për të depërtuar te ajo apo te sjellja e saj. Unë të them: Është e vërtetë se petku nuk mund t'i sjellë femrës nderin dhe dlirësinë, nëse ajo nuk e ka, e as të krijojë te ajo palëkundshmëri dhe besnikëri nëse ajo këto nuk i ka. Mund të gjesh shumë lavire të cilat nëpërmjet mbulesës fshehin laviritetin e tyre. Por, kush është ai që thotë se All-llahu xhel-le shanuhu obligoi mbulesën për trupin e gruas që mbulesa në shpirtin e saj të krijojë dlirësi dhe nderë në sjelljen e saj? Kush është ai që mendon dhe supozon se All-llahu xhel-le shanuhu obligoi mbulesën që ajo të shërbejë si proklamim se çdo femër që s'i përmbahet është lavire dhe zhytet në humnerën e mashtrimit me burrat? S'ka dyshim se All-llahu xhel-le shanuhu obligoi mbulesën për gruan që të mbrojë nderin dhe dlirësinë e burrave të cilët lëshojnë sytë grave, e jo që të mbrojë nderin e gruas nga sytë e atyre që i shikojnë ato, edhe pse nuk mund të mohojmë se në shumicën e rasteve edhe femra ka dobi, por dobia e burrave është më e madhe dhe më me rëndësi. Përndryshe a mundet që njeriu i mençur (i cili është nën ndikimin e këtij argumenti të pavend) të thotë: femra ka të drejtë të paraqitet në mesin e burrave e xhveshur pasiqë ajo është e bindur në moralin, paluhatshmërinë dhe në korektësinë e saj?! Sprovimi(belaja) i shiqimeve të meshkujve i cili shkaktohet nga mashtrimet, provokimet, bukuritë joshëse e ngashënyese të grave, është problem të cilin shoqëria duhet ta zgjidhë e të cilin Sheriati e ka zgjidhur si është më mirë. Sikur këtë sprovim të mos e kishte zgjidhur legjislacioni i All-llahut xhel-le shanuhu, padyshim dëmi i këtij sprovimi gjithashtu do të kalonte edhe te gratë dhe atëherë gruas që është e zbukuruar me stoli (pispillaqe) nuk do t'i ndihmonte dlirësia, nderi si dhe sjellja e paluhatshme e saj, ngase flaka e ndezur e këtij sprovimi që gufon në zemrat e burrave do të mundte paluhatshmërinë, dlirësinë si dhe nderin e gruas që e ka , pasiqë ajo para tyre ekspozon stolitë dhe çdo gjë që të tërheq e që të ngashënjen e të joshë. Ata të thonë: Me bashkëndejat, shoqërimet dhe miqësitë e tepërta që lidhen midis mashkullit dhe femrës edukohet instinkti i të dy palëve dhe midis tyre ngritet miqësi e pastër dhe e dlirë e cila nuk dëmton gjininë tjetër dhe nuk anon kah e keqja! Por, nëse midis tyre ngritet një mur i lartë, siç është mbulesa, atëherë instinktet seksuale te dy gjinitë do të ndizen e do të gufojnë më tepër, dhe do të joshin njëri tjetrin! Kështu pra, te ata me të madhe do të paraqitet ndrydhja e epsheve si dhe vetitë e këqia! Unë të them: Është e vërtetë se dukuritë e mashtrimit dhe të provokimit ka mundësi që sado kudo ta humbin efektin e tyre me bashkëndejat, shoqërimet dhe miqësitë e tepërta, por kjo është tek ata që janë zhytur në to dhe të cilët frytet e saj i kanë vjelë. Por, ata pas një kohe janë kthyer të pakënaqur nga kjo, jo se ata nuk mvaren e nuk janë të nevojshëm për to, por ngase ata çdo ditë ngopen me to dhe janë bezdizur prej saj. Shikimi i gjërave jo të ndershme (pornografike, të pamoralshme) dhe i skenave seksuale që zgjojnë instinktin seksual në një shtet si p.sh. Suedia, konsiderohet gjë normale, jo e çuditshme për ata njerëz që janë rritur dhe jetojnë në atë mjedis. A mos, vallë, do të thotë se këta njerëz kanë humbur këtë instinkt, për shkak të dukurive të devijimit dhe të amoralitetit deri në atë nivel sa që ata të kenë çrrënjosur këtë instinkt dhe të mos kenë nevojë për këtë?! Vallë, cili njeri i çmendur mud ta thotë këtë? Çdokush prej nesh e di se ai i që kalon pranë këtyre skenave seksuale të zhveshura në Suedi, nuk e zë për të madhe e as që është interesante për të të kthejë kokën kah ato, por pas pak kohe mund të shohësh të njëjtin njeri duke bërë të njëjtën gjë. Kështu që mosinteresimi dhe mosnxitja e skenave të mashrimit nuk është asgjë tjetër përveç se rezultat i përhapjes së dëfrimit të lirë në çdo vend, e jo rezultat i një kuptimi të posaçëm ose i ndonjë skene të re që mund të shihet. Ai që pretendon realizimin e heqjes dorë nga marrëdhëniet seksuale dhe këtë nuk e sheh si rezultat i përhapjes dhe mundësisë së tepërt të këtyre marrëdhënive seksuale,atëherë ky është njëlloj sikur ai që pretendon mundësinë e të hequrit dorë nga ushqimi për të urriturin vetëm se gjatë rrugës, djathtas e majtas sheh pjata me ushqime të këndshme që janë të rradhitura nëpër vitrinat e restoraneve. "Miqësia" është një fjalë të cilën këta njerëz e përdorin për perioda kur i ngopin epshet e tyre dhe pas një zvarritje të gjatë në pyjet shtazarake dhe në shfrenim të pakufijshëm. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme të cilën e dinë ata "miq" madje edhe para se ta kuptojnë të tjerët! Sa i përket ndrydhjes së epsheve unë pyes se cila prej këtyre dyjave sjell ndrydhje të epshit? Të dalë i riu për në punë, detyrë apo studim dhe syri i tij të mos të hasë në atë që nxit epshin e tij, e të kthehet në shtëpi shpirtqetë, mendjeçlodhur dhe aktiv në të menduar, apo kur të dalë nga shtëpia ta presin mashtrimet që nxitin instinktin seksual të tij në çdo kënd e vend, me çdo metodë e lojë arti, kështu që instinkti i tij ndizet, por kur të afrohet për të kënaq atë, të hasë në pengesën e ligjit, policit apo burrit të saj ose të ndonjë të afërmi. Po... cila prej këtyre e sjell ndrydhjen?... Këtë pyetje ia shtrova një studenti që para meje proklamoi se është përparimtar dhe si fakt merrte ndrydhjen e epshit e fjalë të ngjashme, por ai ngeli gojëhapur. Kurse unë në vend të tij u përgjigja: Ndoshta ti me këtë nuk don të kundërshtosh vetëm mbulesën dhe peçen, por me siguri edhe zakonet dhe ligjet që rregullojnë lidhjet dhe marrëdhëniet midis burrit dhe gruas me qëllim që të arrihet një jetë plotësisht e shthurur dhe e shfrenuar në të cilën njeriu bëhet identik me shtazën, e gjithë kjo bëhet që njeriu të shpëtojë prej ndrydhjes në fjalë! Pasi që qenka kështu atëherë mos fol kundër mbulesës dhe mos kritiko atë para se të diskutosh guximshëm (dhe të qërosh hesapet) me bashkëshortët, prindërit, Sheriatin e All-llahut xhel-le shanuhu, ligjet e tjera dhe me xhelozinë (instinktin) e cila është prirje parimore e natyrës së njeriut, për të sendërtuar ndonjë projekt shtazarak për të cilin je duke luftuar. Kur të gjithë do t'i përgjigjen pretendimit tënd, atëherë mund të kundërshtosh mbulesën për të cilën nuk do të kishte nevojë të marrësh për argument ndrydhjen e epshit dhe veprime tjera të ngjashme. Ata të thonë: Me të vërtetë mbulesa e gruas është pengesë që femra të jetë pjesëmarrëse bashkë me mashkullin në ngritjen ideore, kulturore dhe shoqërore. Hapat e para për çdo aktivitet ideor dhe shoqëror janë që ajo të zbulojë fytyrën dhe t'i shkatërrojë e t'i rrënojë gjitha barikadat, konsideratat dhe pikëpamjet apo arsyetimet. Gjithashtu metoda më efikase për t'ia humbur femrës mundësitë dhe shkathtësitë ideore e shoqërore të ndryshme të saj është që ajo të burgosë veten në kafazin e mbulesës dhe të vë në mes vetes dhe mashkullit barikadën e ashtuquajtur mbulesë dhe moral! Gruaja e mbuluar tek ata simbolizon padituri dhe prapambeturi, andaj kur ata flasin për kulturën, përparimin dhe aktivitetin e saj ideo-shoqëror si simbol paraqesin gruan e shpaluar e cila nuk u përmbahet rregullave të mbulesës. Unë të them ty: Në mënyrë të prerë konstatoj se ky krahasim është artificial e i pabazë. Këtë e them me plotë bindje (për të cilën dëshmojnë edhe sytë e mi) ngase në mesin e femrave të universiteteve tona me të madhe gjenden femra të mbuluara sipas rregullave islame e të cilat i përmbahen kryekëput vendimit të All-llahut xhel-le shanuhu dhe janë të parat në përparimin shkencor, kulturor dhe në aktivitetet e tjera ideo-shoqërore në krahasim me shoqet e tyre "të emancipuara". Në shumë vende të Afrikës dhe në disa të Evropës kemi hasur në dukuri të sjelljeve të pahijshme, dhe lakuriqësisë, por megjithatë atyre këto gjëra nuk u sollën asfarë përparimi shkencor, e as ideo-kulturor. Por, në anën e kundërt, kemi shumë njerëz të cilët u përmbahen ligjeve të All-llahut xhel-le shanuhu si në atë të mbulesës ashtu edhe në të tjerat, por kjo gjë nuk i largoi ata nga përparimi e zhvillimi kulminant në aspektin ideo-kulturor. Nëse i kthehemi historisë, do të shohim se historia islame është përplotë e mbushur me shembuj nga gratë muslimane të cilat krahas edukatës, nderit dhe mbulesës islame, kanë pasë edhe dituri, kulturë dhe ide progresive, duke filluar nga koha e sahabëve e deri në kohën në të cilën jetojmë ne. Prapambeturia i ka faktorët e vet siç i ka edhe vetë përparimi! Sulmi ndaj ligjeve të mbulesës dhe të ruajtjes së moralit është një tradhëti e hapur e cila nuk mund të zë vend, pos tek ai i cili është i prapambetur në aspektin ideor dhe i cili flet me paragjykime. Ne aspak nuk dyshojmë se prapambeturia dhe ngecja e gruas në kulturë, dhe fenomeni i mbulesës së saj ka ndodhur që ndonjëherë të shkojnë paralel si në disa vende të Gadishullit dhe Gjirit arab.Por, unë megjithate lirisht mund të them se ato dyja nuk kanë mes vete ndonjë mvarësi të domosdoshme. S'do mend se sendërtimit të kësaj dukurie i kanë ndihmuar rrethanat kolonialiste dhe planifikimet e tyre të errëta. Shumë lehtë është për rilindasit, edukatorët të cilët i dëshirojnë rilindje dhe ndryshim të vërtetë shoqërisë ta kuptojnë këtë që e thamë dhe të bëjnë dallimin dhe gjykimin e realtë lidhur me këto, duke u bazuar në logjikën e shëndoshë dhe në vetëdijen islame të përpiktë e cila krahas mbulesës, nderit, moralit përkrah dhe nxit për t'u pasuruar sa më tepër me dituri dhe kulturë të dobishme, ashtuqë çdonjëra prej tyre të luajë rolin e vet në shoqëri. Ata të thonë: Femra e cila fshehet e ngujohet dhe para njerëzve del e mbuluar, vetes ia humb rininë, madje edhe lumturinë bashkëshortore. I riu kërkon femrën të cilën e pëlqen, mirëpo prej saj (para çdo gjëjë) pëlqen bukurinë dhe çdo gjë që ka të bëjë me personalitetin dhe natyrën e saj. E prej nga ai do ta sigurojë këtë, nëse nuk i mundësohet atij atë ta shohë dhe të ketë lidhje miqësore me te, gjegjësisht të njohë natyrën dhe tabiatet e saj. E si mund gjithë kjo të jetësohet nëse ajo insiston të burgosë veten pas bedenit të mbulesës?! Këtë e marrin si argument edhe disa nëna për vajzat e tyre, duke menduar se në këtë mënyrë vajzës së vet i ofrojnë lumturi dhe ia mundësojnë rrugën për të zgjedhur djalin e ëndërrave të saj. Ata këtë ide e forcojnë me mashtrime djallëzore që gjenden rreth e përqark vajzës, në të njëjtën kohë keqpëdorin dhe shfrytëzojnë edhe vetë dëshirën që ajo e ka. Ata gjithësesi mundohen që nënën e vajzës ta nxitin kundër bijës së saj nëse ajo i përmbahet veshjes islame, kurse shpresa të mëdha i japin nëse vajza e saj lirohet prej veshjes islame dhe qëndron në radhët e të rinjve, duke u shoqëruar me to dhe duke ekspozuar stolitë e veta! Unë të them: Kjo është një intrigë e ndytë që flet kundër realitetit dhe të vërtetës! Intrigë që e thurrin dhe e përgatitin propaganduesit e rregjur e që janë të vetëdijshëm për këtë. Kjo ide ngjall interes te vajzat dhe nënat e tyre, por të mashtruara dhe duke mos qenë të vetëdijshme për këtë. Nëse e vështrojmë realitetin ku jetojmë do të shohim se përqindja e të interesuarve për martesë është më tepër ndaj femrave që janë të kujdesshme dhe që u përmbahen rregullave të mbulesës sesa për vajzat "e emancipuara" të cilat e praktikojnë këtë recidiv të rrezikshëm. Bile edhe martesat bëhen (në përgjithësi) më tepër te familjet që janë fetare se sa te familjet e tjera. Këtë më së miri e di ai që u kthehet statistikave për këtë çështje. Që të jenë shkaqet kryesore dhe dytësore sa më të qarta në lidhje me këtë të vërtetë dhe për t'u forcuar besimi yt në urtinë e Krijuesit Fuqiplotë si dhe për t'u bindur se njeriu nuk mund të gjejë dobinë dhe interesin e vet, të mbrojtur askund tjetër, si në zbatimin e Sheriatit të All-llahut xhel-le shanuhu prandaj të them: I riu në shoqërinë tonë, gjithësesi i takon njërit prej dy grupeve: 1. Grupi i parë: Në përgjithësi fetar. U përmbahet rregullave islame dhe shumicës së vendimeve të saj e sidomos atyre shoqërore. I riu i cili i takon këtij grupi gjithësesi martohet në moshën 20-30 vjeçare, në përjashtim të atyre që kanë kushte të jashtëzakonshme. Martesa për grupin e parë është njësoj si momenti i iftarit për agjëruesin i cili gjithë dëshirat e kësaj bote i grumbullon dhe prej tyre mundohet të sendërtojë shtyllën e harmonisë së vet! I riu i këtij lloji kërkon femrën që i përshtatet dëshirës së vet, por në suaza të mbulesës dhe në atë të moralit të dlirë me të cilën ai është rritur. Por, nëse këtij i imponohet për disa shkaqe të dalë prej këtij rrethi, ai përsëri nuk do të jetë i qetë dhe i sigurt se ajo femër mund të bëhet nëna e fëmijëve të tij, ngase ky është i bindur se nëna e fëmijve të tij mund të jetë vetëm fetarja, e mbuluara dhe e ndërgjegjëshmja. Këtij të riu nuk i bën problem mosnjohja e natyrës së saj dhe mungesa e miqësisë me të para martesës, ose se nuk është i sigurt në moralin e saj për arsye se Sheriati i All-llahut xhel-le shanuhu ua ka zgjidhë këtë problem, me atë që atij ia lejoi madje edhe ia preferoi dhe ia bëri të pëlqyeshme, që ai ta shohë dhe të bisedojë me femrën, bile nëse ai e ndjen veten se hera e parë nuk mjafton për të njohur atë, ka të drejtë që këtë shikim ta përsërisë së dyti apo së treti. 2. Grupi i dytë: Ai që është jashtë kufijve të fesë dhe rregullave të saj. Ky nuk i kushton rëndësi asaj se a do të dëfrejë veten me hallall apo me haram po qe se i jepet rasti për këtë! I riu i këtij grupi edhe nëse martohet e shtynë martesën e vet deri në moshën katërdhjetvjeçare ose kah fundi i tyre, prandaj nuk mund të gjejmë asnjë prej tyre që është martuar para viteve të tridhjetë e pestave, në përjashtim të disa rasteve të rralla e të jashtëzakonshme. Martesa për këtë njeri i gjason kthimit të turistit në shtëpi pas një ekskurzioni të gjatë ku dëfrimi i tij ka harxhuar tërë forcën dhe energjinë e tij, saqë është lodhur dhe i është bërë i mërzitshëm e i padëshirueshëm dhe me plot dëshirë të flakt pret të kthehet në shtëpi që të çlodhet dhe të qetësohet! Ky ka kaluar kohën në kënaqësi dhe dëfrim pa asnjëfarë pengesë, prandaj ky person prej gruas më tepër dëshiron që ajo ta len rehat e të çlodhet se sa të dëshirojë që martesa për të të jetë dëfrim dhe kënaqësi e ndërsjellë. Sa shumë ka prej atyre që paraqiten gjoja se dëshirojnë të martohen, por këtë e bëjnë me qëllim që rreth tyre gjithmonë të ketë femra të kalibrit të tyre, të cilat ekspozojnë bukuritë e tyre, secila sipas shijes së vet, e të cilat mendojnë se nuk mund të gjejnë shoqin e jetës pos në rrugë ku i jepet rast secilit të kënaq epshet e veta me kë të dojë edhe atë pa kurrfarë përgjegjësie. Kështu kalojnë prej njërës në tjetrën duke e kërkuar partneren e së nesërmes. Por, duhet ditur se garimi në përjetimet e kënaqësive të epshit midis burrit dhe gruas ka dallim të madh të cilën shumica nuk e kuptojnë, por me rëndësi është të theksojmë se gjithmonë gruaja është ajo që humb! Sadoqë femra të mos iu përmbahet rregullave të fesë, ajo përsëri nuk mund ta arrijë kulminacionin e lumturisë së vet, përveç se si nënë në hijen e shtëpisë. . Dëshira e mashkullit është që ai t'i kënaqë epshet e veta pa mbajtur përgjejgësi për këtë. Nga kjo dëshirë nuk mund ta largojë askush tjetër pos fesë, e cila kaplon zemrën e tij. Në tryezën e rrumbullakët, ku nuk gjykon feja midis burrit dhe gruas, gjithmonë gruaja është ajo që humbë. Rezultati i gjithë kësaj që u tha është ajo që e përjetojmë dhe e shohim çdo ditë. Për ta kuptuar këtë, nuk nevojitet asgjë më tepër pos një vështrimi të shkurtë ku do të na bëhet e qartë se interesimi për martesë te të rinjtë fetarë është shumë më i madh se sa te ata që janë larg rregullave të fesë, ose që janë të "emancipuar". Fetarët martohen vetëm me vajza të ndershme dhe kapen për bukurinë e cila është e stolisur me moral, mbulesë e fe, prandaj të mbeturit pamartuar (lëneshëria) nuk është e përhapur (në shumicën e rasteve) përveç te familjet që kanë lënë pas shpine ligjin e All-llahut xhel-le shanuhu, vendimin dhe moralin që kërkon feja. Motër besimtare, ky sqarim të mjafton që të bindesh (në bazë të logjikës së pastër) se Sheriati i All-llahut xhel-le shanuhu jo vetëm që të siguron arritjen e kënaqësisë së Tij, por, në anën tjetër, të siguron edhe sendërtimin e lumturisë në këtë botë. Lumturia nuk është në sendërtimin e persiatjes të cilën e parafytyron ti, por ajo është në realitetin i cili të sjellë qetësi dhe kënaqësi në jetën tënde. Pasi që gjithë kjo t'u bë e qartë, erdhi koha që ti të dorëzohesh e t'i përgjigjesh vendimit të All-llahut të Madhëruar që të bëhesh e mirë ndaj Tij, pas një harrese dhe mohimi të gjatë e të zgjedhësh rrugë jete ligjin e All-llahut xhel-le shanuhu i cili të shpie tek Ai dhe të shpëton në ditën kur do të dalësh para Tij. Mos u vin vesh kritikave, thashethemeve dhe llogarive të njerëzve sepse nesër llogaria e All-llahut xhel-le shanuhu është më e madhe dhe më e rëndë! Mos i kënaq ata dhe mos iu përgjigj dëshirave të tyre në hidhërimin e All-llahut xhel-le shanuhu, për arsye se moskënaqja ndaj tyre të shpie në kënaqësinë e All-llahut xhel-le shanuhu e cila është më e bukura dhe më e dobishmja. Me siguri (gjatë përpjekjes tënde për të realizuar kthimin tënd në rrugë të All-llahut xhel-le shanuhu) do të ballafaqohesh me ata të cilët do të mundohen që ndjenjat tua të t'i mbytin apo lodhin duke t'i anestizuar ato me ndikimin e "aktualiteteve"(risive, modave, fantazive) të cilat të rrethojnë mu si rrjeta e marimangës që rrethon viktimën e saj, duke ta përmendur filanen se si ajo shfaq stolitë e saj në prezencën e burrave, e tjetrën që posedon "klubin" letrar të njohur në mesin e njerëzve. Por, unë ta kujtoj ty vendimin e qartë të All-llahut Fuqiplotë të cilin ta përcolla me besnikëri si dhe hadithin e Pejgamberit alejhis-selam, ku thotë: "Dy lloje prej ummetit tim assesi nuk i kam parë(nuk gjendën në kohën time): Një popull, të cilët në duart e tyre kanë shkopinj (dënimi) si bishtat e lopës me të cilët rahin njerëzit. Gjithashtu gra me veshje të tejdukshme, të zhveshura, pispillaqe e që ecin duke u përdredhur, të cilat i mësojnë edhe të tjerat të veprojn në të njejtën mënyrë. Kokat e tyre janë si gungat e deves, të cilat nuk do të hynë në xhenet as që do të ndjejnë erën e tij, kurse era e tij ndihet në një largësi kaq e kaq". Transmeton Muslimi dhe Ahmedi Gjithashtu do të hasësh në njerëz të cilët të përkujtojnë bukurinë e kësaj bote dhe të cilët të përkujtojnë mënyrën e ngopjes me dëfrimet dhe stolitë e saj! Por, unë të kujtojë rrezikun e rezultatit të kësaj dhe pasojat e rrënda që i sjell ajo... Të kujtojë Ditën e Gjykimit ku do të dalë në shesh fjala e All-llahut xhel-le shanuhu që i dedikohet një grupit të madh të njerëzve: "Ju i shfrytëzuat të mirat në jetën e kësaj bote dhe i përjetuat ato e sot për shkak se keni bërë mendjemadhësi në tokë pa të drejtë dhe për shkak se nuk i respektuat urdhërat e Zotit, do të shpërbleheni me dënimin nënçmues" (El Ahkaf, 20). Ta kujtoj tërë këtë për arësye se kjo është më se e duhur që të shijosh lumturinë e kësaj dhe botës tjetër. Më lejo që në fund të ta kujtoj se gjithë ata mashtrues të cilët të këshillojnë ty kanë për qëllim interesin e tyre dhe realizimin e dëfrimit të epsheve të tyre. Sikur që edhe unë ta doja këtë, do të veproja sikur ata dhe do të kisha të njëjtin qëndrim si ata pasi edhe unë jam njeri që në qenien time posedon epshin e burrit dhe lakminë sikur të tjerët. Por, unë, vall-llahi, nuk dua të ngarkohem me gabimin (përgjegjësinë e gabimit)tënd dhe timin në Ditën e Gjykimit! Dëshiroj që besnikëria dhe bindja e palëkundshme e ytja për të vërtetën, të jetë një e mirë në peshoren time si dhe kujtimi e këshilla ime, që ta bëj ty të jetë edhe kjo një e mirë në peshoren tënde. Dëshiroj që për vete dhe për ty, diçka më të shenjtë dhe më të lumtur nga çdo epsh, dëfrim dhe lakmi. Dëshiroj për mua dhe për ty kënaqësinë e All-llahut xhel-le shanuhu.