Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Qëndrimi i islamit ndaj akteve terroriste

Pyetje:”Kohët e fundit dëgjojmë shpesh rreth rrëmbimit të avionëve, terrorizimin e njerëzve të thjeshtë etj… Bazuar në sa shohim, duam të dimë qëndrimin e islamit lidhur me çështje të tilla. A i lejohet një personi ndaj të cilit është bërë padrejtësi, të hakmerret në këtë formë?”

Dr. Jusuf El-kardavi

Përgjigje:”Islami nuk e lejon agresivitetin ndaj një personi të pafajshëm në asnjë rrethanë dhe nga kushdo qoftë. Të sulmosh njeriun, nderin apo pasurinë e tij është e ndaluar, edhe nëse agresori është Prijësi i besimtarëve dhe Kalifi i madh. Fakti që është Prijësi i myslimanëve, nuk ia lejon të derdhë gjakun e njerëzve, tu shvasë pasuritë dhe të shkelë nderin e tyre. Gjatë Haxhit të lamtumirës, profeti Muhamed a.s deklaroi haptazi se gjaku i njerëzve, pasuria dhe nderi i tyre konsiderohen të shenjta deri në Ditën e Kiametit.

Lidhur me këtë çështje, Islami ka vendosur disa parime, ku më të rëndësishmet janë:

Parimi i parë: Islami e ndalon rreptë çdo formë agresiviteti mbi të pafajshmit. Ky ndalim nuk është i vlefshëm vetëm ndaj myslimanëve, por përfshin edhe jomyslimanët, nëse nuk kanë deklaruar armiqësi me myslimanët.

Edhe në  gjendje lufte, islami nuk e lejon vrasjen e atyre që nuk marrin pjesë në luftë, gratë, fëmijët, të moshuarit dhe murgjërit të cilët merren vetëm me lutje dhe adhurim në manastire.

Një parim i tillë i ka mahnitur shumë historianë perëndimorë, të cilët pohojnë se:”Historia nuk ka njohur pushtues më të drejtë dhe më të mëshirshëm se arabët (d.m.th myslimanët).”

Madje, islami e ndalon edhe keqtrajtimin e kafshëve të armikut. E ç’mund të thuhet për njeriun, të cilin e ka nderuar Zoti.

Në një hadith të saktë të transmetuar nga profeti Muhamed a.s, thuhet se një grua u ndëshkua me zjarrin e xhehenemit për shkak të një maceje, të cilën e lidhi derisa ngordhi. As nuk e ushqeu dhe as nuk e la të lirë të ushqehej vetë.

Nëse ky është ndëshkimi për një mace, ç’mund të themi për ata që terrorizojnë njerëzit, i burgosin dhe mbjellin mes tyre panik e frikë?

Në një hadith Numan ibnu Bishr thotë:”Gjendeshim në udhëtim e sipër me të dërguarin e Zotit. Një nga ushtarët e mori gjumë sipër devesë dhe lëkundej sa para mbrapa. Një shoku i tij, iu afrua dhe i mori një shigjetë nga trasta. Ai e ndjeu dhe i doli gjumi i trembur dhe i frikësuar. I dërguari i Zotit a.s tha:”Nuk i lejohet një myslimani të frikësojë një mysliman tjetër.”

Pra, mbjellja e panikut dhe frikësimi janë të ndaluara, edhe nëse bëhet thjesht për shaka dhe në formë loje. E ç’mund të themi për ata njerëz të cilëve u duket sekonda sa një javë dhe ora sa një muaj? Ç’mund të themi për ata që presin nga çasti në çast që rrëmbyesit e tyre të vrasin personin e radhës si formë presioni ndaj vendim marrësve? Ç’mund të themi për ata që nuk i merr gjumi nga frika dhe paniku që i ka kapluar, për shkak se rrëmbyesit mund ta shpërthejnë ambientin ku ndodhen nga çasti në çast?

Principi i dytë: Askush nuk ndëshkohet për fajet e dikujt tjetër.

Çdo njeri përgjigjet dhe jep llogari për veprat e tij dhe nuk ka përse të përgjigjet për dikë tjetër. Askush nuk ka përse të mbajë përsipër fajet e një tjetri, sikur të jetë edhe personi më i afërt me të. Kështu, djali nuk ka përse ndëshkohet për krimet e të atit, as  babai për krimet e të birit. Kjo është drejtësia e sanksionuar nga Kurani në shumë ajete, të cilën e cekin librat e shenjtë para tij. “Vallë, a nuk ka dëgjuar ai për atë që thuhet në Shkrimet e Musait dhe të Ibrahimit - i cili i plotësoi detyrimet: se askush nuk do t’i mbartë gjynahet e tjetrit” (Nexhm, 36-38)

Prandaj, është për tu habitur me disa individë, të cilët pretendojnë se i përkasin kësaj feje, se mbajnë flamurin e saj, flasin në emër të saj dhe kërkojnë të martirizohen, por që hakmerren ndaj njerëzve të thjeshtë, të cilët nuk kanë asgjë në dorë. Si mund të imagjinohet që një personi ose disa syresh, tu lejohet të derdhin mbi një popull zemërimin, mllefin dhe urrejtjen e akumuluar ndaj shtresës politike të tyre?

Le të supozojmë se udhëheqësi i tyre, apo klasa politike, është fajtore, madje kriminele dhe gjakatare. Cili është mëkati dhe faji im si nënshtetas i thjeshtë, që të më ndëshkosh për krimet e politikanëve të mi?! Po ty personalisht o rrëmbyes avionësh, kush të vendosi në pozitat e gjykatësit?! Kush ta dha kompetencën për të akuzuar, gjykuar dhe mandej për të ekzekutuar?!

Mos harrojmë, se vendimi dhe gjykimi yt mund të jetë dënimi me vdekje. Kjo është ajo që ka ndodhur me disa rrëmbyes aeroplanësh, të cilët i vranë dy udhëtarë dhe i hodhën kufomat e tyre nga aeroplani për tu bërë copa-copa në ajër. Është e ditur që islami kujdeset për njeriun edhe pas vdekjes, ashtu siç kujdeset gjatë jetës së tij. Thotë profeti Muhamed a.s:”Thyerja e kockave të vdekurit, është njëlloj si thyerja e kockave të gjallit.” (Ahmed, Ibnu Maxheh, Ibnu Hiban)

Vrasja është një krim i rëndë dhe i shëmtuar. Prandaj islami e radhit atë ndër gjynahet më të rënda dhe ka parashikuar dënim të rëndë për vrasësit, saqë shumë dijetarë mendojnë se atyre nuk u pranohet pendimi.

Kurani ka vendosur parimin që:”Kush merr një jetë, ose shkakton shkatërrim në tokë, është njëlloj sikur ka vrarë gjithë njerëzimin.”

Thotë profeti Muhamed a.s:”Të shuhet jeta e kësaj bote është më e lehtë për Zotin sesa vrasja e një myslimani.” (Tirmidhij, Nisaij, Ibnu Umer, Ibnu Maxheh)

“Nëse banorët e tokës dhe të qiellit do të merrnin pjesë në vrasjen e një personi mysliman, Zoti do i ndëshkonte të gjithë në zjarr.” (Tirmidhij)

Profeti Muhamed a.s e konsideron krim të rëndë, edhe thjesht të drejtuarit e armës drejt një tjetri. Madje konsiderohet si gjynah i rëndë i cili meriton mallkimin. Thotë Profeti a.s:”Kush ia drejton qoftë dhe një hekur vëllait të tij, melekët e mallkojnë derisa ta ulë.” (Muslim)

“Mos ia drejtoni armën vëllait tuaj, pasi nuk e dini se shejtani mund t’ia shtyjë dorën dhe kështu fiton një nga gropat e zjarrit.” (Buhari, Muslim)

Nëse islami e ndalon thjesht të drejtuarin e armës ndaj tjetrit, ç’mund të themi në rast se ajo përdoret me paramendim, duke i marrë jetën një personi të pafajshëm?!

Parimi i tretë: Qëllimi nuk e justifikon mjetin

Islami e refuzon realizimin e qëllimit, me mjete të liga dhe të dëmshme. Ai e refuzon filozofinë makiaveliste, sipas të cilës qëllimi e justifikon mjetin.

Madje, islami e vë theksin fuqishëm tek fakti që duhet të ekzistojë qëllimi i fisëm me mjetin e pastër dhe të ndershëm. Bazuar në këtë, islami e ndalon fitimin e pasurisë në rrugë të pandershme, edhe nëse bëhet për të financuar projekte bamirësie dhe zhvillimi. Thotë i dërguari i Zotit a.s:”Zoti është i ndershëm dhe nuk pranon veçse të ndershmen.”

“Zoti nuk pranon namazin pa pastërti dhe as bamirësinë nga vjedhja e plaçkës së luftës.” (Muslim)

Pra, nëse dikush vjedh plaçkën e luftës me qëllim që t’ia japë një nevojtari dhe hallexhiu, nuk i pranohet nga Zoti dhe nuk konsiderohet sadaka.

Dijetarët e parë, e përkufizojnë veprën e mirë që pranohet nga Zoti, atë që plotëson dy kritere: Atë që bëhet për hatër të Zotit dhe atë që bëhet konform ligjeve dhe dispozitave islame.

Nëse supozojmë se këta njerëz (rrëmbyesit e avionëve) e bëjnë për motive të mira dhe qëllime të fisme - ashtu siç pretendohet se e bëjnë për të mbrojtur vëllezërit e tyre të pafajshëm – unë u them:”Po ta pranojmë këtë si të vërtetë – me gjithë shkeljet e saj – nuk u lejohet që objektivat dhe qëllimet e tyre të fisme, ti realizojnë me mjete të liga dhe të ndyta, të cilat fyejnë qeniet njerëzore, i torturojnë, tmerrojnë dhe derdhin gjakun e tyre.

Krimin e tyre makabër e rëndon akoma më shumë pretendimi se e bëjnë për islamin dhe nga pasioni për të. Kështu, të gjithë krimet që bëjnë me duart plot gjak, i vishen padrejtësisht islamit, i cili në fakt distancohet nga veprat dhe aktet e tyre të turpshme.

Islami, me Kuranin, traditën profetike, jetën e sahabëve, dijet e dijetarëve dhe hoxhallarëve, shpirtin e tij civilizues dhe orientimin e përgjithshëm, i dënon akte të tilla çnjerëzore, të cilave u mungon humanizmi dhe morali.

Ndoshta, të rinj të tillë mund të jenë të sinqertë, por kanë humbur rrugën e drejtë dhe të duhur. Ata ia kanë lejuar vetes derdhjen e gjakut të pafajshëm, duke menduar se kështu i shërben islamit dhe afrohet me Zotin.

Një situatë e tillë, e shton përgjegjësinë e dijetarëve dhe hoxhallarëve, që ti shtojnë përpjekjet për tu ndriçuar mendjen njerëzve të hutuar.

Zoti thotë të vërtetën dhe vetëm Ai udhëzon në rrugë të drejtë.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free