Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Zemergjere me njerezit

Urrejtja, mllefi dhe vreri, e prishin lumturinë dhe jetën e paqtë. Për këtë, në elementin e katërt të lumturisë, jemi fokusuar te zemra e madhe, e qetë dhe e kthjellët.
Vallë a jemi njerëz zemërgjerë? Sa e madhe është zemra jonë dhe a është e kthjellët dhe e pastër ajo?
Tregon një nga shokët e Profetit (a.s.): “Teksa qëndronim të ulur me të dërguarin e Zotit (a.s.), ai na thotë: “Nga kjo derë do të hyjë një burrë nga banorët e xhenetit.”
Të gjithë heshtën dhe sytë i fokusuan tek dera. Personi që hyri ishte një banor i thjeshtë i Medinës, i cili nuk shquhej për vepra të mëdha. Abdullah ibnu Umer i qepet pas që të zbulojë sekretin që e kishte bërë banor të xhenetit, akoma pa vdekur. Vallë çfarë paska më shumë se myslimanët e tjerë ai njeri? Abdullahu ka treguar: “Vajta pas tij derisa mbërrita te banesa, ku i kërkova të qëndroj me të atë natë. Ai më mbajti në shtëpi për tre net rresht dhe unë nuk konstatova diçka të vlefshme që të fitonte atë gradë. Pas tre ditësh, e pyeta: “Profeti (a.s.) na tregoi se ti je nga banorët e xhenetit. Çfarë pune të mirë ke vepruar që ta fitosh këtë gradë?” Burri ia ktheu: “Siç e pe dhe vetë unë nuk bëj diçka të veçantë. Gjëja e vetme që veproj është se kur shtrihem të fle, e pastroj zemrën nga qejfmbetjet, urrejtja dhe zilia për të tjerët.”
Po ti, o vëlla dhe oj motër, a e ke zemrën të pastër nga këto sëmundje? A i falni njerëzit dhe jeni zemërgjerë me ta? A keni zemër të kthjellët si uji i detit? Nëse po, shumë mirë Profeti (a.s.) do ta bënte me shenjë edhe ty si një nga banorët e xhenetit.
Përse të mos i falësh ata që janë sjellë padrejtësisht me ty dhe të kanë lënduar? Përse të mos i falësh ata që kanë folur keq për ty dhe të kanë përgojuar?
Këto që po them, nuk janë thirrje për të heshtur ndaj padrejtësive dhe zullumeve. Ajo për të cilën unë bëj thirrje, është tjetrin ta falësh dhe të heqësh dorë nga e drejta jote për hakmarrje. Veç kësaj, nuk ka përse t’i mbajmë në zemra vuajtjet dhe plagët e të kaluarës së largët. Nëse dikush ka akuzuar vajzën tënde për çështje nderi dhe në fund vajza është martuar dhe ka krijuar familje, tashmë është mirë që ajo plagë të mbyllet dhe të harrohet. Nëse ke një ortak që të ka hyrë në hak dhe ke mundësi të hakmerresh, fale dhe harroje çështjen. Nëse burri të ka keqtrajtuar o motër, fale dhe harroje. Nëse jeni divorcuar për një arsye apo për një tjetër, faleni njëri-tjetrin. Meqë nuk patët sukses në jetën familjare, bëjeni divorcin të suksesshëm. “Më pas, gruaja ose të mbahet me të mirë, ose të lejohet të ikë me të mirë.” (Bekare, 229)
Nëse ka njerëz që të kanë bërë zullum, por që tashmë kanë vdekur, fali dhe ji zemërgjerë me ta. Përse duhet ta ruash kaq gjatë urrejtjen dhe vrerin? Përse të vazhdojë të të brejë akoma mllefi?
Nëse je prind dhe fëmijët bëjnë gabime, përse të mos i falësh dhe të tregohesh zemërmadh me ta? Si harrove vallë se kur ke qenë në moshën e tyre ke bërë gabime më të rënda?
Nëse vajza jote është martuar pa pëlqimin tënd dhe nga kjo martesë kanë kaluar vite, unë të bëj thirrje ta falësh dhe ta mbyllësh atë çështje. Vërtet që ka gabuar rëndë, por është diçka që i përket të kaluarës. Përse të privohesh nga përqafimi dhe përkëdhelja e nipërve dhe mbesave të tua? Përse e privon vetë vajzën tënde nga dhembshuria prindërore? Përse duhet të gjejë te një person tjetër, atë që i mungon nga babai i saj?
Nëse je i martuar, përse të mos e falësh bashkëshorten tënde për fajet dhe gabimet e saj. Nëse prindërit e tu janë të moshuar tashmë dhe sillen padrejtësisht me ty, fali edhe ata. Zoti bën thirrje që sidomos në pleqëri, t’i falim dhe të tregohemi zemërgjerë me ta.
“Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti.” (Isra, 24)
Kur plaken, prindërit gabojnë më shumë se në rininë e tyre, prandaj kërkohet maturi dhe durim.
 
Shpërblimi i zemërgjerësisë
Fillimisht, thamë se kushdo që tregohet zemërgjerë, fal dhe e pastron zemrën nga mëritë dhe inati, shpërblehet me xhenet. Së dyti, Zoti thotë në Kuran: “Por, atë që fal dhe pajton, e pret shpërblimi i Allahut.” (Shura, 40)
Kushdo që tregohet shpirtmadh e zemërgjerë, ka merituar shpërblimin e Zotit. Të meritosh shpërblimin e Zotit, do të thotë që e drejta jote nuk do të shkojë dëm. Të drejtën tënde, tashmë e ke të garantuar nga vetë Zoti i lartësuar. Shumë njerëz mendojnë se ai që fal është i humbur, por ajeti i lartpërmendur na siguron se nuk humbet gjë te Zoti.
Ka njerëz që e ruajnë mërinë dhe inatin edhe me vëllezërit e tyre të gjakut. A nuk kemi dëgjuar për kushedi sa raste, ku vëllezërit nuk flasin me njëri-tjetrin për vite me radhë? Jo vetëm kaq, por vëllezër të tillë bëhen pengesë që edhe fëmijët e tyre të mos komunikojnë me fëmijët e vëllait. Ata bëhen shkas që lidhjet e gjakut të prishen për një inat dhjetëra vjeçar, inat që i rri i ndezur në zemër. Njerëz të tillë janë zemërngushtë. Vallë çfarë zemre ke ti, o vëlla? A je zemërmadh dhe zemërgjerë, apo zemërngushtë?
Imagjino për një çast një çantë shumë të rëndë, pasi është mbushur me kujtime të dhimbshme, inate, mllefe dhe urrejtje. Këtë çantë, ti ke dhjetëra vite që e mban mbi supe, duke të rënduar. A mund të jetosh i lumtur me atë çantë të rëndë në shpinë? Që të qetësohesh dhe çlodhesh, duhet ta zbrazësh çantën. Unë të premtoj se vetëm atëherë do të jetosh i lumtur dhe në paqe. Hidhe tutje peshën e rëndë të mërisë, të inatit dhe të mllefit që ka pllakosur zemrën tënde, duke mos e lejuar të shijojë të mirat dhe begatitë e Zotit. Në çastin që do ta pastrosh zemrën nga këto ligësi, dije se do të ndihesh i lehtë dhe i çlodhur. E kuptoj që nuk është e lehtë, por nuk është e pamundur.
Unë u bëj thirrje të gjithëve dhe vetes time që jetën e kësaj bote mos ta kalojmë me peshën e rëndë të urrejtjes dhe të mllefit për të tjerët.
Kur profeti Junus (a.s.) u zemërua me popullin e tij, mori anijen dhe u largua. Ai harroi se ishte pesha e përgjegjësisë dhe e urrejtjes për ata njerëz, ajo që e rëndoi anijen, derisa e hodhën në det për të shpëtuar. Fali të tjerët që të të falë Zoti! Dita e faljes është dita e shërimit tënd. Shpeshherë, disa njerëz e kanë të vështirë të falin. Kjo, jo pse fajtorët kanë bërë diçka të rëndë që nuk meriton të falet, por sepse urrejtja dhe mllefi janë shumë të mëdha. Ato kanë hedhur rrënjë në zemër dhe është e vështirë të shkulen. Nëse dëshiron që kjo zemër të shërohet dhe të lehtësohet, duhet të falësh. Të marrësh vendim që të mos falësh, do të thotë të marrësh një vendim për ta rënduar veten me peshën e rëndë të këtyre sëmundjeve. Unë u bëj thirrje të falni, sidomos gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit. Në këtë muaj, ndodhet dhe nata e Kadrit, nata e faljes dhe e amnistisë hyjnore.
Aisheja e pyeti Profetin (a.s.): “O i dërguari i Zotit! Çfarë të them natën e Kadrit?” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Thuaj: ‘O Zot! Ti je Falës, e dëshiron faljen, prandaj më fal mua!””
Me qëllim që të përfitosh faljen hyjnore, fali njerëzit. Ngriji duart lart dhe foli Zotit: “O Allah i plotfuqishëm! Unë robi Yt i varfër, e fala vëllanë tim, kushëririn, komshiun, mikun, ortakun ... prandaj më fal dhe mua o Zot!”
Të përfitosh faljen dhe amnistinë hyjnore, do të thotë të rilindësh për së dyti, të të falen të gjitha gjynahet.
Pasi të lexosh këtë temë, ulu dhe shkruaji pesë emrat e personave që të kanë bërë padrejtësi në të kaluarën. Këtë e kam bërë edhe vetë. Te secili emër, ndalesha dhe e nxisja veten që ta fal atë. Kur arrita t’i fal shumicën prej tyre, u ndjeva më i lehtë dhe i qetë.
Një ditë, Profeti (a.s.) i thotë një shokut të tij, Ukbe ibnu Amir: “A të të tregoj për moralin më të lartë të dynjasë dhe të ahiretit?” Ukbe iu përgjigj: “Patjetër o i dërguari i Allahut!” Profeti (a.s.) i tha: “Të falësh atë që është sjellë padrejtësisht me ty, t’i japësh atij që të privon, t’i shkosh atij që nuk të vjen.”
“...edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Al Imran, 134)
Në çastin kur e fal vëllanë, kushëririn apo këdo tjetër, i thua që të kam falur, dije se shndërrohesh në njeriun e dashur të Zotit. Përse të mos shkosh te motra jote, shoqja apo fqinja, o motër dhe t’i thuash: “Unë të kam falur për gjithçka që ka kaluar.”
Që mos të bëhesh njeri i dashur i Zotit dhe të mos e falësh filanin, shejtani të thotë: “Mos u bëj i trashë! Si të shkon në mendje ta falësh pas gjithë atyre që ka bërë? Një njeri si ai nuk e meriton. Nëse e fal, ai do ta përsërisë sërish ligësinë e tij.”
Prandaj mos i beso zëra të tillë të brendshëm, por beso të dërguarin e Zotit (a.s.). Bëhu zemërmadh dhe jo zemërvogël. Hiqe qafe urrejtjen dhe mërinë, pasi jeta është e shkurtër. Nuk ia vlen që gjynaheve t’u shtosh dhe peshën e rëndë të këtyre sëmundjeve.
 
Shembuj amnistie
Abdullah ibnu Ubej ibnu Selul, ishte kreu i mynafikëve të Medinës. Ai kishte folur keq dhe kishte akuzuar për çështje nderi të shoqen e Profetit (a.s.). Ishte ai që shpifi për nderin e Aishes dhe e përhapi mes njerëzve. Vallë sa mund të urrehet një njeri i tillë? A nuk e meriton të dëbohet dhe të braktiset?
Jo vetëm kaq, por para betejës së Uhudit, ai largohet nga fronti bashkë me treqind luftëtarë të tjerë, duke i braktisur myslimanët në një çast tepër kritik. Shpeshherë, ai fliste keq për Profetin (a.s.) mes njerëzve dhe thoshte: “Shembulli ynë me Muhamedin, është si ajo thënia e urtë: “Ushqeje qenin të të kafshojë!”
Ditën që vdiq Abdullah ibnu Ubej ibnu Seluli, djali i tij mysliman shkon te Profeti (a.s.) dhe e pyet: “Çfarë do të bësh me babanë tim, o i dërguari i Allahut?” Profeti (a.s.) i përgjigjet: “Do ta falim, përderisa ka jetuar mes nesh.”
Para se të varrosej, Profeti (a.s.) qëndroi para xhenazes së tij që t’i falte namazin. Umeri i çuditur ndërhyri dhe e pyeti: “O i dërguari i Allahut! A do t’i falësh namazin një njeriu të tillë?!” dhe e kapi Profetin (a.s.) për krahu, sikur donte ta largonte. Por Profeti (a.s.) i tha: “Më lër o Umer! Pasi Zoti më ka lënë të zgjedh, të kërkoj falje për ta ose jo. Për Zotin, do të kërkoj falje më shumë se shtatëdhjetë herë.” Profeti (a.s.) kishte si qëllim ajetin: “ U lute për ta apo nuk u lute (o Muhamed), Allahu nuk do t’i falë, edhe sikur ti të kërkosh falje për ta shtatëdhjetë herë!” (Teube, 80)
Mandej, Profeti (a.s.) hoqi xhyben e tij dhe me të mbështolli xhenazen e Abdullah ibnu Ubej ibnu Selul. Umeri u zemërua shumë nga kjo, por Profeti (a.s.) i tha: “O Umer! E çfarë dobie do t’i sjellë xhybja ime, nëse Zoti nuk e ka falur?! Por kështu unë fitoj farefisin e tij.”
Po ju, a keni zemër kaq të madhe? A keni shpirt të pastër si qielli pa re dhe si uji i pastër i detit?
Në një dyluftim me një armik, Ali ibnu Ebi Talibi, e shemb përtokë dhe i vë shpatën në fyt. Në çast, kundërshtari e pështyn Aliun në fytyrë. Aliu përkundër logjikës, ia heq shpatën nga fyti dhe largohet. Burri, i habitur ngrihet dhe e pyet: “Po përse nuk më vrave?!” Aliu i përgjigjet: “Unë po të vrisja për një çështje të madhe, pasi po lufton fenë e Zotit. Kur më pështyve, do të të vrisja për inatin tim. Prandaj të fala.”
Zejnul Abidin ibnu Hasen ibnu Ali, kishte një skllave që i bënte punët e shtëpisë. Një ditë, duke mbajtur një tenxhere me ujë të nxehtë, ajo pengohet dhe uji derdhet mbi trupin e djalit të Zejnul Abidinit, duke i shkaktuar plagë të rënda. Një herë, e pyeti Profetin (a.s.): “Sa herë ta fal skllavin tim, o i dërguari i Allahut?” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Fale dhe justifikoje shtatëdhjetë herë në ditë.”
Djali i Zejnul Abidinit vdiq nga uji i nxehtë, ndërkohë që skllavja dridhej si purtekë nga frika. Duke parë padronin e saj, i cili sapo humbi djalin, ajo citon një ajet Kurani: “
“..edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin” (Al Imran, 134)
Zejnul Abidin përgjigjet: “E kam mposhtur zemërimin.” Mandej, skllavja citon pjesën tjetër të ajetit: “dhe ua falin fajet njerëzve.” Zejnul Abidin përgjigjet: “Edhe unë të kam falur.” Skllavja shtoi: “Allahu i do bamirësit.” (Al Imran, 134) Zejnul Abidin përgjigjet: “Edhe unë të kam falur lirinë.”
Unë jam i ndërgjegjshëm që është shumë e vështirë diçka e tillë, megjithatë njerëz të tillë falin.
Kur një person të cilin Ebu Bekri e mbante me bukë, foli për nderin e Aishes, Ebu Bekri u betua se do t’ia ndërpresë asistencën sociale. Por kur pafajësinë e Aishes e publikoi Zoti në Kuran, veç të tjerave, Zoti i këshillonte njerëz si Ebu Bekri:
“Njerëzit e ndershëm dhe të pasur ndër ju të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe të mërguarve në rrugën e Allahut; le t’i falin ata dhe të mos ua marrin për keq! Vallë, a nuk doni ju që t’ju falë Allahu? Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Nur, 22)
Kur e dëgjoi këtë, Ebu Bekri thirri: “Po, dua të më falë Zoti.” Dhe nuk ia ndërpreu ndihmën.
Kur dikush foli keq për nderin e nënës së Ebu Hanifes, në prezencën e këtij të fundit, iu përgjigj: “Veç Zoti e di që nëna ime nuk është e tillë.” Njeriu banal nuk u ndal me kaq, por shtoi: “Po, o i shthurur dhe heretik.” Ebu Hanife tha: “O Zot! Nëse jam ashtu siç thotë, më fal mua! Por nëse nuk jam ashtu siç thotë, fale atë!”
Fale vëllanë tënd, ashtu siç i fali Jusufi (a.s.) vëllezërit e tij, të cilët i shkaktuan shumë vuajtje dhe lëndime. Ai qëndroi para tyre dhe deklaroi me krenari:
“Ai u tha: “Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë. Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve!” (Jusuf, 92)
Të falësh të tjerët dhe të jesh tolerant me zemër të madhe, është udhë jete, është mentalitet dhe mënyrë jetese. A e ke të mundur që kur të shtrihesh në shtrat, të harrosh gjithçka që ka ndodhur mes teje dhe të tjerëve? Kush është gati të falë dhe të tolerojë?
Me ta përfunduar leximin e kësaj teme, merr telefonin dhe fale dikë që të ka hyrë në hak dhe të ka bërë padrejtësi! Provojë diçka të tillë në udhëtimin tonë drejt lumturisë, që ta bëjmë jetën tonë sa më të lumtur.
 


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free