Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Shkencëtarët:Martesa është më e mirë

Perëndimorët gjithnjë u kthehen parimeve islame, mirëpo pas provave të hidhura me parimet njerëzore që kanë praktikuar, pasi kanë provuar ndikimet negative dhe shkatërruese të tyre për individin dhe shoqërinë. Shkencëtarët pas provave të hidhura dhe pamjeve të rënda që përjetuan shoqëritë perëndimore sot, deklarojnë se martesa konsiderohet akt natyror me të cilin njeriu mund të ekzistojë e nuk janë lidhjet e paligjshme. Siç e dimë, shkencëtarët perëndimorë në shekullin bashkëkohor pohonin se martesa nuk është e domosdoshme, pasi njeriu mund të zgjedhë partnerin e tij dhe të jetojë me të pa martesë, mund të lindin fëmijë pa pasur asnjë problem. Duke u mbështetur mbi këtë ideologji, shumica nisën të braktisin martesën dhe të zgjedhin partnerin e vet pa ndonjë kontratë a obligim kundrejt saj. Anët e para negative të këtiji fenomeni nisën kur hulumtuesit llogaritën numrin e rasteve të dhunës familjare dhe arritën të kuptojnë se shumica e tyre ndodhin në shtëpi të të pamartuarve, të cilët kanë lidhje të jashtëligjshme. Më pas studiuan përqindjen e të shqetësuarve dhe të të frustruarve dhe vërejtën përqindje shumë më të larta në këto shtëpi të jashtëligjshme. Ndërsa studimi i fundit ka përfshirë fëmijët e atyre "bashkëshortëve" të paligjshëm dhe ishte befasi. Në një artikull të publikuar në gazetën londineze Daily Mail më 19.12.2008, hulumtuesit thonë se martesa konsiderohet më e mirë për fëmijët. Ata deklaruan se martesa reflektohet në formë më të mirë për fëmijët dhe se raportet bashkëshortore janë më stabile dhe si rrjedhim, kjo reflekton në qëndrueshmërinë e fëmijëve në shtëpi. Ata konstatuan se 70 % e kriminelëve vijnë nga shtëpitë e jashtëligjshme! Fëmijët ndikohen shumë kur jetojnë në një shtëpi të paligjshme dhe si rezultat kjo ndikon në sjelljet e tyre dhe në gjendjen e tyre psikologjike, madje edhe në nivelin e tyre arsimor. Ata gjithashtu konstatuan se lidhjet e jashtëligjshme nuk janë afatgjata krahas martesës, e cila zgjat më shumë dhe jep rezultate pozitive në edukimin e fëmijëve dhe në lumturinë e bashkëshortëve. Martesa, traditë e ndershme profetike! Të gjithë e dimë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: "Kush largohet nga suneti im (nga kjo që unë veproj) ai nuk është prej meje." Nëse e meditojmë Kuranin Fisnik nuk gjejmë kurrfarë përmendje të partnerit, dashnores apo së dashurës, por vërejmë se Allahu i Lartësuar që nga Ademi, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: "Ne thamë: "O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në xhenet." (Bekare, 35) Martesa konsiderohet ligj hyjnor që nga koha kur Allahu e krijoi Ademin, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe ky ligj ka vazhduar mijëra vite dhe nuk ka pasur asnjë lloj gabimi apo rezultate negative të procesit të martesës, por kur njeriu e ndryshoi këtë ligj, nisën të paraqiten probleme dhe filluan të shfaqen rezultatet negative në sipërfaqe, atëherë hulumtuesit nisën të bëjnë thirrje për domosdoshmërinë e të kthyerit drejt martesës si proces të natyrshëm. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë." (Rum, 21) Sikur Allahu I Madhërishëm dëshiron të na vërtetojë përmes këtij ajeti fisnik për domosdoshmërinë e zbatimit të ligjit të martesës dhe jo kundërshtimit të tij dhe se vetë "martesa" konsiderohet argument dhe mrekulli që meriton të mendohet: "Në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë." Çfarë do të ndodhte sikur njeriu të largohet nga martesa?! Do të nisin çrregullimet dhe shkatërrimi familjar, fillojnë krimet dhe paraqitet brezi i kriminelëve. Falënderimi i përket Allahut, i Cili na ka begatuar me këtë traditë të shkëlqyer.