Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Mrekullia shkencore në festat e muslimanëve

Fatkeqësisht shohim disa njerëz që nuk i besojnë mrekullisë shkencore, ndërsa Kuranin e shohim vetëm si libër udhëzimi. Madje shohim edhe të tjerë të cilët e teprojnë me kritikën ndaj thirrësve të mrekullisë shkencore, gjersa disa të tjerë hulumtuesit e kësaj shkence i quajnë "tregtarë" që tregtojnë me emocionet e muslimanëve. Madje dikush kishte thënë: "Nuk ka mbetur asgjë vetëm se të dalin edhe me një mrekulli të re që ka të bëjë me bajramet!"
Është e vërtetë se ekziston pak ekzagjerim në mrekullinë shkencore dhe atë numerike, por ajo është shumë pak dhe fare nuk ndikon në këtë shkencë të mrekullueshme.
Njeriu kur hulumton në mrekullitë e Kuranit sheh se në çdo gjë ekziston një mrekulli që shfaqet për të na thënë se "Islami është i vërtetë", dhe ky është edhe synimi i mrekullisë shkencore, që ta e përforcojë besimtarin në të vërtetën dhe se mrekullia të jetë argument për vërtetësinë e mesazhit islam. Mendoj se ne kemi nevojë për këto mrekulli në këtë shekull që është plot ateizëm, dyshime dhe besim të dobët.
Parashtrohet pyetja: A ekziston mrekullia në festat e muslimanëve që i ka përligjur Allahu për ne? A mund të gjejmë argument të ri për vërtetësinë e këtij profeti, paqja e Zotit qoftë mbi të?
Lexues i nderuar, kur vështrojmë popujt tjerë jomuslimanë dhe meditojmë mbi festat e tyre, çfarë do të vëresh? Do të vëresh se festa tek ata është e ndërlidhur me lindjen e këtij udhëheqësi shpirtëror ose me fitoren e ndonjë prijësi ndaj armiqve të tij ose me arritjen e të mirave materiale ose të sukseseve ushtarake apo politike, respektivisht festa është e ndërlidhur me ngjarjet njerëzore.
Disa popuj festat e tyre i ndërlidhin me vdekjen e prijësit, disa të tjerë me martesën e atij prijësi, ndërsa disa të tjerë festat i ndërlidhin me disa fenomene kozmike të frikshme si eklipsi apo me gjëra të tjera që besojnë se ka zot të dielli, vetëtimës, yjeve... Por bindje të tilla Islami i lufton.
Ndërsa në kohën bashkëkohore janë shfaqur një sërë festash, prej të cilave "festa e nënës " (8 marsi), ku caktojnë një ditë në vit për nënat, përderisa Islami i kushton një kujdes të veçantë asaj gjatë tërë kohës pa caktuar një ditë të veçantë. Në këtë kontekst mjafton të lexojmë fjalën e Allahut të Lartësuar: "Mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” (Isra, 23-24)
Ekzistojnë festa me rastin e pavarësisë, me ndonjë fitore të caktuar apo festa me rastin e ditës së revolucionit... dhe lloje festash të tjera bashkëkohore.
Kurse tani të meditojmë mbi festën e Fitër dhe Kurban Bajramit. Cila është arsyeja e këtyre dy festave? Të dashurit e mi! Është për t'u habitur fakti se kam hulumtuar datën e lindjes së Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, që pa dyshim konsiderohet një ditë e begatshme, mirëpo nuk kam vërejtur që i Dërguari u ka kërkuar shokëve të tij ta kremtonin atë! I kam hulumtuar ditët e fitores së Profetit në betejën e Bedrit, betejë vendimtare që ishte fillimi i krijimit të shtetit islam, kurse Profeti nuk i urdhëroi shokët e tij që ta marrin atë ditë për festë!
Janë raste dhe momente të shumta të rëndësishme në të cilat ka kaluar i Dërguari i Allahut, prej më të rëndësishmeve është hixhreti (emigrimi prej Mekës në Medinë), një ditë e rëndësishme dhe fillimi i kalendarit hixhri, mirëpo Profeti nuk e mori atë për festë. Gjithashtu edhe çlirimi i Mekës konsiderohet një datë shumë e rëndësishme, ajo fitore e qartë ku Allahu i ndihmoi besimtarët dhe i poshtëroi jobesimtarët, një ditë e madhe dhe e rëndësishme, mirëpo as këtë datë nuk e morën për festë. I Lartësuar qoftë Allahu! Atëherë cila është arsyeja e festave në Islam?
Te muslimanët festa vjen pas një adhurimi madhështor ndaj Allahut të Lartësuar, por si?
Shtyllat e Islamit janë pesë. Besimtari në çdo moment dëshmon për njësinë e Allahut dhe kjo është shtylla e parë. Çdo ditë kryen pesë herë faljen e namazit, që është shtylla e dytë. E jep zekatin dhe sadakanë në çdo moment brenda vitit, që është shtylla e tretë.
Kanë ngelur edhe dy shtylla të rëndësishme, të cilat besimtari i kryen një herë në vit. Shtylla e katërt është agjërimi, të cilin na e ka obliguar Allahu një herë çdo vit. Meqenëse ky është një adhurim madhështor për të cilin Allahu shpërblen pa kufi, "përveç agjërimit, ai është i Imi dhe Unë për të shpërblej", e Allahu këtë adhurim po e përfundon me ditë feste. Përse? Në mënyrë që besimtari të gëzohet me ushqimin e tij, të gëzohet me faljen mëkateve të tij nga Allahu, të gëzohet me mëshirën e Allahut pas një muaji të plotë me agjërim, falje, nënshtrim etj. Subhanallah! Shikoni këtë lidhshmëri, festa nuk është ndërlidhur me asnjë ngjarje njerëzore, por me adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar dhe jo me çfarëdo lloj adhurimi, por me një adhurim të veçantë dhe më të dashur tek Allahu i Madhërishëm.
Ka mbetur edhe shtylla e pestë nga shtyllat e Islamit, që është haxhillëku, i cili konsiderohet adhurim i rëndësishëm dhe është i obligueshëm për atë që ka mundësi më së paku një herë në jetë. Ky adhurim përsëritet çdo vit një herë, ku besimtari del i pastër nga mëkatet ashtu siç e ka lindur nëna e tij. Madje, i Dërguari i Allahut, thotë: "Haxhillëku i pranuar nuk ka shpërblim tjetër pos xhenetit". Është një adhurim i sinqertë për hir të Allahut. Për shkak të rëndësisë së këtij adhurimi, Allahu i Lartësuar e ka bërë festën e Kurban Bajramit me përfundimin e këtij adhurimi. Bile, kjo festë nuk shoqërohet me mosbindje ndaj Allahut, por me bindje ndaj Tij e kjo pa dyshim se kjo është një gjë e mrekullueshme. Bajrami është rast për mëshirë, dhembshuri, ruajtje të lidhjeve farefisnore, futje e gëzimit te fëmijët, skamnorët, të ngratët...
Sa për ilustrim, shikoni sadakatul fitrin, është obligim para bajramit. Bajrami nuk mund të kalojë ashtu, por ka njerëz të nevojshëm, të varfër të cilët po t'i kujton Allahu i Lartësuar, t'u japësh nga ajo që të ka dhënë Ai, përndryshe adhurimi yt është i mangët! Gjithashtu është edhe namaz i veçantë që falet vetëm në dy bajrame, namazi i bajramit. Sikur Allahu dëshiron që me namaz të të kujtojë përulësinë në çdo moment edhe në çastet e gëzimit dhe bajrameve!
Këtu patjetër duhet të ndalemi një ndalesë meditimi. Qenia njerëzore u ka përligjur njerëzve festat dhe të gjitha ato janë të ndërlidhura me ngjarjet njerëzore, me lojëra dhe lukse, mirëpo kur vërejmë festat e muslimanëve, ato janë të lidhura me adhurim ndaj Allahut dhe nënshtrim ndaj Tij. Çfarë aludon kjo? Pa dyshim se kjo argumenton se burimi i këtyre festave është burimi hyjnor. Me fjalë të tjera, argumenton se Islami është fe e shpallur nga ana e Allahut të Lartësuar.
Pyetja ime me këtë rast do të ishte a është kjo mrekulli apo jo? A ekziston ndonjë njeri në faqe të dheut (përveç të Dërguarve dhe Profetëve) që i ka ligjësuar popullit të vet ndonjë festë e cila vjen pas një adhurimi madhështor ndaj Allahut? A është e mundur për të Dërguarin Muhamed, po të mos ishte i dërguar nga Allahu, t'i ligjësonte popullit të tij këtë festë? Përse nuk i bëri i Dërguari i Allahut fitoret e tij festa? Përse nuk bëri festë me rastin e martesës së tij? Me rastin e çlirimit të Mekës? Madje ngjarja më e rëndësishme në jetën e tij është dërgimi i tij si Profet, kur i erdhi shpallja. Edhe këtë datë nuk e bëri festë. Subhanallah! Përse? Për faktin se ai dëshiron të na mësojë se festa është për të gjithë muslimanët e nuk është që e dallon një njeri të vetëm, edhe nëse kemi të bëjmë me krijesën më të mirë.
Po të mendonim pak lidhur me këtë festë do të vërenim një argument të qartë për vërtetësinë e Profetit, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe se ai asgjë nuk ka sjell nga vetja e tij, por ai është siç e ka përshkruar Zoti i tij me këto fjalë të mrekullueshme: "Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij." (Nexhm, 2-3)
Falënderimi i takon Allahut për dhuntinë e Islamit.