Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Llogaria dhe peshimi i punëve

Do të flasim sot për llogarinë dhe për peshimin e punëve të njeriut.
Dijetarët kanë thënë: “A e dini se kur besimtari bëhet sprovë për jobesimtarin? Bëhet sprovë atëherë kur gjendja e besimtarëve bie shumë poshtë, qoftë nga problemet që kanë ata me njëri – tjetrin, qoftë nga imazhi i dobët që ata japin në publik”. Duke parë këtë gjendje të muslimanëve, jobesimtari thotë: “Shyqyr që nuk jam si këta njerëz”.
Do të flasim për një nga fazat më të rëndësishme të jetës tonë, që ka të bëjë pikërisht me secilin prej nesh. Ajo është bota e ahiretit, e cila është e pafundme. Profeti (a.s) ka thënë që dita e Kijametit është 50 000 vjet e gjatë për jobesimtarët, ndërsa për besimtarët ajo zgjat sa koha e faljes së dy rekateve të lehta.
Kemi folur për daljen e shpirtit dhe për vendqëndrimin e shpirtrave. Kemi folur për jetën e varrit dhe për momentin kur fryhet për së dyti në Sur, pra për momentin e ringjalljes. Pastaj folëm për grumbullimin në tokën e Mahsherit, e cila është nga ditët më të vshtira, sepse këtu fillon Kijameti.
Pyetjet që mund të lindin janë: “Përse Zoti e shkatërron gjithësinë? Pse i ringjall njerëzit? Pse i bashkon trupat me shpirtrat? Pse melekët i afrojnë njerëzit në tokën e Mahsherit? Pse duhet të presin kaq gjatë? Pse duhet të vuajnë këta njerëz e kështu me rradhë……
Përfundimi është shumë I thjeshtë. Të gjitha këto gjëra bëhen, me qëllim që këta njerëz të merren në llogari. Qëllimi i ditës së Kijametit është dhënia e llogarisë para Allahut (xh.sh), Gjykatësit Suprem, Të drejtit. Pas kësaj vjen shpërblimi ose dënimi. Prandaj një nga momentet më të rëndësishme për çdo krijesë, është momenti kur fillon llogaria e tij.
Nëse dita e Mahsherit është e vështirë për të gjithë njerëzit si grupe, llogaria është e vështirë për çdo person, sepse çdokush do të japë llogari për veten e tij.
Llogaria nuk bëhet në grupe, e as sipas feve, pra muslimanët të llogariten më vete, çifutët më vete, katolikët më vete e kështu me rradhë, por llogaria bëhet tek për tek mes njeriut dhe Allahut (xh.sh). Çdokush, nga i pari tek i fundit, jep llogari për veten e tij përpara Zotit të gjithësisë.
Profeti (a.s) ka thënë: “Betohem në Zot, se secili prej jush do të flasë direkt me Zotin, drejtprdrejt, pa përkthyes”. Kjo është vështirësia më e madhe dhe ky është momenti më i vështirë.
Pasi profeti (a.s) i lutet Allahut (xh.sh) që ta fillojë llogarinë, atëherë ai (a.s) thërret të gjithë ummetin e tij, pra muslimanët, dhe të gjithë ummetet e tjera i hapin rrugën ummetit të profetit (a.s). Pastaj fillon llogaria për këtë ummet. Profeti (a.s) ka thënë: “Ne jemi të fundit dhe të parët. Jemi të fundit nga aspekti kohor i ardhjes në këtë botë, por jemi të parët që do të japim llogari ditën e Kijametit”. Këtu fillon llogaria.
Profeti (a.s) ka thënë: “Do të ketë njerëz që do t`u thirret emri: “Të dalë filani. Thërritet aq fort, sa të gjithë pa e ditur se kush është e shikojnë atë person”. Imagjinoni provimet e kësaj dynjaje. Njeriu para çdo provimi ka njëfarë emocioni, pret kur do t`i dalë emri e kështu me rradhë. Kur të të thirret emri, të gjithë të shikojnë ty. Atëherë zemra fillon të të rrahë më shpejt e të kapin emocionet. Kjo është normale dhe njerëzore.
Imagjino ditën e Kijametit kur të thirret emri im dhe emri yt. Të gjithë do të na shikojnë neve. Imam Aliu (r.a) thoshte: “Kam dëgjuar se atë ditë do të ketë njerëz, që kur t`iu thirret emri, do t`ju bjerë mishi i fytyrës përtokë nga turpi”.
Sapo të thirret emri i dikujt, melekët e gjejnë atë person, e marrin dhe e çojnë para Zotit të gjithësisë për të dhënë llogari.
Kur flasim për llogarinë, flasim për një afat kohor, që vetëm Zoti e di sesa zgjat. Ka njerëz që e kanë llogarinë shumë të lehtë dhe shumë të shpejtë. Ka të tjerë që e kanë kohën e llogarisë shumë të gjatë.
Ka disa lloje llogarish, të cilat po i përmend shkurtimisht:
1- Një lloj llogarie është llogaria e përgjithshme. Ajo është llogaria e jobesimtarëve. Zoti nuk i merr e t`ua shpjegojë të gjitha punët e tyre një e nga një, por i llogarit në total dhe vendos që ata janë nga banorët e zjarrit. Këtë e vërteton ajeti kuranor: “Atë ditë kriminelët (jobesimtarët) do të njihen me shenjat e tyre dhe kapen për balli dhe për këmbësh”. Një nga shenjat është fytyra e tyre e zezë dhe e pluhurosur. Nuk është kusht që punët e tyre të llogariten një për një apo të gjitha bashkë, sepse dihet që ata janë të humbur. E rëndësishme është, se Zoti nuk u bën padrejtësi këtyre njerëzve.
2- Një lloj tjetër llogarie është ekstremi i të parëve. Ata janë disa njerëz, që hyjnë në xhenet pa llogari. Profeti (a.s) e shpjegoi këtë duke thënë: “Shtatëdhjetë mijë persona nga ummeti im do të hyjnë në zhennet pa dhënë llogari”. Shokët e tij e pyetën: “Kush janë këta o profet I Zotit”? Profeti (a.s) u përgjigj: “Janë ata që kur sëmuren, nuk ankohen, janë ata që kur janë në hall, nuk kërkojnë nga të tjerët, janë ata që nuk janë pesimistë, por gjithmonë janë të qetë e optimistë dhe ata që gjithmonë i mbështeten Zotit”. Është normale që kur të sëmuresh të kërkosh ndihmë, por ka dallim mes kërkimit të ndihmës dhe ankimit tënd në rast sëmundjeje. Pra ai që nuk ankohet, ka shpërblim të madh nga Zoti i gjithësisë. Kur njeriu është në hall, kërkon nga të tjerët, por nëse duron në rast halli apo fatkeqësie dhe nuk ia shtrin dorën askujt, merr shperblim të madh nga Zoti i botëve. Njeriu shpesh bëhet pesimist, por nëse do që të jesh nga ata që hyjnë në xhenet pa dhënë llogari, largoje pesimizmin dhe mbushe jetën tënde me optimizëm. Së fundmi duhet që gjithmonë t`i mbështetemi Zotit për çdo gjë dhe kjo nuk është e lehtë, sepse njeriu shpesh bie pre` e frikës dhe pamundësisë për të arritur diçka. Pra 70 000 njerëz që hyjnë në xhenet pa dhënë llogari kanë këto tre cilësi: “Kur sëmuren, nuk ankohen, e kanë gjithmonë zemrën të pastër dhe gjithmonë i mbështeten Zotit”. Ne mund t`i kemi këto cilësi, por i kemi pjesërisht. Nëse i plotësojmë këto cilësi, atëherë inshallah mund të shpresojmë që të jemi pjesë e atyre 70 000 njerëzve që janë të shpëtuar nga llogaria.
3- Ka një lloj tjetër llogarie. Zoti e merr dikë dhe e afron pranë Vetes. Pastaj lëshon një perde që të mos dëgjojnë njerëzit e tjerë dhe i thotë njeriut: “Robi Im a i mban mend këta gjynahe” dhe i tregon për gjynahet që ka bërë. Njeriu i pranon të gjitha duke thënë: “Po o Zot e mbaj mend këtë, edhe këtë edhe këtë e kështu me rradhë……”. Pastaj Zoti i thotë: “Unë t`i kam mbuluar në dynja, Unë sot po t`i fal të gjitha. Shko dhe futu në xhenet”. Inshallah jemi prej atyre njerëzve.
4- Ka edhe një lloj tjetër llogarie. Ka njerëz të cilëve u barazohen gjynahet me sevapet. Mos harroni se një punë e mirë llogaritet të paktën me 10 sevape. Mund të arrijë deri në 700-fish e mund të arrijë edhe më. Kurse një gjynah sado i madh që të jetë, llogaritet vetëm NJË. Pra gjynahu është një me një, kurse sevapi është të paktën një me dhjetë. Prandaj dijetarët e parë thoshin: “Është i dështuar ai njeri, njëshet e të cilit ia kalojnë dhjetësheve të tij”. Pra nëse ti ke bëre 100 gjynahe dhe 9 punë të mira, dije se 9 punë të mira bëjnë 90 sevape, kurse nga ana tjetër ke bërë 100 gjynahe. Drejtësia e Allahut thotë që gjynahu është 1 me 1, kurse sevapet llogariten tek Zoti 1 me 10 e kjo nga mëshira e madhe, që Zoti ka për ne. Imagjno gjendjen e njeriut, kur nuk e di se kur do të jetë. Imagjino kur doktori thotë, që i sëmuri duhet parë, sepse jeta e tij është 50% që të shpëtojë dhe 50% që të vdesë. Njerëzit e tillë që i kanë të barabarta sevapet dhe gjynahet quhen As`habul Arafë. Janë ata njerëz, për të clët akoma nuk është vendosur nëse janë për në xhenet apo për në zjarr. Ata qëndrojnë në mes të xhenetit dhe të xhehenemit. Dgjojnë edhe zërin e tmerrshëm të xhehenemit edhe zërin e bilbilave të xhenetit. Në fund mëshira e Zotit i përfshin këta njerëz dhe ata hyjnë në xhennet.
5- Ka një lloj tjetër llogarie. Ka nga ata njerëz, që edhe pse Zoti ua tregon gjynahet që kanë bërë, ata nuk i pranojnë. Atëherë Zoti i thotë atij personi që nuk I pranon gjynahet e tij: “Unë të solla dëshmitarë melekët e Mi, librat e Mi e ti nuk i pranove. Atëherë Unë do të sjell dëshmitarë të tjerë”. Njeriu thotë: “Sill kë të duash”. Ta dini që ka edhe njerëz të tillë. Atëherë jepet urdhër, që këtij njeriu t`i mbyllet goja dhe fillojnë të flasin duart e tij, këmbët e tij, lëkura e tij duke thënë: “Po o Zot filan ditë ka bërë këtë gjynah, filan ditë ka bërë këtë gjynahun tjetër e kështu me rradhë”. Kur njeriu shikon, që trupi i tij po dëshmon kundra tij, thotë: “Pse o duart e mia, o këmbët e mia o lekura ime, pse po dëshmoni kundër meje”? Ata përgjigjen: “Sot Zoti na bëri të flasim dhe ne themi të vërtetën”. Atëherë njeriu u thotë: “Unë për ju e kisha që të mos hynit në zjarr, po meqë është kështu atëherë edhe unë do të hyj në zjarr me ju”.
6- Ka një kategori tjetër njerëzish që llogariten. Ata kanë bërë shumë gjynahe. Po ta kapësh nga ana e drejtësisë, ata janë nga banorët e zjarrit. Ne si muslimanë themi: “Nëse ata janë muslimanë dhe nuk i kanë bërë shok Zotit, ata janë në mëshirën e Zotit. Nuk mund të themi as që janë nga banorët e xhenetit, as që janë nga banorët e zjarrit. Një nga mundësitë është që këta t`i përfshijë mëshira e Zotit, sepse Zoti e ka mëshirën e madhe. Mundësi tjetër është, që profeti (a.s) të ndërmjetësojë për këta njerëz. Profeti (a.s) ka thënë: “Unë lutjen time nuk e kam bërë në dynja siç e kanë bërë vëllezërit e mi pejgamberë, por e kam lënë për në botën tjetër për ata që kanë bërë gjynahe të mëdha nga ummeti im”. Mundësi tjetër është, që dikush nga anëtarët e familjes së tyre, një besimtar bën ndërmjetësim për ta. Një mundësi tjetër është që ata të dënohen në zjarr, aq sa të shlyejnë gjynahet e tyre dhe në fund fare Zoti i nzjerr nga zjarri dhe u fut në xhennet.
E lusim Allahun (xh.sh) t`a lehtësojë llogarinë tonë, sepse profeti (a.s) tha: “Mjafton që njeriu të merret në llogari një për një e atëherë është e sigurtë se ai do të dënohet”. I tha Aishja (r.a): “O profet i Zotit, si ka mundësi? Zoti ka thënë në Kuran: “Kujt i vjen libri nga e djathta, e ka llogarinë të lehtë”. Atëherë pse thua kështu”? Profeti (a.s) i tha: “O Aishe, Zoti në këtë ajet e ka fjalën për ata që kalojnë shpejt e shpejt pa llogari, por nëse Zoti e llogarit dikë me hollësi nga puna e parë tek e fundit, është e sigurt se Zoti e dënon atë njeri”. Prandaj lutjuni Allahut që të mos iu marrë në llogari një për një, por t`ju llogarisë me mëshirën e tij.
E pyeti Zoti një njeri, që gjithë jetën e tij kishte adhuruar Allahun (xh.sh): “A dëshiron të llogaritesh me drejtësinë Time apo me mëshirën Time?” Njeriu tha: “Dua të llogaritem me drejtësinë Tënde, sepse me sa mbaj mend unë, nuk kam bërë gjynahe në dynja”. Atëherë Zoti vendosi në njërën anë të peshores vetëm mirësinë e njërit prej syve të robit të Tij dhe në anën tjetër të peshores vendosi gjithë punët e mira të njeriut. Në fund doli që njeriu gjatë gjithë jetë së tij nuk kishte shlyer as mirësinë e njërit prej syve të tij, që i kishte dhënë Allahu (xh.sh). Pastaj Zoti e llogariti atë person me mëshirën e Tij dhe e futi në xhenet. Prandaj gjithmonë i kërkojmë Zotit, që të na trajtojë ne me mëshirën e Tij dhe jo me drejtësinë e Tij.
Profeti (a.s) tha: “Puna e parë për të cilën llogaritet njeriu është NAMAZI, sepse ai është e drejtë absolute e Zotit. Pas namazit vjen vrasja, gjaku”.
A ke vrarë njeri?! Vrasja është e drejta e njeriut. Pra NAMAZI ështe mes teje dhe Allahut (xh.sh), kurse GJAKU është mes teje dhe robit. Por dijetarët thonë: “Zoti toleron shumë në hakun e Tij, por nuk fal në hakun e njerëzve”. Prandaj njeriu nuk hyn në xhenet derisa t`i japë hakun atij që i ka hyrë në hak.
Pra thamë që ka llogari të lehtë dhe llogari të vështirë. Llogari e lehtë është atëherë kur Zoti të llogarit në përgjithësi dhe jo një nga një. Ndërsa llogaria e vështirë është, kur Zoti e merr robin dhe i gjykon punet e tij me imtësi. Në këtë rast është e sigurt, se ai njeri do të dënohet.
Zoti i gjithësisë e di punën e njeriut para se ta krijonte atë. Gjtihçka që ne bëjmë apo themi, është e ditur tek Zoti para se ne të krijoheshim dhe nuk ka asgjë që do ta befasonte Zotin. Mund të ishte fare normale, që atë ditë të mos kishte llogari, por Zoti jo vetëm që bën llogari, por do ta tregojë drejtësinë e Tij absolute atë ditë duke sjellë dëshmitarë për çdo gjë, në mënyrë që njeriu të mos mendojë se po i bëhet padrejtësi.
Një nga gjërat që tregojnë drejtësinë absolute, është PESHORJA. Ne si muslimanë besojmë, se kur Zoti bën llogarinë, i peshon punët e njeriut, sevapet nga njëra anë e peshores dhe gjynahet nga ana tjetër, për të treguar që Ai është i drejtë dhe nuk bën padrejtësi edhe pse i di të gjitha punët e njeriut. Disa dijetarë thoshin: “Ne nuk besojmë se ka peshore, sepse është turp dhe e panevojshme që Zoti të ketë nevojë për peshore. Për peshore ka nevojë ai që peshon një mall, por nuk e di masën e saktë të atij malli, kurse Zoti i di punët tona. Prandaj peshorja cënon drejtësinë e Zotit”. Ky mendim për shumicën e dijetarëve është i gabuar. Askush nuk mund ta mohojë peshoren, të cilën e ka përmendur Zoti shumë herë në Kuran: “Atë ditë do të vendosen peshore të sakta”. “Atë ditë kur të vendosen peshoret….” etj”. Kjo tregon se do të ketë peshore në ditën e Kijametit. Këta dijetarë thonë për këta ajete, se Zoti këtu e ka fjalën për drejtësinë dhe jo për peshoren. Ndërsa pjesa më e madhe e dijetarëve thonë, se ajo është peshore e vërtetë, por kjo, jo për faktin se Zoti ka nevojë për peshore, por për të vërtetuar drejtësinë e Tij, që njeriu t`i shikojë me sytë e tij punët që ka bërë. Njeriu si krijesë do që të bindet, madje edhe pasi bindet, i shkon mendja që mund të ketë pasur diçka të padrejtë në këtë mes.
Po ç`është kjo peshore? Peshorja sipas dijetarëve muslimanë është një krijesë, që ne thjesht mund ta imagjinojmë me mendjet tona, duke bërë krahasimin me peshoret e kësaj dynjaje, por është shumë më e madhe dhe shumë më e ndjeshme se peshoret që njohim ne. Thuhet se melekët kur panë peshoren pyetën: “O Zot çfarë shtë kjo”? Zoti u tha: “Kjo është peshorja dhe shërben për të peshuar punët e robërve të Mi. Jo vetëm punët e tyre, por betohem në madhështinë Time se po t`i vendosja qiejt dhe tokën në peshore, ajo do t`i mbante ata. Atëherë melekët thanë: “I Lartësuar je Ti o Zot, nuk të kemi adhuruar siç të takon Ty”. Melekët, që asnjëherë nuk kanë bërë gjynahe, kur shikojnë peshoren tremben shumë.
Punët e njerëzve rëndojnë tek peshorja e Allahut, qofshin ato punë të mira apo të këqija. Prandaj e lusim gjithmonë Zotin duke thënë: “O Zot na i rëndo peshoret tona me punë të mira”.
Dikush mund të pyesë: “Ç`është një punë e mirë dhe ç`është një punë e keqe? Si peshohen ato?” Njeriu ka konceptin, se peshohen mallrat e të ngjashme me to, por sevapi dhe gjynahu nuk mund të peshohen. Po ta mendosh pak nuk është ndonjë çudi e madhe. Ka aparate që masin tensionin e gjakut, ka të tjerë që masin lagështirën apo presionin dhe të gjitha këto janë mjete matëse. Pse është kaq e çutditshme, që Zoti të sellë një peshore për të matur punën e robit?! Për një sevap ka vendosur një peshë të caktuar dhe për një gjynah ka vendosur një peshë të caktuar. A është çudi kjo për Zotin e gjithësisë?! Të jeni të sigurt, se nuk është aspak e çuditshme apo e vështirë.
Njeriu trembet kur sheh peshoren, sepse nuk e di sesi do të jenë punët e tij, kush do të peshojnë më shumë në atë peshore, punët e tij të mira apo të këqija. Por Allahu (xh.sh) ka shumë dëshmitarë të tjerë.
Një nga këta është LIBRI i njeriut. Për çdo njeri ka një libër të caktuar. Ç`është ky libër? Një libër që është shkruar për mua? PO. Ka një libër enkas për ty, për punën që ke bërë në dynja. Ai është shkruar nga autorë shumë besnikë, të cilët nuk mashtrohen e as nuk kanë miq. Ata nuk dinë të bëjnë lajka e as të marrin rryshfete. Ata janë melekët e Zotit. A e dini se çdo njeri ka dy melekë, një nga e djathta dhe një nga e majta?! Ata regjistrojnë punët e njeriut, veprat e tij të mira apo të këqija. Ato vepra shënohen me datë, me ditë, me kohë dhe janë gjithashtu të regjistruara edhe me pamje. Prandaj kur njeriu e mohon ndonjë punë, i del libri i tij, që vërteton se ai e ka bërë atë punë.
Dëshmitarë janë edhe vetë melekët, por ka edhe dëshmitarë të tjerë, si pjesët e trupit, apo edhe toka. Zoti thotë në Kuran : “Atë ditë kur toka do të flasë lajmet e saj”. Çfarë do të thotë toka?! Toka ka regjistruar çdo gjë, që bën njeriu dhe kjo është e vërtetuar shkencërisht. Sot njerëzit kanë arritur të bëjnë kamera, të cilat arrijnë të filmojnë një vepër të dikujt edhe pasi ai person është larguar nga ai vend.
Të gjithë këta dëshmitarë kanë një qëllim: që njeriu të bindet për punët e tij.
Bëhet një pyetje: “Për çfarë merret robi në llogari?” Puna e parë është namazi, e dyta është vrasja, por llogaria vazhdon për çdo gjë në jetën e tij.
Do të pyetesh për shëndetin tënd. A e shfrytëzove për mirë këtë mirësi që të dha Zoti apo për keq. Do të llogaritesh për rininë tënde, çfarë bëre me të! Do të llogaritesh për pasurinë tënde. Ku e fitove dhe ku e shpenzove atë.
Do të llogaritesh për diturinë tënde. Të gjithë thonë se ti je i mençur. Çfarë ke bërë me diturinë tënde?!
Do të llogaritesh madje edhe për fjalët që ke thënë. Kur e dëgjuan sahabët këtë, thanë: “O profet i Zotit! Po pse edhe për fjalët tona do të llogaritemi?” Profeti (a.s) iu përgjigj atyre: “A nuk e dini se njerëzit hyjnë më së shumti në xhehennem nga fjalët që thonë”. Gjuha e tyre i fut në zjarr. Gjithçka peshohet në ditën e Kijametit. Desha ta mbyll me disa gjëra.
Puna më e mirë që rëndon më shumë në peshoren e robit ditën e Kijametit është fjala LA ILAHE IL ALLAH, MUHAMEDUN RESULULLAH, që është fjala më e vërtetë dhe më e madhe.
Profeti (a.s) na ka treguar: “E merr Zoti një rob dhe ia nxjerr punët e mira dhe punët e këqija. Punët e mira fillojnë e pakësohen ndërsa punët e këqija fillojnë e rëndohen dhe peshorja anon komplet nga punët e këqija. Zoti i thotë njeriut: “Robi Im! A ke ndonjë punë tjetër të mirë që të kujtohet”? Njeriu përgjigjet: “O Zot nuk më kujtohet asgjë. E shikoj se në ç`gjendje jam, por nuk mbaj mend asgjë që të mund të ma lehtësojë sadopak këtë barrë të rëndë”. Atëherë Zoti i thotë: “Ti e ke edhe një punë të mire, por e ke harruar” dhe jep urdhër që të vijë ajo punë e mire. Melekët e sjellin atë në formë letre apo karte, në të cilën është shkruar LA ILAHE IL ALLAH MUHAMEDUN RESULULAH. Njeriu kur e sheh mendon: “Çfarë do të bëjë një fletë letre përpara malit me gjynahe që kam bërë”! Por në momentin që kjo letër vendoset në anën tjetër të peshores, ajo anon nga kjo letër dhe kthehet komplet në krahun tjetër. Njeriu habitet dhe pyet: “O Zot si ka mundësi”? Allahu (xh.sh), i Mëshirshmi përgjigjet: “Robi Im! Ajo fjalë është fjala më e rëndë në gjithësi. Betohem se po t`i vendosja qiejt dhe tokën në një krah të peshores dhe këtë fjalë në krahun tjetër, peshorja do të anonte nga kjo fjalë”. Kjo është fjala më e rëndë dhe ne shpresojmë shumë tek kjo fjalë, por duhet t`ia japim hakun kësaj fjale, sepse nuk është një fjalë që përdoret si sllogan, por kërkohet që njeriu të jetojë me këtë fjalë dhe të vdesë me të.
Një punë tjetër e mirë që rëndon shumë, ashtu siç ka thënë profeti (a.s), është MORALI I MIRË. Ai peshon shumë tek Zoti. Prandaj profeti (a.s) thoshte: “Unë jam më I miri në morale dhe më afër meje në xhenet do të jenë ata që kanë moralin dhe sjelljen më të mirë”.
Do të ketë njerëz, që do të befasohen nga punët e tyre dhe do të zhgënjehen. Do të vijnë ditën e Kijametit me male me sevape, me ibadete, me agjerim, me namaz, me sadaka e kështu me rradhë. Kur u vjen rradha që t`u peshohen veprat e tyre, shohin që pranë peshores ka edhe njerëz, që u qëndrojnë afër atyre. Ata janë njerëzit, të cilët kërkojnë hakun e tyre, por atë ditë nuk ka pasuri. Atë ditë ka vetëm sevape dhe gjynahe. Kështu personi për të shlyer hakun e vet fillon dhe jep nga sevapet e tij. I mbarohen sevapet por ai akoma nuk e ka shlyer borxhin e tij. Kështu për të shlyer të gjithë borxhin, ai merr nga gjynahet e atyre që u ka hyrë në hak. Merr aq shumë, saqë rëndohet peshorja e veprave të këqija dhe këta gjynahe bëhen sebep për ta futur në zjarrin e xhehenemit.
Profeti (a.s) kur ka përmendur këtë hadith, ka thënë: “A e dini se kush është i falimentuar tek Zoti?” Sahabët i thanë: “I falimentuar për ne është ai që nuk ka fare para”. “Jo – u përgjigj profeti (a.s) – kjo është për në dynja kurse për në ahiret ësht ai që vjen ditën e Gjykimit me male me sevape dhe përfundon në xhehennem, sepse i ka hyrë të tjerëve në hak. Atë ditë nuk ka as dinarë as dërhem, por ka vetëm sevape dhe gjynahe”. Prandaj nëse ke bërë një gjynah ndaj dikujt, kërkoji hallallin atij njeriu, sepse nëse nuk e bën në dynja, do ta paguash shtrenjt në botën tjetër.
Është e vërtetë, se çdo punë rëndon tek Zoti, qoftë gjynah apo sevap. Sot njeriu ka mundësi të punojë dhe të ndryshojë për mirë, kurse nesër do të shikojë peshoren e tij, pa pasur mundësi të ndryshojë asgjë. Mos e pyet shumë veten, se sa sevape ka filan punë apo sa gjynahe ka një punë tjetër. Pjesa më e madhe e punëve janë shumë të vogla dhe nuk e ndjejmë, por në fund mblidhen edhe sevapet edhe gjynahet. Prandaj e lusim Zotin të na mundsojë të bëjmë sa më shumë punë të mira. Nëse ke mundësi të bësh një punë sado e vogël apo e madhe qoftë, BËJE, sepse ndoshta të fal Zoti vetëm për një punë që mund të bësh e shpëton nga zjarri i xhehenemit. Por mund të ndodhë edhe e kundërta, që për NJË PUNË të keqe dënohesh. Prandaj atë ditë do të ketë shumë njerëz, që bëhen pishman. Pse vallë?! Bëhen pishman se ndoshta e humbasin xhenetin për pak fare dhe çdokush thotë: “Sikur ta kisha thënë një fjalë të mirë. Sikur të mos e kisha bërë filan gjynah etj etj”. Por gjithçka ka mbaruar dhe ata nuk mund të ndryshojë më asgjë për të ardhmen.
Dynjaja është koha në të cilën punohet dhe nuk ka llogari, kurse ahireti është koha në të cilën ka llogari dhe nuk ka më punë. E lusim gjithmonë Zotin të na drejtojë tek punët e hajrit dhe të na largojë nga punët e sherrit.                    
  A M I N