Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

PRAKTIKIM MBI LEXIMIN E SHPEJTË

Dikush troket dhe Selma i drejtohet derës që ta hapë. Kur ja, postieri qëndron në derë dhe kërkon Selma Ashrauin. Selma i thotë atij, se gjendet pikërisht para personit të kërkuar. Postieri i kërkon asaj të firmosë për marrjen e letrës. Selma e hap dhe e lexon tërë letrën në vetëm 3 sekonda... Ky është një shembull në dukje imagjinar...

Në vegjëlinë time më ka çoroditur shumë historia e leximit dhe nxënies së një flete të tërë në vetëm 3 sekonda. Mendja ime e mendonte një gjë të tillë thjesht si diçka të pakonceptueshme.

A është i mundur leximi dhe nxënia e një flete të tërë në vetëm 3 sekonda?!

Le të udhëtojmë së bashku në këtë shqyrtim të detajuar mbi leximin e shpejtë dhe të mësojmë mbi metodën, që e bëri Selmën që vërtetë ta lexojë letrën e saj në vetëm 3 sekonda.

Lexues i nderuar! E lus Allahun të më jap sukses në këtë trajtim, i cili synon paraqitjen e një materiali thelbësor mbi leximin e shpejtë, duke shpresuar të gjejmë edhe mirëkuptimin dhe përkushtimin tuaj.

Fillojmë me,

Bismilahi Rahmani Rahim-Me emrin e Allahut Mëshiruesit, Mëshirëbërësit:

Më qëllim që fillimisht të arrijmë të mësojmë shpejtësinë e leximit tënd të zakonshëm, duhet të përpiqesh që tekstin në vijim ta lexosh ashtu siç lexon normalisht, as më shpejt dhe as më avash. Vendose orën në kronometër, me qëllim që të matësh minutazhin që të merr leximi i tekstit në fjalë. Preferohet që tekstin të mos e lexosh nga kompjuteri, por nëse mundesh, printoje dhe pastaj lexoje.

Tani ulu qetësisht dhe pasi të kesh kërkuar ndihmën e Allahut, lexo pa ndërprerje tekstin e dhënë deri në fund, duke mos harruar që sapo të mbarosh, ta ndalosh kronometrin dhe të shënosh minutat.

Sa për përftim, të gjitha të dhënat e gjendura në tekst janë të sakta, mund të mbështetesh në to dhe të përfitosh prej tyre.

[Fillimi i tekstit]

Qumështi i nënës

Hulumtimet dhe studimet kanë treguar, se qumështi natyral, me të cilin mëkohet foshnja nga gjiri i nënës, është më i miri në përmbajtje nga të gjitha alternativat e tregut dhe farmacive. Fëmijët që janë ushqyer me mëkim natyral, gëzojnë një shëndet dhe imunitet të admirueshëm kundrejt sëmundjeve. Ata qëndrojnë shumë më lart në këtë aspekt, sesa foshnjat që janë trajtuar me mëkim jo natyral (artificial).

Studimi i bërë nga Universiteti Amerikan i Harfordit, thekson se qumështi i nënës përmban 900 kilokalori. Prej këtyre 230 kilokalori kanë ardhur dhuratë nga trupi i nënës dhe 760 kilokalori kanë ardhur si vlerë ushqimore.

Qumështi i nënës gëzon atribute të shkëlqyera, të cilat nuk gjenden në të gjithë burimet e tjera ushqimore të foshnjës, prandaj Allahu i Lartësuar e ka përshtatur këtë porcion mëkimi, me të cilin ushqehet fëmija, në një forme tepër të mahnitshme me gjithë mbarëvajtjen e gjymtyrëve dhe organeve të trupit të fëmijës, formimi i të cilave është i pakompletuar në këtë periudhë të moshës së fëmijës.

Kështu, qumështi i nënës, në tre javët e para përmban një përqindje të madhe të IgA (Imunoglobulinë A-një klasë e antikorpeve (trupave) që sekretohet në lëngjet e trupit si pështyma dhe që mbron sipërfaqet mukoze të organizmit nga infeksionet), që është një lëndë e cila i jep imunitet trupit të njeriut dhe vjen ekskluzivisht vetëm nga nëna e jo nga diku tjetër.

Përqindja e vitaminave në qumështin e nënës është shumë e pakët në raport me qumështin e lopës, që përdoret për përftimin alternativ të qumështit të foshnjave, prej ku disa e mendojnë qumështin alternativ të lopës si më të mirë, por në realitet përqindja e vogël e vitaminave është më e mirë për foshnjën, pasi veshka dhe mëlçia e foshnjës ende nuk janë zhvilluar dhe çdo shtesë proteinore mund të shpjerë në akumulimin e proteinave të tepërta në veshkë dhe të shkaktojë komplikacione në veshka.

Po kështu, përqindja e lartë e yndyrave në qumështin e nënës, shpie në balancimin e prodhimit të kolesterolit (yndyrës së gjakut) në trupin e fëmijës dhe bën një si praktikum (ushtrim) të sistemit të prodhimit të kolesterolit në trup, si dhe e ndihmon kolesterolin në ndërtimin e qelizave nervore dhe fshikëzën e tëmthit, gjë e cila ndihmon në procesin e tretjes së yndyrave.

Qumështi i nënës përmban një përqindje të lartë hekuri, që absorbohet lehtësisht, në një masë prej 50 %, përqindje kjo që qëndron shumë lart në krahasim me qumështin e lopës, që absorbohet në masën prej vetëm 10 %. Qumështi i nënës përmban gjithashtu vitaminën C dhe lëndë të tjera, që ndihmojnë për luftimin e baktereve dhe pengojnë sëmurjen e foshnjës.

Për shkaqet e përmendura dhe shumë të tjera, që për arsye të natyrës përmbledhëse të artikullit nuk mund t’i përmendim, dalim në përfundimin se qumështi i nënës është ushqimi ideal për foshnjën, sipas citimit të Ibrahim Khatibit.

Por të pranishme janë edhe rastet, kur nëna nuk mund ta ushqejë foshnjën e saj me qumështin e gjirit të saj, si për shembull kur nëna merr ilaçe, të cilat përmes qumështit të nënës mund të kapërcejnë tek fëmija dhe ta dëmtojnë atë. Në këto raste nëna mëkuese duhet të konsultohet me mjekun, lidhur me të gjitha ilaçet që konsumon. Prej lëndëve të tjera që e dëmtojnë fëmijën, përmendim edhe kutërbimet e solucioneve të ndryshme, që përdoren për eliminimin e insekteve të dëmshme, prandaj edhe ato duhet të evitohen nga ambientet e jetesës së gruas shtatzënë.

Prej problemeve që kanë të bëjnë me fëmijën, janë edhe disa raste gjenetike (të trashëguara), si rasti i sëmundjes PKU (Fenikketonuria-çrregullim gjenetik i një enzime të mëlçisë që ndërpret funksionet normale të organizmit), rast në të cilin foshnja humbet një enzimë të caktuar, që i nevojitet për tretjen e proteinave dhe si pasojë e mungesës së ksaj enzime, proteina akumulohet në trupin e foshnjës, gjë e cila mund të shpjerë në çrregullimin mendor të tij. Kjo sëmundje është e trashëguar dhe në rastin e konstatimit të saj, Allahu na ruajttë prej saj, menjëherë duhet të ndalohet mëkimi i foshnjës me qumështin e nënës dhe të ushqehet me lëndë ushqimore alternative të pranishme në farmaci, të cilat përmbajnë përqindje fare të vogël proteinash.

Një tjetër sëmundje që mund t’i prekë foshnjat është Galaktozhemi (çrregullim i trashëguar ku foshnja nuk është në gjendje të metabolizojë galaktozën-sheqerin e qumështit), që vjen po kështu si pasojë e humbjes së enzimës përgjegjëse për tretjen e galaktozës, e cila është një lëndë e pranishme tek qumështi i nënës. Në këtë rast sërish në alternim të qumështit të nënës duhen sjellë komponentë ushqimor tërësisht të zhveshur nga kjo lëndë, përndryshe komplikacioni mund të shkaktojë frenimin e zhvillimit të fëmijës dhe çrregullimin mendor të tij.

Ushqimi i gruas shtatzënë.

Sa i përket aspektit të funksionalitetit të gruas, shtatzënia është një proces jo i natyrshëm dhe si e tillë ajo i nënshtrohet një sërë çështjesh, që duhet të kihen parasysh. Kësisoj, shëndeti i gruas shtatzënë është shumë i lidhur me shëndetin e foshnjës në bark dhe çdo gjë që e dëmton nënën, mund ta dëmtojë edhe foshnjën e saj.

Zakonet e këqija të nënës, sikurse pirja e duhanit apo alkoolit, lëvizja e pakët, etj, ndikojnë negativisht tek foshnja në bark. Sa i përket pirjes së duhanit, ajo ndikon në inteligjencën dhe peshën e foshnjës. E njëjta gjë vlen edhe për alkoolin. Ndërsa lëvizja e pakët mund të shkaktojë akumulimin e lëngjeve tek gruaja shtatzënë dhe për pasojë kemi rritje të tensionit të gjakut.

Duke u bazuar mbi sa thamë m lart, themi se shtatzëna të largohet menjëherë prej çdo zakoni të keq, po qe se dëshirojmë një fëmijë sa më të mirë dhe të shëndetshëm.

Ushqimi është një tjetër faktor ndikues tek shtatzëna, prandaj pesha e saj gjatë shtatzënisë duhet të jetë jo më shumë se 14 kilogram dhe jo më pak se 11 kilogram. Nuk duhet të teprohet me shtimin në peshë, i cili kryesisht ndodh si pasojë e faktit së guraja shtatzënë e lëshon frerin dhe fillon që gjatë shtatzënisë të hajë sipas qejfit, gjë që përbën pikërisht sekretin e mbipeshës së madhe të disa nënave gjatë shtatzënisë, të cilat sipas këndvështrimit të doktor Ismail Ebu Bekrit, shndërrohen në një fuçi.

Sa i përket elementëve të tjerë thelbësor për rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të foshnjës, sikurse hekuri, zinku dhe vitaminat, ato duhet të gjenden të depozituara tek nëna shtatzënë në sasi të mjaftueshme, sepse mangësitë  e këtyre mund të shkaktojnë pasoja negative edhe tek nëna edhe tek foshnja që ajo mban në barkun e saj, pasi fëmija është si një ndërtesë, e cila konstruktohet përmes lëndëve bazë të pranishme tek nëna e tij.

Allahu i shpërbleftë nënat tona, të cilat kanë kontribuar për ne që në zanafillën e jetës sonë!”

[Mbarimi i tekstit]

Këtu ndaloje kronometrin e orës tënde!

Koha që arrite është ________ minuta.

Shpejtësia jote në lexim është = numrin e fjalëve të tekstit / (pjesëtuar) me kohën e arritur ____________ = ____________ fjalë / minutë.

Vërejtje: Nuk ke nevojë t’i numërosh fjalët e tekstit, pasi unë po ta jap shifrën e tyre, ato janë thuajse 1100 fjalë.

Nxënia:

Qarkoje përgjigjen e saktë, por duke mos e shkelur kushtin e domosdoshëm që të “mos shikosh kurrsesi në tekst”!

Pyetja 1 – Qumështi i nënës përmban:

a. 230 kilokalori.

b. 760 kilokalori.

c. 900 kilokalori.

d. 400 kilokalori.

Pyetja 2 – Në tre javët e para, qumështi i nënës përmban një përqindje të madhe të lëndës:

a. Imunoglobulinë C

b. Imunoglobulinë D

c. Imunoglobulinë F

d. Imunoglobulinë A

Pyetja 3 – Pesha e disa grave pas shtatzënisë shtohet si pasojë e zakoneve të tyre të këqija dhe gratë bëhen si fuçi, sipas këndvështrimit të doktor:

a. Ismail Ebu Bekrit

b. Ibrahim Khatibit

c. Muhamed Ismailit

d. Hadi Mustafa

Pyetja 4 – Qumështi i nënës përmban sasi të mëdha yndyrash.

a. Po.

b. Jo.

Pyetja 5 – Përqindja e absorbimit të hekurit të gjendur tek qumështi i lopës është:

a. 50 %.

b. 10 %.

c. 40 %.

d. 30 %.

Pyetja 6 – Pesha e shtatzënës, kundrejt peshës normale të saj, duhet të:

a. Mos jetë mbi 12 kilogram dhe nën 11 kilogram.

b. Mos jetë mbi 13 kilogram dhe nën 11 kilogram.

c. Mos jetë mbi 14 kilogram dhe nën 11 kilogram.

d. Asnjërën.

Pyetja 7 – Lëvizja e pakët shkakton:

a. Shtim në peshë.

b. Shtimin e tensionit të gjakut.  

c. Shtimin e peshës së fëmijës në bark.

d. Rënien e shtatzënës nga pesha.

Pyetja 8 – Sëmundja PKU (Fenikketonuria) shkakton:

a. Mangësi në zhvillimin e fëmijës dhe çrregullim mendor të tij.

b. Vetëm çrregullim mendor të fëmijës.

c. Vetëm mangësi në zhvillimin e fëmijës.

d. Asnjërën.

Pyetja 9 – Në rastin e prekjes nga sëmundja e galaktozhemit:

a. Duhet të përdorim një përbërës, që nuk përmban fare galaktozë.

b. Duhet të përdorim një përbërës, që përmban përqindje të vogël galaktoze.

c. Duhet të përdorim qumështin natyral të nënës.

d. Duhet të largohemi tërësisht nga të gjitha llojet e qumështit.

Pyetja 10 – Akumulimi i proteinave në trupin e fëmijës çon në:

a. Shtimin e zhvillimit muskulor të fëmijës.

b. Probleme shëndetësore në veshkën e fëmijës.

c. Probleme shëndetësore në mëlçinë e fëmijës.

d. Probleme shëndetësore në mëlçinë dhe veshkën e fëmijës.

- Pasi të kesh llogaritur pikët e nxënies tënde, referoju tekstit dhe nxirr prej tij përgjigjet e sakta, nga ku duhet të llogarisësh nxënien tënde faktike. Mesatarja e nxënies tënde në përqindje, përftohet duke i shumëzuar përgjigjet e tua të sakta me njëqind dhe pjesëtuar me dhjetë.

Kësisoj nxënia jote është: _________________ .

Pra pikë së pari të duhet që pa humbur kohë të përcaktosh gjendjen tënde, e paskëtaj mund të nisemi së bashku në rrugët të cilat do të ndihmojnë që ta rrisësh shpejtësinë e leximit tënd.

Regjistroje shpejtësinë tënde fillestare të leximit dhe mos e harro atë, me qëllim që të vëresh përparimin tënd dhe ta referosh atë tek koeficientët e mëposhtëm:

Lexuesi:                                              Fjalë/Minutë:                         Nxënia:

I dobët                                                10-100                                     30-50 %          

Mesatar                                               200-240                                   50-70 %

Intelektual                                           400                                          70-80 %

Më i miri në 100 persona                     800-1000                                 + 80 %

Më i miri në 1000 persona                   + 1000                                     + 80 %

Kurse tani, pasi u njohe me gjendjen tënde, dua të të pyes një pyetje të rëndësishme: Cili është përkufizimi yt për leximin e saktë?

Unë jam i sigurt, se përgjigjet ndryshojnë nga një person tek tjetri... Gjithsesi përkufizimi i saktë për leximin është se: “Leximi është njohuria dhe nxënia e mirë, kompletimi i jashtëm dhe i brendshëm, si dhe kujtesa e afirmuar për të thirrur dhe lidhur informacionet ”.

Unë e di se ky përkufizim është disi i komplikuar, ndaj dhe ne do ta marrim çdo komponent të tij dhe do ta shqyrtojmë më vete:

Njohja: Presupozon njohjen e gjuhës së shkruar dhe kuptimin e kualifikuar të domethënieve të saj. Fakti se tek kuptimi i kualifikuar i njohjes së domethënieve dhe nocioneve të gjuhës mund të arrihet vetëm përmes një njohjeje sa më të mirë të saj, del në pah në rastin kur unë të jap një libër në anglisht, duke supozuar se ti nuk i di as edhe shkronjat e alfabetit të anglishtes. Sigurisht edhe mundësia e një leximi sa më produktiv vjen në përpjesëtim të drejtë me njohjen tënde të gjuhës, vjen.

Nxënia e mirë: Pra kuptimi nga ana e lexuesit, i idesë apo synimit të shkruesit, ku arrihet përmes rrugës së mendjes.

Kompletimi i brendshëm: Presupozon lidhjen midis segmenteve të lexuara.

Kompletimi i jashtëm: Analizimi dhe kritika e idesë së tekstit, vlerësimi i saj dhe përqafimi ose refuzimi i saj.

Kujtesa-aftësia për të rigrumbulluar informacionin: Pa koment.

Thirrja e informacionit: Kujtimi i informacioneve kur është e nevojshme.

Lidhja: Si t`i fusësh dhe lidhësh informacionet në mendjen tënde.

Segmentet e lartpërmendura që i përkasin përkufizimit të leximit, nuk janë radhitur sipas rëndësisë, por çdokush nga ne është i lirë t’i radhisë ato si të dojë.

Referohu në këto që përmendëm më lart, për të diktuar pikat e tua të forta dhe të dobëta dhe për t’i përmirësuar ato.

Tani, pasi mësuam se cili është leximi korrekt dhe pasi mësove nivelin tënd të leximit, kalojmë tek metodat ndihmuese për rritjen efikase të shpejtësisë së leximit.

Së pari dhe para së gjithash, na duhet të mësojmë mënyrën e përgatitjes së vendit të leximit dhe se cilat janë rrethanat e ambientit ndihmues për të lexuar. Disa e kanë për zakon të lexojnë në vende të zhurmshme, të sikletshme, zbavitëse apo në praninë e fëmijëve ose personave të tjerë dhe pastaj vjen e thotë se nuk arrijnë të lexojnë më tepër se tre faqe. Disa të tjerë e kanë për zakon të lexojnë në vende, ku rrëmuja sundon në të katër anët, rrobat janë të hedhura andej-këtej, ushqimi i sapo-ngrënë gjendet mbi tryezë, shishja e koka- kolës është ngritur në mes të dhomës, ambient ky që me zë të lartë deklaron “Rroftë rrëmuja!”.

Vendin ku lexon, duhet ta bësh një vend të përshtatshëm, me qëllim që të të qetësohen nervat, të relaksohesh dhe ta shijosh leximin.

Kushtet që duhet të plotësojë vendi i leximit:

1. Ndriçimi: duhet të jetë i mirë dhe preferohet që vendi i leximit të jetë tek dritarja, kurse nëse përdor ndriçimin e tryezës, atëherë përpiqu që ai të ndriçojë mbi shpatullat e tua dhe të lëshojë dritë mbi dorën me të cilën shkruan, me qëllim që ta shmangësh hijen. Kur të lexosh, mos ia drejto dritën syve, por drejtoja atë lëndës që lexon.

2. Relaksimi trupor dhe qëndrimi korrekt: disa studiojnë pas darke, shtrirë dhe me dritë të dobët, teksa libri që studiojnë është i mbushur me informacione të rëndësishme, që duhen studiuar në detaj. Në fund dihet rezultati, gërhitja që shtron rrugën e hyrjes në një gjumë të thellë.

Bëj kujdes që që shpina jote të jetë e drejtuar mirë. Më e mira është që të ulesh në karrige dhe këmbët e tua ta prekin tokën, me qëllim që të jesh në një pozicion të qëndrueshëm dhe të mos lodhesh me kalimin e kohës.

3. Sigurimi i lëndës që duhet lexuar dhe i mjeteve të duhura: dikush prej nxënësve apo lexuesve është ulur, duke qenë i vendosur të lexojë pa ndërprerë për tre orë të tërë, ta mbarojë tërë librin, por vetëm pesë minuta pasi ulet, kujtohet se ka harruar të marrë syzet. Rrugës për t’i sjellë syzet, hyn në kuzhinë dhe nis të hajë një mollë. E kullufit shpejt e shpejt atë dhe pastaj i kthehet sërish studimit e pa kaluar pesë minuta kujtohet se nuk ka sjellë lapsin e plumbit për të shkruar vërejtjet, por teksa shkon ta marrë atë, kujtohet se nuk disponon asnjë të tillë, ndaj shkon t’ia huazojë lapsin e plumbit motrës së vet. Situata tensionohet, sepse ai ia ka marrë asaj edhe më parë një të tillë, por nuk ia ka kthyer... Ky është skenari i përditshëm, që na humbet një kohë të tërë.

Kësisoj, bëj kujdes të grumbullosh të gjitha gjëraat që të duhen para leximit, me qëllim që të garantosh një qëndrim të pandërprerë, pa u ngritur dhe të arrish të realizosh atë që dëshiron.

4. Lartësia e karriges me tavolinën: Tavolina lypset të jetë e ngritur nga karrigia aq sa të të përshtatet ty. Nëse distanca midis karriges dhe tryezës është e papërshtatshme për ty, studimi do të jetë shumë i lodhshëm dhe sfilitës, ndërkohë që ne s’ia dëshirojmë vetes një gjë të tillë.

Për njerëzit normalë, preferohet që lartësia e tryezës të jetë 73-81 cm dhe karrigia të jetë 20 cm. Çështja bën përjashtim për ata që janë me këmbë shumë të gjata ose shumë të shkurtra.

- Pasi të kemi mbaruar me ambientin e jashtëm, kalojmë tek ambienti i brendshëm, i cili është quajtur kështu, pasi të gjithë personat e familjes mund të përfshihen në të:

1. Konfuzioni “koha e përshtatshme”: Nëse do banoje me ne në shtëpi, do e kuptoje këtë fjalë pa ta shpjeguar fare. Zëri i televizorit është ngritur në kulm, babai im bërtet sa herë që ekipi i tij i zemrës i avitet golit... Im vëlla grindet me vëllezërit e tjerë... Nëna ime si gjithmonë kërkon prej meje të shkoj të blej disa sende që duhen blerë... Djali i komshiut që e mendon veten artist, këndon në kanatet e dritares së tij... Kjo është jeta, ndaj përpiqu që t’i krijosh vetes një kohë të përshtatshme për të lexuar. Një e kohë e tillë që unë ta rekomandoj, është koha kur të gjithë flenë, ndërsa çështjen tënde të gjumit mund ta rregullosh, duke fjetur kur ata janë zgjuar. Përndryshe shko porosit tek kovaçi një derë hekuri anti-zhurmë... E rëndësishme është të gjesh një zgjidhje për veten... Një zgjidhje e tillë është të shkosh të lexosh në ambientin e bibliotekës së xhamisë dhe të kthehesh vetëm pas namazit të jacisë-darkës... Në të gjitha këto zgjedhje ti ke dorë të lirë...

2. Shpërqendruesit e mendjes: shmangi më maksimum shkëputësit, sidomos telefonin dhe nëse pret një telefonatë, lëre telefonin në dridhje... Për disa persona, konsiderohen si shpërqendrues edhe aromat e ushqimit, tringëllima e lugëve dhe enëve metalike, etj. Nëse je një prej njerëzve të tillë, shmangi këto gjëra dhe qëndro në ambientin më të largët prej këtyre shpërqendruesve.

3. Problemet shëndetësore: kërkohet kurimi nga çdo sëmundje, sepse sëmundja e dobëson efikasitetin tënd dhe ta sfilit trupin. Gjenden një sërë sëmundjesh, të cilat e nxjerrin jashtë loje të lexuarin dhe studimin, ndaj ato duhen kuruar plotësisht, në mënyrë që të arrish një lexim dhe studim produktiv. Prej këtyre sëmundjeve është për shembull diarreja, që padyshim e hallakat personin dhe është faktor i destabilizimit të brendshëm dhe të jashtëm të njeriut.

Pas kësaj kemi arritur tek gatishmëria për të lexuar dhe nxënë, pasi i dhamë fund bastionit të shpërqendruesve dhe penguesve të leximit.

Sapo kemi mbërritur në preludin e “fokusimit të syrit”.

Dy sytë e tu të mrekullueshëm:

Vërejtje: Syri përmban 130 receptorë drite, me një kapacitet prej pesë fotonesh (njësi drite) në sekondë.

Nuk duam të flasim ekskluzivisht mbi syrin dhe komponentët e tij, por shkenca ka vërtetuar, se syri është i aftë që ta kapë një imazh në një kohë rekord prej një të pesëqindtën e sekondës. Problemi më i rëndë lidhur me leximin e dobët qëndron në përdorimin e keq të syrit. Mëso se në Japoni gjendet një akademi, e cila që në fillore u mëson fëmijëve kapjen e imazheve në një mënyrë tepër të shpejtë, në më pak se një sekondë. Mbi këtë do të të tregoj pak pas.

Problemi me ne qëndron se ne gjatë leximit, e ngulim gjatë syrin tonë, në përpjekje për të kuptuar mirë atë që lexojmë, gjë që përbën pikërisht shkakun e ngathtësisë sonë në të lexuar. Kësisoj, nëse ti qëndron një sekondë të tërë në një fjalë, atëherë i bie që një faqe e plotë normale e përbërë nga 18 rreshta, të të marrë rreth 1 minutë e 20 sekonda, pra nëse faqet e librit janë 300, atëherë ti ke për të humbur 1 min e 20 sek x 300 = 400 minuta = 6.5 orë për të lexuar një libër!!!! Shpresoj të jetë qartësuar kjo pikë...

Por cila është zgjidhja?

Hulumtimet kanë treguar, se në 80 % të rasteve, në të cilat lexuesit nuk i lejohet t’i kthehet leximit të çastit, thënë ndryshe nuk i lejohet të luhatet, duke u kthyer tek fjala e mëparshme për ta lexuar sërish atë, syri në këtë rast e kap realisht informacionin dhe e nxë atë, pasi të jenë lexuar disa shprehje vijuese të tekstit.

Kjo është krejt siç vepronte imam Shafi’iu [Allahu e mëshiroftë], i cili ishte aq i fuqishëm në leximin dhe nxënien e tij, saqë i vendoste dy duart e veta mbi faqen përbri dhe e mbulonte atë, me qëllim që të mos i shkonte syri tek ajo dhe t’i shpërqendrohej nxënia.

Përfitimi që nxjerrim është, se syri përbën në vetvete një skanues të mrekullueshëm, i cili i kap shprehjet dhe përmbajtjet tekstuale me përpikëri, për t’ia kaluar më pas për analizë mendjes, teksa dihet se, që mendja ta memorizojë dhe nxërë informacionin, ai duhet që të futet në të i sistemuar.

Por si mund të bëhet e mundur një gjë e tillë?

Po të përmend një metodë, e cila ka për të të ndihmuar që t’i shtosh kapacitetet e tua përthithëse. Kjo metodë është metoda e shkrimit të numrave në një formë kolone të përbërë nga dy numra, sipas formës në vijim:
25

29

43

Preferohet që këto numra t’i shkruajë dikush tjetër për ty, por ato mund t’i shkruash edhe vetë. Në të djathtë të numrave lër vend bosh, nëse shkruan me të djathtën, ose në të majtë të numrave, nëse shkruan me të majtën. Përpiqu ta përthithësh numrin në kohën më të shkurtër të mundshme. Sakaq, vendos një karton mbi numër dhe shkruaje atë në vendin bosh. Pastaj kalo shpejt tek numri që vjen më pas e kështu me radhë. Besomë se ke për t’u kënaqur.

Pas le të themi 14 numrash, shtoji shifrat e numrit në tre, si në shembullin në vijim:

254

567

793

 

Vijo kështu, derisa të arrish të ushtrohesh me numra shtatë shifror ose edhe më shumë, duke gabuar sa më pak të mundesh dhe në një kohë sa më të shkurtër të mundshme.

Ushtrimi në fjalë do të të dhurojë një kënaqësi të veçantë dhe do të bëjë që t’i mësosh të gjithë numrat e telefonit tënd dhe të gjitha targat e makinave të lagjes. Unë vetë, para se të mësoja leximin e shpejtë, e mendoja të tillë gjë të pamundur, kurse tanimë pasi jam afirmuar në të, arrij t’i përthith shumë mirë shifrat në fjalë.

Pas këtij ushtrimi mësove, se nga sekretet e leximit të shpejtë është, që syri yt të lëvizë si një makinë shkrimi, në një formë të përcaktuar dhe të sistemuar, drejt përpara dhe pa u kthyer fare pas, duke mos pasur frikë prej nxënies së dobët. Kësisoj përmirësimi yt progresiv, me lejen e Allahut të Lartësuar, është i sigurt dhe mendja jote gradualisht do të mësohet me leximin e shpejtë.  

Lexuesi i mirë arrin të lexojë katër fjalë në një hedhje të vetme vështrimi dhe të ecë vetëm para; ndërsa lexuesi i avashtë në një hedhje vështrimi arrin të kap një fjalë të vetme dhe shpesh gjatë leximit luhatet dhe kthehet pas, nga frika se nxënia e tij është e pakët, gjë kjo që ia çon atij dëm kohën gjatë leximit.

Besoj se ideja tanimë lavdi Zotit është kthjelluar.

Të këshilloj të ushtrohesh në kuptomin sa më të mirë të fjalëve dy herë në jave, duke lexuar një subjekt të vlefshëm, duke e regjistruar përmirësimin dhe nxënien tënde në lexim. Vlerësimin e nxënies mund ta bësh duke i shkruar pyetjet para leximit, ose duke e vënë dikë që të të testojë në subjektin e lexuar. Të këshilloj të përmirësohesh në vazhdimësi, përndryshe të lutem të mos i lexosh këto fjalë, që po shkruaj, sepse ato nuk qenkan për ty...

Këtu kemi arritur në mesin e rrugës së leximit të shpejtë...

- Dijeni se baza e çdo gjëje është ushtrimi. Kështu, nëse ti i lexon të gjitha literaturat që flasin mbi leximin e shpejtë, por nuk i ushtron gjërat që mëson, është e sigurt se nuk ke për të përfituar denjësisht.

Normal që ti je i lirë të hulumtosh edhe literatura të tjera veç këtij subjekti që po të paraqes, por më beso, nuk ke për të gjetur asgjë më tepër sesa disa detaje shtesë.

Unë ta tregova rrugën dhe ty të mbetet ta kompletosh atë.

Në vijim do të flasim mbi përdorimin e orientuesve pamorë dhe mënyrën e përdorimit të tyre, si dhe do fokusohemi tek problemet, që shkaktojnë një përqendrim dhe nxënie të vogël.

Orientuesi pamor:

Besoj se ende i kujton fillimet e leximit tënd, sesi ti përdorje gishtin tënd në lexim, me qëllim që të përqendroheshe më tepër. A të ka penguar babai apo nëna jote nga diçka e tillë, a të kanë thënë se ky është një zakon i keq që e ngadalëson leximin?

Më lejo të të pyes, nëse ti ende sot përdor të njëjtën metodë për të gjetur një numër të caktuar në numëratorin telefonik ose kur kërkon për kuptimin e një fjale në fjalor? A e përdor ende këtë metodë për të regjistruar një numër të pranishëm të listuar? A e përdor ende këtë zakon kur lexon?

Shumica e njerëzve do të përgjigjen me “po” në të gjitha pyetjet e dhëna, përveç asaj të fundit. Të pakët do të jenë ata persona, që do të përgjigjen me “po”për pyetjen e  fundit, por përse? Sepse ne që në fillim ne jemi mësuar me qëndrimin shpeshherë kritik të prindërve dhe mësuesve tanë karshi kësaj cilësie. Mbaj mend që kur kam qenë në fillore, kemi pasur një mësues trupmadh, që e quanim “shuplaka e vdekjes”, pasi dora e tij shumë e madhe ishte e frikshme, kur qëllonte dikë prej nesh. Ai ishte realisht i frikshëm dhe ta nxinte faqen, nëse nuk lexoje me gishtin në tekst, gjë që ndikonte shumë në përqendrimin tonë dhe arritjen e rezultateve pozitive në lëndën e tij, por cili ishte shkaku për këtë? Po të jap një shembull që ta mësosh këtë shkak: Nëse unë të kërkoj që të bësh një rreth imagjinar me syrin tënd dhe unë do qëndroj para teje, kam për ta parë syrin tënd të anohet, por të mbetet paralel dhe pingul, ndërsa nëse unë sjell një lapës, qëndroj para teje duke lëvizur lapsin në formë rrethi, pasi të të kem kërkuar që ta shoqërosh lëvizjen rrethore të lapsit me syrin tënd, atëherë kam për të parë se syri yt realisht ka për të bërë një rreth. Është pikërisht komforti i syrit me orientuesin pamor, ai që e bën orientimin pamor të përshtatshëm për lexim. Shpresoj ta kem kthjelluar idenë.

Kësisoj, orientuesi pamor ka dobi të mëdha: ai e ul mundimin, e shton përqendrimin e mendjes, jep shpejtësi të qëndrueshme në leximin e shpejtë dhe shton edhe vlerën e nxënies.

Por cilët janë kushtet për një orientues pamor të sukseshëm në lexim?

Orientuesi pamor duhet të jetë i gjatë dhe i ngritur, fakt ku qëndron dhe problemi i gishtave të cilët janë të trashë, të shkurtër dhe mbulojnë shumicën e faqes, ndaj dhe nuk preferohet të përdoren. Si orientues pamor mund të përdorësh një lapës plumbi, një rezervë stilolapsi ose një purtekë të hollë dhe të gjatë.

Por si ta përdorim orientuesin apo udhëzuesin pamor?

Vendose atë nën rreshtin që lexon, lëvize lehtësisht në drejtim të leximit dhe mos u përpiq të sajosh bartjen e tij midis pauzave; përpiqu ta lëvizësh orientuesin përpara sipas aftësisë tënde dhe tento ta shtosh shpejtësinë avash-avash, me qëllim që të mësohesh.

Lexuesi i shpejtë e vendos orientuesin në mes të rreshtit, ashtu që dy sytë e tij e lexojnë tërë rreshtin, pasi syri mund të shikojë lehtësisht 5-6 fjalë njëherazi, njëlloj si skaneri.

- Pas këtyre udhëzimeve, provo ta lexosh subjektin e mëparshëm  dhe përpiqu të praktikosh metodën e orientuesit pamor. Kur të shohësh se je përmirësuar, përpiqu që orientuesin pamor ta vendosësh udhëzues për dy rreshta njëkohësisht dhe mos harro të regjistrosh kohën tënde.

Që leximi yt të jetë efikas, përpiqu gjithashtu që:

1. Distanca midis dy syve të tu dhe materialit që dëshiron të lexosh, të jetë një distancë e përshtatshme, e cila t’i qetëson sytë dhe kap një sasi të madhe fjalësh në një fokusim të vetëm.

2. Përdor sistemin e ritmit të lavjerrësit: duke u përpjekur që avash-avash ta shtosh shpejtësinë e leximit sot 150 fjalë në minutë, nesër 160 fjalë në minutë dhe kështu me radhë, periudhë pas periudhe, derisa ta arrish objektivin tënd dhe e mos harro se praktika dhe ushtrimi janë baza e çdo gjëje.

Ekzaminimi i hollësishëm dhe shfletimi i shpejtë:

Ekzaminimi i hollësishëm konsiston në gjetjen e një të dhëne, rreth së cilës hulumton mendja jote “një fjale në fjalor, numër telefoni, një të dhëne të caktuar në një libër, etj”. Njerëzit e përdorin shumë ekzaminimin e hollësishëm, sidomos studentët që mësojnë në gjuhën jo amtare, hulumtuesit dhe të interesuarit në subjekte të caktuara studimore.

Zhvillimin e kësaj teknike mund ta performosh përmes ushtrimit në vijim:

Përpiqu të kërkosh për një fjalë në një fjalor të caktuar, të cilën e njeh por nuk ia di kuptimin e saj të detajuar. Bëje këtë, duke e regjistruar kohën që të duhet për këtë gjë. Ushtroje këtë teknikë për 10 minuta rresht dhe besomë se do të argëtohesh shumë me të, sidomos nëse e kryen në formë sfide midis teje dhe një shokut tënd; duke përfituar në të njëjtën kohë njohurinë e kuptimit të detajuar të kësaj fjale.

Shfletimi i shpejtë është procesi, përmes të cilit sytë e tu mbulojnë kategori të caktuara të parapërzgjedhura nga lënda që lexohet, me qëllimin që të kesh një informacion të përgjithshëm mbi këtë material.

Këtë metodë e zbatojnë njerëzit e zakonshëm qoftë në leximin e gazetës, qoftë në ditët e sotme, kur shfletojnë të dhënat e internetit apo kur zgjedhin një libër për të lexuar.

Konsiderohet humbje kohe, që teksa ti po hulumton për një subjekt fetar rreth le të themi “tejemumit”, për të arritur tek subjekti në fjalë, ta lexosh tërë librin. Për këtë mjafton përvijimi i pasqyrës së lëndës, leximi i titujve dhe kapitujve, prej ku arrihet tek kuptimi i informacionit në kohën më të shkurtër të mundshme. Kjo rrugë të ndihmon gjithashtu në përzgjedhjen e librave të tu të preferuar, hulumtimeve në internet dhe të tjera gjëra të kësaj natyre.

Probleme tek lexuesit:

1. Leximi me zë të ulët: shumica e njerëzve e përdorin këtë metodë, për të kuptuar shprehjet e tekstit të lexuar dhe për të shtuar përqendrimin, por kjo metodë e ngadalëson ndjeshëm leximin. Ky lexim nuk konsiderohet zakon i keq, por gjithsesi ai duhet reduktuar sa më shumë. Reduktimi i leximit me zë të ulët arrihet përmes implementimit të leximit të shpejtë të pjesëve që na interesojnë prej tekstit, deri në shpejtësinë prej 1000 fjalësh në minutë.

2. Përdorimi i gishtave në lexim: në kornizën e të cilit përmendëm metodën e orientuesit pamor.

3. Kthimi pas dhe rileximi: personi ndjen se nuk e ka kuptuar shprehjen e kaluar dhe i kthehet sërish leximit të saj, proces ky që s’është i domosdoshëm, por që vjen për shkak se personi nuk ka besim në kapacitetet e tij mendore personale.

Zgjidhja e problemit në këtë rast qëndron në:

Së pari: Përpjekjen e paepur për të mos lexuar atë gjë, që mendon se e harrove.

Së dyti: Shtimin e shpejtësisë së leximit dhe përkujdesjen për të vijuar leximin me sy, duke qenë optimist, se kjo gjë do ta rrisë me siguri nxënien tënde.

4. Shpërqendrimi dhe aktivizimi sfilitës: disa njerëz nuk mund të qëndrojnë në prehje por ata janë gjithmonë në lëvizje, krejt si djali i fqinjit tim i cili lëviz pareshtur. Kjo gjë, ndryshe nga ç’e mendojnë disa njerëz, s’është sëmundje. Nëse ti ose fëmija yt, jeni të prekur nga lëvizjet e tepruara, lypset që energjinë tënde ta shkarkosh në gjëra të dobishme, prej të cilave padyshim është leximi.

Shkaqet e leximit të dobët:

1. Vështirësia e artikulimeve: që në fillim kemi përmendur, se një nga shtyllat e leximit është të kesh dituri mbi artikulimet e tij, prandaj nëse has në një fjalë, që nuk ia di kuptimin, vendos poshtë saj vizë dhe fillimisht vijo leximin e shpejtë, me qëllim që të mësohesh; por kur të mbarosh, hulumto mbi kuptimin e saj. Pastaj lexoje tekstin sërish dhe ka për ta vënë re diferencën.

2. Vështirësia e perceptimit të mendimeve të përcjella në tekst: kjo është problematika më e madhe që ngjet me studiuesit. Kjo ndodh, pasi nëse unë si lexues nuk e kuptoj atë që lexoj, kam për t’u ndier i molepsur dhe i paaftë, mendimi im mbi tekstin që po lexoj ka për t’u ftohur dhe për pasojë kam për ta humbur përqendrimin. Zgjidhja në këtë lexim me natyrë studimore, është që unë aty për aty të hulumtoj mbi idetë apo mendësitë në fjalë dhe të mos e vonoj kuptimin e tyre, pasi kjo gjë ndikon tek morali i leximit dhe mund të më bëjë të ndihem i paaftë; prandaj vepro kështu që të shpëtosh nga ky problem.

3. Shpejtësia e papërshtatshme e leximit: provo të lexosh një tekst të caktuar germë për germë, shumë avash dhe lajmëromë mbi situatën tënde kuptimore. Nëse libri që ke për të lexuar është voluminoz dhe leximi yt është i avashtë, për shkak të mosafirmimit tënd në teknikën e leximit dhe shfletimit të shpejtë, më thuaj si do ndiheshe në këtë rast?

4. Gjendja jo e përshtatshme psikike: kam folur mjaftueshëm për të dhe po thjesht po të kujtoj përsëri, se përqendrimi i lartë ka nevojë për një mendje të kthjellët.

5. Organizimi i keq: Mosparaqitja e sendeve të duhura, gjë të cilën gjithashtu e përmendëm më parë.

6. Humbja e interesit për lëndën që lexohet: çdo person duhet të lexojë materialin që i pëlqen dhe e tërheq.

7. Dekurajimi: Para studimeve të mia në lëmin e mjekësisë, sa herë që lexoja për një sëmundje të caktuar, imagjinoja sesi i sëmuri kishte ardhur dhe më ankohej për të njëjtën sëmundje. E imagjinoja veten, sikur po e ekzaminoja atë në përputhje me përmbajtjen e lëndës studimore që po lexoja. Vazhdova të veproj kshtu, derisa hyra në spital dhe u ballafaqova me rigorozitetin e specialitetit... Kjo është vetëm një prej mënyrave të shumta të inkurajimit, që e bëjnë interesant leximin. E rëndësishme është, që gjatë kohës që lexon të mos e humbasësh kurajën e leximit.

8. Relaksimi: jepi vetes çlodhje pas çdo ore leximi, me qëllim që intelekti yt të mprihet, përqendrimi yt të shtohet dhe sytë e mendja jote të çlodhen. 

- Kësisoj, mbërritëm në fundin e udhëtimit dhe po ta lë ty në dorë ta çash më tej rrugën kah leximi i shpejtë. Ec në të duke shfrytëzuar begatinë e Allahut të Lartësuar, insisto dhe m`i trego arritjet e tua.

Mos harro rolin e fuqishëm të duasë drejtuar Allahut të Lartësuar. Mos më harro edhe mua në duatë e tua.

Deri në një takim të ardhshëm po të lë në garancinë e Allahut të Lartësuar.

Es Selam Alejkum ue Rahmetullahi ue Bereketuhu!


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free