Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Ja si ishte Muhamedi a.s

Dr. Senad Agiq

Pejgamber, si një kandil ndriçues

Në botën, në të cilën gjithnjë e më shumë po shfaqen fatkeqësi, ku të Vërtetën e ka mbuluar e pavërteta, drita e hënës së plotë, gjithnjë e më shumë, bëhet e nevojshme. Edhe përkundër këtyre mjegullnajave të mundimshme dhe të errëta, e që kërcënojnë ta mbulojnë të Vërtetën, drita e hënës së plotë nuk lejon të mjegullohet. Muhammedi (a.s.), (ai që është si një hënë e plotë shkëlqyese, M.A.) vazhdon që t’ua dritësojë rrugën atyre të cilët e njohin për nga morali dhe etika e tij,  veçori këto që ia dhuroi vet Zoti.

Për gjatë 63 viteve të tij, Muhammedi (a.s.), më shumë përjetoi momente të pakëndshme sesa të këndshme. Ai ishte jetim, vejan, muhaxhir, i helmuar, i gjuajtur me gurrë, por mbi të gjitha, ai ishte dhe mbeti një fitimtar.

Çdokënd e dëgjonte teksa fliste, dhe nuk e ndërpriste, derisa bashkëbiseduesi vet nuk heshtte. Ndonëse sytë i mbyllte kur flinte, zemra e tij, gjithmonë, ishte e zgjuar.

Të pambrojturit i ndihmonte, të pastrehët i strehonte, të uriturit i ushqente, sekretet i mbante në fshehtësi, ndërsa të paditurit i mësonte. Ishte i qetë, kur të tjerët i kaplonte paniku. Ishte plot dashuri, kur të tjerët urrenin, ndërsa me të paedukuarit sillej me shumë dashamirësi. Ai ishte njeriu, që në të gjitha gjërat, e kërkonte ekuilibrimin.

Në namaz e gjente kënaqësinë dhe mbështetjen. Nga frikërespekti, zëri i dridhej përpara Zotit, kurse, kur njerëzit i udhëhiqte në namaz, preferonte gjithmonë të lexonte sure të shkurtra.

Në rast se dëgjonte ndonjë zë fëmije, namazin e ndërpriste dhe shikonte sesi t’i ndihmojë atij. Kur nipërit i hipnin mbi shpinë, teksa bënte sexhdenë, ai nuk lëvizte nga pozita, gjersa ata të kënaqeshin dhe largoheshin vetë.

Kur lexonte nga Kurani, lexonte me kiraete të ndryshme, me qëllim që t’i kënaq edhe shokët e tij, të cilin vinin nga fise me dialekte të ndryshme. Falej edhe pas mesnate. Herë më shumë e herë më pak. Kur lexonte ajetet që tregojnë për mëshirën e Allahut, ndalej dhe lutej për të, e kur lexonte nga ajetet që tregojnë hidhërimin dhe dënimin e Tij, ndalej dhe lutej për të shpëtuar prej tyre.

Nuk lëshohej në thashetheme

Fliste këndshëm dhe qetë, me përjashtim vetëm kur mbante hytben. Zërin e kishte melodik dhe tërheqës. Fliste vetëm sipas nevojës. Nuk lëshohej në biseda të llojit „më tha – të thash”. Gjithmonë e fliste vetëm të vërtetën. Dëshironte edhe të dëgjonte. Ishte modest dhe suptil. Buzëqeshte, por kurrë nuk ia jepte me të madhe të qeshurës.

Kur ishte i padisponueshëm, kjo vërehej shumë shpejt në fytyrën e tij. Asnjëherë, kundër asnjë qenie të gjallë, nuk e ka ngritur dorën, pos kur ka qenë i urdhëruar nga Shpallja.

Në momentet më të vështira ishte i guximshëm dhe i vendosur. Gjithmonë solidarizohej me shokët (as’habët) e tij. Hante, kur edhe ata hanin; flinte, kur edhe ata flinin. Kur hante, nuk dëshironte të ngopej; në mënyrë të veçantë i shmangej teprimit. Nuk kishte dëshirë të hante i vetëm dhe i jepte rëndësi qumështit, hurmave dhe mjaltit. Vishej sikur edhe shokët e tij. Me asgjë nuk dallohej prej tyre. Me fjalë të tjera, historia nuk ka shënuar të ketë pasur ndonjë njeri sikur ai.

Gjithmonë kujdesej për rrethin. Nuk e donte plëngprishjen. E ruante ambientin, bimët dhe shtazët, ndërkohë që këto ua sugjeronte edhe të tjerëve. Kur njëherë trungu, nga ku e mbante hytben Pejgamberi, filloi të rënkonte, ai e ndërpreu fjalimin, e përkëdheli dhe i dha mbështetje.

Pejgamberi ynë, ne na donte më shumë sesa prindërit tanë. Ai gjithmonë mendonte edhe për ata që do të vijnë pas tij. Qe një vizionar shumë i madh. Të gjithë të dërguarit e mëparshëm e lutën Allahun për realizimin e disa nga nevojat e popujve të tyre, kurse Muhammedi (a.s.), lutjen e tij, e la për Ditën e Gjykimit, kur do të lutet për Ummetin e tij – pra për ne.

Askush nuk mund të pretendojë se e donë Pejgamberin (a.s.), gjersa ai nuk konsiderohet nga më të dashurit e tij, pra edhe më tepër sesa prindërit, bashkëshortët, fëmijët, madje edhe më tepër sesa vetveten. Ta duash Pejgamberin, në të vërtetë, do të thotë ta njohësh atë.

Ishte mishërim i përsosur i Kuranit famëlartë

Gruaja e tij, hz. Aishja, e kishte përshkruar si “Kurani i cili ec”. Ndërsa vetë Kurani famëlartë, për të thotë që është “rahmetun lil alemin”- mëshirë për të gjithë botët, “usvetun haseneh”- shembulli më i mirë, dhe “le ala hulukin adhim” – i krijuar me moralin më të përsosur.  

Ishte nga më të devotshmit, mirëpo, në të njëjtën kohë, e kuptonte edhe atë se të gjithë njerëzit nuk janë në gjendje të barabartë për t’i zgjeruar kufijtë e njohjes dhe të devotshmërisë. Se sa ishte tolerant dhe i butë ndaj të paditurve, flet edhe rasti i njërit nga beduinët, i cili kishte urinuar në xhami. Disa shokë të tij (as’habë) kishin filluar që ta kritikonin dhe kishin kërkuar që të dënohej, por i Pejgamberi ynë i dashur, me butësinë e tij, kishte insistuar që të mos pengohej beduini derisa ta mbaronte punën, e më pastaj, vetë e kishte pastruar vendin e papastër. Pas tërë kësaj, ai e këshilloi beduinin se gjërat e këtilla nuk lejohen të veprohen në xhami.

Shtëpinë e kishte të ndërtuar nga thuprat dhe balta, ndërsa hapësira e dhomave ishte aq sa mezi kishin mundësi të qëndronin dy vetë.

Flinte në një shilte të fortë, ashtu që, shenjat e rrjepjes së lëkurës, i vëreheshin në trup. I dëgjonte me vëmendje bashkëshortet dhe shokët e tij dhe nuk e kishte zakon që të pohonte se dinte më tepër se ta në çështjet që i përkisnin kësaj bote.

Ai ishte një shembull i përkryer sesi duhet jetuar, dhe jo vetëm për muslimanët, por edhe për tërë njerëzimin.

I dashur lexues, nëse sot do të takoheshe me Pejgamberin (a.s.), a do të kishte mundësi ai që, tek ti, të dallonte shenjat e pasuesit të tij?

Andaj, le të bëhemi sikur Pejgamberi ynë i dashur, Muhammedi (a.s.).

Përshëndetjet dhe salavatet më të plota dhe më të sinqerta tonat qofshin për më të mirin dhe më të dashurin tonë, Pejgamberin (a.s.).

Shqipëroi: