Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Shoqëria e mirë

Njeriu, për nga natyra është qenie sociale dhe vetminë e përjeton shumë keq. Ndëshkimi më i rëndë për një të burgosur është kur izolohet në një birucë, pa pasur mundësinë të kontaktojë me njerëz të tjerë. Duke qenë se njeriu është qenie sociale, ai ka nevojë për njerëz që e rrethojnë. Përveç familjarëve, të cilët luajnë rol të rëndësishëm në formimin e njeriut, ai ka nevojë dhe për shokë e miq. Ai ka nevojë për një mik apo shok të afërt, të cilit i rrëfehet për gjithçka, të cilit ia hap zemrën.
Po përse duhet të kemi shokë dhe miq të mirë, që të jetojmë të lumtur? Çfarë lidhjeje ekziston mes këtyre të dyjave?
Gjatë jetës, shpeshherë ne jemi të detyruar të sillemi ndryshe nga ç’jemi me të vërtetë, vëmë maska dhe e fshehim personalitetin tonë. Kjo jo për shkak të gjynaheve, por për shkak se njerëzit nuk të kuptojnë, për shkak se vetë jeta është ndërtuar e tillë. Një sjellje e tillë, fillon dhe bëhet e padurueshme për njeriun. Ka çaste, kur njeriu ka nevojë ta heqë maskën që mban me njerëzit e tjerë. Ai ka nevojë për një person, i cili ia bën të lehtë heqjen e kësaj maske. Jeta dhe komunikimi me maska, është shumë e vështirë. Ajo i ngjan ngjitjes dhe zbritjes nga një mal i lartë.
Për këtë, ne kemi nevojë për një mik dhe shok të ngushtë, prania e të cilit na bën t’i heqim të gjitha maskat. Një shok i cili na kupton, me të cilin konsultohemi për gjithçka, me të cilin ndihemi mirë, me të cilin udhëtojmë dhe jemi në harmoni, të cilit i rrëfejmë gjithçka, pa frikë se mund të na keqkupton. Pa dyshim që një mik e shok i tillë sjell lumturi e gëzim në jetën tonë.
Vallë a kemi shokë e miq të tillë? Sa janë ata?
Imam Shafiu thotë: “Vëllezërit më të dashur për zemrën time, janë ata me të cilët ndihem sikur jam me veten time.”
Imam Shafiu e ka thënë këtë para njëmijë vjetësh. Ndërkohë që sot më rastis që në librari të ndryshme të lexoj tituj librash si “Ji vetvetja”. Vetëm pasi lexova thënien e mësipërme të imam Shafiut e kuptova më mirë domethënien e këtyre librave.
Pjesa e dytë e thënies së imam Shafiut, është: “Kurse vëllezërit më të vështirë për mua, janë ata me të cilët detyrohem të shtirem dhe të shtiren, i rëndoj dhe më rëndojnë, ndihen në siklet me mua dhe ndihem në siklet me ta.”
A ke ndonjë shok e mik me të cilin ndihesh sikur je me veten tënde? A ke ndonjë shok me të cilin shëtit, konsultohesh, mirëkuptoheni, nuk ndiheni në siklet dhe i besoni gjithçka?
Të gjithë shokët që ke nuk i ke zgjedhur vetë, por i ke gjetur gjatë jetës, dikë e ke njohur në shkollë, dikë në punë, dikë në lagje e kështu me radhë. Në këtë temë, unë të kërkoj që për herë të parë të jesh ti ai që e zgjedh shokun.
Lidhur me shoqërinë, njerëzit klasifikohen në dy kategori: njerëz që nuk kanë shokë e miq, që për pasojë nuk ndihen të lumtur. Kurse kategoria e dytë, janë ata që kanë miq të shumtë. Këta krenohen se në faqen e tyre në facebook, kanë me qindra shokë e miq. Por, vallë a kanë qoftë dhe një prej tyre, me të cilin ndihen si me veten dhe i besojnë gjithçka?
Shoku dhe miku i vërtetë që synojmë në këtë temë, është ai me të cilin e heqim maskën tonë të përditshme. Nëse nuk e ke një shok të tillë, atëherë fillo e kërkoje.
Deri tani ne nuk kemi hyrë në një dimension tjetër të shoqërisë, në dimensionin fetar. Kjo, pasi mund të gjendet një shok me të cilin të të përputhet karakteri, beson në principet e tua dhe është i besueshëm, por që është në rrugë të keqe. A mund të ekzistojnë shokë e miq të tillë? Po. Me ta ndihesh mirë, ndani të njëjtat shqetësime, janë të besueshëm etj... por që janë në rrugë të keqe. Nëse zgjedh një shok të tillë, ti ke shpëtuar nga një moçalishte dhe ke rënë në një tjetër, ke fituar privilegje në këtë botë, por që shumë kollaj mund të humbasësh të mirat e botës tjetër. Prandaj, për shokun e kërkuar nevojitet dhe një kriter i tretë që është shumë i rëndësishëm, pa të cilin nuk realizohet lumturia e kësaj bote dhe e botës tjetër.
Nëse ke një shok me të cilin qëndron pa maskë, të cilin i beson gjithçka dhe është besimtar dhe njeri i mirë, ke arritur një nivel të lartë lumturie në këtë botë. Mos u mashtro nga një shok me të cilin ndihesh rehat, është i besueshëm, por nuk është besimtar dhe njeri i ndershëm. Njeriu ndikohet dhe influencohet shumë nga shokët dhe miqtë e tij. shprehja “Më thuaj me kë rri, të të them se kush je” është me vend dhe shumë e goditur. Nga vetë shokët me të cilët shoqërohesh, unë mund të dalloj se në çfarë niveli janë lidhjet dhe raportet e tua me Zotin, me familjen dhe nëse je i suksesshëm apo dështak në jetë. Një njeri sado i suksesshëm të jetë, nëse shoqërohet me dembelë e dështakë, si ata do të bëhet. Si mund të ketë sukses një njeri, i cili shoqërohet me persona, të cilët gjithë natën e kalojnë duke bredhur rrugëve, kurse ditën duke fjetur gjumë? Si mund të ketë lidhje të mira me familjarët një person, i cili shoqërohet me njerëz të cilët zihen çdo ditë me prindërit, vëllezërit e motrat? Si mund të shkojë mirë me prindërit, ai që i dëgjon shokët t’i thonë se nuk i pyet fare prindërit e tyre dhe nuk do t’ia dijë për ta? Fjalë të tilla nguliten në pavetëdijen tonë dhe shohim që edhe ne fillojmë të reagojmë në të njëjtën formë.
Shoqëria ndikon dhe influencon drejtpërdrejt edhe në lidhjet e tua me Zotin. Nëse ke shokë të cilët nuk falen, shumë shpejt edhe ti do të shkëputesh nga xhamia. Nëse një vajzë dëshiron të veshë hixhabin, por të gjitha shoqet e saj janë pa hixhab, e ka të vështirë ta marrë atë vendim. Nëse sheh fotot e miqve të dikujt në facebook, menjëherë e njeh se çfarë malli është.
Pa dyshim që është e vështirë të gjenden shokë, të cilët i plotësojnë tre kriteret e lartpërmendura. I këtij mendimi është dhe Umer ibnul Hattabi, i cili thotë: “Nëse dikush prej jush konstaton njëfarë miqësie te vëllai i tij, le të kapet fort pas tij, sepse miqtë janë të rrallë.”
Nëse miqtë kanë qenë të rrallë në kohën e Umerit, çfarë mund të themi për kohët tona? Megjithatë, nuk është diçka e pamundur. Siç e kemi cekur dhe më parë, lumturia është risk prej Zotit. E tillë është edhe shoqëria dhe miqtë e mirë. Përse të mos e lusim Zotin që të na prezantojë me shokë e miq të mirë? Lute Zotin në këtë çast që të njihesh me një shok të mirë dhe të ndershëm! Nxirre celularin në këtë çast, shtyp butonin ku ke regjistruar të gjithë emrat dhe shih cili prej tyre i përmbush tre kriteret për të qenë shoku yt. Ai/ajo, mund të jetë nga familjarët e tu, mund të jetë vëllai apo motra, mund të jetë një i afërt, mund të jetë komshiu yt.
Të gjithë ne kemi nevojë për një shok e mik të afërt, me të cilin të qajmë hallet, të heqim maskën e të ndihemi si me veten. Ti o motër ke nevojë për një shoqe, të cilës t’i hapësh zemrën, t’i besosh dhe të ndihesh mirë me të. Por nevoja për një shok/shoqe të tillë, duhet të mos na verbojë dhe të shoqërohemi me njerëz çfarëdo. Ne duhet të mos i harrojmë tre kriteret që lipsen për një shok të mirë.
Të rinjtë, si ato të shkollave të mesme, ashtu dhe studentët e universitetit, kanë nevojë të identifikohen me një shoqëri. Kjo nevojë, shpeshherë i shtyn të pranojnë çfarëdo shoqërie që u ofrohet. Më keq akoma, kjo nevojë i shtyn të pranojnë dhe veset e liga të shoqërisë, vese të cilat nuk ekzistonin në jetën e tyre dhe atë të familjes. Nëse ke shokë të tillë, më mirë distancohu prej tyre. Mos i kundërshto prindërit nëse të kërkojnë të distancohesh prej një shoqërie të tillë. Të mbetesh pa shokë, është më mirë se të shoqërohesh me njerëz të tillë.
Këtë temë unë e konsideroj si temën më të rëndësishme të gjithë kësaj serie temash, pasi i kam parë me sytë e mi sesi janë futur në rrugë të gabuar shumë të rinj për shkak të shoqërisë. Mos i besoni shejtanit kur u thotë: “Shoqërohu me filanin, por mos bëj si ai!” Kjo nuk është veçse një pusi dhe lak i shejtanit.
 
Shembull i shokut të keq
Ukbe ibnu Ebi Meit, ishte shok i ngushtë me Ebu Xhehlin, kundërshtarin për vdekje të profetit Muhamed (a.s.). Ajo që e dallonte nga kundërshtarët e tjerë mekas, ishte se Ukbe shkonte dhe dëgjonte ligjëratat e profetit Muhamed (a.s.). Fjalët e Profetit (a.s.) i kishin prekur zemrën dhe një natë, vendos që të nesërmen të shkojë dhe të pranojë Islamin. Duke qenë se Ebu Xhehli ishte shoku i tij, me të cilin ai diskutonte gjithçka dhe shfaqej pa maskë, vajti dhe i tregoi për vendimin që kishte marrë. Ebu Xhehli, me të dëgjuar qëllimin e mikut të tij, ia kthen me mllef: “Unë nuk të flas me gojë, derisa të shkosh tek Muhamedi dhe ta pështysh në fytyrë!” Pra, ai e vuri mes dy alternativave, ose miqësinë me të, ose Muhamedin (a.s.). Fatkeqësisht, Ukbe ibnu Meit, zgjodhi miqësinë me Ebu Xhehlin, e çoi në vend kërkesën e tij dhe vdiq si idhujtar në betejën e Bedrit. Ishte miku i tij ai që e tërhoqi drejt humbjes së sigurt në të dyja botët. A ke shokë të tillë, o vëlla? A ke shoqe të tilla, o motër? Nëse po, pashi Zotin largohuni prej tyre.
 
Shembulli i shokut të mirë
Umer ibnul Hattabi ka pasur një shok shumë të ngushtë, Ajash ibnu ebi Rebia. Kur myslimanët u urdhëruan të emigronin për në Medinë, Umeri u nis së bashku me shokun e tij, Ajashin. Ebu Xhehli dëgjoi që Ajashi ishte nisur për në Medinë dhe e ndoqi nga pas, deri sa i arriti dhe i tha: “O Ajash, kthehu te nëna jote se është betuar që do të rrijë në diell dhe nuk do të lahet e të pijë ujë deri sa të kthehesh ti.” Kur e dëgjoi Ajashi këtë, i tha Umerit se i duhej të kthehej për hatër të nënës, por Umeri ia ktheu: “O Ajash, për Zotin, nuk duan gjë tjetër, veçse të të kthejnë në fenë e parë dhe të lësh Islamin.” Me gjithë këmbënguljen e Umerit, Ajashi vendosi të kthehej në Mekë. Kur e pa Umeri që Ajashi ishte i vendosur që të kthehej, i tha: “O Ajash, meqë ke vendosur të kthehesh, merre devenë time! Kur të jesh gati për të ardhur, eja me të”.
Sa arriti Ajashi në Mekë, kurejshët e lidhën dhe nuk iu ndanë deri sa ndërroi fenë. Kur dëgjoi Umeri që shoku i tij më i ngushtë kishte lënë fenë islame, i erdhi shumë keq.
Kjo gjendje zgjati deri sa profetit ((a.s.).) iu shpall ajeti:
“Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (Zumer, 53)
Kjo e preku Ajashin dhe menjëherë i hodhi sytë devesë që i kishte lënë Umeri. Ajo ia zgjoi ndjenjën e besimit dhe të miqësisë me Umerin dhe ai mori rrugën për në Medinë.
Më thuaj kush janë shokët e tu, të të them se kush je, më thuaj kush janë miqtë e tu, të të them nëse Zoti është i kënaqur me ty apo jo, më thuaj kush janë shokët e tu, të të them nëse do të udhëzohesh apo jo.
Nëse gjer sot je shoqëruar me shokë të këqij, që tani hiq dorë prej tyre dhe kërko një shok të mirë. Lute Zotin që të të gjejë një shok të mirë. I thuaj që shoqërinë e vjetër e braktise për hatrin e Tij, prandaj të dërgojë një shok të ndershëm dhe të mirë, që i plotëson kriteret. Të jesh i sigurt që lutjet do të pranohen.
 
Shpërblimi i shoqërisë së mirë
Zoti ka caktuar shpërblim shumë të madh për njerëzit që shoqërohen me shokë të mirë. Kjo, pasi shoqëria na ndihmon të ruhemi nga veset e liga dhe devijimet.
Profeti (a.s.) ka thënë: “Ditën e Kiametit, rreth Arshit do të vendosen podiume prej drite, mbi të cilat do të qëndrojnë njerëz që kanë veshur rroba prej drite dhe fytyrat u ndriçojnë. Nuk janë as profetë, as dëshmorë. Vetë profetët dhe dëshmorët i kanë zili”. Shokët e Profetit (a.s.) e pyetën: “Kush janë këta, o Profet?” “Këta - tha - janë ata njerëz, të cilët e kanë dashur njëri – tjetrin për hatër të Zotit, jo për shkak të gjakut dhe të miqësisë, dhe as për shkak të pasurisë dhe të posteve. Për këtë, Zoti i bashkoi në një vend të tillë."
Nëse ti o motër, bën nijet që shoqërinë me filanen, ta kesh për hatër të Zotit, që ta ndihmoni njëra-tjetrën për të jetuar sipas ligjeve të Zotit në këtë botë, Ditën e Kiametit do të dilni së bashku mbi këto podiume drite. Kjo, edhe pse përkushtimi dhe ibadeti yt mund të ketë qenë më pak se i shoqes tënde.
Një burrë vajti tek Profeti (a.s.) dhe i tha: “O i dërguari i Allahut! Ka njerëz që i duan njerëzit e tjerë, por që nuk janë në të njëjtin nivel mirësie me ta.” Profeti (a.s.) buzëqeshi dhe ia ktheu: “Njerëzit do të ringjallen me njerëzit e tyre të dashur.” Shokët e Profetit (a.s.) nuk ishin gëzuar me hadith tjetër, siç u gëzuan me këtë hadith. Cilët janë njerëzit e tu të dashur, o vëlla dhe oj motër?
Profeti (a.s.) ka thënë: “Zoti do të të thërrasë Ditën e Kiametit: “Ku janë ata që e kanë dashur Zotin për hatrin Tim? Sot do t’i strehoj në hijen Time.”
Gjatë stinës së verës, për t’u shpëtuar rrezeve të nxehta të diellit, ne kërkojmë strehë nën hijet e pemëve. Dielli i kësaj bote nuk ka të krahasuar me diellin e Ditës së Kiametit dhe shpëtimi i vetëm do të jetë hija e Arshit të Zotit. Kërko dikë me të cilin do të strehohesh nën hijen e Arshit të Zotit.
Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dy persona duhen për hatër të Zotit, më i dashuri tek Zoti, është ai që e do shokun më shumë.”
Shok i mirë është ai që të ndihmon të forcosh lidhjet me Zotin, të forcosh lidhjet me familjen dhe të jesh i suksesshëm në jetë.
Profeti (a.s.) ka thënë në një hadith tjetër: “Kush vëllazërohet me një tjetër për hatër të Zotit, i jepet si shpërblim një gradë e lartë në xhenet, të cilën nuk mund ta fitojë me veprat e tij. Dallimi mes dy gradëve, është si dallimi mes qiellit dhe tokës.”
Këto hadithe dhe shpërblime janë ngaqë shoku i mirë është si mburoja e fortë, ai të mbron nga veset dhe devijimi. Nëse i beson kësaj, atëherë zgjidhi shokët dhe mos prano të shoqërohesh me këdo. Ti nuk ke mundur të pendohesh deri sot, sepse shokët nuk të kanë lënë. Ti o motër e ke pasur të vështirë të ndryshosh, për shkak të shoqërisë. Nëse e keni të vështirë të shkëputeni nga shoqëria, edhe pse nuk janë të mirë, të paktën shoqërohuni edhe me dikë që është njeri i mirë.
Më shumë se kujtdo tjetër, unë këto fjalë jua drejtoj vajzave dhe të rejave. Nuk ka vajzë që ka devijuar, që ka bërë gjynahe të rënda, që ka filluar duhanin etj... veçse ngaqë shoqet e saj e bënin diçka të tillë.
Profeti (a.s) ka thënë në një hadith tjetër: “Nëse një njeri e viziton vëllanë e tij mysliman, Zoti i dërgon një melek që i thotë: “Qofsh i bekuar, qoftë e bekuar ecja jote dhe qoftë i bekuar vendi yt në xhennet".
Të bekohesh nga një melek, do të thotë të kesh një jetë të lumtur në dynja. Gjëja më e bukur në xhenet, është se njerëzit që janë dashur në këtë botë, do të qëndrojnë në kolltukë përballë njëri-tjetrit.
Shokët e miqtë që e kanë dashur njëri-tjetrin në këtë botë, kur të hyjnë në xhenet, do të hyjnë grupe-grupe. Thotë Zoti në Kuran: “Ndërsa ata që i janë frikësuar Zotit të tyre, do të çohen grupe-grupe në Xhenet.” (Zumer, 73)
 
Çfarë të bëj që të gjej një shok të mirë?
1 - Bëj një listë të të gjithë shokëve, të miqve dhe të të njohurve. Mandej kaloji një për një dhe heto cili prej tyre ia vlen të bëhet shoku yt më i ngushtë. Shiko emrat që ke regjistruar në celular, apo miqtë që ke në facebook.
Shoqëria e mirë, gëzon një status të veçantë në Islam dhe vlerësohet aq shumë, saqë emërtohet “vëllazëria islame”. Nëse keni një shok/shoqe të cilin e vlerësoni shumë dhe i plotëson kriteret, pajtohuni që kjo shoqëri të jetë për hatër të Zotit dhe të shndërrohet në vëllazëri.
2 – Lute Zotin që të të bëjë risk një shok/shoqe të mirë.
3 – Ramazani është rasti më i mirë për t’u takuar dhe për t’u prezantuar me shokë të mirë, të cilët i gjen në xhami dhe në faltore. Gjithë shokët që ke pasur gjer tani, të kanë ardhur pa i kërkuar. Sakaq, shokët e mirë duhen kërkuar në vendet më të mira, aty ku adhurohet dhe përkujtohet Zoti.
E lusim Zotin të na ndihmojë të gjejmë shokë të mirë, që të na ndihmojnë në lidhjet me Zotin, me familjen dhe suksesin në jetë! Amin!
 


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free