Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Engjëlli dhe djalli

Në kohë të lashta, perandori i Romës, i kërkoi një piktori shumë të famshëm, që mbi portën e tempullit shpirtëror më të madh në vend, të pikturojë dy imazhe të kundërt dhe të ndryshëm. Ai i kërkoi që në njërën anë të pikturojë një engjëll, simbolin e pafajësisë dhe mirësisë, kurse në anën e kundërt imazhin e djallit, simbolin e të ligës.
Menjëherë piktori u vu në kërkim të burimit nga do të frymëzohej për pikturën e tij. Nuk pati shumë vështirësi për të gjetur një fëmijë të pafajshëm dhe shumë të bukur. Fytyra e tij rrezatonte dhe nga sytë i shquhej lumturia dhe gazi. Ai i kërkoi leje familjarëve të fëmijës që ta përdorë si burim frymëzimi për imazhin e engjëllit që do të pikturonte mbi portën e tempullit. Sigurisht, u premtoi dhe një shumë të kënaqshme në këmbim të këtij shërbimi. Një muaj më vonë, piktura ishte gati. Me pak ndërhyrje artistike, tabloja e përftuar doli shumë e bukur, saqë njerëzit filluan ta vizitojnë, pasi ishte një vepër e rrallë dhe e paparë gjer atëherë.
Pasi kishte përfunduar gjysmën e punës, piktori filloi kërkimet për të gjetur një person me pamje të shëmtuar dhe të frikshme, të përafërt me djallin. Nuk e pati aspak të lehtë, prandaj dhe ju deshën njëzet vite kërkim. Vetë perandori ishte në siklet pasi frikësohej se mos vdes piktori pa e përfunduar veprën e tij historike. Pikërisht për këtë, ai shpalli dhe një konkurs për fytyrën me të frikshme dhe më të shëmtuar. Personi që do të fitonte konkursin, do të shpërblehej me një shumë të majme.
Nga ana tjetër, piktori nuk la burg, spital mendor, han dhe vend ku tuboheshin kriminelët pa vajtur, në kërkim të njeriut djall, por të gjithë ata ishin njerëz dhe jo djaj.
Por, një ditë, krejt befasisht, piktori e gjeti më në fund njeriun djall. Ishte një burrë i keq që rrëkëllente herë pas here faqoren e tij me raki, i shtrirë sa gjerë gjatë në një qoshe hani, pranë stallës së kuajve. Piktori iu afrua dhe i tregoi mbi veprën e tij, duke i premtuar një sasi të kënaqshme parash dhe burri djall pranoi.
Pamja e tij ishte sa e shëmtuar dhe e frikshme, aroma që i lëshonte trupi të lemeriste, fliste me zë të lartë, tullac me disa tufa flokësh vende vende, kurse në gojë nuk kishte mbetur as dhe një dhëmb.
Lajmi se piktori e kishte gjetur njeriun e kërkuar, i mbërriti dhe perandorit, i cili u gëzua shumë, pasi do e shihte me sytë e tij veprën të përfunduar.
Pasi kishin filluar punën, teksa piktori vazhdonte punën e tij i dhënë totalisht pas saj, në një çast, vëren burrin djall të cilin iu shkëput një lot nga syu dhe i rrëshqiti mbi faqe. Ai e ndërpreu punën dhe gjithë habi e pyeti nëse dëshironte ndonjë cigare, apo të pinte ndonjë gotë raki.
Burri i shëmtuar iu përgjigj me një të qarë të mbytur:”Ti zotëri, më ke vizituar dhe më pikturove këtu e njëzet vite, kur isha fëmijë dhe i lezetshëm, për tu frymëzuar gjatë punës për të pikturuar një engjëll. Ndërkohë, sot po më përdor për të pikturuar djallin. Ditët dhe ndodhitë e vështira më kanë ndryshuar, në një njeriu që nuk njoh as veten.”
Mandej shpërtheu në të qara me dënesë dhe iu hodh në krahë piktorit.
Të dy, u ulën në gjunjë duke qarë...
Mu përballë pikturës së engjëllit.
Morali:
Çdo njeri që lind dhe vjen në këtë botë, vjen i bardhë dhe me natyrë të pastër. Prandaj, mos e ndot këtë natyrë të pastër me të cilën Zoti të solli në këtë botë! Kërkoji vetes llogari, para se të japësh llogari para Zotit!
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free