Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Historia e profetit Salih a.s

Me kalimin e viteve, njerëzit iu kthyen sërish adhurimit të shumë zotave e perëndive. Këtë herë, Zoti dërgon një profet tjetër të nderuar, profetin Salih a.s. Ai ishte arab dhe rridhte nga familja e Themudit. Emri dhe gjenealogjia e tij ishte Salih, biri i Ubej, biri i Isaf, biri i Mashif, biri i Ubejd, biri i Hadhir, biri i Themudit, biri i Ad, biri i Irem, biri i Sam, biri i Nuhut a.s. Themud, janë pasardhësit e Ad-it. Ata i kishin braktisur vendbanimet e tyre në Jemen dhe ishin vendosur në veri të  Gadishullit arabik. Ata banonin në një rajon që njihet me emrin Hixhr, emër të cilin e mban dhe një kaptinë e Kuranit. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:"Edhe banorët e Hixhrës (fisi Themud), i quajtën të dërguarit për gënjeshtarë." (Hixhr, 80)
Banorët e Hixhrës që përmenden në ajet, janë populli i Salihut a.s, themudi. Ata banonin në atë që sot njihen me emrin qytetet e Salihut a.s dhe që ndodhet në veri-perëndim të Medines, në Arabinë Saudite. Distanca mes Medines dhe këtij vendbanimi është 380 km. Artin e gdhendjes dhe skalitjes së shtëpive në shkëmbinj ata e kishin trashëguar nga Adi. Kështu, shtëpitë e tyre i kishin skalitur në shkëmbinj të mëdhenj. Thotë Zoti në Kuran:"Dhe me fisin Themud, që gdhendi shkëmbinjtë në luginë (për të bërë shtëpi)?" (Fexhr, 9)
"E njëjta gjë u ndodhi edhe fiseve Ad dhe Themud, gjë që ju është bërë e qartë prej (gjurmëve të) banimeve të tyre." (Ankebut, 38)
Vendbanimet e të dy këtyre popujve janë provë e qartë e ekzistencës dhe potencialeve që gëzonin. Të gdhendësh dhe skalitësh shkëmbinj gjigandë, patjetër që kërkon forcë, teknikë dhe mjeshtri. Thotë Zoti në Kuran:"Dhe sillni në mend, kur Ai ju bëri zëvendës pas fisit Ad dhe ju dhuroi vendbanime në Tokë; në rrafshinat e saj po ngrini pallate e në kodrina po gdhendni shtëpi. Kujtoni të mirat e Allahut dhe mos bëni çrregullime në tokë!” (Araf, 74)
Ashtu si populli i Adit, edhe populli i Salihut a.s ishte i rrethuar nga begatitë dhe mirësitë e Zotit. Për këtë, Ai ua kujtonte këtë fakt dhe u kërkonte të mos  bëhen mosmirënjohës me Zotin.
"Vallë, a mendoni ju, se do të mbeteni këtu të sigurt, në kopshtije e pranë burimeve, në ara me të lashta dhe palma hurmash me fruta të shijshme? Ju i gdhendni shtëpitë në male me mjeshtri të rrallë, andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua." (Shuara, 146-150)
Zoti i lartësuar u kishte dhënë shansin që të besonin dhe të zinin mend nga ajo që i kishte ndodhur popullit të Adit më parë, por ata refuzuan të besojnë dhe vazhduan në idhujtarinë e tyre.
Në një situatë të tillë, Zoti dërgon një profet nga mesi i tyre, Salihun a.s. Ai ishte ndër më të diturit e popullit, më i urti dhe i mençuri mes tyre. Të gjithë e kishin si referencë dhe këshilloheshin për çështje të ndryshme. Kjo, para se Zoti ta dërgojë si profet. Veç kësaj, Salihu a.s i përkiste një familjeje të fisme dhe të gjithë shpresonin dhe uronin që të ketë të ardhme të ndritur. Por kur profeti Salih a.s, u kërkoni të besonin dhe të adhuronin një Zot të vetëm dhe të vërtetë, refuzuan. Ata i thanë:"Ata thanë: “O Salih! Ti ke qenë i nderuar mes nesh dhe shpresa jonë para kësaj (fjale). A mos vallë po na ndalon ta adhurojmë ato që i kanë adhuruar prindërit tanë? Vërtet, ne jemi në mëdyshje për thirrjen tënde”. (Hud, 62)
Salihu a.s vazhdoi t'i ftojë në besim dhe t'i këshillojë me fjalë të buta dhe plot dashamirësi. Ai u thoshte:“O populli im”, - u tha ai - “adhuroni vetëm Allahun. Ju s’keni zot tjetër përveç Atij! Ai ju krijoi nga toka dhe ju vuri të jetoni në të; andaj, kërkoni falje nga Ai dhe kthehuni me pendim tek Ai! Pa dyshim, Zoti im është afër dhe u përgjigjet (lutjeve)." (Hud, 61)
Kjo ishte thirrja dhe mesazhi i të gjithë profetëve, drejtuar popujve të tyre.
"(Salihu) tha: “O populli im, përse ju e dëshironi të keqen para së mirës?! Përse nuk kërkoni nga Allahu falje (të gjynaheve) që të mund të mëshiroheni?!” (Neml, 46)
"..andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua, dhe mos dëgjoni urdhrat e atyre që e teprojnë në të keqe e të cilët bëjnë ngatërresa në Tokë e nuk sjellin përmirësim”. (Shuara, 150-152)
Megjithatë, populli i tij vazhdonte të refuzojë dhe të mos besojë. Akoma më keq, filluan ta akuzojnë për gënjeshtar, mendjemadh dhe magjistar. Këto i përmend vetë Zoti i lartësuar në Kuran ku thotë në disa ajete:
"Vallë, vetëm atij mes nesh t’i dërgohet Shpallja? Jo, ai është gënjeshtar mendjemadh!” (Kamer, 25)
"Ata thanë: “Ti je vetëm një i magjepsur!" (Shuara, 153)
Kurse atyre që e besonin Salihun a.s, ata u thonin:"Ata që ishin kryelartë, thanë: “Ne nuk besojmë në atë që besoni ju”. (Araf, 76)
Situata vazhdoi të tensionohej, saqë filluan t'i kërkojnë Salihut a.s mos u dalë para sysh. Ata i thanë:
"Ata thanë: “Ne kemi ogur të keq prej teje dhe atyre që janë me ty”. Ai u tha: “E mira dhe e keqja është prej Allahut. Në të vërtetë, ju jeni popull i vënë në sprovë”. (Neml, 47)
Salihu a.s u tha:“O populli im, mendoni pak! Nëse Zoti im më ka dhënë provë të qartë nga Vetja dhe mëshirë, kush do të më mbrojë nga dënimi i Allahut, nëse nuk e dëgjoj?! Ju (me këtë) mua do të më shtonit vetëm humbjen." (Hud, 63)
"Njerëzit i thanë: Ti je vetëm një njeri ashtu si ne, andaj na sill një mrekulli,nëse ajo që thua është e vërtetë!” (Shuara, 154)
 
Mrekullia e devesë
Veçse i kërkuan një mrekulli, ata filluan të caktojnë kritere dhe kushte. Dikush i tha:"Duam që ky shkëmbi i madh, të çahet dhe që atje të dalë një deve." Dikush tjetër, duke dashur të tallet me Saliun shtoi:"Veç kësaj, deveja duhet të jetë mbarsë dhjetë muajsh." Një tjetër, tha:"Duhet të ketë ngjyrë të kuqe." Një i pestë shtoi:"Duhet të ketë shumë lesh." Një i gjashtë tha:"Duhet të jetë shumë e madhe, saqë të mos ketë deve tjetër aq të madhe." Një i shtatë tha:"Ajo duhet të jetë aq e madhe, saqë një ditë të pijë ujin një dite nga burimi, kurse ne të pimë ditën tjetër."
Salihu a.s u tha:"Nëse Zoti e sjell këtë mrekulli, a do të besoni?" Ata u përgjigjën:"Sigurisht që do të besojmë." Salihu u tha:"Grumbulloni njerëzit atëherë!"
Ditën e caktuar, u grumbulluan të gjithë njerëzit. Salihu a.s e luti Zotin e lartësuar dhe në një çast, toka dridhet fort, çahet shkëmbi para syve të tyre dhe që andej del deveja më e madhe që kishin parë në jetën e tyre. Ishte aq e madhe, saqë uji që pinte ajo e vetme, i mjaftonte një fshati të tërë. Ajo ishte mbarsë në muajin e dhjetë, gati për të pjellë. Gjithashtu, ajo përmbante të gjithë kriteret që kishin caktuar njerëzit. Ajo nuk ishte një deve që kishte lindur nga një çift tjetër devesh, por ishte një deve e krijuar nga vetë Zoti. Cilësia më sublime e saj, ishte se ishte deveja e Zotit. Thotë Zoti në Kuran:"O populli im! Kjo është deveja e Allahut, shenjë e qartë për ju, prandaj lëreni të kullosë në tokën e Allahut dhe mos i bëni ndonjë të keqe, se ju godet ndëshkimi menjëherë”. (Hud, 64)
Veç të tjerash, Salihu a.s u kërkoi:"Ai tha: “Ja, kjo është një deve. Ajo do të ketë radhën e saj për të pirë, ashtu si edhe ju, në ditë të caktuara. Mos i bëni kurrfarë të keqeje asaj, se do t’ju godasë dënimi i një Dite të madhe!" (Shuara, 155-156)
Nëse devesë i ndodh diçka e keqe prej jush, dijeni se do të ndëshkoheni prej Zotit. Thotë Zoti i lartësuar:"
"Ne po u dërgojmë devenë për t’i sprovuar, andaj ti (o Salih) priti ata dhe bëhu i durueshëm! Dhe lajmëroji ata se uji do të ndahet ndërmjet tyre e devesë dhe çdo vakt do të shihet me rend!” (Kamer, 27)
"I dërguari i Allahut (Salihu), u tha atyre: “Kjo është deveja e Allahut! Lëreni atë të pijë pjesën e vet!” (Shems, 13)
Kur e panë me sytë e tyre këtë mrekulli, e cila u erdhi sipas kërkesës, njerëzit u ndanë në dy grupe: Shumica e përgënjeshtruan dhe nuk i besuan Salihut. Kurse grupi i dytë, të cilët përbënin një pakicë, besuan.
"Ne u patëm dhënë shenjat Tona, por ata shmangeshin prej tyre." (Hixhr, 81)
"Ne i dhamë fisit Themud devenë si shenjë të qartë, por ai u soll keq me atë." (Isra, 59)
Deveja ishte një mrekulli të cilën e panë me sytë e tyre, mund ta preknin dhe jetuan bashkë me të për një kohë. Aty nuk kishte vend për dyshime apo për pretendime se u është bërë magji. Ata e shihnin çdo ditë devenë. Ujin e kishin të ndarë me devenë, një ditë ajo e pinte të gjithë ujin e burimit dhe një ditë mbushnin dhe pinin njerëzit. Pas njëfarë kohe, ajo polli një deve të vogël, e cila i ngjante të ëmës në çdo detaj dhe imtësi. Njerëzit e milnin devenë dhe e pinin qumështin e saj.
"Ne i dhamë fisit Themud devenë si shenjë të qartë, por ai u soll keq me atë. Ne dërgojmë shenja vetëm për t’i frikësuar njerëzit." (Isra, 59)
Ndërkohë, edhe pse e shihnin dhe jetonin me devenë dhe pasojat e saj, shumica e njerëzve nuk besuan. Njerëzit pinin ujë nga burimi dhe mbushnin një ditë, kurse ditën tjetër pinte dhe furnizohej deveja. Kur deveja pinte ujë nga burimi, njerëzit e milnin dhe qumështi i saj u mjaftonte të gjithëve.
 
Therja e devesë
Paria dhe elita e qytetit, u mblodhën një ditë dhe e shqyrtuan dhe një herë çështjen e devesë dhe të Salihut. Ata shprehën shqetësim se mos vallë njerëzit besonin dhe i shkonin pas Salihut. Dikush ngriti si shqetësim dhe faktin që një ditë të tërë, njerëzit nuk mund të mbushnin ujë nga burimi, pasi ajo ditë i përkiste devesë dhe pjellës së saj. Një i tretë, tha se deveja ishte shumë e frikshme për kafshët e tjera, të cilat me ta parë merrnin arratinë. Pas një diskutimi të nxehtë, ranë në ujdi që ta heqin qafe devenë bashkë me pjellën e saj. Për realizimin e këtij plani dashakeq, ata zgjodhën një nga banorët e qytetit, i cili njihej me emrin Kudar. Nuk ishte vetëm Kudari ai që e vrau devenë, por ishin të gjithë ata që nuk besuan Salihun a.s. Të gjithë u pajtuan dhe ranë në ujdi për ta vrarë. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:
"Por ata thirrën shokun e tyre, i cili e mori dhe e theri. Eh, sa i tmerrshëm qe dënimi Im pas paralajmërimeve të Mia!" (Kamer, 29-30)
Thotë profeti Muhamed a.s lidhur me Kudarin:"Ai është njeriu më i keq nga ata që kanë kaluar."
Këtë fakt e përmend dhe Zoti në suren Shems, ku thotë:"kur u ngrit më i keqi i tij (për të therur devenë)." (Shems, 12)
Kudar, këtë çështje vajti dhe e pleqëroi me një mikun e tij të ngushtë. Të dy ranë në ujdi që ta pleqërojnë dhe me shokët e tyre me të cilët pinin alkool. Pasi e diskutuan dhe me ta, numri arriti në nëntë dhe të gjithë vendosën të bëhen pjesëtarë në këtë krim.  Veç kësaj, vajtën tek njerëzit dhe banorët e tjerë, të cilëve u kërkuan të pajtoheshin me këtë plan. Të gjithë njerëzit i përkrahën dhe u bënë palë me ta.
"Në qytet kishin qenë nëntë vetë që bënin ngatërresa e nuk vinin rregull." (Neml, 48)
Këtyre nëntë të rinjve, mendja u punonte vetëm për prapësira dhe paudhësi.
Thotë profeti Muhamed a.s:"kur u ngrit më i keqi i tij (për të therur devenë)." U ngrit për ta therur devenë një burrë i parisë, i fuqishëm, që gëzonte mbështetje dhe mbrojtje dhe nga familje e njohur."
Këta të nëntë, u vunë menjëherë në ndjekje të devesë, për ta hequr qafe. çdo ditë, ajo dilte nga shkëmbi, shkonte pinte ujë dhe kthehej sërish në shkëmb, bashkë me të voglin e saj. Ata i dolën në rrugë dhe e priten derisa të dalë dhe të kalojë aty pranë. Kur deveja u afrua, Kudar i urdhëroi shokët ta sulmojnë. Por kur u afruan dhe dalluan trupin e saj të lartë dhe të madh, u frikësuan dhe ia mbathën. Kudar u shkri gazit nga kjo skemë. Menjëherë, ai iu afrua e goditi në këmbë me shpatë dhe deveja u shemb përtokë.
"Por ata nuk i besuan atij dhe e therën atë. Prandaj Zoti i tyre i shkatërroi të gjithë për gjynahet e tyre, nga i pari tek i fundit, pa pasur frikë prej pasojave të kësaj." (Shems, 14-15)
"Kështu, ata e therën devenë pa e përfillur urdhrin e Zotit të tyre dhe thanë: “O Salih, sillna atë që na ke premtuar, nëse je vërtet i dërguar!” (Araf, 77)
I vogli i devesë, duke parë atë që i ngjau të ëmës, u largua me vrap i frikësuar. Kudari me shokët e tij iu vunë pas dhe e rrethuan. Deveja e vogël pëlliti fort tre herë, pastaj e vranë.
Kur e morën vesh këtë lajm, banorët u grumbulluan dhe ia shtruan gostisë me mishin e dy deveve. Kështu, të gjithë u bënë pjesëmarrës në këtë krim të rëndë, përveç atyre që kishin besuar.
Kur e dëgjoi lajmin Salihu a.s, vajti me vrap dhe i gjeti gjithë njerëzit duke ngrënë nga mishi i devesë dhe pjellës së saj. Ai u tha:"Por ata e therën dhe ai tha: “Jetoni në shtëpitë tuaja edhe tri ditë! Ky është premtimi i vërtetë”. (Hud, 65)
Vetëm tre ditë dhe të gjithë ju do të shkatërroheni një herë e mirë. Njerëzit u grumbulluan dhe filluan të diskutojnë mbi Salihun a.s. Ai i kishte paralajmëruar dhe kjo i kishte shqetësuar. Dikush, propozoi që ta vrisnin Salihun dhe të gjithë ata që i besonin. Kështu, tani filloi komploti për vrasjen e profetit të Zotit, Salihut a.s. Thotë Zoti në Kuranin fisnik:"Në qytet kishin qenë nëntë vetë që bënin ngatërresa e nuk vinin rregull. Ata i thanë (njëri-tjetrit): “Betohuni në Allahun se natën do ta vrasim atë me gjithë familjen e tij. Pastaj do t’u themi të afërmve të tij se ne nuk kemi qenë të pranishëm në zhdukjen e familjes së tij dhe se po themi të vërtetën.” (Neml, 48-49)
Menjëherë ata u nisën drejt shtëpisë së Salihut a.s, për ta vrarë atë bashkë me besimtarët e tjerë dhe për t'ia rrënuar shtëpinë. Thotë Zoti në Kuran:"
"Dhe kurdisën një kurth, por Ne u ngritëm një grackë, pa e ndier ata. Tani shiko se si ka qenë fundi i ngatërresave të tyre. Ne i shkatërruam ata të gjithë dhe popullin e tyre." (Neml, 50-51)
Kështu, të parët që Zoti dënoi ishte këta të nëntë. Toka ku ndodheshin u lëkund, shkëmbinj u shkëputën nga lart dhe u ranë mbi kokë, duke i lënë në vend të vdekur.
"Ne i shkatërruam ata të gjithë dhe popullin e tyre. Ja shtëpitë e tyre të rrënuara, për shkak të këqijave që bënin. Sigurisht që këtu ka këshillë për njerëzit që dinë." (Neml, 51-52)
Natën që Zoti i ndëshkoi nëntë të rinjtë që therën devenë, Salihu a.s bashkë me besimtarët ishin larguar nga qyteti. Ditën e parë të paralajmërimit, njerëzit u gdhinë me një pamje të çuditshme. Të gjithë fytyrat e tyre ishin të zverdhura. Kjo ishte shenja e parë që dënimi ishte i vërtetë dhe po afrohej. Ditën e ditë, kur u gdhinë në mëngjes, fytyrat e tyre ishin të skuqura. Kurse ditën e tretë, fytyrat ishin të nxira. Ata qanin, mjeroheshin dhe vajtonin. Duke qenë të sigurt për atë që i priste, filluan të hapin dhe varret e tyre. Në fund, erdhi dënimi i cili nuk ishte vetëm një, siç i ndodhi popullit të Nuhut a.s dhe Adit. Dënimi ishte i shumëllojshëm, sepse atyre u erdhi mrekullia ashtu siç e kërkuan dhe e përgënjeshtruan. Fillimisht, dënimi filloi me lëkundje të forta të tokës. Kjo i bëri të bien në gjunjë. Pastaj filluan rrufetë dhe në fund, u mbyll me një britmë të fortë, e cila i vrau të gjithë. Thotë Zoti në Kuran:"Por, ata e përgënjeshtruan atë, prandaj i goditi një tërmet i tmerrshëm e si pasojë u gdhinë në shtëpitë e tyre të vdekur e të gjunjëzuar." (Ankebut, 37)
"Edhe te fisi Themud (ka mësim), kur iu tha anëtarëve të tij:“Kënaquni njëfarë kohe!” Ata u treguan mendjemëdhenj ndaj urdhrave të Allahut, pastaj i goditi rrufeja, ndërsa e shihnin, por nuk mundën as të ngriheshin, as të mbroheshin prej dënimit." (Dharijat, 43)
"Kurse ata që bënë të këqija, i kaploi një zë i tmerrshëm dhe në shtëpitë e tyre u gdhinë të vdekur e të palëvizshëm. sikur nuk kishin jetuar kurrë në to " (Hud, 67)
"Ne dërguam mbi ta një ulurimë të vetme e ata u bënë si sana e copëtuar në pleme." (Kamer, 31)
Të gjithë banorët e qytetit vdiqën nga ky ndëshkim hyjnor, përveç profetit Salih a.s dhe besimtarëve të tjerë.
"E, kur erdhi urdhri Ynë, Ne - me mëshirën Tonë, e shpëtuam Salihun bashkë me besimtarët e tij nga poshtërimi i asaj dite. Me të vërtetë, Zoti yt është i Forti dhe i Plotfuqishmi." (Hud, 66)
Mbejtjet e vendbanimeve të Themudit vazhdojnë të ekzistojnë deri në ditët tona. Kushdo që kalon nga veri-perëndimi i qytetit Medine në Arabinë Saudite, mund t'i shohë me sytë e tij. Ato njihen me emrin Medain Salih (qyteti i Salihut).
"Ja shtëpitë e tyre të rrënuara, për shkak të këqijave që bënin. Sigurisht që këtu ka këshillë për njerëzit që dinë." (Neml, 52)
Me qëllim që të mos ketë kush fije dyshimi mbi historinë për të cilën flasim, Zoti i la vendbanimet e tyre si argument dhe fakt i asaj që ndodhi.
Salihu a.s u largua bashkë me besimtarët e tjerë. Gjatë largimit, ai tha:"Ai u largua prej tyre dhe tha: “O populli im! Unë ju solla mesazhin e Zotit tim dhe ju këshillova, por ju nuk i donit ata që këshillojnë”. (Araf, 79)
Bashkë me besimtarët e tjerë, Salihu a.s u vendos përfundimisht në Palestinë, në qytetin Remla. Ai vdiq dhe u varros atje.
Gjatë rrugës për në betejën e Tebukut a.s, ushtria e Profetit a.s kaloi pranë qytetit të Salihut. Pararoja e ushtrisë, kishin mbushur ujë nga puset e tyre dhe në disa prej enëve që kishin gjetur, kishin zënë brum për bukë. Kur arriti Profeti a.s, i urdhëroi ta derdhin ujin që kishin mbushur nga ato puse, të thyenin enët që kishin marrë dhe ta hidhnin ushqimin që kishin gatuar me atë ujë dhe në ato enë. Në një hadith të transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, Profeti a.s thotë:"Mos kaloni pran këtyre të ndëshkuarve, veçse duke qarë."
Nëse dikush vjen pranë këtij qyteti, nuk duhet ta sodisë siç sodit mbetjet romake dhe të civilizimeve të tjera. Në vende të tilla, vihet për të kujtuar fuqinë e Zotit të lartësuar dhe dënimin e tij që u demonstrua mbi këtë popull. Në një transmetim tjetër, Profeti a.s thotë:"Nëse nuk qani dot, atëherë bëni sikur qani."
"Me të vërtetë, fisi Themud mohoi Zotin e tij. Qoftë larguar (nga mëshira e Zotit) fisi Themud!" (Hud, 68)
Kjo ishte historia e popullit Themud me profetin e tyre Salihun, histori e cila përmendet në Kuran mbi njëzet e gjashtë herë.
 

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free