Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

NJERËZIT QË I DO DHE ATA QË I URREN ALLAHU

Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Tre gjëra të shkatërrojnë, tre të tjera të shpëtojnë, tre të tjera t`i falin gjynahet e tre të tjera t`i lartësojnë gradat
Fjalët e profetit (a.s) ishin të shkurtra, por me kuptim të madh. Në 4-5 minuta ai shprehte atë, që ne nuk i shprehim dot me vite të tëra, sepse ai ka pasur një nga mrekullitë që në pak fjalë shprehte shumë kuptime. Le t`i analizojmë një nga një fjalët e profetit (a.s).
Hadithi fillon me fjalët: “Tre gjëra të shkatërrojnë
1- Çdo njeri e ka një pjesë koprracie në zemrën e tij, por kur koprracia arrin në atë gradë që njeriu as vetë nuk jep as nuk i lë të tjerët të japin, duke thënë: “Këtë nuk e meritojnë, e di unë se ku i shpenzojnë paratë këta njerëz” dhe e bën të gjithë këtë vetëm e vetëm që njerëzit të mos japin lëmoshë. Kur ta shohësh këtë cilësi tek një popull, dije se atij populli po i vjen shkatërrimi. Aty ku ka koprraci, mund të ketë para, por nuk ka bereqet e as harmoni dhe njeriu nuk e shijon atë që ka në dorë, sepse një pjesë e njerëzve vuajnë dhe ky nuk do t`ia dijë për këta njerëz që vuajnë. Kjo është cilësia e parë që e shkatërron njeriun.
2- Çdo njeri ka dëshira dhe qejfe. Sikur të gjithë të zbatonim gjithçka që vjen në kokën tonë, do të ishim bërë më të ligj se shejtani. Ka njerëz që qejfin e tyre e kanë për zot. Prindi thotë diçka, kurse fëmija pëlqen diçka tjetër dhe nuk do t`ia dijë. Fatkeqësisht sot një pjesë e madhe njerëzish, jo vetëm të rinj por edhe të vjetër i sheh që nuk drejtohen nga Zoti, nuk kanë frikë nga vdekja, por rendin pas pasioneve të tyre, a thua se janë adoleshentë e jo burra nga 70 vjeç, të cilët vdekja i thërret çdo mëngjes e mbrëmje. Kur ta shohësh njeriun që i shkon pas qejfeve të tij, kij frikë nga ai njeri. Qejfe kemi të gjithë por besimtari e frenon veten e tij dhe thotë: “Kjo është dëshirë, por Zoti dëshiron diçka tjetër”.
3- Kur të shikosh se çdo njeriu i pëlqen mendja e vet, pra është mendjemadh, atij njeriu po i vjen shkatërrimi. Kur të shohësh se dikush thotë: “Unë jam më i miri, unë i di të gjitha, kur e nxjerr veten të pastër, ndërsa akuzon të tjerët, kur tregon vetëm të mirat e vetes së tij dhe tregon gjynahet e të tjerëve, dije se ai njeri e ka shumë afër shkatërrimin e vetes së tij. Në mënyrë të ngjashme, nëse shikon një popull, që shkon pas çdo dëshire që i vjen nëpër mend, dije se këtij populli po i vjen shkatërrimi. Të parët tanë ishin njerëz, që nuk e lavdëronin veten. Kur e shikonin se po i kap mendjemadhësia, e ulnin menjëherë ballin në tokë, madje ka pasur edhe prej atyre që merrnin dhe` dhe e hidhnin në kokë. Umer Ibn Hattabi (r.a) i thirri njëherë njerëzit në xhami. Njerzit u habitën ngaqë nuk ishte ditë e xhuma, por sidoqoftë erdhën. Umeri (r.a) hipi në minber dhe tha: “O njerëz! Ky njeri që shihni (e kishe fjalën për veten e tij) dikur ka ruajtur delet për një fitim të paktë, dilte në mëngjes, bënte dru dhe i sillte me gomar në darkë. Ky ka qenë Umer Ibn Hattabi”. Pasi tha këto, Umeri (r.a) zbriti nga minderi. Njerëzit e pyetën: “O prijësi i besimtarëve pse i the ato fjalë, pse e ule veten në atë formë”? Umeri (r.a) tha: “Kur isha në shtëpi më hipi vetja në qejf dhe më tha: “O Umer ti je prijësi i besimtarëve, ti je më i miri i të gjithë njerëzve”, prandaj desha ta shtyp nefsin tim”. Zoti na ruajt nga mendjamadhësia, se sot as fëmijës së vogël nuk ia mbush dot mendjen, se i duket se është më i zgjuar nga të gjithë.
Vazhdon hadithi i profetit (a.s): “...tre gjëra të shpëtojnë
1- Kur ta shohësh njeriun që është i drejtë në gëzim e në hidhërim, dije se këtë njeri do ta mëshirojë e do ta falë Zoti i gjithësisë. Kur i kemi punët mirë e kur kemi gëzim, e mbajmë drejtësinë, por shiko nëse njerëzit mbajnë drejtësi atëherë kur u bëhet zullum. Shikoje njeriun nëse bën drejtësi me armikun. Nëse ai mban drejtësi me mikun dhe me armikun, dije se Zoti i ka dhënë këtij njeriu një cilësi shumë të madhe e ajo është drejtësia. Pranoje të mirën edhe kur vjen nga armiku yt dhe thuaji: “Bravo të qoftë për këtë”, megjithëse mund të ketë 99 të zezat për diçka tjetër. Pra ji i drejtë në gëzim e në hidhërim.
2- Ekuilibri në pasuri dhe në varfëri. Njeriu duhet ta ruajë ekuilibrin kur është i varfër, e të mos ankohet tek dikush për Zotin, por të mundohet ta ruajë nderin e tij. Nga ana tjetër edhe kur është i pasur, duhet të ruajë mesataren e të mos abuzojë.
3- Kur ta shohësh se njeriu ka frikë Zotin edhe kur është në publik edhe kur është në vetmi, dije se ky njeri është nga të shpëtuarit. Të gjithë në publik jemi burra të mirë, të gjithë e përmendim Zotin, por besimtari dallohet nga njerëzit e tjerë, sepse e ka frikë Zotin edhe kur është me ta edhe kur është fare i vetëm. Pra tre gjëra e shpëtojnë njeriun: kur është i drejtë në gëzim e në hidhërim, kur është mesatar në pasuri e varfëri, kur ka frikë Zotin në publik e në vetmi.
Hadithi vazhdon: “...tre gjëra t`i falin gjynahet
1- Pasi fal namazin, njeriu nuk fluturon nga dera e xhamisë, por rri pak, madje nëse ka mundësi e pret edhe namazin tjetër. Atij personi Zoti ia fal të gjitha gjynahet që kanë kaluar. Është bërë zakon, që sapo mbaron namazi, të gjithë turremi për të dalë jashtë xhamisë. Le ta heqim një zakon që nuk është i hijshëm. Kush ka punë le të dalë, por nëse del le ta përmendë Zotin rrugës dhe të mos vrapojë për të dalë nga xhamia, a thua se po del nga burgu. Kur ta shohësh njeriun që pret namazin tjetër pasi ka falur një namaz, dije se Zoti ia ka falur gjynahet.
2- Kur ta shohësh njeriun që merr abdes në ditë të ftohtë, për çdo pikë uji ku arrin abdesi i tij, Zoti ia fal gjynahet. Kur njeriu ngrihet nga shtrati, atëherë kur të gjithë e pëlqejnë gjumin, pastaj megjithëse është ftohtë, ai merr abdes dhe përgatitet për namaz, Zoti jo vetëm që ia fal gjynahet atij, por qesh dhe kënaqet me atë person.
3- Kur ta shohësh njeriun që i hedh hapat drejt xhamisë për t`u falur me xhemat, dije se këtij njeriu po ia fal Zoti të gjitha gjynahet që kanë kaluar.
Hadithi përfundon me këto fjalë: “...tre gjëra të lartësojnë në gradë
 1- Kur njeriu jep ushqim dhe është bujar jo vetëm me mikun, se ndonjëherë abuzojmë dhe shpërdorojmë duke u dhënë miqve tanë, por bujaria duket kur i jep edhe fukarait, kur i jep edhe atij që nuk ta do zemra.
2- Kur ta shohësh se njeriu përhap selamin me gojë e me vepra. Të japësh selam me vepra, do të thotë të jesh njeri i butë dhe të tjerëve të mos u vijë e keqja as prej gjuhës tënde, as prej punëve të tua.
3- Kur ta shohësh që njeriu fal namazin natën e të tjerët janë në gjumë, dije se këtë njeri po e lartëson Allahu (xh.sh).
Zoti na ruajt nga punët që të shkatërrojnë sevapet e të shkatërrojnë jetën. Zoti na mundësoftë të bëjmë ato punë, që i falin gjynahet dhe që na lartësojnë në këtë botë dhe në botën tjetër.
A M I N


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free