Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

URTËSIA E KRIJIMIT TË QENIEVE TË GJALLA

Madhëroje larg të metave Zotin tënd, më të lartësuarin! I cili krijoi dhe përsosi. Dhe i cili përcaktoi e orientoi”. (El A'ëla. 1-3)
 
- Deveja - Allahu i madhërishëm thërret njerëzit të shikojnë me vëmendje dhe në mënyrë studioze krijimin e devesë, e cila është specifike edhe për diturinë e sotme, siç bën aluzion verseti i Kur'anit fisnik:
"A nuk i shikojnë devet se si janë krijuar?". (El Gashjje. 17)
Deveja është kafsha më e rëndësishme për beduinët. Nga ajo marrin qumështin dhe mishin. Ajo është burimi i tyre kryesor për jetë. Deveja ka edhe disa specifika që nuk i kanë kafshët e tjera. Ajo është e fuqishme, e përulur dhe e dëgjueshme. Mbajtja e saj kushton pak. Nga të gjitha kafshët, ajo e përballon më së lehti etjen, urinë, ngarkesën që mbart mbi vete dhe kushtet e vështira klimatike të shkretëtirës.
Me rastin e stuhive në shkretëtirë, kur ngritet një masë e madhe pluhuri, devetë kanë një sistem te veçantë mbrojtës të shqisave të tyre. Sytë e tyre kanë kapakë të dyfishtë, kurse vrimat e hundës kanë një cipë mbrojtëse. Shpejtësia me të cilën ecën deveja arabe është mjaft e madhe. Ajo mund të vrapojë me shpejtësi 13-16 km/h.


Devetë mund të jetojnë duke u ushqyer me ato bimë të cilat do t'i refuzonte çdo kafshë tjetër, psh. bar i thatë, ferra, shkurre etj. Kur ushqehen mirë, devetë akumulojnë dhjamë dhe e shtresojnë në xhungën e tyre. Kjo ua bën të mundur t'i bëjnë ballë etjes për një kohë të gjatë. Me anë të oksidimit të dhjamit, ato e kompensojnë edhe mungesën e ujit. Devetë mund të qëndrojnë kështu deri në 17 ditë pa ujë. Ato dehidrojnë ngadalë dhe mund të humbin deri në 25% të peshës së tyre për shkak të dehidrimit, pa pasur pasoja për shëndetin. Ato mund të rikthejnë gjendjen e mëparshme vetëm për disa minuta, duke pirë deri në 100 litra ujë përnjëherë.
Të vegjlit i lindin pas gjestacionit 12-14 muajsh. Ata thithin të ëmën një vit, kurse pjekurinë e arrijnë në moshën 10-12 vjeçe, ndërsa jetojnë 30-40 vjet.
Shkencëtari A. Crassy Morrison, kryetar i Akademisë së Shkencave të Nju-Jorkut, në librin e tij "Njeriu nuk u krijua nga vetvetja" (El insan la jekumu vahdehu), thotë: "Shpezët shtegtarë kanë instinktin për t'u kthyer në vendlindjen e tyre. Këtë e kanë edhe pëllumbat e postës. Bleta e gjen kosharen e vet pa marrë parasysh kushtet klimatike. Shqiponjat kanë sy teleskopikë më të përsosur se teleskopi që e ka ndërtuar njeriu. Dhe një enigmë e madhe për njeriun janë ngjalat. Këto krijesa të çuditshme, kur rriten, dalin nga lumenjtë dhe liqenet dhe kalojnë me mijëra milje nëpër oqeane, për të arritur në pjesët e thella oqeanike në jug të Bermudeve. Aty i lëshojnë vezët dhe vdesin. Të vegjlit kthehen po nëpër atë rrugë deri te vendi ku kanë jetuar më parë nënat e tyre. Ato i përballojnë rrymat e fuqishme, stuhitë e ndryshme të detit dhe arrijnë deri te lumenjtë
apo liqenet. Kur arrijnë shkallën e pjekurisë, tek ato lind instinkti i brendshëm për t'u kthyer në vendlindje".
Athua nga vjen ky instinkt që e orienton ngjalën?
- Flutura e mbyllur në dhomë i dërgon me shpejtësi sinjale të fshehta mashkullit në largësi të mëdha. Çka mendon, mos vallë flutura si qenie e dobët ka radiotransmetues apo mashkulli ka radiomarrës inteligjent për të pranuar zërin e fluturës?
Telefoni dhe radioja janë dy aparate të çuditshme që na bëjnë të mundur vënien e shpejt të kontaktit, por janë të lidhur me tel dhe stacion. Përkundër kësaj, flutura ua tejkalon.
Kur ia prejmë kokën krimbit, ai e krijon shumë shpejt tjetrën.
Por a thua ndonjëherë do të vijë koha që kirurgët të njohin stimulimin e qelizave për të krijuar organe të reja?
Argumentet e urtësisë së jashtëzakonshme janë të dukshme në çdo gjë të gjallë që njeriu vëzhgon. Ekziston një karakteristikë dhe një teknologji e mahnitshme në trupin e një insekti apo të një peshku të vogël në thellësi të detit, e cila nuk do të arrihet kurrë nga njerëzit. Disa gjallesa që nuk kanë tru perfekt, kryejnë veprime tepër të komplikuara. Për këtë jemi dëshmitarë vetë ne, sepse e dimë se ato veprime të njëjta nuk mund të kryhen nga njerëzit. Urtësia, plani dhe projektimi i jashtëzakonshëm që mbizotërojnë në gjithë natyrën, pasqyrojnë pa asnjë dyshim ekzistencën e Krijuesit që sundon gjithçka. Ky është All-llahu hirmadh, i cili i ka pajisur të gjitha gjallesat me karakteristika të jashtëzakonshme, duke i treguar njeriut shenjat e qarta të ekzistencës dhe të fuqisë së Tij.
Në vijim do të përmendim vetëm disa prej shembujve të panumërt të krijimit në natyrë.
Ndër këto, pa mëdyshje është bleta dhe arkitektura e mahnitshme e hojeve.
- Bletët, këto krijesa të mrekullueshme që mahnisin njerëzit, prodhojnë më shumë mjaltë sesa kanë nevojë dhe e ruajnë atë në hoje. Struktura gjashtëkëndore e hojeve njihet nga të gjithë.
A keni menduar ndonjëherë pse bletët ndërtojnë hoje gjashtë-këndore dhe jo pesëkendore?
Matematikanët, duke kërkuar përgjigjen në ketë pyetje, arritën në një konkluzion; "gjashtëkëndorja është forma më e përshtatshme gjeometrike për shfrytëzimin maksimal të hapësirës disponuese". Një formë gjashtëkëndore kërkon një sasi minimale dylli për ndërtim dhe mban sasi maksimale të mjaltit". Metoda e përdorur në ndërtimin e hojeve është shumë interesante. Bletët e fillojnë ndërtimin e hojeve në dy-tre vende të ndryshme dhe endin hojet njëkohësisht në dy-tre rreshta. Megjithëse fillojnë nga vende të ndryshme, bletët ndërtojnë numër mjaft të madh gjashtëkëndëshash identikë dhe pastaj i endin hojet duke i kombinuar dhe duke u takuar në një pikë në qendër. Pika e lidhjes së gjashtëkëndëshave rregullohet aq bukur, saqë nuk ka asnjë shenjë që të shihet se janë kombinuar pjesët e hojeve.
Ky insekt i vogël punon dhe vepron i frymëzuar nga Krijuesi i gjithëfuqishëm, siç bën aluzion verseti kuranor:
"Zoti yt i dha instikt bletës: Ndërto shtëpi nëpër kodra (male), nëpër drurë (pemë) dhe nëpër ato (koshire) që ata (njerëzit) i ndërtojnë. Pastaj ha nga të gjitha (llojet (e të mësuara) prej Zotit tënd. Nga barqet e tyre (të bletëve) del lëng, ngjyra e të cilit është e ndryshme dhe në të cilin ka shërim (bar-ilaç) për njerëz. Dhe në këtë ka arsye për atë popull që mendon thellë". (Nahl, 68-69)
Në versetin e caktuar All-llahu i plotfuqishëm e urdhëron bletën që të zgjedhë një vendbanim, qoftë në kodër, qoftë në pemë apo në kosheret që i ka ndërtuar njeriu.
Në Kur'anin fisnik urdhri "shko dhe zgjidh" në gjuhën arabe i është thënë bletës në gjininë femërore.
Kjo në të vërtetë është për tu habitur, sepse vetëm bleta femër gjen një shtëpi të re.
Mbretëresha dhe punëtoret janë zemra e folesë, ndërsa meshkujt jetojnë të veçuar vetëm për t'u çiftuar me mbretëreshën. Sipas zbulimeve shkencore, bleta është shumë më e zgjuar se superkompjuterët e sotëm me fuqi të mëdha. Truri i bletës mund t'i kryejë 10 trilionë veprime në një sekondë. Meqë ka një instinkt të tillë në punë, i cili vepron mbi bletët, i dirigjon dhe siguron harmonizimin e punës së tyre, atëherë kjo do të thotë që ekziston një urtësi, e cila sundon mbi të gjitha këto krijesa të vogla.
- Termitet – arkitektë, janë një mrekulli e Krijuesit të gjithëmëshirshëm dhe të gjithëdijshëm që të lënë me gojë hapur. Foletë e termiteve janë mrekulli arkitekturore, që arrijnë deri në 5-6 metra lartësi mbi tokë. Brenda kësaj foleje ka sisteme të sofistikuara që përdoren për nevojat e termiteve që, për shkak të strukturës së trupit të tyre, nuk dalin në diell. Në fole ka sisteme ventilimi, kanale, dhoma larvash, korridore, dalje sigurie, dhoma për mot të ftohtë dhe të nxehtë. Me një fjalë, çdo gjë dhe gjithçka. Ajo që të mahnitë më shumë, është se termitet që ndërtojnë këto fole të mrekullueshme janë të verbër. Megjithatë, kur e krahasojmë madhësinë e termiteve me atë të folesë së tyre, shohim se ato ia dalin të realizojnë me sukses një projekt me madhësi 300 herë më të madhe sesa përmasat e tyre. Termitet kanë edhe një karakteristikë tjetër të mrekullueshme. Në qoftë se në fazën e parë të ndërtimit të folesë së termiteve e ndajmë në dy pjesë dhe i bashkojmë përsëri. Pas pak kohe do të shohim se të gjitha kalimet, kanalet dhe rrugët kryqëzohen me njëra-tjetrën. Termitet vazhdojnë detyrën e tyre sikur mos të ishin ndarë kurrë nga njëri-tjetri.
- Qukapiku është edhe një mrekulli e Gjithëkrijuesit i cili ndërton folenë e tij duke shpuar trungjet e pemëve. Gjëja që shumë njerëz nuk e vënë re është fakti që qukapiku, me gjithë goditjet e forta në trungun e pemës, nuk ka hemorragji në tru. Ajo që bën qukapiku është njësoj sikur një njeri të ngulë gozhdë
me kokë. Në qoftë se njeriu do të mundohej të bënte një gjë të tillë, do të pësonte hemorragji (gjakderdhje) në tru. Por, qukapiku mund të godasë një trung të fortë me sqep 38-43 herë brenda 2,10 deri 2,69 sekonda dhe të mos i ndodhë absolutisht asgjë.
All-llahu i madhërishëm bëri që kafka e qukapikut të ketë një sistem amortizimi që redukton dhe amortizon goditjet. Këtë e ka arritur në saje të disa indeve të veçanta të buta midis kafkës.
- Lakuriqët fluturojnë në errësirën e natës pa pasur asnjë problem. Ata disponojnë një sistem shumë interesant për të arritur këtë gjë. Ata përdorin një sistem zanor, me anë të të cilit arrijnë të bëjnë hartën e objekteve përreth, nëpërmjet përpunimit të valëve zanore.
Një njeri me moshë të re mund të perceptojë me vështirësi një zë me frekuencë 20.000 vibrime në sekondë. Një lakuriq i pajisur me një sistem të veçantë zanor, përdor tinguj që kanë frekuencë 50.000-200.000 vibrime në sekondë. Ai i dërgon këta tinguj 20-30 herë në sekondë në të gjitha drejtimet. Harta që përfitohet nga ky sistem është kaq e përpiktë, saqë e lejon lakuriqin që jo vetëm të perceptojë pozicionin e objekteve, por edhe të lokalizojë pa vështirësi pozicionet e gjahut të tij. Gjitarët kanë nevojë për frymëmarrje të rregullt dhe për këtë arsye uji nuk është ambient i përshtatshëm për ta.
- Balena, e cila është një gjitar, problemi i frymëmarrjes është zgjidhur me një sistem frymëmarrjeje shumë më efikas se ai i shumë kafshëve që jetojnë në tokë. Gjatë procesit të frymëmarrjes balenat nxjerrin rreth 90% të ajrit që përdorin. Kështu, ato kanë nevojë të marrin frymë në intervale të gjata. Po kështu, ato kanë një substancë shumë të koncentruar, të quajtur mioglobinë, që i ndihmon ato të ruajnë oksigjenin në mushkëritë e tyre. Me ndihmën e këtyre sistemeve, disa balena mund të zhyten deri në 500 metra thellësi dhe të notojnë 40 minuta pa marrë frymë. Nga ana tjetër, vrimat e hundës së balenës, jo si te gjitarët tokësor, janë vendosur në kurriz, prandaj ajo mund të marrë frymë lirisht.
Përkujtojmë versetet e Kur'anit fisnik:
“Madhëroje larg të metave Zotin tënd, më të lartësuarin! I cili krijoi dhe përsosi. Dhe i cili përcaktoi e orientoi”. (El A'ëla. 1-3)
- Mushkonjat gjithmonë i konsiderojmë si insekte fluturuese. Në fakt, mushkonja i kalon fazat e para të zhvillimit të saj nën ujë dhe, nëpërmjet disa simptomave të veçantë, del prej tij e kompletuar me të gjitha organet e nevojshme. Mushkonjat fillojnë të fluturojnë me anë të një sistemi të veçantë ndiesie. Ky sistem është në gjendje të përcaktoje vendin ku ka ushqim. Me këtë sistem ajo ngjason me avionët gjuajtës, të ngarkuar me detektorë të ndieshëm ndaj temperaturës, lagështisë dhe aromave. Ajo është në gjendje të perceptojë me lehtësi të madhe ndryshimet e temperaturës e të lokalizojë burimin e saj. Kështu, ajo mund ta lokalizojë shumë lehtë temperaturën e saj edhe në
natën në terr,
Teknika e "thithjes së gjakut" te mushkonja përbën një sistem jashtëzakonisht të ndërlikuar. Me një sistem prerës me gashtë presa, ajo e pren lëkurën si sharrë. Gjatë procesit të prerjes, ajo vendos një sekrecion në vendin e plagës dhe paralizon zonën. Në këtë mënyrë viktima nuk e ndien që po i thithet gjaku. Sekrecioni parandalon njëkohësisht mpiksjen e gjakut dhe siguron vazhdimin e procesit të thithjes.
Sikur të mos funksiononte njëra prej këtyre cilësive, mushkonja nuk do të ishte në gjendje të ushqehej, sepse nuk do të mund të thithte gjak. Këto krijesa të vogla, me sistemet e tyre të veçanta, janë argument për krijimin e tyre nga një dorë. Për njerëzit që mendojnë, mushkonja është përmendur në Kur'anin fisnik si një shembull që tregon ekzistencën e All-llahut hirmadh: "All-llahu nuk ngurron që të marrë çfarëdo shembulli, çoftë edhe një mushkonjë apo diçka tjetër më të vogël se ajo. Për sa u përket atyre që besuan, ata e dinë se ai (shembulli) është vërtetë nga Zoti i tyre. Ndërsa ata që mohuan do të thonë: "Çfarë qëllimi kishte All-llahu me këtë shembull?". Ai e bën shembullin shkak që të humbin shumë (nga rruga e drejtë), dhe po me të Ai udhëzon shumë të tjerë. Por Ai nuk humb veçse të pabindurit". (El Bekare. 26)
- Merimanga. Merimanga e quajtur Dinopis është mjeshtre fantastike për gjueti. Në vend që të endë një rrjetë statike dhe të presë gjahun e saj, ajo end një rrjetë të vogël dhe e hedh mbi gjahun. Pastaj ajo e mbështjell mirë gjahun me këtë rrjetë. Insekti i futur në kurth nuk mund të bëjë asgjë për të çliruar veten. Rrjeta është e ndërtuar aq mirë dhe sa më shumë që të alarmohet insekti, ai ngatërrohet më keq. Për ta ruajtur ushqimin, merimanga e mbështjell gjahun me fije dhe e bën tamam si një paketë. Si mundet kjo merimangë të thurë rastësisht rrjetë dhe të arrijë një aftësi të tillë?! Merimanga nuk ka aftësi të mësojë të mbajë ne mend, ajo s'ka tru që t'i kryejë këto veprime. Këto aftësi i janë dhënë merimangës nga Krijuesi i saj i plotfuqishëm. Mrekulli të tjera janë zbuluar rreth fijes së merimangës. Kjo fije me diametër më të vogël se 1/1000 mm është 5 herë më e fuqishme se një fije çeliku, që ka diametër të njëjtë. Ajo gjithashtu është shumë e lehtë. Një fije e tillë, që peshon vetëm 320 g, është e mjaftueshme për t'i rënë globit përqark. Çeliku, i cili është një lëndë e prodhuar artificialisht, është një nga produktet më të forta të prodhuara nga njeriu. Merimanga mund të prodhojë në trupin e saj një fije shumë më të fortë se çeliku. Për prodhimin e çelikut njeriu përdor teknologjinë e arritur në përvojën e tij qindravjeçare. Po merimanga çfarë teknologjie përdor?
Siç duket, mjetet teknologjike që disponon njeriu janë mjaft prapa teknologjisë hyjnore që disponon merimanga.
Pra, merimanga është shembull i shkëlqyer për shkencëtarët. këtë bën aluzion verseti i Kur'anit fisnik:
"Shembulli i atyre të cilët veç All-llahut morën mbrojtës (zota idhujsh) është si shembulli i merimangës që thurë shtëpi, e sikur ta dinin ata, më e dobëta shtëpi është shtëpia e merimangës". (El Ankebul 41)
Këtu fshihet një mister biologjik. Sot u zbulua se merimanga femër (edhe në arabisht, por edhe në gjuhën shqipe ekziston vetëm gjinia femërore) është ndërtuese e shtëpisë së saj. Pas mbarsjes, merimanga e mbyt menjëherë mashkullin dhe ushqehet me të. Të vegjlit e hanë njëri tjetrin posa të dalin nga vezët. Fjala tejet e qëlluar arabe vehnun do të thotë: dobësi, lodhje, rraskapitje deri në maksimum. Pra, të gjithë ata që kërkojnë të marrin mbrojtës tjetër, e jo All-llahun, do të thotë të gjitha ideologjitë që ishin apo që do të vijnë pas nesh dhe që nuk kanë bazë dhe mbështetje në All-llahun e madhërishëm, i përngjajnë merimangës, karakterit të saj grabitës, por edhe shtëpisë së saj, pa mure, të dobët, e cila zhduket sapo ta prekësh.
 
- Shpendët fluturues
 
"A nuk i shohin ata shpendët fluturues në ajrin e qiellit, të cilët nuk i mban kush, përveç All-llahut. Edhe në këto ka fakte për njerëzit që besojnë". (En Nahl. 79)
"A nuk i shikuan ata shpezët përmbi ta krahëhapur dhe kur krahët i palojnë, ato nuk i mban kush në ajër pos fuqiplotit. Ai është që çdo send e sheh dhe e di". (El Mulk. 19)
Puplat e zogjve duket sikur kanë një strukturë shumë të thjeshtë. Kur i studion ato nga afër, ndodhesh përballë një strukture shumë të ndërlikuar, e cila i bën puplat të lehta, të forta dhe rezistente ndaj ujit. Për të fluturuar me lehtësi, zogjtë duhet të jenë sa më të lehtë. Për të përmbushur këtë nevojë puplat e zogjve përbëhen nga proteina keratinë. Në të dy anët e kallamit të puplës ka shtresa me rreth 400 fije secila. Këto 400 fije, kanë secila nga dy fije edhe më të holla, që bëjnë rreth 800. Prej këtyre 800 fijeve, më të hollat, ato që janë të vendosura në pjesën e përparme, kanë secila edhe nga 20 fije të tjera. Këto fije bashkojnë dy puplat me njëra-tjetrën tamam si dy copa të mbërthyera mbi njëra-tjetrën. Në një pupël ka afërsisht 300 milionë fije të vogla. Numri i përgjithshëm i fijeve në të gjitha puplat është rreth 700 miliardë. Ekziston një arsye shumë e madhe që puplat e zogjve janë të ndërthurura mirë me njëra-tjetrën. Ato duhet të jenë të shtrënguara fort që të mos shkëputen nga ndonjë lëvizje. Me mekanizmin e fijeve pulpat qëndrojnë kaq fort të lidhura, saqë as era e fortë, as bora nuk i shkulin dot.
Për më tepër, puplat e barkut të zogjve nuk janë njësoj si puplat e krahëve dhe të bishtit, Puplat e krahëve janë ndërtuar në mënyrë të tillë që të rrisin sipërfaqen e kontaktit me ajrin gjatë përplasjes së krahëve, në mënyrë që të rrisin fuqinë e ngritjes në lartësi.
Zogjtë shtegtarë e minimizojnë konsumin e energjisë duke përdorur teknika të veçanta fluturimi. Albatrosi ka njërën prej këtyre teknikave. Ky zog, që 92% të jetës së tij e kalon në det, ka një hapje krahësh 3,5 metra. Karakteristika me kryesore e albatrosit është stili i tij i fluturimit. Ai mund të fluturojë për orë të tëra pa i rrahur krahët. Për këtë ai shfrytëzon erën, duke i vendosur krahët në pozicion të përshtatshëm. Duhet shumë energji për t'i hapur vazhdimisht krahët me shtrirje 3. 5 m. Albatrosi mund të rrijë në këtë pozicion me orë të tëra. Kjo bëhet e mundur nga një sistem anatomik i veçantë, që i është dhuruar atij në momentin e lindjes. Gjatë fluturimit, krahët e albatrosit bllokohen dhe qëndrojnë të shtrirë horizontalisht, prandaj ai nuk ka nevojë të përdorë forcën e muskujve. Kjo e ndihmon shumë në fluturim. Albatrosi nuk harxhon energji, sepse ai nuk i rrah krahët dhe nuk i mban hapur me forcën e muskujve. Fluturimi për orë të tëra, duke përdorur energjinë e erës, i siguron albatrosit avantazh tepër të madh. Për shembull trupi 10 kilogramësh i albatrosit humb vetëm 1% të peshës kur fluturon 1000 km. Kjo është një humbje jashtëzakonisht e vogël. Njeriu ka ndërtuar një lloj aeroplani pa motor, i cili përdor teknikën e habitshme të albatrosit.
Për këtë mrekulli të zogjve fluturues duhet përkujtuar dhuntinë e All-llahut të plotfuqishëm. Kështu bën aluzion verseti i Kur'anit famëmadh:
"A nuk i shohin ata shpendët fluturues në ajrin e qiellit, të cilët nuk i mban kush përveç All-llahut. Edhe në këto ka fakte për njerëzit që besojnë". (En Nahl. 79)
Zogjtë grabitqarë kanë sy të mprehtë, që ua bëjnë të mundur atyre të llogarisin saktësisht distancat me rastin e sulmit. Sytë e tyre të mëdhenj përmbajnë shumë qeliza shikimi. Ka më se një milion qeliza në syrin e zogut grabitqar. Shqiponjat që fluturojnë mijëra metra lart, kanë sy kaq të mprehtë, saqë nga ajo distancë mund të analizojnë me lehtësi lëvizjet dhe objektet në tokë. Ashtu siç e lokalizojnë objektivin e tyre avionët luftarak nga një lartësi mijëra metërshe, ashtu edhe shqiponjat e fiksojnë gjahun e tyre duke perceptuar ndryshimin më të vogël të ngjyrës dhe të lëvizjes. Syri i shqiponjës ka një kënd shikimi 300 ° dhe mund të zmadhojë një imazhin rreth 6-8 herë.
Nga një lartësi 1500 m shqiponjat mund të dallojnë lehtë një lepur qe është fshehur në bar apo në shkurre. Është evidente se ky sistem i jashtëzakonshëm shikimi i shqiponjave është një projektim i veçantë për këtë krijesë. Ky krijues është All-llahu, Zoti i tokës e i qiejve dhe i gjithçkaje midis tyre.
 
Për shumë kafshë të detit shikimi është shumë i rëndësishëm për gjueti dhe mbrojtje. Shumica e këtyre kafshëve janë të pajisura me sy të specializuar për të parë nën ujë. Me rritjen e thellësisë nën ujë, shikimi bëhet gjithmonë e më i vështirë, në mënyrë të veçantë nën 30 m. Organizmat që jetojnë në këtë thellësi kanë sy të atillë që iu përshtaten kushteve ku jetojnë.All-llahu i gjithëmëshirshëm u dhuroi kafshëve të detit thjerra sferike në përshtatje të plotë me kushtet e dendësisë se ujit. Kur fokusohet një objekt në distancë të largët, i gjithë sistemi i thjerrave tërhiqet mbrapa me anë të një mekanizmi special muskujsh brenda syrit. Përthyerja e dritës në ujë është një tjetër arsye përse sytë e peshqve janë sferikë. Për shkak se syri është i mbushur me një lëng që ka dendësi afërsisht sa të ujit, nuk ndodh përthyerja kur një imazh i formuar jashtë reflektohet në sy. Si rrjedhim, thjerrat e syrit fokusojnë plotësisht imazhin e objektit të jashtëm në retinë. Disa kafshë, si për shembull oktapodi, kanë sy të mëdhenj për të kompensuar efektin e dritës së dobët nën ujë. Nën 300 m peshqit me sy të mëdhenj duhet të kapin dritën e dobët të objekteve përreth për t'i lokalizuar ato. Ata duhet të jenë të ndjeshëm, në mënyrë të veçantë ndaj dritës blu të dobët që depërton në ujë. Për këtë arsye ka shumë qeliza të ndjeshme ndaj ngjyrës blu në retinën e syve të tyre. Ashtu siç kuptohet nga këta shembuj, çdo gjallesë ka sy të ndërtuar në mënyrë të veçantë, të cilët i shërbejnë për të përballuar nevojat. Ky fakt tregon se ato të gjitha i ka krijuar një Krijues fuqiplotë dhe i gjithëdijshëm.
Vaji që gjendet në gjethet e eukalipsit është helmues për shumë gjitarë. Ky helm është një mbrojtje kimike që përdor eukalipsi kundër armiqve të tij. Ekziston një specie e veçantë që nuk do t'ia dijë për këtë mekanizëm mbrojtës dhe ushqehet me gjethet helmuese të eukalipsit. Ajo specie është koala. Koalat e ndërtojnë shtëpinë e tyre në eukalips, ushqehen me gjethet e tij dhe sigurojnë ujin po prej tij. Ashtu si gjitarët e tjerë, koalat tresin celulozën që gjendet në pemë. Për këtë ajo varet nga mikroorganizmat e tretjes së celulozës. Këto mikroorganizma gjenden me shumicë në pikën e takimit të zorrës së hollë dhe atë të trashë, e cila është pjesa më interesante e aparatit tretës të koalave. Ky segment funksionon si dhomë fermentimi, ku mikrobët tresin celulozën, duke vonuar kalimin e gjetheve. Kështu, koala mund të neutralizojë efektin helmues të vajit të gjetheve të eukalipsit.
Specie të caktuara peshqish, si disa lloje ngjalash apo najash, përdorin elektricitetin e prodhuar nga trupat e tyre për të mbrojtur veten prej armiqve apo për të paralizuar gjahun e tyre. Çdo gjallesë, përfshirë edhe njeriun, ka pak ngarkesë elektrike. Por njeriu nuk mund ta kontrollojë këtë elektricitet dhe ta përdorë në dobi të tij. Krijesat e përmendura më sipër kanë një rrymë elektrike 500-600 V në trup. Ato janë në gjendje ta përdorin këtë kundër armiqve të tyre, duke mos u dëmtuar nga ky elektricitet.
Energjia që ato konsumojnë për të mbrojtur veten rikuperohet pas një kohe të caktuar tamam si karikimi (mbushja) i baterive. Kështu, potenciali elektrik është i gatshëm për t'u përdorur përsëri. Peshku nuk e përdor rrymën e tensionit të lartë në trupin e tij vetëm për t'u mbrojtur. Përveç kësaj, ai siguron një mjet për gjetjen e rrugës në ujërat e thella e të errëta, pasi elektriciteti i ndihmon atë të ndiejë objektet pa i parë. Peshku mund të dërgojë sinjale duke përdorur elektricitetin e trupit.
- Salmonët e Paqësorit kanë një karakteristikë tepër të veçantë. Ata udhëtojnë mijëra kilometra për t'u kthyer në vendlindje, në ujërat e ëmbla të lumenjve, për t'u riprodhuar.
Kur nisin udhëtimin e tyre në fillim të verës, ngjyra e salmonëve është e kuqe e çiltër, ndërsa në fund të udhëtimit i bën të zinj. Ata afrohen në breg dhe përpiqen të futen në lumenj. Ata arrijnë në vendin e lindjes duke kërcyer në lumenj të vrullshëm, duke notuar kundër rrymës e duke kapërcyer pengesa e barriera. Në fund të këtij udhëtimi (3500-4000 km), femra dhe mashkulli janë gati për fekondim. Me të arritur në vendin ku lëshohen vezët, femra lëshon 300-500 vezë, kurse mashkulli i fekondon ato. Ky udhëtim është i vështirë dhe i lodhshëm. Salmonët rraskapiten, fletët e bishtit të tyre vjetrohen dhe lëkura kthehet në të zezë. Megjithatë, një tjetër gjeneratë salmonësh do të ripërtërihet e do të jetë gati në të ardhmen të bëjë të njëjtin udhëtim.
Si arrijnë salmonët të bëjnë këtë udhëtim? Si arrijnë të kthehen në det pasi kanë dalë nga vezët? Këto pyetje mbeten pa përgjigje. Megjithëse janë bërë shumë hulumtime, nuk është dhënë përgjigje përfundimtare. Cila është fuqia që i bën salmonët të ndërmarrin një udhëtim të tillë dhe të kthehen përsëri në një vend të panjohur për ta, që është mijëra kilometra larg? Është e qartë se ka fuqi superiore që komandon dhe kontrollon të gjitha këto krijesa.