Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Në kërkim të vetes dhe historia e shokut “normal”

 Pyetje:”Që në fëmijërinë time të hershme, vuaj nga të qenit e turpshme. Gjatë gjithë atyre viteve, ndjeja mungesën e dhembshurisë dhe dashurisë nga të gjithë. Ndjeja se të gjithë fëmijët e moshës time, janë më të mirë se unë. Lidhesha emocionalisht me çdo shoqe që e njihja dhe kur jeta na ndante, e konsideroja si gjëmën dhe kobin më të madh ndarjen. Më duket sikur fatkeqësitë nuk më ndahen dhe sikur janë bërë për mua.”

 

Ndjenja e turpit nuk më është ndarë as sot, edhe pse jetoj një jetë shumë të mirë ku nuk më mungon asgjë. Jam e martuar dhe kam një bashkëshort të mrekullueshëm. Kam një vajzë shumë të mirë dhe të bukur. Megjithatë, ndihem e depresionuar për shkak të mendimeve që më vijnë. Më duket sikur neglizhoj gjithçka dhe sikur vdekja do të më vijë nga çasti në çast pa bërë diçka për fenë dhe pa lënë gjurmë në këtë botë. Më duket sikur jam e tepërt në jetë, sikur gjynahet që kam bërë para martese nuk do të më falen dhe se dita e ndëshkimit tim do të vijë shumë shpejt. Të gjithë këto ndjenja dhe mendime më vijnë ngaqë unë kam frikë nga njerëzit, kam frikë nga dështimi, kam frikë nga vetja ime, kam frikë, kam frikë... Kjo fjalë është titulli i personalitetit tim. Këtë fjalë e urrej siç urrej vdekjen. Madje, unë urrej dhe veten time.

 

Kam lexuar shumë libra lidhur me personalitetin, vetëvlerësimin, komunikimin me të tjerët etj... dhe si përfundim besoj se të gjitha këto nuk vlejnë për mua. Mendoj se mua më nevojitet një psikolog i cili të më tregojë nëse mënyra e të menduarit e imja është e drejtë apo jo, nëse reagimet e mia ishin të duhura apo jo... sa frikë kam nëse mbaj qëndrim të gabuar ndonjë herë. O Zot çfarë frike!!

 

Nga leximet e shumta, zbulova se unë nuk e njoh veten time... Lexoj shprehje të tilla si “Ji vetvetja” “Zbulo veten” etj... Jam përpjekur shpesh që të jem vetja me njerëzit që të qetësohem, por unë nuk e zbuloja dot kush jam. Unë i di disa cilësi të miat, por nuk di si të sillem, ku të bazohem. Unë nuk e di nëse jam grua e matur dhe e ekuilibruar, me humor, e butë, e mirë, e matur apo e nxituar. Vallë, kush jam unë? Mos jam si shkretëtira, një hiç? Dua dikë që të më tregojë kush jam dhe si ta zbuloj personalitetin tim. Kam humbur njëzet vite nga jeta ime.

 

Mosha ime është tridhjetë e tre vjeçe, kam përfunduar studimet universitare, kam punuar gjashtë vite në mësimdhënie, jam e martuar dhe kam një vajzë. Nuk mund të them që burri është njeri me personalitet të fortë, pasi nuk i pëlqen të përzihet dhe të kontaktojë me njerëz. Ai nuk del veçse rrallë dhe më akuzon se nuk di të sillem, se kam frikë nga njerëzit dhe opinioni i të tjerëve. Megjithatë, më do dhe kujdeset për mua.

 

Që e vogël kam qenë e talentuar për krijimtari, më pëlqente të shkruaja dhe të bëhem një shkrimtare e famshme. Por problemet e thanë bojën e pendës time dhe tashmë më duket sikur e kam humbur talentin dhe dhuntinë time. Uroj të më kthehet sërish kjo dhunti. Nuk dua të bëhem shkrimtare e famshme, por thjesht dua të tregoj aftësitë e mia, t’i bëj qejfin vetes, të ndihem e realizuar, të kem besim në vete dhe të ndjej se kam bërë diçka në këtë jetë.

 

Unë jam nëna e një vajze të mrekullueshme dhe dua që ajo të ketë personalitet të fortë dhe të mos vuajë si unë.

 

Pres që të më tregoni rrugën. Unë kam nevojë për dikë që të më ndjekë çdo ditë, edhe nëse është ndonjë shoqe dhe komunikoj me të nëpërmjet messenger. Nuk kam shoqe dhe marrëdhëniet e mia me njerëz janë shumë të kufizuara.”

 

 

 

Përgjigje:”Shpesh herë, në trajnimet për burimet njerëzore, trajnuesit e fillojnë seancën e parë me historinë e profesorit “normal”. Ai është një personazh i cili jeton një jetë “normale”, ka arritur suksese “normale” dhe në fund ka vdekur një vdekje “normale”. Mbi varrin e tij janë shkruar këto fjalë:”Normal Normali, lindur 1960 vdiq 1960, sepse jeta e tij nuk kishte asnjë vlerë. Këtë histori, e rrëfejnë shpesh herë dhe rëndom trajnuesit e ndryshëm, por që të them të vërtetën, unë personalisht e urrej shumë sepse u bie në qafë shumë njerëzve “normalë”, ua heq vlerat dhe i nënçmon. Unë besoj se ne kemi nevojë që ta respektojmë profesorin “normal”, pasi ai mban në supe 80 % të suksesit të çdo shoqërie, edhe pse nuk është lidership politik dhe intelektual, nuk shquhet për letërsi, nuk është aktivist social etj... Është nëna “normale” ajo që përkujdeset për fëmijët e saj dhe edukimin e tyre. Është mësuesja “normale” ajo që u shpjegon mësimet nxënësve të saj, duke kultivuar tek ta parime, vlera dhe dashuri. Është bashkëshortja normale ajo që përgatit ushqimin e të shoqit dhe atmosferën e ngrohtë familjare. Ky është njeriu normal dhe ky je ti.

 

Zoti nuk do na kërkojë llogari Ditën e Kiametit mbi rolin tonë, nëse ka qenë i madh apo i vogël, por do të na kërkojë llogari mbi mënyrën si e kemi kryer këtë rol.

 

“Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë” (Mulk, 2)

 

Në këtë ajet, Zoti nuk thotë “se kush prej jush do të veprojë më shumë” por “më mirë”, pra më e rëndësishme se sasia, është cilësia.

 

Unë vazhdoj të jem në mbrojtje të çdo personi që bën një jetë normale, që kryen funksione normale, me qetësinë që e karakterizon. Njerëz të tillë i shërbejnë fesë dhe njerëzimit, duke lënë gjurmë në këtë botë (siç e thekson në letrën tënde ku shpreson të kesh arritjet e tua).

 

Fillimisht, unë të ftoj të vlerësosh rolet dhe kontributet e tua të thjeshta, pa i përbuzur dhe injoruar dhe të mos e konsiderosh veten si një “shkretëtirë”. Shkretëtira nuk e njeh studimin, as diplomimin, as martesën dhe lindjen e fëmijëve. Të gjitha këto janë arritje normale, por në të njëjtën kohë janë arritje të vërteta dhe që meritojnë vlerësim e respekt.

 

Pra, hapi i parë është që të respektosh arritjet e tua dhe të mos e konsiderosh veten “zero” dhe ta duash e ta pranosh këtë model “normal” të jetës dhe njerëzimit.

 

Hapi i dytë, është të fillosh të njohësh dhe eksplorosh “më shumë” veten tënde, të përcaktosh personalitetin tënd dhe ta përmirësosh atë. Unë e vë theksin tek “më shumë” pasi jam e bindur se nuk je tek pika zero.

 

Të njohësh personalitetin tënd dhe ta eksplorosh atë, nuk mund të arrihet në një çast dhe për disa sekonda. Secili prej nesh ka përvoja dhe eksperienca jetësore të kaluara në jetë, ashtu siç do të ketë në të ardhmen. Gjatë çdo përvoje të re, njeriu zbulon pjesë dhe aspekte të reja të personalitetit dhe kështu, gradualisht zbulon dobësitë e tua të vërteta, ashtu siç zbulon aftësitë dhe energjitë. E rëndësishme është që gjatë rrugëtimit për të zbuluar dhe njohur personalitetin tënd, të plotësosh tre kriteret e mëposhtme:

 

1 – Aftësinë për të pikasur veçoritë, vlerësimin e tyre, kultivimin dhe zhvillimin e tyre.

 

2 – Aftësinë për të pikasur dobësitë e tua, ti pranosh disa prej tyre dhe të vendosësh një program për përmirësimin e të tjerave, me qetësi dhe pa fajësuar veten.

 

3 – Aftësinë për ta dashur veten, për t’u solidarizuar me të, për ta pranuar ashtu siç është me besimin dhe bindjen se vetëm Zoti është perfekt dhe se karakteret e njerëzve janë të shumëllojta. Prej teje nuk pritet të jesh vetëm se vetja jote, në të gjitha aspektet, me të gjithë dobësitë dhe aftësitë.

 

Nuk kam përse ta mbaj të fshehtë, që ndoshta, do të nevojitet një psikolog – herë pas here – me qëllim që të ndihmojë në zbatimin e tre kritereve të lartpërmendura. Megjithatë, pjesa më e madhe e punës të mbetet ty, gjë të cilën e shoh të mundur. Në rreshtat në vazhdim, do të përpiqem të ofroj një model praktik dhe të thjeshtë pune:

 

Unë dalloj që ti vuan nga ndjenja e turpit dhe paaftësia për marrëdhënie shoqërore. Megjithatë, kjo është dhe një veçori dhe vlerë, pasi të ndihmon të angazhohesh më shumë me familjen, bashkëshortin, vajzën tënde, leximin, studimin dhe adhurimin e Zotit. Por një personalitet dhe karakter i tillë, nga ana tjetër konsiderohet si e metë, pasi eksperiencat jetësore do të mbeten të pakta. Por mos harro, ky karakter i yti është i ngulitur dhe nuk do të mundesh ta ndryshosh.

 

Prandaj, hapi i parë është që ta pranosh ekzistencën e këtij karakteri dhe natyre tënden në një farë mase dhe ta kuptosh që kjo, aq sa të pengon, të krijon dhe hapësira pozitive të tjera. Hapi i dytë, është që të vendosësh një nivel sado të ulët marrëdhëniesh shoqërore (si shoqërimi me njerëz të mirë në xhami, një kontribut vullnetar, bamirësi etj...). Sado i ulët qoftë niveli i marrëdhënieve shoqërore, do të kontribuojë në zhvillimin e aftësive të tua sociale. Për shembull, muajin e parë do të ushtrohesh të jesh ti inicuesja e bisedave . Muajin e dytë do të ushtrosh solidaritetin me të tjerët. Kurse muajin e tretë, të ushtrosh shprehinë e refuzimit dhe kundërshtimit. E kështu me radhë.

 

Nëse vëren se ke përparuar, jepi zemër dhe kurajë vetes. Por nëse has vështirësi dhe thyhesh, kurrë mos e humb optimizmin dhe shpresën. Dije se humbja e shpresës ka burim shejtanin. Në këtë formë, do të arrish të triumfosh ndaj pengesave dhe komplekseve. Por kurrë mos i harro avantazhet dhe disavantazhet e të metat. Kurrë mos iu ndaj përmirësimit të përshkallëzuar.

 

Po e mbyll përgjigjen time me këto fjalë, me qëllim që të mbeten të skalitura në mendjen tënde gjatë gjithë jetës.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free