Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Alo,kam nevoje(lexojeni ju vajza)

Kjo është historia e një jete, që shuhet pa ju dhënë mundësia të lulëzojë. Është historia e një qenieje që bie nga gabimi në gabim dhe duke mos patur një udhëzim shpirtëror arrin deri aty sa të bëhet dhe një vrasëse. E gjithë kjo që do t’ju tregoj është e vërtetë, më ka ndodhur mua, por mund të të ketë ndodhur dhe ty, ose të paktën njëherë në jetën tënde do të kesh dëgjuar për një gjë të tillë.

 

Ajo ishte një nga shoqet e mia të shkollës së mesme. Ishte një vajzë e zgjuar dhe e shkathët. Ajo që më bënte përshtyje në karakterin e saj ishte maturia, pjekuria në veprimet, që bënte. Më pëlqente të bisedoja dhe të rrija me të, pasi kishim gjëra të përbashkëta. Jeta na ndau pas mbarimit të shkollës së mesme. E vetmja lidhje ishin bisedat telefonike. 

 

Një ditë, krejt papritur, ia dëgjoj zërin në telefon dhe tronditem nga ajo që më thotë. Zërin e kishte të mekur dhe nuk mund të besoja çfarë më thoshte. Nuk më shpjegoi gjatë, por më tha, se donte të vinte urgjentisht në Tiranë, pasi kishte ngelur shtatëzënë me një shok fakulteti dhe donte të abortonte. Kishte nevojë për ndihmën time dhe pa më lënë kohë të merrja veten e përfundoi telefonatën duke më thënë se do të më merrte përsëri. O Zot, nuk mund ta besoja! Ajo ishte vajza e fundit për të cilën mund të mendoja, se do të arrinte të bënte diçka të tillë. Mendja më shkoi tek nëna e saj, që shqetësohej për të edhe për gjënë më të vogël. Meraku i saj ishin provimet e së bijës. Nuk guxoja të mendoja për beben e pafajshme, e cila duhet të paguante me vdekje gabimet e së ëmes, që nuk do t’i jepte shansin ta njihte kurrë.

 

O Zot i Madh, Ti je i gjithëdijshëm dhe e njeh shumë mirë natyrën tonë njërëzore. Ti vetë na ke krijuar të gjithëve dhe na do të gjithëve! Sa të cekët jemi në gjykim…

 

Të kërkojmë vetëm atëherë, kur jemi rrëzuar, kur kemi ndierë shijen e hidhur të dështimit. Tërhiqemi pas gjërave që na ofron bota, pa çarë kokën se çfarë është e drejtë të bëjmë. 

 

Ditën tjetër ra përsëri telefoni, ishte shoqja ime, e cila kishte mbërritur tashmë në Tiranë dhe donte të takoheshim. U nisa tek ajo dhe e gjeta në një qëndër taksish me një çantë në dorë. Sa më pa m’u afrua me të shpejtë dhe më përqafoi. Nuk folëm, por gjthçka e shprehëm më shikim. U nisëm për në shtëpinë time dhe, pasi u qetësua disi, nisëm të bisedonim. Ajo më tregoi çfarë kishte ndodhur. Kishte njohur një djalë me kombësi të huaj dhe, pasi ishin lidhur, kishin vendosur të kalonin një natë bashkë. Pas pak kohe ajo kishte kuptuar, se ishte shtatëzënë dhe këtu kishin filluar problemet. Arsyet që përse deshte të bënte këtë krim (sipas saj) ishin nga më të ndryshme: nuk kishte mundësi të vazhdonte shkollën, do t’i duhej të hiqte dorë nga ëndrrat, nuk e ndiente veten gati për t’u bërë nënë. Por ajo që ishte më kryesorja dhe më tragjikja, djali na paskësh qënë i fejuar dhe priste të martohej. Më kërkoi ndihmë. Unë i thashë që nuk mund ta ndihmoja për ta vrarë atë fëmijë, por e vetmja gjë që mund të bëja ishte t’i gjendesha afër për të mos e keqësuar më shumë gjendjen. Ajo e kuptoi qëndrimin tim dhe nuk këmbënguli më gjatë. Deri në momentin e fundit i lutesha të ndërronte mendje. Ajo u nis e vetme për në spital. Isha shumë e mërzitur, fjalët e mia nuk kishin bërë dobi dhe tani, pasi kishte kaluar nga gabimi në gabim, ajo po shkonte të kryente një krim. O Zot, fëmija, që sapo ka filluar të formohet si një qenie e gjallë do të paguajë për gabimet e saj! Ajo, bebe e pafajshme do ta paguajë me jetën, papjekurinë dhe dobësinë e së ëmës. 

 

Ngjarjet ndodhën shumë shpejt. Mbasdite vonë erdhi në shtëpi. Ishte e dërrmuar. Tashmë gjithçka kishte marrë fund, ajo e kishte bërë abortin. Ndihesha e dështuar dhe ndieja një dhembje të fortë. Isha treguar e pafuqishme për ta ndaluar shoqen time të kryente vrasjen e fë-

 

mijës së saj. Nuk bënim asgjë. Fjalët ngecnin në fyt duke mos arritur të merrnin formën e tyre tingëllore. Heshtja rëndonte si plumb mbi ne. Ajo u largua të nesërmen në mëngjes, e vrarë dhe e lodhur, për të vazhduar jetën e nisur. Pas mbarimit të shkollës me shumë “dashuri’’ ajo do të takonte familjen e saj. Përfytyroja reagimin, “sjelljen e pafajshme,’’sikur s’ka ndodhur asgjë. Unë ngela me një dhimbje therëse për të dhe foshnjen e vrarë. Ndoshta, unë e ndieja shumë këtë gjë, pasi vetë sapo isha bërë nënë për herë të parë. Ajo iku për t’iu rikthyer jetës duke u shtirur sikur nuk kishte ndodhur asgjë, por ajo që ndodhi ka lënë një plagë në trupin, shpirtin dhe mëndjen e saj, që nuk ka për t’iu shëruar lehtë.

 

Sa shpejt që ndryshon njeriu! Si ka mundësi që një vajzë e tillë të arrijë të kryejë gabime njëri pas tjetrit deri në krim? Ku shkoi pjekuria...? Ku shkoi maturia...? Ajo që llogariste veprimin më të vogël, si nuk llogariti, parashikoi pasojat e asaj nate? Dobësia e natyrës njerëzore qëndron në nënvlersimin e gjërave që hap pas hapi të çojnë në një rrugë pa krye, ku ti kurrë s’e kishe menduar se mund të arrije. 

 

Tani, pasi e lexuat këtë histori, mbase do të thoni, se të ngjashme me këtë janë shumë raste të tjera dhe se ky është realiteti. Por unë doja t’ju pyesja, se përse vazhdon ky realitet kur ne themi se nuk e duam? Pse vazhdon ky realitet, kur ne i edukojmë fëmijët tanë ndryshe? Pse ne vazhdojmë të dëgjojmë histori të tilla? Unë mendoj, se përgjigjja e këtyre pyetjeve është: ne nuk pranojmë zgjidhjen e duhur. Ne nuk pranojmë ta ndërtojmë jetën ashtu siç duhet, pa eksperimentuar njëherë mbi jetën dhe trupin tonë. I edukojmë fëmijët tanë dhe na mjafton që në dukje ata të jenë të mirë dhe të sillen me edukatë, por diçka shumë e rëndësishme mungon. Njeriu duhet të ketë një edukim të bazuar në atë që ka udhëzuar Krijuesi i Tij. Vetëm në këtë mënyrë ai do të jetë me të vërtetë i edukuar dhe i përgjegjshëm për ato që bën. Nëse përsoni i edukuar respekton njerëzit, personi besimtar e bën këtë se respekton Zotin. Nëse i pari në rrethana të caktuara, kur njerëzit nuk janë për t’i gjykuar veprimet e tij, sillet padrejtësisht, personi i edukuar me besim asnjëherë nuk e bën këtë, pasi besimi në ndërgjegjen e tij e bën që të ndihet i përgjegjshëm në çdo moment. Ne nuk duhet të ndrydhemi dhe të shtrembërohemi, kur njihemi me këshillat dhe mënyrat që Krijuesi na paraqet për ta ndërtuar jetën tonë, por duhet të shtrembërohemi dhe të hidhërohemi kur njihemi me rezultatet që sjell shkelja e këtyre udhëzimeve plot urtësi.

 

Nëse në një moment të jetës sonë do të arrijmë ta kuptojmë rëndësinë që ka pajisja e një individi me një ndërgjegje të përforcuar me besim, atëherë do të kemi gjetur zgjidhjen e shumë problemeve dhe pasigurive që vijnë, pikërisht nga kjo.