Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Xhihadi më i dobishëm, ai kundër korrupsionit dhe ligësisë

 

Një ndër format e sanksionuara të xhihadit në Islam, është dhe xhihadi kundër ligësisë dhe korrupsionit të brendshëm. Kjo formë xhihadi ka një rëndësi tepër të madhe në mbrojtjen e shoqërisë nga disfata, kolapsi dhe shpërbërja. Një shoqëri islame ngrihet mbi themele, elementë dhe veçori, të cilat e dallojnë dhe e diferencojnë. Në rast se këto harrohen, neglizhohen ose luftohen, kjo shoqëri nuk mund të konsiderohet më si shoqëri islame.

 

Çdo shoqëri islame, mbrohet dhe e ruan identitetin e saj nëpërmjet dy mbrojtësve:

 

I pari, është mbrojtësi i besimit, i cili përbën dhe komponentin fillestar të një shoqërie islame. Ai është një mbrojtës dhe roje, në brendësinë e ndërgjegjes të çdo myslimani.

 

I dyti është mbrojtësi social, i cili mishëron ndërgjegjen e shoqërisë publike, ndërgjegje e cila kujdeset, që besimet të mos preken, ritualet të mos humbasin, vlerat të mos shkelen, dinjiteti të mos përdhoset, ligjet të mos injorohen dhe etika të mos lihet pas dore. Dispozitat islame e krijojnë dhe shtrijnë këtë mbrojtës në shoqëri dhe e konsiderojnë çdo mysliman përgjegjës për çfarë ndodh në rrethin e tij shoqëror. Kështu, prej një myslimani nuk mund të pranohet që të jetojë vetëm për vete dhe të fokusohet tek hallet dhe shqetësimet e tij. Ai duhet të jetë i inkuadruar edhe me shqetësimet e shoqërisë përreth, të drejtojë të shtrembrën, të rregullojë të prishurën, të gjejë të humburin dhe të vendosë drejtësinë, kur ajo nuk merret parasysh, derisa shoqëria të ecë e sigurt në udhën e projektuar nga vetë Zoti. Besimtari nuk mjaftohet me përmirësimin e vetes së tij, por merret dhe me përmirësimin e të tjerëve dhe lufton kundër korrupsionit dhe ligësisë sipas aftësive dhe mundësive të tij. Tek urdhrat dhe porositë islame, hyjnë: këshillat rreth fesë, ftesa drejt së mirës, porositë për durim dhe dhembshuri, urdhërimi për mirë e ndalimi nga e keqja, lufta ndaj tiranisë, ndryshimi i të keqes nëse është e mundur me dorë, në të kundërt me gjuhë dhe me zemër, gjë e cila është tregues i besimit të dobët, frenimi i zullumqarit dhe përkrahja e të persekutuarit.

 

FUSHAT E XHIHADIT BRENDA SHOQËRISË:

 

Xhihadi i detyruar brenda shoqërisë përfshin disa fusha: Lufta kundër padrejtësisë dhe zullumqarëve, lufta kundër imoralitetit dhe prishjes, lufta kundër risive dhe devijimeve ideologjike, si dhe lufta kundër apostazisë.

 

1- Lufta kundër padrejtësive dhe zullumqarëve.

 

Kjo realizohet fillimisht duke mos u bërë palë me ta, duke u distancuar nga veprat e tyre, pastaj duke i udhëzuar drejt të mirës. Zoti thotë në Kuran: “Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqija, përndryshe do t’ju përcëllojë Zjarri. Ju nuk do të keni mbrojtës tjetër përveç Allahut dhe nuk do të ndihmoheni”. (Hud, 113)

 

Në këtë kontekst, Islami kërkon nga myslimanët, që së pari të mos bëjnë padrejtësi dhe zullume dhe së dyti të mos bëhen palë me zullumqarët, duke i ndihmuar dhe mbështetur. Si zullumqarët ashtu edhe mbështetësit e tyre do të kenë si përfundim ndëshkimin në xhehenem. Kurani fisnik i dënon dhe kritikon ushtarët dhe mbështetësit e diktatorëve, ashtu siç dënon dhe kritikon vetë diktatorët dhe tiranët. Zoti thotë në Kuran: ”Faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre kanë qenë gjynahqarë”. (Kasas,

 

Lidhur me fundin e tyre të përbashkët, Zoti thotë:”Por Ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe i hodhëm në det. Shiko se cili ishte fundi i keqbërësve!” (Kasas, 40)

 

Siç duket qartë, që si vetë diktatorët ashtu dhe ushtarët, oborrtarët dhe mbështetësit e tyre konsiderohen keqbërës dhe zullumqarë. Të gjithë i përfshiu hakmarrja hyjnore dhe u ndëshkuan për veprat e tyre të liga.

 

E gjitha kjo ndodh, sepse diktatorët sado të fuqishëm të jenë, u nevojitet mbështetje njerëzore për të ushtruar terror, frikë dhe panik mes njerëzve. Atyre u duhen njerëz, për t`i realizuar planet e tyre djallëzore, njerëz të bindshëm verbërisht, të ngjashëm me unazën e gishtit, e cila nuk di të thotë jo.

 

Thuhet se imam Ahmed ibnu Hanbeli, kur torturohej me kamxhik nga xhelatët e burgut, njëri prej tyre e pyeti mbi hadithet profetike, të cilat flasin për mbështetësit e zullumqarëve dhe oborrtarët e tyre. Imam Ahmedi i tregoi, se të gjithë ishin hadithe të sakta, të transmetuara nga profetit Muhamed (a.s). Pastaj xhelati e pyeti: ”A mendon se edhe unë jam mbështetës i zullumqarëve o imam?!” Imam Ahmedi iu përgjigj: ”Jo, ti nuk je nga mbështetësit e zullumqarëve. Mbështetës të zullumqarëve janë ata, që u qepin rrobat, u përgatisin ushqimin dhe u gjenden pranë për nevojat e përditshme. Kurse ti vetë hyn tek vetë zullumqarët”.

 

Në një hadith, Profeti (a.s) thotë: ”Përkrahe vëllain tënd, si kur bën padrejtësi ashtu dhe kur i bëhet padrejtësi!” Të pranishmit e pyetën të çuditur:”Mirë se po e përkrahim kur i është bërë padrejtësi, po si ta përkrahim kur ai u bën padrejtësi të tjerëve?!” Profeti (a.s) u përgjigj: ”Duke e frenuar nga kjo vepër. Kështu ti i ofron ndihmën më të mirë”.

 

Çdo formë padrejtësie nga të pasurit ndaj të varfërve, pronarët ndaj punëmarrësve, oficerët ndaj ushtarëve, qeveritarët ndaj popullatës, burrat ndaj grave, të rriturit ndaj të vegjëlve etj... është haram dhe duhet të luftohet sipas mundësisë, me dorë, me gjuhë apo me zemër.

 

Profeti Muhamed (a.s) thotë: “Çdo profet që ka dërguar Allahu në popujt e mëparshëm, e ka mbështetur me shokë dhe dashamirës, të cilët e kanë mbajtur gjallë traditën e tij dhe vepronin sipas porosive dhe këshillave të tij. Me kalimin e kohës, erdhën breza të cilët thoshin atë, që nuk vepronin dhe vepronin ashtu siç nuk ishin urdhëruar. Kushdo që i lufton ata me dorën e tij është besimtar. Kushdo që i lufton me gjuhën e tij është besimtar. Kushdo që i lufton me zemrën e tij është besimtar. Pas kësaj nuk ka më besim, qoftë dhe sa një grimcë”.

 

Kështu shohim, që i dërguari i Zotit i ka obliguar myslimanët, që ta luftojnë të ligën, padrejtësinë dhe diktaturën herë me dorë, herë me gjuhë dhe herë me zemër, çka përfaqëson nivelin më të ulët të besimit. Në luftën me zemër kërkohet, që padrejtësia dhe zullumi të urrehet me zemër, ashtu siç duhet urryer personi, që ushtron dhunë dhe persekuton padrejtësisht të tjerët. Ndryshimi i të ligës me zemër, është diçka që askush nuk mund ta parandalojë dhe frenojë, pasi vetëm pushteti hyjnor, i cili e krijoi, mund të depërtojë në zemrën e njeriut.

 

Islami ka treguar interes për këtë lloj xhihadi dhe e nxit atë, saqë në disa hadithe konsiderohet si xhihadi më i lartë dhe më i dobishëm. Transmeton Tarik ibnu Shihab, Zoti qoftë i kënaqur me të, se një burrë e pyeti të dërguarin e Zotit: ”Cili është xhihadi më i dobishëm?” Profeti (a.s) u përgjigj: ”Fjala e drejtë që thuhet në praninë e një sovrani zullumqar”.

 

Transmeton Xhabir ibnu Abdilah, se Profeti (a.s) ka thënë: ”Zotëriu i dëshmorëve është Hamza ibnu Abdul Mutalib dhe një burrë që del para sulltanit zullumqar, e urdhëron dhe e ndalon, kurse ai (sulltani) e vret”.

 

Që këtu duket qartë, se profeti Muhamed (a.s) e motivon umetin e tij, që ta thonë të drejtën në prezencën e qeveritarëve zullumqarë dhe diktatorë, pa u frikësuar mbi pasojat. Nëse vriten, ata i bashkohen karvanit të martirëve, gjë e cila është dëshira dhe ëndrra më e fisme e një myslimani, aq më tepër që në një rast të tillë ai radhitet pranë zotërisë së martirëve, Hamzait, luanit të Zotit dhe të dërguarit të Tij.

 

Umeti mysliman do të jetë në pozita të forta, përderisa do të ekzistojnë besimtarë, që vihen në pozitat e urdhëruesit për mirë dhe ndaluesit nga e keqja, sido qofshin pasojat. Sakaq, umeti e humbet meritën për të ekzistuar, kur demoralizohet, frikësohet, mendon pasojat dhe humbasin ata burra, që thërrasin: Umeti im, umeti im, para se të thërrasin: Vetja ime, vetja ime!

 

Duke u nisur që këtu, i dërguari i Zotit i ka paralajmëruar myslimanët, duke thënë: ”Nëse konstatoni, se umeti im frikësohet t`i thotë zullumqarit: Ti je zullumqar! Laji duart prej tyre”.

 

Të lash duart prej dikujt, do të thotë që është i padobishëm dhe se ekzistenca e tij është barazuar me inekzistencën. Shkaku dhe arsyeja e ekzistencës së umetit mysliman është pikërisht deklarimi dhe publikimi i mesazhit, për të cilin është përgjegjës, të ftojë në rrugë të drejtë, të urdhërojë për mirë dhe të ndalojë nga e keqja. Nëse umeti nuk e kryen këtë mision, atëherë barazohet ekzistenca me inekzistencën e tij.

 

Çaste reflektimi:

 

Vlen të ndalojmë për disa çaste dhe të reflektojmë e meditojmë: Përse i dërguari i Zotit e ka ngritur kaq lart dhe e ka vlerësuar kaq shumë këtë lloj xhihadi? Përse e ka konsideruar si xhihadin më të dobishëm? Përse e konsideron si zotëri martirësh atë person, që mbetet i vrarë në një xhihad të tillë?

 

Përgjigja: Korrupsioni dhe degradimi i brendshëm, kur merr përmasa të mëdha, përbën rrezik kryesor për të gjithë umetin. Prandaj Islami e konsideron xhihadin kundër korrupsionit të brendshëm, primar ndaj xhihadit kundër armiqve dhe agresionit të jashtëm. Korrupsioni i brendshëm në të shumtën e rasteve krijon terren të përshtatshëm për agresionin e jashtëm. Kjo ceket shumë qartë në suren Isra, e cila rrëfen historinë e Benu Israilëve, të cilët bënë zullume dy herë në tokë dhe u sollën agresivisht. Duke mos pasur njerëz vizionarë, të cilët duhet t`i ndalonin nga e keqja dhe zullumet, Zoti u çoi armiqtë e jashtëm, të cilët u shkatërruan vendbanimet, faltoret, u dogjën librin e shenjtë, i torturuan dhe keqtrajtuan si kurrë më parë. Zoti i ka paralajmëruar me të njëjtat pasoja dhe ndëshkime hyjnore, nëse bëhen sërish shkaktarë të korrupsionit, degjenerimit dhe amorales në të ardhmen. Zoti thotë në Kuran: ”Ndoshta Zoti juaj do t’ju mëshirojë, por nëse ju ktheheni (në gjynahe), Ne do t’u kthehemi (ndëshkimeve ndaj jush)”. (Isra,

 

Më lart ne pamë, se i dërguari i Zotit e konsideronte “fjalën e drejtë” në praninë e një sovrani tiran, si xhihadin më të dobishëm. Kjo, sepse një luftëtar dhe pjesëmarrës në xhihadin luftarak, mund të kthehet i gjallë në shtëpi, madje me plaçkë lufte dhe shpërblim. Sakaq ai që përballet me një sovran diktator dhe ia thotë në fytyrë të vërtetën, në të shumtën e rasteve ka kryer një vetëflijim, pasi nuk del i gjallë që andej.

 

Ibnul Kajjim e ka ndarë këtë formë xhihadi në tre nivele: Xhihadi me dorë, me gjuhë dhe me zemër, pra ndarja është sipas mundësisë.

 

Koncepti i xhihadit ose ndryshimit me zemër

 

Ndryshimi ose xhihadi me zemër do të thotë: Të të vlojë zemra nga urrejtja dhe shqetësimi që të shkakton e keqja, ta urresh padrejtësinë dhe korrupsionin. Kur zemra të mbushet me këtë energji dhe revolucion të brendshëm, kjo konsiderohet si parapërgatitje për revolucionin e jashtëm, i cili është në gjendje ta shkulë me rrënjë të ligën. Kur besimtari konstaton, se padrejtësia po depërton në çdo damar të shoqërisë, kur sheh se korrupsioni është bërë normë dhe ndryshimi duket i pamundur me dorë dhe gjuhë, ndjen se zemra i shkrihet si kripa në ujë nga marazi. Atij i vlon gjaku dhe i zien zemra, siç zien vorba e mbuluar mbi zjarrin bubulak. Në një rast të tillë duhet një dorë, që ta largojë sadopak kapakun, që vorba të thithë pak ajër dhe oksigjen, në të kundërt ajo do të plasë dhe thyhet. Kjo energji emocionale dhe ngarkesë shpirtërore konsiderohet pasuri e rëndësishme për çdo ndryshim të pritur. Zakonisht, ndryshimet nuk lindin nga hiçi, por lipsen motive, të cilat shërbejnë si mekanizëm shtytës.

 

Prandaj ndryshimi apo xhihadi me zemër nuk ka pse të konsiderohet pasivitet, siç e kanë interpretuar dhe konsideruar disa. Përkundrazi, i dërguari i Zotit nuk do e konsideronte xhihad dhe ndryshim dhe nuk do e kishte radhitur si tregues të besimit, edhe pse është treguesi më i ulët, pas të cilit nuk haset asnjë pikë besim.

 

Që këtu, xhihadi kundër korrupsionit dhe ligësisë është parë dhe konsideruar si më i dobishëm dhe që gëzon prioritet ndaj të gjitha llojeve të tjera të xhihadit dhe ndryshimit. Ai shpëton umetin nga ligësitë dhe arrin ta shuajë zjarrin, akoma pa u përhapur flakët e tij.

 

Nëse tradita profetike flet për shpërblimin dhe sevapin që fitojnë ata, të cilët ushtrojnë të drejtën e urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja, vetë Kurani fisnik e dënon ashpër aktin e ekzekutimit të kësaj shtrese besimtarësh, qofshin profetë apo ithtarë të tyre. Ata janë njerëz, që i dalin para të keqes, duke i treguar vendin dhe duke e demaskuar atë. Kurani e konsideron si një ndër krimet më të rënda ekzekutimin e njerëzve të tillë, krim që ndëshkohet rëndë si në këtë botë ashtu dhe në tjetrën. Zoti thotë në Kuran: ”Lajmëroi ata që mohojnë shpalljet e Allahut, vrasin profetët padrejtësisht dhe vrasin edhe ata që urdhërojnë të veprohet me drejtësi, për dënimin e dhembshëm që i pret. Këta janë ata, veprat e të cilëve nuk do të kenë vlerë në këtë botë dhe në tjetrën. Për ata nuk do të ketë asnjë ndihmues”. (Al Imran, 21-22)

 

Krime të tilla bëhen për të mbyllur gojët, që e drejta të mos thuhet dhe diktatorëve t`iu lihet rruga e lirë, për të ndjekur nepsin e tyre plot ligësi. Ata duan të ndihen të qetë dhe të patrazuar teksa vijojnë udhën e shejtanit, pa u thënë kush “Përse” dhe “Mjaft më!”

 

Mes Benu Israilëve qe përhapur krimi i vrasjes së profetëve pa të drejtë. Për këtë krim Zoti i ndëshkoi rëndë. Zoti thotë në Kuran: ”Sa herë që ndonjë i dërguar ju sillte atë që nuk ju pëlqente, ju kapardiseshit, prandaj disa i quajtët gënjeshtarë e disa i vratë”. (Bekare, 87)

 

“Kudo që gjenden, ata janë të kapluar nga poshtërimi, vetëm nëse kanë ndonjë mbrojtje prej Allahut apo prej njerëzve. Ata merituan zemërimin e Allahut dhe do t’i kaplojë mjerimi. Kjo ishte për shkak se mohuan shpalljet e Tij dhe pa kurrfarë të drejte, i vrisnin profetët. Kjo ishte për shkak se ata nuk u bindën dhe i kaluan kufijtë (në të këqija)”. (Al Imran, 112)


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free