Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Të jesh i kënaqur

Që nga kjo temë, kemi hyrë në elementin e katërt të lumturisë, të cilin e kemi titulluar: Zemër e madhe, e cila di të falë, di të jetë e dhembshur dhe zemërgjerë me njerëzit. Këtë element e kemi ngjyrosur me ngjyrë blu, e cila simbolizon kthjelltësinë. I kemi vënë këtë titull, pasi është një zemër që di të falë, të jetë e kënaqur dhe manifeston zemërgjerësi. Pa këtë element, njeriu nuk mund të jetojë i lumtur. Në një anketë të zhvilluar në faqen time www.amrkhaled.net u drejtova të rinjve pyetjen: Sipas jush, çfarë i bën njerëzit të lumtur?
Përgjigjet ishin nga më të ndryshmet dhe ne do t’i përmbledhim në:
Të jesh i kënaqur me atë që ke, bindja, shëndeti, kënaqësia e prindërve, lidhjet e forta familjare, dashuria dhe respekti mes njerëzve, familja e dashur, suksesi, dashuria e Zotit, suksesi në jetë, të jesh i kënaqur me veten dhe botën ku jeton, të gëzosh dikë tjetër, adhurimi, respekti i prindërve, veprat bamirëse, zhvillimi, jeta e shëndetshme, kur sheh se mundi nuk të ka shkuar dëm etj...
Është në natyrën e njeriut që lumturinë ta shohë për një periudhë të ardhme. Beqarët mendojnë se do të jetojnë të lumtur pasi të martohen, të martuarit mendojnë se pasi të lindin fëmijë do të jenë të lumtur, prindërit mendojnë se pasi t’u rriten fëmijët do të jenë të lumtur, kur u rriten mendojnë se pasi të jenë martuar do të ndihen të lumtur, të punësuarit mendojnë se pasi të dalin në pension do të ndihen të lumtur e kështu me radhë. Në fakt, lumturia është diçka që përjetohet në çast pa pritur të nesërmen. Lumturia është kur ti b eson se jeta që bën është e lumtur, me të mirat dhe të këqijat e saj. Lumturia është nëse je i kënaqur me jetën tënde. A je i kënaqur me veten tënde? A je i kënaqur me gjendjen tënde? Është mirë të ëndërrosh për të nesërmen, por a je i kënaqur sot? A je i kënaqur me Zotin tënd? Sa vend zë të qenët i kënaqur në jetën tënde?
Një ndër shkaktarët kryesorë që njerëzit ndihen të vuajtur dhe jo të lumtur, është se ata nuk janë të kënaqur me atë që posedojnë. Sot, as të varfrit nuk janë të kënaqur dhe as të pasurit, as ato gra që janë martuar dhe kanë lindur fëmijë nuk janë të kënaqura dhe as ato që janë privuar nga jeta familjare. As të papunët nuk ndihen të kënaqur dhe as të punësuarit. As ato vajza të cilave nuk u ka trokitur kush në derë nuk janë të kënaqura dhe as ato të cilat refuzojnë disa djem çdo ditë. As ata që e kanë punën afër banesës nuk janë të lumtur, as ata që përshkruajnë kilometra të tërë çdo ditë. As ata që jetojnë në vendin e tyre nuk janë të kënaqur, as ata që kanë emigruar për një jetë të mirë. As të sëmurët nuk janë të kënaqur, as të shëndetshmit nuk janë të kënaqur.
A je i kënaqur me shtëpinë dhe banesën tënde? A je i kënaqur me jetesën që bën? A je i kënaqur me gruan me të cilën je martuar? A je i kënaqur me punën, specializimin dhe të ardhurat mujore?
Ka njerëz, të cilët manifestojnë pakënaqësi edhe për pamjen fizike të tyre. Për këtë, hidhi një sy numrit të operacioneve plastike që bëhen çdo ditë në spitale.
Nuk mund të jetosh i lumtur në këtë botë, po nuk u ndjeve i kënaqur me ato që posedon. Të qenët i kënaqur është porta më e madhe e cila të çon te Zoti. Aty gjejnë prehje dhe qetësi adhuruesit e Zotit dhe aty është parajsa e kësaj bote.
 
Çfarë do të thotë të jesh i kënaqur?
Të jesh i kënaqur, ka disa domethënie. E para, të presësh caktimin dhe kaderin e Zotit me zemër të qetë dhe pa i humbur shpresat. Gjithçka që të vijë prej Zotit, sëmundje apo shëndet, pasuri apo fukarallëk, jetesë në filan vend apo në një tjetër, udhëtim drejt një shteti apo një tjetri etj... ta pranosh dhe të jesh i kënaqur.
E dyta, të mos kundërshtosh Zotin mbi mënyrën si vepron në mbretërinë dhe pronën e Tij. Për gjithçka që të ndodh në jetë, të mos e kundërshtosh.
E treta, të jesh me Zotin kudo që shprehet vullneti i Tij.
E katërta, të gëzohesh me zgjedhjen që ka bërë Zoti për ty. Të gjithë e dimë namazin e istihares, i cili falet kur njeriu gjendet mes dy alternativave apo më shumë.
“O Zoti im, me diturinë Tënde kërkoj mbarësi. Kërkoj ndihmë prej fuqisë Tënde. Kërkoj nga të mirat e Tua të shumta, sepse Ti ke mundësi, kurse unë jam i pamundur. Ti di çdo gjë, kurse unë nuk di. Ti je Ai që i di të fshehtat. O Zot, nëse kjo punë e imja (emërton nevojën që ke) është e dobishme për fenë time dhe jetën, për kohën e tashme dhe të ardhmen, ma mundëso realizimin e saj, ma lehtëso dhe më jep bereqet. E, nëse kjo punë është e dëmshme për fenë dhe jetën time, për të tashmen dhe të ardhmen, largoje këtë nga unë dhe më largo mua nga kjo e ma cakto mirësinë kudo që të jetë dhe më bëj të jem i kënaqur me të!”
Nëse beson se zgjedhja e Zotit është në favorin dhe dobinë tënde, përse të mos jesh i kënaqur me të?
Ebu Dherr El-Gifari bisedonte me Hasanin, djalin e Aliut dhe në një çast i thotë: “Fukarallëkun e dua më shumë seç dua pasurinë dhe shpërnguljen e dua më shumë se stabilitetin.”
Hasani i përgjigjet: “Zoti të mëshiroftë o Ebu Dherr! Kurse unë nuk gëzohem dhe nuk kënaqem me asgjë tjetër, përveç asaj që ka zgjedhur Zoti për mua.”
Nëse jetojmë me këtë ide dhe bindje, që nesër do të heqim dorë një herë e përgjithmonë nga ilaçet, pasi nuk na nevojiten më.
 
Hadithe të Profetit (a.s.)
Në një hadith kudsij, Zoti thotë: “O biri i Ademit, ke aq sa të mjafton, përse kërkon aq sa të bën tiran?  As me pak nuk kënaqesh dhe as me shumë nuk ngopesh. Nëse gdhihesh pa dhimbje në trup, i sigurt në familjen tënde, duke pasur ushqimin e një dite, sikur të janë dhënë të gjithë të mirat e botës”.   
Ka njerëz të cilët i kanë frigoriferët të mbushur plot e përplot, por që nuk janë të kënaqur.
Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Ji i kënaqur më atë që të ka ndarë Zoti, të jesh njeriu më i pasur.”
“Ka shijuar ëmbëlsinë e besimit kush është i kënaqur me Allahun si Zot, me Muhamedin si profet dhe Islamin si fe.”
Një herë, Profeti (a.s.) u tha shokëve të tij: “Kush është i kënaqur me Allahun si Zot, me Muhamedin si profet dhe Islamin si fe, ka merituar xhenetin.” Kur e dëgjoi këtë, Ebu Seid El-Hudrij tha: “Ma përsërit dhe një herë, o i dërguari i Allahut!” Pasi Profeti (a.s.) ia përsëriti, i tha: “O Ebu Seid! Ka merituar edhe njëqind gradë në xhenet për këtë kënaqësi. Distanca mes çdo grade, është sa distanca mes qiellit dhe tokës.”
(Imam Muslimi)
Një burrë vajti tek profeti Muhamed (a.s.) dhe e pyeti: “Cila është vepra më e mirë që mund të veprojë dikush?”
Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Të falësh namazin, të japësh zekatin, të marrësh pjesë në luftë etj...”
Burri kur i dëgjoi të gjitha këto, i tha: “O i dërguari i Allahut! E kam të pamundur t’i veproj të gjitha.” Atëherë Profeti (a.s.) i tha: “A të të tregoj një gjë të vetme?!” Burri u përgjigj: “Po.” Profeti (a.s.) ia ktheu: “Mos e akuzo Zotin për diçka që e ka caktuar!”
Profeti (a.s.) lutej me fjalët: “O Zot, më bëj të jem i kënaqur me atë që ke caktuar, që të mos dua ta shpejtosh atë që dëshiron ta vonosh dhe të mos dua ta vonosh atë që dëshiron ta shpejtosh”.
Imam Ebu Hanife thotë: “Të jesh i kënaqur me Zotin, do të thotë që sa herë të të japë diçka, ta falënderosh dhe sa herë të privon nga diçka, të jesh i kënaqur. Nëse të braktis të vazhdosh ta adhurosh dhe nëse të thërret për diçka, të jesh i gatshëm.”
Të jesh i kënaqur me Zotin, do të thotë që të besosh se gjithçka që vepron Ai, është e mirë dhe e dashur për ty.
“Thuaj (o Muhamed): “O Allah, Zotëruesi i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde!” (Al Imran, 26)
Me të drejtë dikush mund të shtrojë pyetjet: “A bie ndesh të kënaqurit me Zotin, me ambiciet dhe ëndrrat për të ardhmen? A do të thotë kjo që të mos lutem dhe të mos bëj asgjë për t’u përmirësuar?”
Të jesh i kënaqur, do të thotë ta pranosh gjendjen që je sot dhe të kesh ambicie për ditën e nesërme. Të jesh i kënaqur është për të sotmen, ndërkohë që ambiciet janë për të nesërmen. Ambiciet e mia për të nesërmen, nuk kanë përse të ndikojnë në kënaqësinë e ditës së sotme. Një peshkatar, siguron jetesën me një varkë të vogël, me të cilën gjuan peshk çdo ditë. Edhe pse ai ëndërron një varkë më moderne dhe më të madhe, ai është i kënaqur me atë që posedon dhe kujdeset çdo ditë për mirëmbajtjen e saj. Një familje ka një shtëpi të vogël dhe punon që të sigurojn një tjetër më të madhe. Megjithatë, ata janë të kënaqur me shtëpinë që kanë dhe e mirëmbajnë atë.
Njeriu që është i kënaqur me atë që posedon, jep rendimente më të larta se një tjetër në të njëjtin nivel shoqëror. Të jesh i kënaqur me Zotin, të pajis me energji dhe fuqi të pazakonta, për të realizuar ambiciet e tua.
 
Të kënaqurit apo durimi?
Dikush më pyeti se çfarë ishte më e vlefshme të kënaqurit me Zotin apo durimi. Unë iu përgjigja se është të kënaqurit me Zotin. Kjo, sepse durimi shoqërohet me pezmatim dhe hidhërim, ndërkohë që kjo nuk ndodh me të kënaqurit.
Në një letër, Umer ibnul Hatabi i thoshte Ebu Musa El-Esharit: “Dije se të kënaqurit me Zotin është e mira vetë. Nëse nuk e bën dot këtë, atëherë bëj sabër!”
 
Shembuj
Umran bin Husejni, një nga shokët e profetit (a.s.), nuk kishte lënë betejë me profetin (a.s.) pa marrë pjesë. Pas vdekjes së profetit (a.s.) i paralizohet gjysma e trupit dhe qëndron i shtrirë për 30 vjet, deri sa ndërroi jetë.
Një ditë e vizitojnë disa nga shokët e tij dhe kur e shohin në atë gjendje, fillojnë të qajnë. Ai i shikon i habitur dhe u thotë: Ju qani pasi ju vjen keq për mua, kurse unë jam i kënaqur me atë që ka dashur Allahu për mua. Për Zotin, e di që ky nuk është dënim për mua, por është sprovë, me të cilën Zoti më sprovon nëse jam i kënaqur me Të. Jini dëshmitarët e mi o shokë, që unë jam i kënaqur me Zotin. Për Zotin, ka raste që më duket se rrethohem nga melekë, si shenjë respekti ngaqë jam i kënaqur me zgjedhjen që ka bërë Zoti për mua.”
Urve ibnu Zubejrit, i vdes njëri nga shtatë fëmijët në të njëjtën ditë që sharron këmbën. Njerëzit shkonin ta ngushëllonin, por nuk dinin për cilën ta ngushëllonin më parë. Duke i parë në siklet, ai u thoshte: “O Zot, pata dy këmbë dhe dy duar. Më morë njërën këmbë dhe më le tjetrën dhe dy duart. Për ty është falënderimi. Kisha shtatë djem, më more njërin prej tyre dhe më le gjashtë të tjerë. Të falënderoj për ata që më dhe, të falënderoj për ata që më more dhe të falënderoj për ata që më ke lënë.”
Njoh një prind i cili në fillimin e jetës së tij bashkëshortore, nuk po lindte fëmijë. Pas lutjeve të gjata, atij i lind një vajzë, të cilën e quajti Ruhie (shpirtërore). Dy vite pas lindjes, vajza e tij e dashur vdes. Kur njerëzit shkonin ta ngushëllonin, e gjenin me lot në sy duke thënë: “Falënderoj Zotin! Pa dyshim që Zoti ka zgjedhur më të mirën për mua. Ajo më parapriu në xhenet. Inshallah takohemi sërish në xhenet.”
Po ti, o vëlla dhe oj motër, a mund të shprehësh një kënaqësi të tillë për zgjedhjen e Zotit?
Profetit Muhamed (a.s.), i vdes djali, Ibrahimi, gjashtë muaj pasi lindi. Ai (a.s.) e mori në prehër dhe duke qarë thoshte: “Syri qan dhe zemra hidhërohet, por ne nuk themi vetëm gjëra që e kënaqin Zotin. Me të vërtetë që ne jemi të hidhëruar për vdekjen tënde, o Ibrahim. Të përgjigjemi Ty o Zot me kënaqësi! Prej Teje pritet vetëm e mira, ndërkohë që e liga nuk është atributi Yt.”
Kur u vra Hamzai në betejën e Uhudit, motra e tij Safija, kërkoi ta shihte. Profeti (a.s.) i urdhëroi shokët që të mos e lejonin ta shihte, pasi jobesimtarët e kishin gjymtuar dhe përçudnuar trupin e tij. Kur pa që nuk po e lejonin ta shihte, ajo i tha djalit që rrekej ta pengonte: “A nuk më lejoni ta shoh trupin e tij, pasi e kanë gjymtuar? O biri im, ajo që i ka ndodhur Hamzait, është një mirësi me të cilën Zoti na sprovon nëse jemi të kënaqur me vullnetin e tij. Dhe unë jam e kënaqur me atë që ka caktuar Allahu.” Atëherë profeti (a.s.) u tha që ta lejonin ta shihte vëllanë e saj.
Kur Umer ibnu Abdul Azizit i vdiq djali, tha: “Kënaqësia ime sillet ngado që sillet caktimi i Zotit.”
Përse të jetosh vetullngrysur dhe i pezmatuar gjithë jetën, o njeri? Përse të mos ndihesh i kënaqur me gjithçka që ka zgjedhur Zoti për ty?
Imam Shafiu thoshte: “Ne e lusim Zotin për gjëra që na pëlqejnë. Nëse na ndodh diçka që e urrejmë, nuk dalim kundër Zotit për atë që deshi Ai.”
Kënaqësinë më të madhe do ta përjetosh ditën e kiametit, kur të të thërrasë Zoti: “O banorët e xhenetit, a jeni të kënaqur? Ata do të thonë: “Si të mos jemi të kënaqur kur na e ke zbardhur fytyrën dhe na ke futur në xhenet?!” “O banorët e xhenetit,– do t’u thotë Zoti përsëri,– ka mbetur dhe diçka tjetër”. “Cila është ajo o Zot”– do të pyesin? “Të kënaqem me ju dhe të mos zemërohem kurrë.”
Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush thotë sa herë gdhihet dhe ngryset: “Jam i kënaqur me Allahun si Zot, me Islamin si fe dhe me Muhamedin si profet, është detyrë e Zotit që ta kënaqë atë ditë”.
“Kush e dëgjon ezanin dhe thotë: “Jam i kënaqur me Allahun si Zot, me Islamin si fe dhe me Muhamedin si profet, i falen gjynahet.”
 
Çfarë të bëj që të jem i kënaqur?
1 – Mos harro të thuash dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes, siç na këshillon Profeti (a.s.). Citoje sa më shpesh: “Jam i kënaqur me Allahun si Zot, me Islamin si fe dhe me Muhamedin si profet.”
2 – Lexoje sa më shpesh këtë temë dhe përpiqu të jesh i kënaqur me gjithçka që ke.
Thuaj në këto çaste: “O Zot! Unë jam i kënaqur, prandaj më fal kënaqësi!”
 


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free