Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Argumeti i Islamit

 Sot gjendemi në Nejsabur, në kampin e vezirit të madh Nizam Melik, në rrethinat e qytetit ku kanë ardhur përfaqësues nga më shumë se gjysma e tokave islame. Si gjithmonë, pallati i vezirit gumëzhinte nga njerëzit e dijes. Megjithatë, sot pallati gumëzhin më shumë se kurdoherë, pasi sot është dita e konkursit të madh, e konkursit shkencor. Në ditë të tilla, mblidheshin shumë njerëz dhe debatet shkencore ndiqeshin nga emirët. Debatet dhe konkurset e tilla zhvilloheshin në një fushë të caktuar, ose në disa syresh. Sakaq, ky konkurs do të ishte me të vërtetë i çuditshëm, pasi do të zhvillohej në të gjitha fushat. Të gjithë shkencëtarët dhe burrat e ditur qëndronin në një anë, pasi do të përballeshin me një burrë të vetëm, i cili gjendej në atë vend për herë të parë.

Ai ishte një i ri tridhjetë e tre vjeçar, emri i të cilit kishte bërë jehonë, kurse veprat e tij kalonin nga një dorë në tjetrën.

Dita e parë e konkursit do të fokusohej në fikhun e shkollës shafie, mbi parimet e fikhut dhe degëzimet e tij. Vendi ishte mbushur me dijetarë, kurse publiku ishte i pallogaritshëm. Me të filluar “loja”, dijetarët i lëshuan breshëri pyetjesh të pafund, të cilave djali i ri u përgjigjej një e nga një, duke i lënë dijetarët me gojë hapur. Në fund, të gjithë dijetarët e konfirmuan meritën e tij për të qenë imam dhe lider i shkollës shafie në territoret ku ai jetonte.

Ditën e dytë, ai debatoi me kelamistët dhe ti duhet ta dish mirë, se çfarë përfaqësonte kjo shtresë në ato kohë të ndritura. Asokohe, shkenca e kelamit, përbënte esencën e filozofisë dhe të sheriatit dhe ishte dija më e kërkuar në mesin e dijetarëve. Debati zhvillohej në disa çështje të thella. Ai vazhdoi për orë të tëra dhe në fund, të gjithë dijetarët pranuan faktin, se djali përballë tyre e meritonte të konsiderohej imam në dijen e kelamit.

Dita e tretë, ishte caktuar për debatet rreth filozofisë greke. Prezentë ishin kushedi sa filozofë, të cilët kishin studiuar librat e Platonit dhe Aristotelit. Ata ndiheshin krenarë dhe hundëpërpjetë, saqë ndonjëherë e shpërfillnin të uleshin në debat me këtë hoxhë dhe fakir, i cili as që i ka lexuar librat e filozofëve grekë (siç mendonin ata), e jo më të lexojë komentet e filozofëve myslimanë. Megjithatë, ky opinion i zhgënjeu të gjithë, saqë u dukej vetja krejt të vegjël përballë këtij hoxhe dhe juristi, i cili mesa dukej, e njihte filozofinë më mirë se ata. Akoma pa u mbyllur debati, të gjithë filozofët e mëdhenj e njohën si lider në fushën e filozofisë.

Debatet vazhduan për ditë të tëra, ndërkohë që djali i ri triumfonte ndaj të gjithë kundërshtarëve, gjë e cila i pëlqeu fort Nizam Melik-ut, i cili kishte themeluar shkolla e universitete në Belkh, Neisabur, Herat, Asfehan, Basra dhe Mosul. Ai nuk u ngrit nga froni i tij, ku qëndronte i ulur serbes, pa firmosur më parë emërimin e këtij djali si profesor në Universitetin e tij të madh. Ai udhëtoi dhe në Bagdad, metropolin e kalifatit islam, ku debatoi me dijetarët e atij vendi, të cilët e vlerësuan dhe e njohën si imam dijesh.

Tani, besoj se doni të më pyesni kush ishte ky i ditur, që gëzonte gjithë këto tipare dhe si ia kishte arritur një grade të tillë.

Të jeni të sigurt, se unë nuk po e ekzagjeroj dhe as nuk po fantazoj. Ai qëndron më lart sesa aq sa përshkrova në këto rreshta. Ai hyn tek dhjetë figurat më të shquara të mendimit islam, ai është një nga dhjetë figurat më të shquara të pendës islame. Ai është shumë herë më i aftë sesa aftësia për të përmbledhur filozofinë greke dhe për t’iu përgjigjur asaj. Fillimisht ai e studioi dhe e mbështeti, por pastaj e sulmoi dhe kritikoi. Ai nuk e mori dhe studioi filozofinë nga ndonjë i ditur, por e mori pikërisht nga vetë literatura. Ai besonte se ishte mediokritet të kritikoje diçka, pa e njohur dhe pa u thelluar në pikëpamjet e saj. Pasi e studioji dhe e kuptoi, u shndërrua në referencë për filozofët e kohës së tij, pasi ata pikasën tek ai një kuptim dhe përmbledhje, që nuk e kishin hasur tek të tjerët. Më pas, ai shkroi librin “Vetëshkatërrimi i filozofëve”, i cili i përngjante nokautit të boksit. Një tipar i rrallë i këtij burri, ishte aftësia e tij e çuditshme për ta bluar çdo ide, e pastaj për ta paraqitur sa më qartë dhe kuptueshëm në një linjë logjike bindëse.

Jeta e tij ishte e ndarë mes arsyes dhe zemrës dhe për të dyja këto, ai ishte lider në njohuritë e thella. Ai ka dhënë mësim në Universitetin publik të Bagdadit, ku shkroi shumë libra të vyer, të cilët vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e studiuesve, mendimtarëve dhe juristëve. Mandej, iu përkushtua adhurimit të Zotit dhe meditimit, gjë e cila prodhoi “Rizgjimin e shkencave islame”, i cili vazhdon të ofrojë material për këdo që i përkushtohet zemrës.

A e kuptuat tani kush është ai? Po. Ai është argumenti i Islamit, Ebu Hamid Muhamed ibnu Muhamed ibnu Muhamed El-Gazzali.

Lidhur me historinë e shkollimit të tij dhe nxënies së dijeve, ajo konsiderohet si e habitshme. Le të shohim një pjesë të saj, për të zbuluar se si kushtet e vështira formojnë kolosë gjenialë. Nga biografia e tij, shohim, se nëse fëmijët e njerëzve të thjeshtë dhe fukarenj shkollohen dhe u kushtohet vëmendje, mund të na japin burra dhe dijetarë si Gazzali, poetë si Mutenebbi, vezirë si Nizam Melik, apo dhe mbretër si Dhahir Pipers.

Po kthehemi sërish në Nesabur, tek një dyqan i thjeshtë dhe i vogël, i cili i përket një njeriu të mirë. Ai merret me përpunimin e lëkurave dhe nuk ka pasur fat të shkollohet e aq më tepër të bëjë pjesë tek shtresa e dijetarëve. Megjithatë, ai i dhuroi umetit mysliman një gjeni në shkencat islame, por jo vetëm kaq. Ky burrë është Muhamed ibnu Muhamed, babai i imam Gazzalit.

Me të përfunduar punën, ai hynte në xhami për të dëgjuar ligjëratat e ndryshme të juristëve myslimanë. Herë pas here i rridhnin lot, për faktin se nuk i ishte dhënë rasti të shkollohej në rini. Ai dëshironte të ishte fakih, si shumë bashkëmoshatarë të tjerë, por tashmë rinia i kishte lënë vendin thinjave. Shpresa e tij e vetme për dije dhe shkollim, tani ishte i biri, për të cilin e luste Zotin me gjithë zemër, që ta bëjë një fakih dhe dijetar të madh.

Zoti ia pranoi këtë lutje dhe në fakt djali i tij, Ebu Hamid Gazzali, për të cilin kemi folur deri tani, u bë një nga dijetarët më të mëdhenj.

Teksa i ishte afruar vdekja, prindit i digjej zemra nga dëshira që dy djemtë e tij të arrinin atje, ku ai vetë nuk kishte arritur dot. Ai ia la amanet djemtë një miku të tij të ngushtë, një sufisti, të cilin e porositi që të shpenzojë qoftë dhe të gjithë trashëgiminë për shkollimin e tyre. Babai, ishte faktori i parë në formimin e imam Gazzalit, kolosit mysliman.

Faktori i dytë, ishte pikërisht ky sufist, i cili u mësoi fëmijëve gjithçka që dinte vetë. Shumë mirë ai mund t`u thoshte: Tashmë u mjafton ajo që keni nxënë prej meje, kështu që mund të merreni me zanatin e babait tuaj, që të nxirrni bukën e gojës. Në këtë rast ne nuk do të kishim mundësi të njiheshim dhe të flisnim për një burrë dhe dijetar si imam Gazzali.

Në fakt, ai u tha: “Unë shpenzova të gjithë pasurinë, që babai juaj më pati lënë amanet për shkollimin tuaj. Unë jam fakir dhe nuk mund t’ju mbështes më shumë. E keni haram që të hiqni dorë nga shkollimi që në këtë moshë, prandaj ndiqni ndonjë nga medresetë” dhe pikërisht medreseja ishte faktori i tretë që ndikoi në edukimin e imam Gazzalit.

Medresetë, mbetjet e të cilave i shohim sot e kësaj dite në Damask, u përngjanin universiteteve të sotme.

Faktori i katërt në edukimin e tij ishin udhëtimet e shpeshta. Ai udhëtonte në kërkim të dijeve, takohej me dijetarë dhe përshkonte distanca të gjata në kërkim të një meseleje apo një hadithi të vetëm. Në një nga këto udhëtime të gjatë, ai mori një mësim i cili la gjurmë të thella për të ardhmen e tij. Këtë mësim nuk e mori nga ndonjë i ditur, por nga një bandit rrugësh.

Banditi në fjalë, bashkë me bandën e tij, sulmoi karvanin në të cilin udhëtonte imam Gazzaliu i ri. Ata i plaçkitën dhe u morën gjithçka, bashkë me shënimet e imam Gazzalit, ku kishte shënuar gjithçka që kishte dëgjuar nga dijetarët.

Ai iu afrua banditit dhe me lot në sy filloi t`i kërkojë, që t`ia kthejë shënimet, duke i thënë:”Nuk dua t’ia di për pasuritë dhe plaçkat, por më kthe vetëm shënimet e mia, pasi aty gjenden të gjitha dijet, që kam marrë deri tani!”

Banditi qeshi me të madhe dhe ia ktheu:”Si thua se janë dijet e tua, ndërkohë që ato janë në defterë?! Po sikur të humbasin këto defterët e tu, ku do e gjesh dijen?” Pastaj ia hodhi shënimet dhe u largua.

Imam Gazzali tregon:”Këtë person sikur e inspiroi Zoti që të më nxiste t`i kushtoja vëmendje memorizimit”. Me të mbërritur në qytet, ai i mësoi përmendësh të gjithë shënimet dhe tashmë nuk donte t’ia dinte, nëse ato i humbasin, vidhen apo digjen.

Faktori i pestë në formimin e imam Gazzalit, ishte shoqërimi me dijetarin e kohës, Imamul Haremejn, të cilit nuk iu nda për një kohë të gjatë dhe prej të cilit përfitoi shumë. Fillimisht, ai ndoqi udhën e tij, por më pas u shkëput, duke hapur një rrugë të re. Ai ia kaloi mësuesit të tij, duke u bërë një nga dijetarët më të mëdhenj të mendimit islam. Ne i lexojmë sot librat e tij dhe habitemi me thellësinë e mendimit.

Prej tij përfituan dhe u mahnitën burrat dhe dijetarët më të mëdhenj të kohës. Me gjithë dijet e shumta që janë shtuar gjatë këtyre shekujve, imam Gazzali vazhdon të njihet si imam (lider) i dijeve dhe si kolos i kësaj fushe.

Jeta e imam Gazzalit përbëhet nga dy faqe, ajo shkencore dhe ajo sufiste. Lidhja me sufizmin i mbeti për shkak të lidhjeve të tij me sufistin, i cili u përkujdes për të pas vdekjes së babait, kurse mendimin shkencor ai e përftoi nga Imamul Haremejn.

Më vonë, imam Gazzali u dha shumë pas sufizmit, saqë dha dorëheqjen nga mësimdhënia në universitet, duke iu përkushtuar adhurimit, zuhdit, qëndrimit zgjuar natën dhe agjërimit gjatë ditës. Më së shumti, ai preferonte të qëndronte në Damask, në xhaminë e omejadëve, në një dhomë të vogël të minares perëndimore të xhamisë. Kjo qoshkë, më vonë filloi të njihet me emrin “Qoshka e Gazzalit”.  Në atë qoshkë, ai shkroi veprën e tij “Ringjallja e shkencave islame”.

Në Damask, ai erdhi i maskuar dhe u vendos në lagjen Sumejsatije. Ai e detyronte veten që të merrej me gjëra të rëndomta, si pastrimi i banjove, me qëllim që të thyente egon. Kur hynte në xhami, vishej si një njeri i thjeshtë. Një herë, në xhami kishte ardhur një burrë për të pyetur mbi një çështje. Asnjë nga dijetarët dhe myftilerët nuk mundi t`i japë një përgjigje. Imam Gazzalit i erdhi keq dhe pasi e thirri, e pyeti për çështjen që e shqetësonte. Burri i tha:”Myftilerët më të mëdhenj nuk ditën t`i japin përgjigje, mos dashke t`i përgjigjesh ti?!”

Imam Gazzali i tha me këmbëngulje:”Ma thuaj!” Pasi e dëgjoi, ai iu përgjigj, gjë e cila i bëri përshtypje burrit dhe të pranishmëve.

Menjëherë, dijetarët dhe myftilerët e rrethuan dhe i kërkuan që për hatër të Zotit t`iu tregonte kush ishte. Imam Gazzali, i detyruar u foli për veten, gjë e cila i mrekulloi ata. Ata i kërkuan që nga e nesërmja, të fillojë të japë mësim në xhami. Por, të nesërmen askush nuk e dinte ku kishte vajtur imam Gazzali. E kërkuan, por më kot.

Ai u kthye në vendlindje, në Nejsabur, ku u detyrua të japë mësim në universitet. Pastaj, më vonë kërkoi dorëheqjen dhe ngriti një medrese në shtëpinë e tij, duke iu përkushtuar si ibadetit dhe dhikrit, ashtu edhe mësimdhënies. Ai vazhdoi kështu, derisa i erdhi vdekja, e cila e mori nga kjo jetë në moshën 55 vjeçare.

Imam Gazzali është një nga kolosët e mendimtarëve dhe figurave islame. Studiuesit konstatojnë, se e meta e tij e vetme ishte tek dijet e pakta në shkencën e hadithit. Në fakt, ai u orvat ta plotësojë dhe këtë të metë nga fundi i jetës, por vdekja nuk e la. Libri i tij “Ringjallja e shkencave islame” me gjithë vlerat e tij, është i mbushur me hadithe të sajuara. Prandaj, kushdo që kërkon ta lexojë, le ti referohet edhe haditheve të sakta, ose përmbledhjes së librit nga Xhemaludin Kasimij.

Veç kësaj, fryma që përshkon librin në përgjithësi, është ajo e distancimit nga dynjaja dhe preferimi i fukarallëkut, gjë e cila nuk ka të bëjë me frymën e Islamit. Në fakt, frymën e vërtetë islame e gjejmë të pasqyruar në jetën e Profetit (a.s) dhe të shokëve të tij. E çuditshme është, se ky libër u hartua në një periudhë, ku bota islame ishte nën presionin e ofensivës mongole nga Lindja dhe asaj kryqtare nga Perëndimi. Nëse myslimanët do adaptonin këshillat dhe udhëzimet e tij në këtë libër, s’do të kishte kush të merrej me luftën ndaj këtyre dy rreziqeve.

Ky ishte imam Gazzali. Sot, mendimi islam ka prerjen që i ka dhënë Ibnu Tejmija, një kolos tjetër i këtij mendimi. Por kohët e fundit mendimi islam ka filluar të marrë shumë nga prerja e imam Gazzalit.

 


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free