Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Hapat e Shejtanit

Ka qenë një beni israil, i cili ishte ndër më të devotshmit në kohën e tij. Në atë kohë kanë qenë tre vëllezër, të cilët e kishin një motër virgjëreshë dhe nuk kishin motër tjetër, pos saj.

Që të tre vëllezërit ishin emëruar vullnetarë në luftë në rrugën e Allahut. Nuk dinin se në përkujdesjen e kujt ta linin motrën e tyre nuk kishin besim te askush dhe nuk dinin se ku ta vendosnin. Të gjithë së bashku u pajtuan që ta dërgojnë dhe ta lënë te mistiku beni israil, sepse tek ai u pushonte zemra dhe në të ishin të sigurt.

Shkuan dhe e pyetën që motrën e tyre ta lënë te ai, që të jetë pranë tij, derisa të kthehen nga udhëtimi. Mirëpo ai tha: “Më ruaj o Zot prej tyre dhe prej motrës së tyre! Unë kurrë nuk mund ta pranoj”. Ata vazhdimisht insistonin derisa e bindën, dhe pranoi. Por u tha atyre: “Le të banojë në një shtëpi përballë faltores sime”. Ata e dërguan motrën e tyre te ajo shtëpi dhe shkuan.

Një kohë të gjatë, derisa ajo banonte aty, ai ia përgatiste ushqimin, zbriste te dera e faltores, pastaj e thërriste; ajo dilte nga shtëpia e saj dhe e merrte ushqimin që ia përgatiste.

Shejtani i shkon me butësi dhe e këshillon mistikun, se ai duhet të punojë punë të mirë, ai duhet të fitojë shpërblim më të madh, dhe se nëse ajo vajza del nga shtëpia e saj ditën, e shohin të tjerët dhe mund të keqkuptojnë, por më mirë është që ti të shkosh me ushqim te shtëpia e saj dhe ta vendosësh ushqimin në pragun e shtëpisë, e kështu do të fitosh shpërblim më të madh. Ai edhe ashtu vazhdon t’ia përgatis ushqimin dhe t’ia dërgonte te pragu i shtëpisë së saj, dhe nuk fliste me të fare.

Kaloi një kohë, pastaj i shkon Iblisi e i thotë në vesh: “Ti duhet të fitosh shpërblim edhe më të madh”, dhe e nxiste vazhdimisht duke i thënë: “Sikur të flisje më të do të çmallet, sepse ajo është e përmalluar për vëllezërit e saj”. Kështu Iblisi vazhdimisht e këshillonte, derisa filloi të bisedojë me të prej faltores së tij.

Pastaj i shkon Iblisi e i thotë: “Sikur të shkoje te dera, të ulesh ti pranë faltores, e ajo pranë shtëpisë së saj e të bisedonit, do të kishte qenë më mirë për të”. Kështu ai nuk ndalej, derisa zbret dhe ulet para faltores, e ajo vajza ulej para derës së shtëpisë së saj dhe bisedonin nga larg.

Një kohë vazhdoi kështu, e pastaj i shkon Iblisi e i thotë: “Ti duhet të fitosh shpërblim më të madh, duke u sjellë më mirë me të. Pra, shko prej faltores tënde dhe ulu në prag të shtëpisë së saj e bisedo me të, sepse më mirë është për të”. Ai vazhdimisht e këshillonte kështu, derisa edhe ashtu veproi për një kohë.

Pastaj shkon Iblisi e i thotë: “Nëse dëshiron shpërblim më të madh, shko dhe hyr në shtëpinë e saj, bisedo më të brenda që mos t’ia shohin të tjerët fytyrën, se kjo është më mirë për ty dhe shpërblim më i madh”. Kështu vazhdimisht e këshillonte Iblisi, derisa filloi të hyjë në shtëpinë e saj, bisedonte me të ditën, e kur kalonte dita shkonte në faltoren e tij.

Pastaj i shkon Iblisi, ia zbukuron fytyrën e asaj vajze para tij, derisa ai e prekë në kofsh dhe e puthë. Dhe Iblisi vazhdimisht ia zbukuronte fytyrën e saj, derisa e shtyn të kontaktojë seksualisht me të, e lë shtatzënë, e ajo pastaj lind fëmijë.

E pastaj i shkon Iblisi e i thotë: “Çka mendon nëse vijnë vëllezërit e saj e ta shohin se ajo ka fëmijë me ty, si do të vepronin me ty? Nuk ka shpëtim prej tyre, andaj shko, merrja fëmijën, mbyte dhe varrose, se ajo frikësohet prej vëllezërve të saj, e do ta mbajë sekret atë se ti ke kontaktuar seksualisht me të”. Ai edhe ashtu veproi dhe e mbyti foshnjën.Pastaj i thotë Iblisi: “Mbyte edhe vajzën dhe varrose me birin e saj, sepse a mendon dhe a ke besim se ajo mund ta mbajë sekretin?” Kështu ai e mbyt edhe vajzën edhe fëmijën dhe i dërgon në një vend gremine, i varrosë aty dhe mbi varr vendos një guri të madh. Shkon te faltorja e tij dhe fillon të lutet një kohë të gjatë, deri sa kthehen vëllezërit e saj nga lufta. Vëllezërit e pyesin për motrën e tyre. Ai i ngushëllon dhe u thotë: “Zoti e mëshiroftë” dhe fillon të qajë para tyre, e u thotë: - Nuk ka pasur vajzë më të mirë, por ajo ka vdekur, ja ku e ka varrin. Vëllezërit shkojnë dhe e shohin varrin, aty qajnë për motrën e tyre, qëndrojnë disa ditë te varri i saj dhe kthehen në shtëpi të tyre.

Kur bien vëllezërit për të fjetur u paraqitet shejtani në ëndërr në formë të një njeriu udhëtar dhe fillon prej vëllait më të madh, duke e pyetur për motrën e tyre, e ai i tregon ashtu siç ka treguar mistiku për vdekjen e motrës së tyre, se si kanë shkuar tek varri i saj ... Mirëpo shejtani i thotë: “Kjo është gënjeshtër”, dhe u thotë që të mos i besojnë fjalëve të tij, sepse ai e ka lënë shtatzënë motrën e tyre, pastaj ajo ka lindur djalë, kurse ai e ka mbytur motrën tuaj së bashku me fëmijën e saj, ngase është frikësuar nga ju; e ka futur në një gropë, të cilën e ka çelur vetë pas shtëpisë në anën e djathë, në të cilën ka qenë e vendosur. Shkoni te shtëpia në të cilën ka qenë e vendosur, dhe kur të hyni do ta shihni se është ashtu si po u them juve. Pastaj i paraqitet Iblisi në ëndërr vëllait të dytë dhe ia tregon të njëjtat gjëra, pastaj i shkon edhe vëllait të vogël, duke iu paraqitur në ëndërr gjithashtu.

Në mëngjes kur u zgjuan u ulën të bisedonin mes vete. Njëri tha: “Mbrëmë kam parë një ëndërr të çuditshme” dhe ua tregoi. Edhe tjetri thotë se kishte parë po të njëjtën ëndërr! Vëllai i madh thotë: “Po ajo është vetëm ëndërr e asgjë tjetër, lëreni këtë punë, harrojeni.” Më i vogli tha: “Për Zotin, nuk e lë pa shkuar te ai vend dhe të shikoj se çka ka.” Shkojnë te shtëpia ku ka banuar motra e tyre, e hapin derën dhe kërkojnë vendin, të cilin ua kishte treguar njeriu (shejtani) në ëndërr, dhe e gjejnë motrën e tyre dhe fëmijën e saj të mbytur.

E pyesin mistikun, ndërsa ai u thotë se kjo është e vërtetë. Atëherë ata e padisin te sunduesi i asaj kohe. E marrin mistikun prej faltores së tij dhe e dërgojnë për ta dënuar me vdekje.

Kur ia lidhin duart për ta ekzekutuar, shkon Iblisi e i thotë: “Unë jam shoku yt, i cili të ka sprovuar me atë vajzë, të cilën e ke lënë shtatzënë, pastaj e ke mbytur me fëmijën e saj. Nëse sot më dëgjon dhe e mohon Allahun, i Cili të ka krijuar dhe të ka dhënë formën, atëherë unë do të shpëtoj prej vdekjes.” Ai e dëgjon dhe e mohon Allahun. Kur e mohon Allahun shejtani largohet prej tij dhe atë e ekzekutojnë.

Për këtë ka zbritur ajeti:

“Njësoj, sikurse shejtani kur t’i thotë njeriut: “moho”, e ai kur të mohojë thotë (shejtani): Unë largohem prej teje, unë i frikohem Allahut – Zotit të botëve. Dhe përfundimi i të dyve është se ata do të jenë në zjarr përgjithmonë. Ky është dënimi i kriminelëve”.

 

 

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free