Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Të drejtat reciproke mes burrit dhe gruas

Edhe mashkulli, edhe femra e kanë të njëjtin soj. All-llahu i Lartësuar është Ai i Cili ka vënë dashuri dhe mëshirë mes meshkujve dhe femrave dhe për këtë arsye, Vetë Ai në mënyrën më të mirë ka treguar se çka është në të vërtetë lidhja mes tyre, edhe atë duke thënë: “…ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për to!…” (Kur`an, 2: 187).
Pra, askush nuk mund të japë përshkrim më të mirë se ky. Ashtu sikurse njeriu i shfrytëzon rrobat (në varësi prej kushteve klimatike) si mbrojtës dhe rregullatorë të temperaturës së tij të jashtme, ashtu edhe bashkëshortët mes veti e ruajnë njëri-tjetrin nga ligësitë sociale, veset e këqija dhe nga të qenët i pakënaqur në aspektin biologjik (seksual). Për më tepër, ata mes veti janë burim i rehatisë, ngushëllimit, qetësisë si dhe sigurisë. Më tej, krahas asaj që në lidhjen e tyre duhet të jetë prezente dashuria dhe dhembshuria ndaj njëri-tjetrit, të dytë ata kanë të drejtë të marrin trajtim të butë nga pala tjetër si dhe të sillen me dashamirësi e respekt. Nuk është e rastësishme që Pejgamberi alejhi selam për besimtar më ideal e ka cilësuar atë që është më i mirë ndaj gruas së vet. Ngjashëm, besimtarja më ideale konsiderohet ajo që më së shumti i bindet bashkëshortit të vet kur ai e urdhëron për ndonjë gjë. Megjithatë, në literaturën islame më i theksuar është respekti që burri duhet ta ketë kundrejt gruas së vet. Edhe prej burrit, e edhe prej gruas kërkohet që ata t’i qëndrojnë besnik njëri-tjetrit dhe asnjëri prej tyre nuk e ka të lejuar të ketë marrëdhënie seksuale me asnjë person tjetër, përveç se me atë që është brenda kurorës!
Me pak fjalë, të drejtat e burrit ndaj gruas së vet janë se ajo duhet t’i bindet bashkëshortit të vet, e paramendoni, Islami ka shkuar aq larg saqë ka bërë të ditur se gruaja duhet t’i lejë anash nafilet (namazin, agjërimin) nëse burri ashtu kërkon (duke e ditur se sa është shpërblimi për bërësit e nafileve). Ajo gjithashtu duhet t’i qëndrojë besnike burrit të vet dhe nuk guxon ta gostisë askënd pa lejen e tij. Është e udhës që mos ta refuzojë atë dhe gjithmonë të jetë e gatshme që të jetë pranë tij. Për më tepër, ajo duhet t’i edukojë fëmijët dhe, më e rëndësishmja është se duhet ta ruajë nderin e vet dhe pasurinë e burrit nëse ky nuk është në shtëpi.
Të drejtat e gruas ndaj burrit të vet janë se, si pikë e parë, ai duhet ta mbrojë atë. Duhet ta trajtojë me butësi e dashuri. Nuk është e udhës që ta rrahë për diçka joserioze dhe të parëndësishme, po edhe nëse rrahja duhet të aprovohet, nuk duhet të jetë në masë të madhe saqë të shkaktohet ndonjë pasojë e padëshirueshme. Ai, krahas këtyre, duhet edhe t’ia sigurojë asaj elementet e nevojshme për jetesë si: ushqimin, veshmbathjen, shtëpinë etj.
Argumente nga Kur`ani
1) “Natën e agjërimit ju është lejuar afrimi te gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato…” (Kur’an, 2: 187).
2) “Edhe atyre (grave) u takon e drejta sikurse edhe përgjegjësia në bashkëshortësi, e burrave u takon një përparësi ndaj tyre. All-llahu është i gjithëfuqishëm, i urtë!” (Kur’an, 2: 228).
3) “Grave jepuani dhuratën e kurorës së tyre (niqahin) më të mirë, e në qoftë se ato nga vullneti i vet ju falin diçka nga ajo, atëherë hajeni atë hallall të mirë!” (Kur’an, 4: 4).
4) “Juve ju takon gjysma e asaj (pasurie) që lënë gratë e tuaja nëse ato nuk kanë fëmijë, por nëse ato kanë fëmijë juve ju takon një e katërta nga ajo që lënë ato, pasi të kryhet testamenti i tyre dhe pasi të lahet borxhi. Atyre (grave) u takon një e katërta nga ajo që lini ju nëse nuk keni fëmijë, por nëse keni fëmijë, atyre u takon një e teta nga ajo që leni pas kryerjes së testamentit që keni përcaktuar ose borxhit!” (Kur’an, 4:12).
5) “Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase All-llahu ka graduar disa mbi disa të tjerët dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre. Prandaj, me atë që Ai i bëri të ruajtura, gratë e mira janë respektuese dhe janë besnike ndaj së fshehtës. E ato që u keni dro kryelartësisë së tyre, këshilloni, madje largohuni nga shtrati (e më në fund), edhe rrihni (lehtë, nëse nuk ndikojnë këshillat as largimi), e nëse ju respektojnë, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre! All-llahu është më i larti, më i madhi!” (Kur’an, 4: 34).
6) “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë!” (Kur`an, 30: 21).
Argumente nga Sunneti
1. Ebu Umame (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Nuk mund të ketë gjë më të mirë për besimtarin, pas frikës ndaj All-llahut, sesa një grua e virtytshme! Nëse ai e urdhëron për ndonjë gjë, ajo e zbaton atë. Nëse ai e kërkon, ajo ia plotëson dëshirat dhe nëse ai është larg shtëpisë, ajo e ruan nderin e vet dhe e ruan pasurinë e tij!”. [Transmeton ibën Maxhe]
2. Hakim ibën Muavije (All-llahu e mëshiroftë!) tregon se një herë babai i tij në një rast e ka pyetur Pejgamberin alejhi selam: “O i Dërguari i All-llahut! Çfarë të drejta kanë gratë tona mbi ne?”, kurse ai ia ktheu: “Duhet të sigurosh ushqim për të pasi të kesh siguruar për veten! Duhet të sigurosh rroba për të pasi të kesh siguruar për veten! Nuk duhet të vësh dorë mbi të (ta rrahësh), as ta ofendosh e as ta braktisësh!”. [Transmeton Ahmedi, ebu Davudi dhe ibën Maxhe]
3. Ebu Hurejra (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Besimin më të fortë e ka ai që ka sjellje më të mirë dhe më i miri prej atyre që kanë sjellje të mirë janë ata që janë më të mirë ndaj grave të veta!”. [Transmeton Tirmidhiu]
4. Xhabir ibën Abdullahu (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Frikësojuni All-llahut në lidhje me gratë tuaja! Me të vërtetë ju jeni martuar me to me Vullnetin e All-llahut dhe organet e turpshme të tyre ju janë ligjësuar me Emrin e Tij. Të drejtat e juaja mbi to (o burra) janë se ato nuk guxojnë ta gostitin askënd pa lejen tuaj. Nëse ato e bëjnë këtë, atëherë rrihni nga pak pa u shkaktuar ndonjë lëndim serioz! Të drejtat e tyre mbi ju janë se duhet t’ua siguroni ushqimin, veshmbathjen dhe elementet tjera për jetesë!”. [Transmeton Buhariu dhe Muslimi]
5. Në Hutben e tij të famshme Lamtumirëse, të cilën e mbajti në Arafat, Pejgamberi alejhi selam tha: “O njerëz! Me të vërtetë janë disa të drejta në lidhje me bashkëshortët. Nuk është e lejuar që shtrati juaj të shtypet nga askush, përveç se nga ju! Nuk guxojnë gratë ta fusin në shtëpi dikënd nëse nuk marrin autorizim nga burri i tyre dhe nuk duhet të bëni turpësira! Nëse e bëjnë këtë gratë, atëherë burrat e kanë lejen e All-llahut të Lartësuar që t’i qortojnë, t’i largojnë nga shtrati e mandej edhe t’i godasin lehtë! E nëse ato përmbahen ndaj këtyre rregullave dhe u binden burrit të vet, atëherë burrat kanë për detyrë t’i mbajnë dhe t’i mirëmbajnë në pajtim me nevojat e jetës! Ju urdhëroj që të silleni mirë ndaj grave tuaja sepse ato janë shtyllat e shtëpisë suaj! Ato nuk kanë gjë tjetër përveç vetvetes dhe juve! Konsideroni ato si dhuratë që jua ka dhënë i Mëshirshmi dhe kënaquni me to në Emër të Tij! Kini dro All-llahun në lidhje me gratë tuaja dhe trajtoni me butësi! Vallë, a jua komunikova atë që u porosita?”, ndërsa 100.000 haxhinjtë e pranishëm thanë “PO” me tërë fuqinë e zërit të tyre, e Pejgamberi alejhi selam kur i dëgjoi ata, tha: “O Zot, dëshmo për këtë!”. [Ibën Hishami citon nga Dr. Hamidullahu]
6. Ajshja (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) tregon se Hindi (bija e Utbes) i tha Pejgamberit alejhi selam: “O i Dërguari i All-llahut! Ebu Sufjani është një partner dorështrënguar. Ai nuk jep aq sa është e mjaftueshme për mua dhe fëmijët e mi, prandaj unë marr nga pasuria e tij pa dijeninë e tij. Pejgamberi alejhi selam ia ktheu: “Merr aq sa mjafton për ty dhe fëmijët tu!”. [Transmeton Buhariu dhe Muslimi]
Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI 15.01.2008
shkëputur nga libri: Kodi Social dhe Moral në Islam
autor: Muhammed el-Kudri /Sinqeriteti.Com