Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Feja dhe politika

Dr. Ahmed Rajsoni

Çfarë lidhjesh ka feja me filozofinë?

Çfarë lidhjesh ka feja me shkencën?

 

Çfarë lidhjesh ka feja me politikën?

Çfarë lidhjesh ka feja me jetën e kësaj bote?

Këto pyetje dhe të tjera, janë sa të reja po aq dhe të vjetra dhe të lashta.

Të shumtë janë ata që duan të fusin në fe gjithçka dhe ta përjashtojnë fenë nga gjithçka. Saqë disa prej tyre thonë:"Kurani nuk ka lënë gjë pa trajtuar, prandaj s'kemi nevojë për t'u informuar mbi fushat e tjera. Kjo, sepse dijet e tjera, ose do e mbështesin informacionin që ceket në Kuran dhe në këtë rast është humbje kohe pasi janë gjëra që dihen, ose do e kundërshtojnë informacionin e Kuranit dhe në këtë rast humbasin vlerën e tyre."

Shumë të tjerë, mbështesin idenë që feja të përjashtohet nga gjithçka, të boshatiset dhe të mbetet thjesht një disiplinë që mund të studiohet si filozofia, historia, sociologjia etj...

Në kohë të hershme, Ibnu Rushdi (nipi i filozofit të madh) shkroi librin e tij të vyer:"Gjykimi i drejtë, për lidhjet mes sheriatit dhe filozofisë". Në këtë libër, ai shtjellon karakteristikat metodologjike dhe funksionale të sheriatit dhe të filozofisë. Megjithatë, si sheriati dhe filozofia ndërthuren dhe takohen në shumë pika. Në origjinë, filozofia nuk del kundër sheriatit, madje e mbështet dhe i shërben atij. Sakaq, sheriati nuk e ndalon filozofinë, madje i përkrah mjeshtrit dhe njohësit e saj.

Personalisht, Ebul Velid ibnu Rushd dhe jeta e tij, u japin përgjigjen e duhur të gjithë pyetjeve të ngritura në fillim të këtij artikulli. Ai ishte një filozof racional, ishte doktor mendjemprehtë, ishte fakih dhe kadi. Në mendjen e tij, ishin gatuar dhe kishin bashkëjetuar të gjithë këto profesione, pa i shkaktuar çrregullime, konfuzion dhe pasoja në jetë. Ibnu Rushdi njihte mirë mjekësinë dhe filozofinë, ishte mjek dhe njihte mirë politikën. Shumë nga dijetarët myslimanë, heqin paralele mes sheriatit dhe mjekësisë, siç thekson dhe imam Shatibiu:"Sepse Ligjvënësi (Zoti) është Doktori suprem."

Raporti i fesë me politikën, është si raporti i mjekësisë me njeriun. Ai është si raporti mes mjekimit, ilaçit dhe kujdesit dhe jo siç mund të shihet sot, raport konfliktualiteti dhe rivaliteti.

Profetët e Zotit kanë qenë mjeshtrit e politikës dhe politikanët e parë. Dispozitat që sollën ata, përmbajnë politikat më madhështore dhe më të fisme në mbarë historinë e njerëzimit. Thotë imam Ebu Bekr Shashi në hyrjen e librit të tij me titull "Mehasin sheria" (vlerat e sheriatit) se këtë libër e ka shkruar për të treguar vlerat e sheriatit islam, përfshirjen e saj në politikën e ndershme dhe lidhjen e saj të ngushtë me logjikën e shëndoshë.

Dikush mund të thotë:"Politika e ndershme që ceket më lart, nuk është ajo politikë që njihet dhe vepron sot."

Ashtu është dhe këtu e kanë burimin shumë probleme. Që këtu lind nevoja e politikës dhe politikanëve të sheriatit dhe politikave të tij, për profetët dhe politikat e tyre.

Shumë njerëz dhe në veçanti politikanët, e kanë marrë si të qenë aksiomën se politika nuk i njeh vlerat morale dhe disiplinën fetare, gjë të cilën edhe e deklarojnë haptazi. E nga ç'sëmundje tjetër më të rëndë mund të vuajë politika dhe politikanët, sesa mungesa e stimujve moralë dhe distancimi nga disiplina morale? A mund të ketë kjo sëmundje ilaç më efekt prurës sesa ato që ofron sheriati të cilat kurojnë zemrat, mendjen dhe shpirtin?

Thotë imam Gazzali:"Në udhën e tij të reformimit të njerëzimit dhe udhëzimit të tyre në rrugën e shpëtimit në dynja dhe ahiret, politika klasifikohet në katër lloje:

E para dhe më supremja, është politika e profetëve të Zotit, paqja qoftë mbi ta. Politika me të cilën u dërguan profetët, në themel ishte politikë edukative, politikë kulturore dhe politikë sociale..."

Sot, qeveritë dhe partitë politike flasin edhe për politika arsimi, edukimi, sociale, kulturore, mediatike, madje edhe politikë fetare. Ata flasin edhe për luftën kundër korrupsionit si dhe moralit të jetës publike etj... Atëherë, a konstatohet ndonjë dallim thelbësor në këtë mes?!

Vetë politika e mishëruar në udhëheqjen e shteteve dhe pushtetin e popujve, nuk ka dalë jashtë kontureve të misionit të profetëve të Zotit, politikave dhe përpjekjeve të tyre reformatore. Gjithmonë, problemi kryesor me të cilin përballeshin të dërguarit e Zotit ka qenë kufizuar kryesisht tek "elita" d.m.th shtresa politike e vendit. Nëse do të vendosnim një përkufizim të çështjeve politike, do të thoshim" Është çdo çështje ku politikanët dhe pushtetarët janë palë. Kështu, nëse sheh që politikanët janë vënë kundër profetëve, atëherë ajo është një çështje kryekëput politike ose me dimensione politike. Nëse konsiderohet politike sepse vjen nga njëra palë, po sikur përballja të vijë nga të dy palët në mënyrë të ndërsjellët? Shembull për këtë, kemi profetin Musa a.s i cili u përball me faraonin dhe anasjelltas, ku politika profetike u përplas me politikën faraonike. A mund të dyshojë dikush se Musai a.s nuk ishte në një rol politik dhe se po përballej me një sfidë politike?!

Madje, kur lexojmë versetet që kanë të bëjnë me misionin e Musait a.s, e ndjejmë që misioni i tij ishte politik, ose sikur nuk ishte dërguar veçse për faraonin dhe elitën politike të Egjiptit të kohës.

Nga këto versete shkëpusim:Pas tyre, Ne dërguam Musain me shenjat Tona, te Faraoni dhe paria e tij, por edhe ata i mohuan ato. Pra, shiko si ishte përfundimi i ngatërrestarëve!"

"Më parë Ne e dërguam Musain me mrekullitë Tona dhe me një autoritet të qartë te Faraoni, Hamani dhe Karuni, por ata thanë: “Ky është magjistar dhe gënjeshtar!” (Gafir, 23-24)

Shko te Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë”. (Taha, 24)

"Shkoni te Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë!" (Taha, 43)

"Ne, me të vërtetë, ju kemi sjellë një të Dërguar dëshmitar mbi ju, ashtu siç ia çuam një të dërguar Faraonit," (Muzemil, 15)

Lidhur me aktivitetin politik të Musait a.s, nuk mund të themi se ai ishte një përjashtim, pasi të gjithë profetët kanë qenë politikanë në një farë mënyre. Profeti i Zotit Sulejmani a.s, ishte burrë shteti i pashoq. Në një hadith të saktë, profeti Muhamed a.s thotë:"Bijtë e Izraelit qeveriseshin nga profetët. Sa herë që vdiste një profet, e pasonte një tjetër. Pas meje nuk do të vijë asnjë profet tjetër, sakaq kalifët do të jenë të shumtë."

Vetë vula e profetëve dhe te të dërguarve, është marrë me politikë me të gjithë kuptimet e kësaj fjale. Ai është marrë me politikën e propagandës dhe edukimit, me politikën e organizimit dhe projektimit, me politikën e stërvitjes dhe ekzekutivit, me politikën e themelimit të shtetit dhe udhëheqjes së tij, qeverisjen e shoqërisë dhe menaxhimin e halleve të tyre, si dhe politikat e luftës dhe të paqes.

Mendoj se nuk do të dalë dikush të më kërkojë argumente dhe shembuj konkretë për këtë që sapo citova, pasi është diçka krejt e qartë që nuk ka nevojë për diçka të tillë. Prandaj nuk po zgjatem më shumë, me të panevojshmet.

Veç kësaj, dispozitat islame si në Kuran, sunet dhe fikhun islam, nuk kanë lënë aspekt politik pa e përfshirë, disa në mënyrë të përgjithshme, disa të tjera të detajuar. Atëherë, si është e mundur që intelektualët dhe politikanët tanë e dënojnë rreptë përzierjen e fesë në çështjet politike, saqë një nga presidentët arabë deklaroi një herë me britma e çjerrje zëri se: As feja s'ka punë në politikë dhe as politika në fe!"

Në shekujt e fundit, debati është ndezur, ose më mirë të themi beteja, është ndezur rreth raporteve mes fesë dhe politikës. Fillimisht, u përfshi Evropa nga kjo betejë e cila mori kohë të gjatë dhe shumë vonë radha i erdhi botës islame. Po çfarë ndodhi në të vërtetë?

Në Evropë dhe në shtetet perëndimore në përgjithësi, u arrit ndarja e fesë nga politika deri në një farë mase dhe mbeti ajo që mbeti. Një situatë e tillë ka lëshuar rrënjë në kulturën perëndimore dhe është diçka e pranueshme, me disa kontraste. Vitet e fundit hasim një lloj reflektimi për t'i kthyer vëmendjen dhe respektin tek feja. Ndoshta forma më e qartë e këtij orientimi, janë debatet që u zhvilluan në Evropë mbi formulimin e kushtetutës së përbashkët të Unionit Evropian dhe vendin që duhej të zinte identiteti i krishterë në të. Kështu, shumë evropianë refuzuan anëtarësimin e Turqisë për shkak se ajo është myslimane sakaq ata janë të krishterë, gjë që detyroi shumë komentues ta etiketojnë Unionin Evropian si klub të krishterë.

Kurse në botën islame, orvatjet për ndarjen e fesë nga politika në përgjithësi dhe nga qeverisja në veçanti, kanë dëshmuar – dhe vazhdojnë – beteja të ashpra nga të gjithë llojet. Këto beteja kanë dy pole: Shtetet perëndimore dhe ithtarët e tyre lokalë nga njëra anë, dhe popujt me elitën myslimane nga ana tjetër.

Në përgjithësi, të gjithë hapat dhe arritjet drejt këtij orientime, nuk kanë qenë gjë tjetër veçse operacione tepër të dhimbshme dhe të pasuksesshme. Në botën islame, eksperienca e parë u shënua gjatë grushtit të shtetit të përgjakshëm të cilit i priu Ataturku në Turqi, me mbështetje evropiane të plotë dhe të vazhdueshme që para tetëdhjetë viteve e gjer tani. Megjithatë, a pati sukses? A pati stabilitet? Përgjigjen mund ta lexojë secili tek garda ushtarake e pamëshirshme, e cila nuk di ta heqë gishtin nga këmbëza. Të ngjashme janë testet dhe provat e bëra në të gjithë botën islame me ndryshime të pjesshme dhe formale sipas vendeve dhe kohës.

Nëse i bëjmë një përjashtim relative suksesit perëndimor, për ndarjen e fesë nga politika, sukses i merituar dhe i dobishëm, historia në përgjithësi dhe historia e botës islame në veçanti dëshmon dhe thekson lidhjen e pandarë të fesë dhe politikës. Përse të mos veprojmë si Ibnu  Rushdi dhe të konfirmojmë lidhjet mes sheriatit dhe politikës?

Le t'i japim secilës vendin dhe të drejtën që i takon. Le të përfitojmë nga çdo palë të mirat e saj. A nuk është kjo vëllezër shekullaristë, gjëja më e mirë, më e dobishme dhe më e paqtë për umetin tonë, e cila do i jepte fund orvatjeve të gjata për ndarjen e fesë nga shteti dhe nga politika?! Gjithsesi, kjo do të mbesë thjesht një orvatje dhe nuk do të realizohet kurrë.

Nëse nuk u pëlqen metodologjia e Ibnu Rushdit (metodologjia e mendjes dhe filozofisë) atëherë adaptoni metodën demokratike, mbrojeni të drejtën e popujve tuaj për të zgjedhur si të duan, edhe kur ata preferojnë sheriatin dhe bashkimin mes fesë dhe politikës.

Në fund, mbetet të theksoj se: Ndërhyrjet e fesë në çështjet politike mbetet e rrethuar nga rreziqe dhe shkarje të shumta. Bazuar mbi këtë, mbetet çështje e refuzua, relativisht me të drejtë. Gjithsesi, kjo është një çështje që do ta diskutoj në një artikull të ardhshëm me lejen e Zotit.

 


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free