Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Koncepti i adhurimit në Islam

Në islam, adhurimi nuk është i kufizuar në ritualet dhe praktikat e njohura. Në fakt, çdo kontribut social që është i dobishëm, në islam konsiderohet si adhurim, përderisa qëllimi dhe nijeti është i mirë dhe nuk ka të bëjë thjesht me përmirësimin e imazhit tek njerëzit. Çdo vepër e mirë, fshirja e lotëve të një personi në hall, lehtësimi i një brenge, mjekimi i një plage, ushqimi i një të urituri, përkrahja e një të persekutuari, inkurajimi i një zemërthyeri, shlyerja e borxhit të një të mbyturi në borxhe, ndihma për një fukara me një tufë fëmijë, orientimi i një të humburi, arsimimi i një të paarsimuari, strehimi i një të pastrehu, largimi i një të keqeje nga një krijesë, pastrimi i një rruge, ndihma që i ofron një nevojtari etj... të gjitha konsiderohen adhurime me të cilat afrohesh me Zotin, me kusht që nijeti të bëhet për Zotin.
Shumë akte të ngjashme me ato që cekëm më lart, Islami i konsideron adhurime dhe rituale që bëhen për Zotin, pjesë e besimit dhe shkaktarë të fitimit të kënaqësisë e sevapit nga ana e Zotit.
Nuk është vetëm namazi, agjërimi dhe lutjet ato që të shënohen si adhurim gjatë ditës dhe nëpërmjet të cilave garanton sevapin e Zotit. Jo. Brenda një dite të vetme, ti si besimtar mysliman, mund ta mbushësh peshoren e veprave të mira, me shumë akte dhe vepra të mira, të cilat kanë peshën  dhe vlerën e vet tek Zoti i lartësuar. Kjo, edhe nëse ty të duken vepra të vogla dhe të parëndësishme.
Thotë profeti Muhamed a.s:”A t’ju tregoj për një akt që është më i mirë se grada e namazit, agjërimit dhe sadakasë?” Shokët u përgjigjën:”Patjetër o i dërguar i Allahut.” Profeti a.s us tha:”Është pajtimi mes njerëzve në mëri, pasi inatet dhe mëritë janë  brisk.” Në një transmetim tjetër, gjendet dhe fjalia:”Nuk janë brisk që rruan flokët, por brisk që rruan fenë.” (Ebu Daud, Tirmidhij dhe Ibnu Hiban)
Lidhur me vizitën e një të sëmuri dhe vlerën e saj tek Zoti, për shkak se ngushëllimi ia lehtëson dhimbjen dhe vuajtjen, Profeti a.s thotë:”Kush viziton një të sëmurë, i thërret një zë nga qielli:”Qofsh i bekuar, qoftë e bekuar ecja jote dhe qoftë i bekuar vendi yt në xhenet!” (Tirmidhij, Ibnu Maxheh, Taberiani)
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Kush viziton një të sëmurë, hyn në rahmetin e Zotit derisa të ulet. E pasi të ulet, ai zhytet në të (rahmet).” (Ahmed, Bezzar)
Profeti a.s na rrëfen një fragment të mrekullueshëm dhe plot mesazhe të Ditës së Kiametit. Ai e sjell në formën e një bisede mes robit dhe Zotit të tij, i cili i thotë:”O bir i Ademit! U sëmura e nuk më vizitove.” Njeriu do i thotë:”O Zot! Po si të vizitoj Ty, ndërkohë që je Zoti i botërave?!” Zoti i thotë:”A nuk e dije se robi Im filani, ishte i sëmurë dhe ti nuk e vizitove? A nuk e dije se po ta vizitoje atë, do më gjeje Mua pranë tij?” O bir i Ademit! Të kërkova të më ushqesh, por nuk e bëre.” Njeriu pyet i çuditur:”Po si të ushqej Ty o Zot, ndërkohë që Ti je Zoti i botërave?!” Zoti i thotë:”Të kërkoi robi Im filani ta ushqesh dhe ti nuk e bëre. A nuk e dije se po ta kishe ushqyer atë, do e gjeje tek Unë? O bir i Ademit! Të kërkova ujë dhe nuk më dhe.” Njeriu e pyet:”Po si të jap ujë, ndërkohë që Ti je Zoti i botërave?!” Zoti i përgjigjet:”Të kërkoi ujë robi Im filani dhe nuk i dhe. A nuk e dije se po t’ia kishe shuar etjen atij, do e gjeje tek Unë?” (Muslim)
Transmeton Buhari dhe Muslim, se Profeti a.s ka thënë:”Ndërkohë që një burrë po ecte rrugës, pa një ferrishte plot gjemba në rrugë, të cilën e largoi. Zoti ia vlerësoi këtë akt dhe ia fali gjynahet.” Sakaq Muslimi ka dhe një shtesë në të cilën thuhet:”Një burrë kaloi pranë një peme, e cila kishte shtrirë njërën degë nga ana e rrugës. Ai tha me vete:”Për Zotin, do e largoj këtë degë nga rruga ku kalojnë myslimanët, me qëllim që të mos i pengojë.... dhe Zoti i fali xhenetin.”
Transmeton Ebu Dher, se Profeti a.s ka thënë:”Mu paraqitën veprat e umetit tim, të mirat dhe të këqiat. Tek veprat e mira, gjeta dhe largimin e mbeturinave nga udha.” (Muslim)
Taksë sociale
Islami jo vetëm që i vlerëson këto vepra, por edhe bën thirrje, i stimulon dhe urdhëron që të veprohen, duke i radhitur tek detyrat ditore të myslimanit, me të cilat ai afrohet me xhenetin dhe largohet nga zjarri. Këto vepra, ai herë i quan sadaka dhe herë namaz, por që gjithmonë konsiderohen si adhurim me të cilat afrohet më shumë me Zotin.
Tregon Ebu Dheri:”E kam pyetur të dërguarin e Zotit a.s:”Çfarë e shpëton njeriun nga zjarri?” Ai mu përgjigj:”Besimi në Zotin.” Unë i thashë:”O profet i Zotit! Cilat vepra duhet ta shoqërojnë besimin?” Ai më tha:”Të japësh nga pasuria që të ka dhënë Zoti.” Unë e pyeta:”O profet i Zotit! Po nëse dikush është i varfër dhe s’ka ç’të japë?” Profeti a.s u përgjigj:”Të urdhërojë për mirë dhe të ndalojë nga e keqja.” Unë e pyeta:”Po nëse nuk mundet të urdhërojë për mirë dhe të ndalojë nga e keqja?” Ai u përgjigj:”Ti mësojë një zanat një të padituri.” Unë i thashë:”O i dërguar i Allahut! Po sikur të mos dijë asnjë zanat?” Profeti a.s u përgjigj:”Atëherë të ndihmojë dikë të cilit i është bërë padrejtësi.” Unë i thashë:”Po nëse nuk e bën dot as këtë?” Profeti a.s më tha:”Po çfarë të mire dëshiron ti lësh këtij njeriu ti?!” Pastaj shtoi:”Le ta frenojë veten dhe mos u bëjë keq njerëzve.” Unë e pyeta:”O i dërguar i Allahut! Nëse e bën këtë, a e fiton xhenetin?” Profeti a.s tha:”Çdo besimtar që vepron një nga veprat e cituara më lart, ajo (vepra) do e marrë përdore derisa ta fusë në  xhenet.” (Bejhakij)
Me këtë shpirt të lartë, Islami i nxit ithtarët e tij të kontribuojnë në shoqëri. Islami, adhurimin nuk e ka të kufizuar në kohë dhe vend. Taksat ose veprat e mira në islam, nuk janë vetëm monetare, pasi kështu do të favorizoheshin vetëm për të pasurit, as fizike, pasi kështu do të favorizoheshin vetëm të fuqishmit, as kulturore pasi kështu do të favorizoheshin vetëm intelektualët. Ai – islami –  ka përcaktuar taksa që mbulohen nga çdo qenie humane, e  cila mund të paguhet nga çdo njeri sipas kapaciteteve dhe mundësisë. Për pagimin e kësaj takse, merr pjesë si i pasuri ashtu dhe i varfëri, si i shëndetshmi ashtu dhe i ligshti, si i arsimuari ashtu dhe analfabeti.
Teksa lexon hadithet e Profetit a.s lidhur me këtë kapitull, gjejmë se ky konceptim i tillë i adhurimit, është i kërkuar për çdo kyç të fizikut. Transmeton Ebu Hurejre se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Të gjithë njerëzit e shëndetshëm duhet të japin sadaka për çdo ditë që lind dielli. Një drejtësi që vendoset mes dy personave është sadaka, të ndihmosh dikë ti hipë kafshës së vet është sadaka, ta ndihmosh të ngarkojë barrën mbi kafshë është sadaka, fjala e mirë është sadaka, çdo hap që hidhet drejt xhamisë është sadaka, largimi i mbeturinave nga rruga është sadaka.” (Buhari dhe Muslim)
Pak a shumë, të njëjtin hadith transmeton dhe Ibnu Abasi nga i dërguari i Allahut a.s, i cili thotë:”Për çdo kyç në trupin e njeriut duhet falur namaz.” Një burrë ndërhyri dhe tha:”Kjo është gjëja më e vështirë që na ke kërkuar ndonjëherë.” Atëherë Profeti a.s tha:”Të urdhërosh për mirë dhe të ndalosh nga e keqja konsiderohet namaz, ti mbash barrën një të pafuqishmi konsiderohet namaz, të largosh mbeturinat nga rruga konsiderohet namaz, çdo hap që bën drejt namazit është namaz.” (Ibnu Huzejme)
Diçka të ngjashme ka transmetuar Burejde se Profeti a.s ka thënë:”Në trupin e njeriut gjenden 300 kyçe dhe ai duhet të japë sadaka për çdo kyç.” Dikush tha:”E kush e ka këtë mundësi o i dërguar i Allahut?” (pasi mendoi se bëhej fjalë për vlerë monetare). Profeti a.s tha:”Të mbulosh një gëlbazë, të largosh një mbeturinë nga rruga...” (Ahmed)
Në shumë hadithe të tjera, buzëqeshja që i dhuron një njeriu, fjalët që i përcillen dikujt që nuk dëgjon, marrja për dore e një të verbëri, orientimi i një të humburi, udhëzimi i një personi që ka nevojë, rendja pas britmave për ndihmë të një personi në hall, të mbash në krahë një të sëmurë dhe gjithçka tjetër që hyn tek veprat e mira në këtë univers, konsiderohet si sadaka dhe adhurim.
Hapësirat e të mirës dhe të dobishmes nuk janë eksluzivitet i njeriut, por ato përfshijnë dhe mbulojnë çdo qenie të gjallë. Prandaj, çdo e mirë që i bëhet një kafshe apo shpendi, apo çdo dëm që i shmanget, konsiderohet si adhurim dhe mënyrë për tu afruar më shumë me Zotin.
Ky konceptim i veprave të mira, që përfshijnë si qeniet njerëzore dhe jo njerëzore dhe që paralelisht konsiderohen edhe si adhurim dhe formë afrimi me Zotin, e mbush këdo që kërkon të adhurojë Zotin në formën më të plotë. Kështu myslimani mund ti qaset adhurimit nga një këndvështrim më i gjerë, në vend që ta konceptojë dhe kufizojë atë vetëm me disa rituale që kryhen brenda xhamisë, të shkëputura nga vala e jetës së përditshme.
Adhurim, por me kushte
Edhe puna që ushtron njeriu për të siguruar jetesën e tij, konsiderohet adhurim, sigurisht me disa kushte që duhen plotësuar. Vetë Profeti a.s i ka konsideruar punët me të cilat merret njeriu për të siguruar jetesën për veten dhe familjet, si adhurim dhe vepra me të cilat njeriu afrohet me Zotin. Kjo, edhe pse dobia nuk e kalon rrethin personal apo familjar të personit. Kështu, bujku në parcelën e tij, punëtori në fabrikë, tregtari në dyqanin e vet, nëpunësi në zyrën e tij dhe çdo person që ushtron zanatin dhe punën e tij të përditshme me të cilën siguron jetesën, mund ta rendisë tek namazi dhe xhihadi, nëse plotëson disa kritere:
*         Të jetë një punë apo vepër e ligjshme në këndvështrimin islam. Sakaq, ato vepra që i ndalon islami, si puna në disko, kamata etj... nuk mund të konsiderohet si adhurim. Zoti është i Mirë dhe nuk pranon veçse të mirën.
*         Të jetë e shoqëruar me nijet të mirë. Në këtë rast, myslimani duhet të bëjë nijet që me këtë punë, të plotësojë nevojat e tij, të familjes, ti sjellë dobi umetit dhe ti shërbejë jetës mbi tokë, ashtu siç e ka urdhëruar Zoti.
*         Ta kryejë punën me përkushtim dhe devocion. Në një hadith, Profeti a.s ka thënë:”Zoti e kërkon përsosjen në çdo gjë.” (Muslim) “Zotit i pëlqen që nëse dikush e vepron një punë, ta përsosë atë.” (Bejhakij)
*         Ti përmbahet dispozitave të Zotit, të mos i hyjë kujt në hak, të mos tradhtojë, mos mashtrojë, mos sillet padrejtësisht.
* Të mos ndikojnë negativisht angazhimet e tij të punës, në kryerjen e detyrave ndaj Zotit. Thotë Zoti në Kuran:”O besimtarë, mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut. Ata që e bëjnë këtë, do të humbin.” (Munafikun, 9)
“njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahut dhe të cilët falin namazin dhe japin zeqatin dhe të cilët kanë frikë nga Dita (e Kiametit), kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara.” (Nur, 37)
Nëse myslimani i respekton këto kritere, puna dhe aktiviteti i tij i përditshëm konsiderohet si adhurim, edhe pse nuk gjendet në faltore dhe nuk i përgjërohet Zotit mbi sixhade. Transmeton Kab ibnu Axhere:”Një burrë kaloi pranë Profetit a.s dhe një grupi myslimanësh. Shokëve të Profetit a.s u bëri përshtypje hovi dhe dinamika e tij, prandaj thanë:”O i dërguar i Allahut! Sikur këtë hov dhe dinamikë ta shfrytëzonte në rrugë të Zotit!” (Pra, ta shfrytëzonte në xhihad për të ngritur larg fjalën e Zotit, vepër që sipas tyre ishte praktika më e mirë)
Profeti a.s ua ktheu:”Nëse ai ka dalë për të siguruar jetesën e fëmijëve të tij të vegjël, ai është në rrugë të Zotit. Nëse ka dalë të sigurojë jetesën e tij dhe të ruhet nga harami, ai është në rrugë të Zotit. E nëse ka dalë për tu krekosur dhe mburrur para njerëzve, ai është në rrugë të shejtanit.” (Taberanij)
Kurani fisnik, e emërton rendjen në kërkim të rizkut dhe sigurimit të jetesës, me kërkim të mirësive së Zotit. Thotë Zoti në Kuran:” Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut” (Xhumua, 10)
“Nuk është gjynah të kërkoni nga mirësitë e Zotit juaj.” (Bekare, 198)
“disa do të udhëtojnë nëpër botë, duke kërkuar mirësitë e Tij (për jetesë) dhe disa të tjerë do të jenë duke luftuar në rrugën e Tij” (Muzzemmil, 20)
Lidhur me mundin e bujkut në kultivimin e kulturave të ndryshme, si dhe sevapin e kësaj pune, Profeti a.s thotë:”Çdo mysliman që mbjell diçka, nga e cila hanë zogjtë, njerëzit dhe kafshët, atij do i konsiderohet si sadaka.” (Buhari dhe Muslim)
Profeti a.s deklaron se:”Tregtari që thotë të vërtetën dhe është i besueshëm, do të jetë në shoqërinë e profetëve, të sinqertëve dhe dëshmorëve.” (Tirmidhij)
Nën hijen e këtyre udhëzimeve, një myslimani nuk i lejohet, madje as që imagjinohet, që të shndërrohet në barrë dhe parazit për të tjerët. Atij nuk i falet që të jetë barrë e shoqërisë, të marrë nga jeta pa i dhënë asaj. Atij nuk i falet të izolohet dhe të tërhiqet nga jeta, me pretekstin se po i përkushtohet adhurimit të Zotit. Përkundrazi, ai motivohet për tu angazhuar në të gjithë sektorët e jetës duke kontribuar dhe prodhuar me përkushtim dhe devocion, i bindur se është në namaz dhe  xhihad.
Veprat instinktive
Më e mrekullueshmja nga gjithçka që cekëm, është se adhurimi i përfshin dhe praktikat e përditshme që kanë për bazë instinktin njerëzor. Kështu, të ngrënit, të pirët, marrëdhëniet seksuale (në kuadrin martesor), bëjnë pjesë në rrethin e gjerë të adhurimit, por me një kusht “Nijetin”. Ai – nijeti – është lënda magjike e çuditshme, e cila nëse bëhet pjesë e të lejueshmes dhe tradicionales, e shndërron atë në adhurim dhe mjet afrimi me Zotin.
Argumenti dhe treguesi më i mirë për këtë, është thënia e Profetit a.s për shokët e tij:”Edhe për marrëdhëniet seksuale me bashkëshortet tuaja, do të shpërbleheni.” Dikush e pyeti me habi:”A edhe për plotësimin e epsheve tona shpërblehemi o i dërguar i Allahut?!” Profeti a.s iu përgjigj:”Nëse e plotëson në rrugë haram, do të dënoheshe. Prandaj, nëse e plotëson në hallall do të shpërblehesh.” (Muslim dhe Tirmidhij)
Thonë dijetarët:”Kulmi i mëshirës dhe rahmetit të Zotit me robërit e Tij, është se i shpërblen edhe kur përmbushin nevojat e tyre instinktive, siç janë marrëdhëniet seksuale brenda kuadrit martesor.”


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free