Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Pastrimi nga mekatet

Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin famëlartë: “Dhe ata që patën frikë Zotin e tyre, drejtohen për në parajsë (xhenet) grupe – grupe, derisa kur arrijnë para dyerve të xhennetit, ata dyer hapen, dalin rojet e xhennetit dhe u thonë: “Selamun alejkum (paqja qoftë mbi ju), jeni të pastër, futuni në xhennet përgjithmonë”. (Zumer: 73).
 
Xheneti për të cilin flasim, është vend qetësie pas të cilit nuk ka më stres, është jetë e përhershme, pas së cilës nuk ka më vdekje, është kënaqësi pas së cilës nuk ka më ambicje, është shtëpi prej diamanti, është bukuri e pakrahasueshme, është gjelbërim që të mahnit, është aromë që të deh, është ujë që nuk prishet, është qumësht i shijshëm, është mjaltë i kulluar, është verë, që s`ta merr mendjen. As gjuha ime dhe as gjuha e çdonjërit prej nesh nuk mund t`i përshkruajë të gjitha bukuritë e xhenentit.
 
Xheneti është fqinjësia me njerëzit më të mirë, me profetin (a.s) dhe shokët e tij, është fqinjësi me Zotin e gjithësisë.
Xheneti është ajo bukuri, që se ka parë kurrë syri, se ka dëgjuar kurrë veshi, nuk e ka menduar kurrë mendja jonë. Ai është vendi i pastërtisë absolute. Aty nuk ka mëkate, s`ka rryshfete, s`ka korrupsion, as falsifikim, aty nuk ka mashtrim, aty as mendja nuk të shkon për keq.
 
Por ama në xhenet nuk mund të futet mendjemadhi, ai që ka marrë nëpër gojë njerëzit, ai që ka marrë para haram, ai që ka parë ose ka bërë harame. Në xhenet futesh vetëm në qoftë se je i pastër si floriri 24 karatësh, sepse ai është vend i pastër dhe vendi i të pastërve.
 
Por ndërsa gjuha i shpreh mirë e bukur këto fjalë, zemra ime e zemrat tona pyesin e kërkojnë përgjigje: “Kush do të hyjë në xhenet”?
Ne të gjithë bëjmë gabime nga mëngjesi deri në darkë edhe pse mundohemi t`u largohemi atyre. Duke e ditur këtë, dikush mund të thotë se askush nuk do të hyjë në xhenet. Kjo është e vërtetë. Askush s`do të hyjë në xhenet me punën e tij.
Kur profeti (a.s) u tha shokëve të tij: “Kur ta bëni një punë, mundohuni ta përsosni atë sa më mirë. Në qoftë se nuk mundeni, atëherë afrojuni së mirës, por në fund mos u bëni pesimistë dhe dijeni fare mirë, se puna e njeriut nuk do ta fusë atë në xhenet” (Ebu Jala, hadithi është i dobët).
Shokët i thanë: “O Profet i Zotit! Ti falesh gjithë natën, ti agjëron gjithë ditën, ty nuk të shkon mendja për keq. As ty nuk do të të fusin punët e tua në xhennet”? Ai tha: “As mua nuk do të më fusin punët e mia në xhennet, vetëm nëse më përfshin Zoti i gjithësisë me mëshirën e Tij”. (Muslimi).
Xheneti është projektuar me mëshirën e Allahut (xh.sh) dhe nuk do të hyjë askush në xhenet, përveç atyre që i mëshiron Allahu (xh.sh).
Por Zoti nuk e lë besimtarin të papastër e të ngarkuar me gjynahe. Allahu (xh.sh) ka përgatitur 11 stacione pastrimi. Ato mund t`i quash lavazhe, sita hyjnore etj. Rendesi ka, që do të pastrohesh, para se të hysh në xhenet.
Këto stacione janë mëshirë prej Zotit.
 
Ato janë 4 në këtë dynja, janë 3 në jetën e varrit dhe 4 në ahiret.
 
Stacionet e dynjasë:
1-   Pendimi.
2-   Istigfari.
3-   Punët e mira.
4-   Fatkeqësitë që na ndodhin.
 
Stacioni i parë i dynjasë është PENDIMI. Pendimi është kthim në identitet. Çdo njeri bën gabime, por besimtari kujtohet se kjo punë e keqe është prej shejtanit dhe shpejt kthehet e mundohet të pastrojë veten e tij. Ky është pendimi. Është stacioni i parë, ku Zoti i pastron çdo ditë besimtarët. Besimtari i mirë nuk është mendjemadh. Mendjemadhi nuk pendohet, sepse thotë: “Çfarë kam bërë unë, që duhet të pendohem e të falem? Pse duhet ta ul unë ballin tim në sexhde për Zotin e gjithësisë?” Ndërsa besimtari e njeh mirë veten e tij, e ul kokën dhe në çdo moment pendohet tek Zoti i gjithësisë, sepse vetë Allahu (xh.sh) thotë: “Dhe të gjithë pendohuni tek Zoti o besimtarë, në mënyrë që të shpëtoni”. (Nur: 31).
 
Ky është stacioni, që ne shpesh e harrojmë. Po të pastroheshim mirë tek ky stacion, s`do të kishim nevojë për stacionet e tjera, por ne e neglizhojmë pendimin.
Vëllezër! Ky stacion është i hapur 24 orë, që të mund të pendohesh kur të duash, madje është i hapur derisa të të dalë shpirti prej trupit dhe të lindë dielli nga perëndimi.
Prandaj vëlla dhe motër e nderuar, bëje pendimin ushtarin më të mirë që ke me vete. Pendohu në çdo moment, sepse Zoti i do ata që pendohen, ata që e ndjejnë se duhet të pendohen e duhet të pastrohen.
 
Stacioni i dytë i dynjasë është ISTIGFARI ose ndryshe kërkimi i faljes Nëse nuk të ka pastruar pendimi, Allahu (xh.sh) me mëshirën e Tij ka përgatitur këtë stacion, i cili gjithashtu është i hapur 24 orë. Kërkimi i faljes nuk është thjesht të thuash: “Estagfirullah (O Zot me fal)” e ti nuk e di se çfarë po thua. Besimtari i mirë e di se duhet ta nxjerrë nga thellësia e zemrës kërkimin e faljes për Zotin, për mëkatet të cilat ai i di që i ka bërë e për shumë e shumë të tjera, që ai nuk i mban mend por i di Allahu (xh.sh).
Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Kush angazhohet me istigfar, jo një herë në ditë, por 100 apo 1000 herë në ditë (pra e bën praktikë të jetës së tij istigfarin), Allahu (xh.sh) do t`i japë zgjidhje për çdo hall që ka, do t`i japë qetësi për dhe do ta furnizojë aty ku nuk ia merr mendja njeriut”. (Ebu Daudi dhe Ibn Maxheh. Hadithi është i dobët).
Ky është istigfari. Sahabët thonin: “Pasha Zotin, në një tubim ne i kërkonim falje Zotit më shumë se 100 herë”.
Kur të thuash “Estagfirullah”, duhet të të dridhet pak zemra, të të lëvizë pak gjaku e të të rrënqethet pak trupi. Kur i bën këto tre punë, bien mëkatet, nuk kanë më vend në trupin e atij që kërkon falje. Zoti na ruajt nga ai istigfar, që e thotë gjuha e nuk del prej zemre.
Të gjithë ne bëjmë biseda, shumica e të cilave janë të kota, prandaj shfrytëzoje kohën tënde duke bërë istigfar. Madje edhe në xhami dëgjohen njerëz, të cilët kanë ardhur nga ana e anës dhe kanë lënë punën vetëm e vetëm për të adhuruar Allahun (xh.sh), por në vend që të përmendin Zotin, ata bëjnë biseda të ndryshme, bëjnë muhabet. Po a ka bisedë më të mirë, sesa të dëgjosh fjalën e Allahut (xh.sh). Fjala më e mirë është fjala e Allahut (xh.sh), pra Kurani famëlartë.
Prandaj kur nuk ke se çfarë të bësh, lexo Kuran, bëj istigfar, kujtoje Zotin e botëve. Ky ishte stacioni i dytë.
 
Stacioni i tretë i dynjasë janë PUNËT E MIRA që bën njeriu.
Ne kemi bërë e do të bëjmë gabime. Askush të mos mendojë se është i pastër. Por ndryshimi mes nesh dhe të tjerëve është, se ne bëjmë punë të mira duke shlyer kështu gabimet tona. E dimë që gabuam dhe e dimë që ka një punë të mirë, me të cilën mund të pastrohemi.
Nga punët e mira është namazi. Unë e di që ka njerëz, të cilët vijnë nga larg vetëm e vetëm për të falur namazin e xhumasë dhe e lus Allahun t`ua shpërbleje për hapat që bëjnë, për abdesin që marrin, për nijetin e zemrave të tyre. Namazi i pesë kohëve është obligim, është puna më e mirë që mund të bëjmë. Profeti (a.s) ka thënë: “Namazi i pesë kohëve i fshin gjynahet ashtu si ai njeri që ka para shtëpisë së tij një lumë, në të cilin lahet pesë herë në ditë dhe nuk mbetet tek ai asnjë papasterti”. (Buhariu dhe Muslimi).
Po të lahesh pesë herë në ditë nuk mbetet asgjë e papastër në trupin tënd. Kështu janë edhe pesë namazet. Kështu është agjerimi, sadakaja, çdo punë e mirë.
Punët e mira i largojnë punët e këqija. Besimtari është i zgjuar. Në qoftë se bën një gabim, ai menjëherë bën një punë të mirë.
A ke marrë një person nëpër gojë dhe ti e di këtë gjë? Ngrihu, merr abdes dhe fal dy rekate namaz. Lutu për këtë person, që Zoti ta falë, lutu edhe për veten, që Zoti të të falë, pasi i ke hyrë në hak këtij personi. Jep sadaka, shtrëngoje pak veten tënde. Pas çdo pune të keqe, bëj një punë të mirë.
Siç e dimë, tek Zoti një mëkat shënohet si një gjynah, kurse një punë e mirë shënohet me dhjetë sevape. Duke vepruar kështu, dalim në fund me shpërblime dhe jo me mëkate.
 
Stacioni i katërt i dynjasë janë FATKEQËSITË që na bien. Çdokush prej nesh sprovohet me familjen e tij, me pasurinë e tij. Sprovohen besimtarët dhe jobesimtarët, por dallimi është se besimtari e di se fatkeqësitë janë prej Allahut (xh.sh). Kjo s`do të thotë se besimtari e ka zemrën gur, sepse dhe ai mërzitet dhe i vjen keq kur i vdes fëmija, kur i iken pasuria, apo të ngjashme me këto, por ai duron, sepse e di që si e mira ashtu dhe e keqja janë prej Allahut. Kjo është besimi në kaderin e Zotit.
Prandaj profeti (a.s) ka thënë: “Është e habitshme puna e besimtarit. Gjithë jeta e tij është hajr. Kur i ndodh një e mirë, ai falenderon Allahun dhe merr shpërblime dhe kur i ndodh ndonjë fatkeqësi, ai duron dhe përsëri merr shpërblime për këtë”. (Muslimi).
 
Këto janë punët, të cilat ke mundësi t`i bësh. Këto janë 4 stacionet e dynjasë. Në qoftë se nuk arrite të pastrohesh mirë në këto 4 stacione, Zoti ka vendosur tre stacione në jetën e varrit, por ato janë shumë të vështira.
 
Stacionet e jets së varrit:
1-   Namazi i xhenazes
2-   Vuajtjet e varrit
3-   Sadakaja rrjedhëse
 
Stacioni i parë në jetën e varrit, është NAMAZI I XHENAZES. Ai të pastron edhe pse ti ke vdekur. Besimtarët të falin namazin e xhenazes, pasi të vdesësh. Ata i luten Allahut (xh.sh) duke thënë: “O Zot fale filanin, se ishte njeri i mirë, ishte besimtar”. Nuk është kusht që të jenë 500 apo 1000 veta, por ata që falin namazin e xhenazes duhet të jenë besimtarë. Për këtë profeti (a.s) ka thënë: “Nëse 40 besimtarë që dëshmojnë shehadetin, ia falin namazin e xhenazes një personi, Zoti i bën ata ndërmjetësues për të vdekurin”. (Muslimi).
Nëse njerëzit falen me zemër, luten dhe qajnë për të vdekurin, inshallah kjo lloj dua` (lutje) i bën dobi të vdekurit. Prandaj vëllezër dhe motra, ju ftoj të bëni punë të mira, në mënyrë që edhe njerëzit kur të na falin xhenazen, ta dinë se përse të luten për ne. Gjithashtu ju ftoj të merrni pjesë në xhenazet e njerëzve të tjerë, sepse Zoti ka caktuar, që kush merr pjesë në xhenazet e tjera, Zoti bën të mundur, që edhe të tjerët të marrin pjesë në xhenazen e tij. Namazi i xhenazes është pastrimi i parë në varr.
 
Në stacionin e dytë bëhet fjalë për VUAJTJET E VARRIT.
Varri nuk është gjë e lehtë. Profeti (a.s) ka thënë: “Pasha Zotin, njerëzit sprovohen në varr. Sprovohen aq shumë, saqë kockat futen tek njëra - tjetra”. (Ebu Daudi. Hadithi është i vërtetë).
Zoti i gjithësisë është i Urtë. Nuk e le zhurmën e atij që është në varr ta dëgjojnë as njerëzit dhe as xhindët. Profeti (a.s) në lidhje me këtë ka thënë: “Pasha Zotin, po ta dëgjonit atë zhurmë, ju nuk do të kishit guxim t`i varrosnit njerëzit nga frika”. (Muslimi me fjalë të ngjashme).
Nuk do të kesh guxim të fusësh babain dhe nënën tënde në varr. Çdo të thotë vuajtje?! Zoti na ruajt, do të thotë të jesh fqinj me gjarpërinjtë dhe me akrepat, do të thotë të të ngushtohet varri. Melekët e varrit vijnë dhe të bëjnë tre pyetje: “Kush është Zoti yt, cila është feja jote, cili është profeti yt”? Këto pyetje teorikisht e kanë përgjigjen e lehtë, por praktikisht aty nuk flet më gjuha, por flasin punët tona.
Këto dhimbje dhe vuajtje Zoti i bën pastrim për besimtarin. Vuajtjet e varrit janë pastrim për jetën, që do të vijë më vonë.
 
Stacioni i tretë në jetën e varrit është SADAKAJA, që bëjnë fëmijët dhe njerëzit për ty. Në qoftë se ke qenë njeri besimtar, ke bërë një punë të mirë, ke ndërtuar një xhami, ose të pakten ke vendosur një tullë në xhami, ke blerë 1m2 tapet ku falen njerëzit, ata luten për ty dhe sevapi i lutjes së tyre vjen tek ti, i njeh apo nuk i njeh ti këta njerëz. Profeti (a.s) ka thënë për sadakanë rrjedhësë: “Lum ai njeri që vdes, i kanë mbaruar vitet e jetës po nuk i ka mbaruar puna e tij, nuk i ka mbaruar dokumenti ku shënohen sevapet e tij”.
Prandaj secili prej nesh të mundohet të lerë diçka, që njerëzit të na kujtojnë dhe të luten për ne: “Zoti e mëshiroftë filanin. Ka ndërtuar këtë shkollë e këtë xhami, ka bërë këtë punë të mirë, ka ndihmuar këtë jetim”.
Punë tjetër e mirë e cila të ndihmon në jetën e varrit është dija nga e cila kanë dobi njerëzit. Kur i mëson dikujt një punë të mirë, ti merr sevapet e punës që bën ai edhe në varrin tënd, pa iu pakësuar shpërblimi atij tjetrit.
Punë e mirë është edhe një fëmijë i mirëedukuar. Jo vetëm i ke dhënë për të ngrënë, por e ke ditur që ky fëmijë është amanet. Nëse e edukon mirë atë, do të ketë bereqet për njerëzit dhe për ty. Por në qoftë se e edukon keq, kjo do të jetë në dëm të njerëzve dhe në dëmin tënd.
Fëmija i mirë, në çdo sexhde që bën, nuk harron të lutet për babain dhe nënën e tij. Me të vërtetë është mrekulli e madhe të edukosh një fëmijë, që s`të harron. Thuhet, që i vdekuri e pyet Zotin e gjithësisë: “O Zot! Pse po më ngrihen gradat mua?” Allahu (xh.sh) ia kthen: “Fëmija yt po lutet për ty”.
Këto janë punët, që na pastrojnë në jetën e varrit. Fëmija që edukojmë mirë, dija që mund të lemë dhe çfarëdo lloj pune e mirë.
 
A ka njerëz që nuk pastrohen me kaq? Ka sa të duash! Allahu (xh.sh) e vazhdon urtësinë dhe mëshirën e Tij edhe me ringjalljen e njeriut. Ka vendosur 4 stacione të tjera për ta pastruar njeriun në ahiret. Ato janë më të vështira se ato që kemi kaluar deri tani.
 
Stacionet e ahiretit
1-   Tubimi i njerëzve dhe qëndrimi në sheshin e hapur.
2-   Qëndrimi përpara Allahut (xh.sh).
3-   Shefaati (ndërmjetësimi) i profetit (a.s).
4-   Falja e Allahut (xh.sh)
 
Stacioni i parë në ahiret është TUBIMI I NJERËZVE DHE QËNDRIMI NË SHESHIN E HAPUR. Ditën e Kijametit të gjithë njerëzit të frikësuar e të paveshur, nga Ademi (a.s) dhe deri tek njeriu i fundit do të qëndrojnë në sheshin e hapur në pritje të llogarisë. Të gjithë kanë frikë. Ata që kanë besuar në këtë ditë, e dinë se çfarë kanë bërë. Ata që nuk kanë besuar në këtë ditë, habiten dhe befasohen që u ringjallën. Është tmerr dhe frikë.
Profeti (a.s) ka thënë: “Është dita më e vështirë, kur Zoti mbledh gjithë njerëzimin nga i pari tek i fundit në një vend të rrafshët. Dielli afrohet gati një milje mbi kokat e tyre dhe djersët e njerëzve janë sipas mëkateve të tyre”. (Muslimi).
Nëse dielli afrohet një milje më shumë se ç`është sot, ne shkatërrohemi, por në atë ditë nuk ka më vdekje, sepse vetë vdekja ka vdekur. Aq shumë vuajnë njerëzit, besimtarë dhe jobesimtarë, saqë zgjedhin përfaqësi për të shkuar tek profetët, që ata të ndërmjetësojnë tek Allahu (xh.sh). Pikërisht këto djersë, ky tmerr e ky ankth janë pastrim, por vetëm për besimtarët. Ky është stacioni i parë pastrues në ahiret.
 
Stacioni i dytë në ahiret është QËNDRIMI PËRPARA ALLAHUT (xh.sh). Ky qëndrim është edhe më i frikshëm se i pari. Nëse na thonë: “Ke takim me presidentin, do takohesh vetëm ti me të”, njeriu dashje pas dashje ka njëfarë emocioni, njëfarë frike. A e imagjinon dot të takohesh me Zotin e gjithësisë, me Atë që të ka krijuar, me Atë që të ka parë në çdo sekondë e në çdo moment se çfarë ke bërë, madje ka ditur edhe se çfarë do të bësh?
Profeti (a.s) ka thënë: “Pasha Zotin, do të dilni që të gjithë para Allahut tek për tek dhe pa përkthyes” (Buhariu dhe Ahmedi).
Do të ketë nga ata njerëz, të cilët do t`i pyesë Allahu (xh.sh): “Robi im! A nuk mendove për Mua. E bëre mëkatin dhe s`pyete nëse ka apo nuk ka Zot që të shikon. Nuk pyete njëherë në atë jetë, se çfarë kërkon prej meje ky Zot, që më ka krijuar. Robi im ti më harrove Mua dhe Unë të harroj sot”. Atë që e harron Allahu (xh.sh), nuk ka kush që e kujton.
Por do të ketë edhe nga ata njerëz, të cilët Allahu (xh.sh) i pyet: “Robi Im, a ishe ti ai, që filan ditë, filan moment bëre filan gabim”? Njeriu përgjigjet: “Po o Zot”. Allahu (xh.sh) e pyet pastaj për mëkatin tjetër, pastaj për tjetrin e kështu me radhë. Kur shikon librin e tij të mbushur me të zeza, njeriu thotë: “Unë mbarova, hyra në xhehenem, i mjeri unë”. Allahu (xh.sh) i thotë: “Bjer në sexhde për madhështinë Time”. Ai bie ne sexhde dhe kur ngrihet, lexon librin e tij dhe shikon, se mëkatet e tij janë kthyer të gjitha në sevape. Atëherë thotë: “O Zot, ku janë mëkatet e mia?” Allahu (xh.sh) i përgjigjet: “Unë t`i mbulova në dynja, Unë prapë t`i mbuloj sot dhe nuk i jap llogari askujt”
Sikur gabimet tona të kishin erë, askush nuk do kishtë mundësi të na rrinte afër, por është mëshira e Allahut (xh.sh), që i mbulon gjynahet tona, prandaj lusim Zotin qe kurre te mos e heqim këtë mbulesë, që na ka vënë Allahu (xh.sh) dhe ajo nuk hiqet, përderisa ti nuk prish nderin e tjetrit. E lusim Zotin t`i mbulojë gabimet tona.
Kjo është ditë shumë e vështirë, është dita për të cilën Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin famëlartë: “Atë ditë i riu thinjet”. (Muzemil: 17). I riu thinjet nga tmerri dhe ankthi i daljes para Allahut (xh.sh).
 
Mund të ketë shumë histori, por mua njëra më ka bërë përshtypje. Është historia e një muslimani me emrin Ahmed, i cili falej shumë rrallë. Gruaja e tij ishte besimtare dhe e këshillonte gjithmonë: “Falu për Zotin, falu të na shkojë mbarë edhe në dynja edhe në ahiret, falu se edhe familja ka tjetër hije, edhe fëmijët rriten ndryshe kur prindërit janë besimtarë”. Ai thoshte: “Do filloj rregullisht këtë Bajram, do filloj Bajramin tjetër”. Por Bajramet iknin vit pas viti dhe ai nuk po falej. Zoti i gjithësisë me mëshirën e Tij i lëshon një sprovë shumë të vështirë për ta kthyer tek rruga e Tij.
Ky njeri punonte në një furrë. Një ditë shokët e mbyllin gabimisht në furrë, në atë furrë ku temperatura shkonte me mijëra grade dhe askujt nuk i ra mendja për të. Ai u mundua të dilte, por ishte e pamundur. Nuk kishte çelës, nuk i hynte në punë as zëri, as celulari, asgjë. Atëherë filloi të bindej që do të vdiste pas gjysëm ore apo pas një ore, sepse askush nuk e duron nxehtësinë prej mijëra gradësh. Në ato momente fillon të pyesë veten e tij: “Po sikur të vdes tani dhe të dal para Zotit, çfarë do t`i them? A nuk është turp, që edhe gruaja më ka thënë disa herë që të falem dhe unë nuk e kam bërë diçka të tillë?” Filloi të stresohet e të tmerrohet, sikur të ishte vërtet para Allahut (xh.sh) dhe po jepte llogari.
Pasha Zotin o vëllezër, është shumë e vështirë të dalësh para Zotit, sepse ne i njohim vetet tona.
Shokëve të tij u kujtohet që e kishin lënë brenda në furrë dhe kthehen me vrap për ta nxjerrë. Të tmerruar ata hapin dyert e furrës. Shyqyr nuk kishte vdekur, por për çudi ata e thërrisnin e ai nuk lëvizte e as nuk kthente kokën. Kur e kthyen nga vetja e tyre, ata u tmerruan. Panë se ai person ishte thinjur dhe dukej 30 vjet më i vjetër. Mund të ishte 30 vjeç, por dukej 60 vjeç, pasi ishte rrudhur nga fytyra dhe ishte thinjur komplet.
 
Kjo tregon edhe njëherë stresin dhe sikletin e madh që do të kenë njerëzit, kur të dalin para Allahut (xh.sh) Ky rast dhe shumë të tjerë vërtetojnë ajetin kuranor: “Kujto atë ditë, kur fëmijet thinjen”. Inshallah qëndrimi përpara Zotit është për të mirën tonë dhe jo për të keqen tonë.
Lusim Zotin të na nxjerrë faqebardhë përpara Madhështisë së Tij dhe mos na bëftë Zoti nga ata njerëz, që e harrojnë Zotin në këtë dynja dhe Ai i harron ata në jetën tjetër. Ky qëndrim është pastrim nga Allahu (xh.sh) për besimtarët, të cilët bëhen gati të hyjnë në parajsën e Tij.
 
Stacioni i tretë në ahiret, në të cilin pastrohen besimtarët, është (shefaati) NDËRMJETËSIMI I PROFETIT (a.s). Pasha Zotin ai (a.s) na ka dashur shumë. Na ka dashur edhe ne, që nuk e njohim. Ai ka thënë: “Çdo profet e ka pasur një lutje të pranueshme. Të gjithë e kanë bërë atë lutje në dynja dhe Allahu (xh.sh) u është përgjigjur. Une lutjen time nuk e kam bërë në këtë jetë, e kam lënë për në ahiret. E kam lënë për mëkatarët e umetit tim”. (Transmeton Muslimi).
Shefati është ndërmjetësimi i profetit (a.s) tek Zoti i gjithësisë, që Zoti të na falë mua, ty dhe të gjithë besimtarët. Por ky ndërmjetësim është për ata, që e kanë njohur profetin (a.s), ata njerëz që kur mbaron ezani luten: “O Zot lartësojë figurën e profetit (a.s) dhe bëje atë ndërmjetës për mua dhe mëkatet e mia”.
Profeti (a.s) ka thënë: “Kush dëgjon ezanin dhe bën duanë (lutjen) pas ezanit ai e ka hallall ndërmjetësimin tim”. (Muslimi).
Lusim Allahun (xh.sh) të mos na privojë nga ndërmjetësimi i profetit (a.s).
 
Stacioni i katërt i ahiretit dhe njëkohësisht stacioni i fundit është FALJA E ZOTIT TË GJITHËSISË, Krijuesit të gjithë universit.
Pasi të kalojnë 10 stacione, do të ketë përsëri besimtarë, që do të hyjnë në xhehenem edhe pse kanë ndërmjetësuar meleket, shehidët dhe profeti (a.s).
Atëherë Allahu (xh.sh) thotë: “Ndërmjetësuan dëshmorët, melekët edhe profetët e Mi, tani kam mbetur vetëm Unë”. (Buhariu dhe Muslimi). Pastaj Allahu (xh.sh) fillon dhe nxjerr njerëz nga xhehenemi. Do të nxjerrë aq shumë njerëz, saqë thuhet se edhe shejtani do të zgjasë kokën e tij, me shpresë se Zoti do e nxjerrë edhe atë. Falja e Allahut (xh.sh) do të jetë pastrimi i fundit. Por përsëri do të mbeten në xhehenem njerëz dhe xhinde.
 
Ka edhe një pastrim që është më i forti, më i frikshmi e ai është zjarri i xhehenemit. Allahu na ruajt prej tij. Profeti (a.s) ka thënë: “Zjarri i xhehennemit është sa 70- fishi i temperaturës së zjarrit të kësaj bote. Dënimi më i vogel në të, është kur poshtë këmbëve të njeriut vendosen dy copa prushi dhe nga ajo temperaturë vlon truri i tij”. (Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu).
 
E lusim Allahun (xh.sh) të na pastrojë në dynja para se të shkojmë në varr. Në qofte se nuk e bën këtë, atëherë e lusim Allahun (xh.sh) të na pastrojë në varr para se të dalim në ahiret. Në qoftë se edhe kjo nuk ndodh, e lusim Allahun (xh.sh) të mos na pastrojë me zjarrin e xhehenemit, sepse me të vërtetë është pastrim i frikshëm, megjithëse është i domosdoshëm, sepse edhe ai është për mëshirën e besimtarëve, sepse ata nuk mund të hyjnë të pistë në xhenet.
 
Por kush pastrohet dhe kush del nga xhehenemi? Del ai njeri, që ka besuar fuqishëm tek Allahu (xh.sh), që ka shqiptuar me zemër dëshminë LA ILAHE IL ALLAH, MUHAMMED RESULULLAH, që ka besuar se ka një Zot që nuk ka shok, nuk ka fëmijë, që nuk ka shëmbëllim njerëzor në tokë dhe ka një profet, të cilin e njeh dhe mundohet t`i ndjekë këshillat e tij. Për këta njerëz është pastrim edhe zjarri i xhehenemit.
Zoti na ruajt se ka edhe njerëz të tjerë, që edhe zjarri i xhehenemit nuk i pastron. Ata janë njerëz, që i kanë vënë shok Allahut (xh.sh), që nuk e kanë njohur kurrë madhështinë e Zotit të gjithësisë, që edhe pse u duket vetja që janë besimtarë, nuk kanë ecur në rrugën e Zotit.
 
Nga 11 stacione pastrimi, nga 11 lavazhe për mëkatet tona, ne kemi në dorë vetëm tre të parat. Ne kemi në dorë pendimin, istigfarin dhe punën e mirë. Të gjitha të tjerat nuk janë në dorën tonë. Janë në dorën e Allahut (xh.sh). Zoti i gjithësisë thotë: “Në qoftë se shfrytëzon të parat, që janë më të lehta, nuk ke nevojë për të tjerat. Por në qoftë se nuk shfrytëzon të parat nuk e ke të sigurt nëse të pastroj Unë”.
Prandaj vëllezër, le të punojmë sa jemi gjallë, sa të kemi shpirtin në trupin tonë, sepse nuk e di njeriu sesi i vjen vdekja e tij.
Profeti Muhamed (a.s) thoshte gjithmone kur betohej: “Pasha Atë, që në dorën e Tij është shpirti im”.
Sikur vetëm për një moment ta linte Allahu (xh.sh) shpirtin në dorën tënde, ti do ishe i mbaruar. Shpirti është në dorë të Allahut (xh.sh). Nuk e dimë se kur vjen sëmundja, nuk e dimë se kur vjen vdekja, por dimë se sa të jemi gjallë duhet të punojmë se nuk ka kohë për të humbur, prandaj Allahu (xh.sh) thotë: “Shikoni se çfarë keni bërë për nesër, pyesni veten tuaj”. (Hashr: 18).
 
E lus Allahun (xh.sh) që të na pastrojë nga gabimet tona, të mëdhatë e të voglat, ata që i dimë dhe ata që nuk i dimë. Allahu (xh.sh) e bëftë të sotmen tonë më të mirë se të djeshmen, të nesërmen tonë ta bëjë më të mirë se të sotmen, ahiretin tonë ta bëjë më të mirë se dynjanë.
Allahu na mëshiroftë sa jemi gjallë, na mëshiroftë kur të vdesim e na mëshiroftë kur të dalim para Madhështisë së Tij. E lus Zotin e gjithësisë të mos sillet me ne ashtu siç ne e meritojmë, por të sillet me ne ashtu siç i takon Madhështisë së Tij. Ai është Falës i madh.
E lus Allahun (xh.sh) të na mëshirojë ne, të mëshirojë prindërit tanë, të mëshirojë muslimanët kudo që janë. E lus Allahun (xh.sh) të na lartesojë me fenë e Tij. E lus Allahun (xh.sh) të na e tregojë rrugën e drejtë ashtu siç është ajo e të na japë forcë ta ndjekim atë, të na e tregojë të keqen ashtu siç është ajo dhe të na japë forcë t`i largohemi asaj.
 
A M I N