Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Morali në krizë – E kush pra është fajtor?

Për këtë dikush fajëson politikanët, dikush mësuesit, e dikush thotë se babai si përgjegjës i familjes është fajtor. Të tjerët thonë se e ëma si edukator i parë është fajtore.  Duke mohuar apo mosnjohur përgjegjësinë vetjake dhe duke fajësuar njëri tjetrin faji ngel jetim.

Albert Bandura, psikologu i njohur i shekullit njëzetë, përmes eksperimenteve të tij rreth çështjes së agresionit tek adoleshentët argumentoi se bota dhe sjellja e individit plotësojnë njëri tjetrin. Ai thotë që jo vetëm se mjedisi shkakton sjelljen por sjellja shkakton mjedisin gjithashtu, dhe këtë fenomen e quan determinizëm reciprok.

Por, ku do të mbërrimë nëse kthehemi prapa në të kaluarën duke analizuar problemet dhe shkaqet e tyre? Vështirë që do mund të identifikojmë fillimin e fajit pasi që çdo ndodhi ka një shkak e çdo shkak është një ndodhi si rezultat i një shkaku paraprak. Fajin dhe fajtorin duhet kërkuar në kohën tonë nga mesi ynë, e jo në të kaluarën apo të ardhmen.

Kur zinxhirët shkëputen a ka faj vetëm hallka që çahet apo të gjitha ato që ngrehin njëra tjetrën? Kur ata shkëputen ne themi që zinxhirët ishin të dobët e jo vetëm hallka që lëshoi. Kështu, nëse analizojmë dhe shqyrtojmë me hollësi krizën morale për të cilën po kalon shoqëria e sotme, do të gjejmë se të gjithë kanë faj, dikush më pak e dikush më shumë. Në shoqërinë stabile patriarkale, ku institucioni familje është i shenjtë, babai – i zoti i shtëpisë, furnizuesi dhe mbrojtësi i pjesëtarëve tjerë të familjes flet fjalën e fundit. Por, kur shoqëria fillon të degjenerohet ai është i pari që degradon rolin e vet. Atëherë, kaosi dhe anarkia mbizotërojnë. Sami Frashëri pat thënë se fëmija i një gruaje të edukuar e të mësuar në vend që të dëgjoj përralla kundër logjikës e që ta prishi moralin, mbi gogolin dhe kuçedrën, bashkë me nina-nanat e ëmbla të së ëmës do të dëgjojë përralla shumë të bukura që do t’i ndreqin moralin, që do t’i zbusin zemrën dhe do t’i zhvillojnë mendjen. Fatkeqësisht në shoqërinë tonë shumica e nënave janë të pa arsimuara. Për këtë ato më pak janë fajtore duke pasur parasysh mentalitetin tradicional shqiptar. Thuhej se femra nuk duhet të arsimohej, madje as të mësoj shkrim leximin, sepse ajo duhet të merret vetëm me punët e shtëpisë, të rrisë fëmijët dhe ti shërbejë burrit të saj si dhe prindërve të tij. Ky rol i saj i atribuohej ligjeve të Zotit duke thënë se ajo vetëm për këtë është krijuar. Pa dyshim që Zoti e obligoi femrën me rolin e nënës por atë nuk e privoi, me asnjë urdhër, nga kërkimi i diturisë. Çka mund të thuhet për shoqërinë në të cilën prindërit turpërohen me fëmijët e vetë! Rinia e sotshme është tepër egoiste ndaj vetvetes së saj. Ajo nuk ka besim tek njerëzit e afërm si dhe në familjen e vet. Janë më se të bindur se vetëm ata kanë të drejtë. Kështu, mohojnë vlerat tradicionale dhe kapen për atyre moderne, të pa seleksionuara dhe të pa definuar. Moto kryesore kanë lirinë absolute nga çfarëdolloj përgjegjësie. Edhe djemtë me rezultate shumë të dobëta në mësim në shkollat e mesme dhe mosinteresim për studime të larta, futen në të njëjtin kallëp. Tek ata dominon mungesa e një vizioni të qartë rreth së ardhmes së tyre e që drejtpërsëdrejti ndikon në vullnetin dhe dëshirën e tyre për të ndryshuar diçka në ambientin që i rrethon. Si rrjedhojë, morali i tyre është në krizë sepse pasiviteti, dembelizmi dhe pa vendosmëria ndikojnë në moralin dhe karakterin e tyre. Kur femra del e zhveshur në publikë, qoftë në shkollë apo në treg a shëtitje, a thua ajo me këtë demonstron këtë liri? A demonstron se prindërit e saj nuk kanë pushtet mbi të? E nëse nuk kanë çfarë ka ndodhur që ata ta humbin atë? A ka ndodhur në mënyrë spontane, a u rebelua ajo brenda natës apo gradualisht kaloi pushteti nga njëra palë në tjetrën? Apo ndoshta as njëra e as tjetra por prindërit me heshtjen e tyre e aprovojnë (zh)veshjen e saj. Kjo e fundit duket më e logjikshme dhe në njëfarë mase mposhtë teorinë e rebelimit dhe argumenton degjenerimin kolektiv. Pra, argumenton se të gjithë kanë faj. Edhe pse nuk mund të flitet për amoralitetin seksual si fenomen të gjerë, nëse këtë çështje e trajtojmë me një spektër më të gjerë sesa vetëm seks, por siç e quan Islami “rruga që çon në zina” atëherë, lakuriqësia, barsoletat banale, mesazhet telefonike, serialet televizive, dhe shumë elemente të tjerë, qartas na lënë të kuptojnë që amoraliteti në shoqërinë tonë është në shkallë të lartë. Njeriu përgjatë kohës dëshmoi që Zoti e krijoi atë që në moshë të caktuar të jetë në gjendje të ballafaqohet me rrethana të caktuara që i paraqiten duke evoluar (pjekur) nga mosha në moshë. Të kurdisur që hormonet specifike të paraqiten vetëm e vetëm atëherë kur atij i duhen. Kështu ndodh edhe me hormonet seksuale, do i zhvillohen në kohën e pubertitetit kur njeriu kalon nga faza e fëmijërisë në atë të pjekurisë. Por, psikologët shpjegojnë se nëse fëmija ekspozohet me lakuriqësi apo pornografi, qoftë nga televizori, revistat dhe interneti, hormonet seksuale zhvillohen para kohës së natyrshme. Kjo shkakton stres dhe çorientim dhe ndikon negativisht në vlerat dhe moralin e tyre. Humbja e vlerave, problemi më i madh i shekullit XX, është rezultat drejtpërdrejtë i dobësimit dhe humbjes së besimit në Zot. Niçeja (Nietzsche) deklaroi se nëse Zoti ka vdekur, atëherë çdo gjë lejohet. Por, pa besim në Zot s’ka moral, tha Alija Izetbegoviq. E Zoti s’ka as fillim e as mbarim. Vërtetë, Muhamedi a.s. 14 shekuj më parë na mësoi se kush s’ka turp bën gjithçka! Të gjithë e pranojnë që morali është në krizë, por duke trajtuar këtë si problem kolektiv përpjekjet individuale që ushtrohen për të zgjedhur problemin janë mospërfillëse në krahasim se sa do të ishin sikur çdo kush të trajtonte problemin si çështje personale, si obligim moral dhe si përgjithësi para Zotit. Vetëm besimi i sinqertë në Zotin do na nxjerr nga kjo krizë që po kërcënon jo vetëm shoqërinë tonë por mbarë njerëzimin.

Nga: Ilda SADRIU


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free