Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Urrejtja në ISLAM

Nuk ka dyshim se Umeti ynë po jeton një etapë të re në historinë e tij. Ai ka mbetur në një udhëkryq, ku ka nevojë për bashkëpunimin e dijetarëve dhe mendimtarëve të tij, në mënyrë që të rregullojnë gabimet e të kaluarës dhe të përmirësojnë të ardhmen e tyre e ta shndrisin atë. Në këto çaste të vështira Umeti ynë dhe besimi i tij ndodhet para presioneve rrëqethëse, të cilat gati sa nuk e shkulin nga rrënjët nëse ai nuk do të kishte besim të fortë dhe përqendrim në fe.

Nga besimet të cilave u janë drejtuar shigjetat e armiqve, -të cilët kanë mundur të bëjnë për vete disa njerëz të dobët, e që kanë rendur pas tyre teprues e shpërfillës- është edhe: “Dashuria dhe urrejtja”.

Rreziku ndaj këtij fenomeni u shtua akoma dhe më tepër kur disa muslimanë kaluan në ekstremizmin e teprimit dhe shpërfilljes, aq sa agoi ky besim si një pikësynim, duke etiketuar kështu ndaj tij shpifje dhe shëmtira.

Është më se e sigurt, se në çastin kur dashakeqët e kësaj feje e kuptuan rëndësinë që ka ky besim dhe parim, i cili është një mburojë e pathyeshme për Islamin ndaj dallgëve të trazuara; si dhe krenari e cila i ruan muslimanët nga shkrirja në shoqëritë e huaja, të cilat besojnë dhe jetojnë në kundërshtim me fenë e drejtë të Allahut, ndaj këto shoqëri gjetën rastin që në këto çaste kulminante të ekzistencës ta sulmonin këtë besim, duke u përpjekur që ta fshinin nga jeta e muslimanëve.

Ndaj edhe kjo temë që ne po trajtojmë në këtë rubrikë është një përpjekje për të sqaruar siç duhet parimin dhe besimin e dashurisë dhe urrejtjes në Islam dhe se ajo nuk bie ndesh me urtësinë dhe mëshirën që buron nga kjo fe.

-Realiteti i dashurisë dhe urrejtjes në Islam:

Duke parë në tekstet e Kuranit dhe të Sunetit, gjejmë se dashuria dhe urrejtja kthehet në dy kuptime: Dashuria dhe ndihma e miqve dhe largimi dhe urrejtja e armiqve.

Kështu mund të themi se dashuria është: Dashuria e Allahut të Lartësuar, profetit të Tij, fesë dhe pasuesve të saj; muslimanët.

Ndërsa urrejtja është: Urrejtja e të gjithë atyre që adhurohen në vend të Allahut, urrejtja ndaj mosbesimit dhe pasuesve të gjitha këtyre fenomeneve.

Argumentet e parimit të dashurisë dhe urrejtjes në Islam:

Allahu i Madhëruar thotë në lidhje me dashurinë: “Miqtë dhe mbrojtësit tuaj janë vetëm Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët që falin namazin dhe japin zekatin, duke qenë të përulur (në adhurim) ndaj Allahut. Pa dyshim, ata që marrin për mik e mbrojtës Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, ta dinë se pala e Allahut do të jetë fituese”. (Maide, 55-56.)

Ndërsa në lidhje me urrejtjen thotë: “Besimtarët të mos i marrin për miq e mbrojtës mohuesit, në vend të besimtarëve. Ata që veprojnë kështu, nuk kanë çfarë të shpresojnë tek Allahu, vetëm nëse këtë e bëjnë (me gojë e jo me zemër) për t’u ruajtur nga ata. Allahu ju paralajmëron që t’i ruheni Vetes së Tij, sepse të gjithë do të ktheheni tek Allahu”. (Ali Imran, 28.)

Gjithashtu nëse shohim tekstet profetike gjejmë për dashurinë: “Shembulli i muslimanëve në dashurinë, mëshirën dhe kujdesin ndaj njëri-tjetrit është si ai i trupit, nëse ankohet prej tij një organ, të gjithë trupin e kap temperatura dhe ethet”. (Buhariu dhe Muslimi.)

Ndërsa për urrejtjen i ka thënë Xherir b. Abdullah Bexhelit: “Të japësh besën që të mos adhurosh askënd tjetër veç Allahut e të mos i shoqërosh kënd Atij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të këshillosh muslimanët dhe të largohesh nga idhujtarët”. (Ahmedi dhe Nesai)

Lidhja që ka parimi i dashurisë dhe urrejtjes në Islam me bazën e besimit:

Çdo grup njerëzish, që kanë një parim apo besim, që e kundërshtojnë njerëz të tjerë, patjetër që do të shkaktojë lidhje dhe dashuri më të fortë me ata të grupimit, të cilët kanë të njëjtin parim apo besim, sikurse në të kundërtën do të shkaktojë reagimet dhe përpjekjet e grupimeve të tjera të njerëzve për t’i devijuar nga ky parim apo ta shpërbëjë këtë grupim. Një gjë e tillë do të çojë në përplasje dhe urrejtje mes dy grupeve. Një gjë e tillë është më se reale dhe e provuar tashmë në jetën e njeriut, sepse ajo nuk ka mbetur vetëm brenda kornizave fetare, porse ndodh mes çdo dy parimeve të ndryshme. Në shekullin që lamë pas ne pamë se si ishin në armiqësi dhe luftë që vazhdon ende dhe sot kapitalizmi me komunizmin, e njëjta urrejtje dhe luftë është midis demokracisë dhe diktaturës, madje dhe vetë brenda sistemeve demokratike ka një realitet të tillë, si p.sh. çështja e partive politike.

Besimi i dikujt, se ai është në të vërtetë dhe kundërshtari i tij në të kotë, patjetër që do të shkaktojë largimin mes dy palëve. Ndaj edhe besimi i dashurisë dhe urrejtjes në Islam është i lidhur ngushtë me ekzistencën e vet Islamit, kështu që mund të themi se: përderisa në tokë do të mbesë një musliman, i cili do ta adhurojë Allahun dhe jobesimtar idhujtar patjetër që do të ketë urrejtje dhe largim; kjo jo vetëm nga muslimani, por edhe kundërshtarët e tij do të veprojnë po të njëjtën gjë.

Pasi e kemi bërë të qartë një gjë të tillë themi se: parimi i dashurisë dhe urrejtjes në Islam është i lidhur me bazën e besimit, në çastin që ai humb apo nuk ekziston, nuk ekziston as besimi. Allahu i Lartësuar thotë: “Ti e sheh se shumë prej tyre miqësohen me jobesimtarët. Me të vërtetë, e keqe është ajo që i përgatisin ata vetes: që Allahu të zemërohet me ta dhe të mbesin në dënim përjetësisht. Sikur ata t’i besonin Allahut, të Dërguarit dhe asaj që i është shpallur atij, nuk do t’i merrnin jobesimtarët për miq. Por shumica prej tyre janë të pabindur”. (Maide, 80-81.)

Harmonizimi i dashurisë dhe urrejtjes me mëshirën dhe tolerancën që buron nga Islami

Pasi pamë se dashuria dhe urrejtja në Islam është një nga bazat themelore të këtij besimi, duhet patjetër që asaj t’i japim ngjyrën që buron nga Islami, e cila është: mesatarja, toleranca dhe mëshira. Allahu i Madhëruar i drejtohet profetit të Tij: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët”. (Enbija, 107.) Po ashtu Allahu thotë: “Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju…” (Bekare, 143.)

Atëherë barazimi është i thjeshtë dhe përgjigja më se e qartë: se dashuria dhe urrejtja përderisa burojnë nga Islami mbartin në vetvete, mesataren, tolerancën dhe mëshirën, ndaj këtij rezultati nuk mund të dyshojë askush; qoftë ai musliman apo jo-musliman i drejtë.

Megjithatë ngelet këtu për të vendosur theksin në disa pika, të cilat tregojnë lidhjen e ngushtë mes: dashurisë dhe urrejtjes me mesataren, tolerancën dhe mëshirën.

1-Nuk imponohet askush nga njerëzit që të pranojë Islamin. Allahu thotë: “Nuk ka dhunë (detyrim) në fe”. (Bekare, 256.)

2-Ruajtja e marrëveshjeve që janë bërë midis muslimanëve dhe jo-muslimanëve, nëse ata i përmbahen me përpikëri marrëveshjeve. Allahu thotë: “Përjashtim bëjnë ata idhujtarë, me të cilët keni lidhur marrëveshje e që nuk ju kanë shkelur asgjë prej saj dhe që nuk kanë ndihmuar askënd kundër jush. Respektojeni marrëveshjen me ta deri në fund. Me të vërtetë, Allahu i do ata që i frikësohen (Atij)”. (Teube, 4.)

3-Paprekshmëria e gjakut të jobesimtarëve me të cilët janë në paqe muslimanët. Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush vret një jobesimtar (që ka pakt sigurie dhe paqe), nuk do ta ndiejë aromën e Xhenetit, edhe nëse aroma e Xhenetit ndihet në një largësi prej dyzet vjetësh”. (Buhari).

4- Porosia për ruajtjen e nderit, pasurisë dhe dinjitetit të jobesimtarëve, të cilët janë në paqe e me te cilët ka pakt e marrëveshje. Omeri në testamentin e tij shkruante: “Këshilloj halifen pas meje të ruajë të drejtën e Allahut dhe të Profetit të Tij, si dhe të përmbushi angazhimet ndaj atyre që ka pakt paqeje (shoqërive jomuslimane, të cilët jetojnë në shtetet islame), të luftojë për ta kur e drejta e tyre cenohet dhe të mos i ngarkojnë mbi mundësitë e tyre”. (Buhari)

5-Të qenit në një fe tjetër nuk e anulon përkujdesjen ndaj të afërmit. Allahu thotë: “Nëse ata (prindërit) orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë…” (Llukman, 15.)

Esmaja e bija e Ebu Bekrit na përcjell, se kur Profeti kishte vendosur një pakt marrëveshje me idhujtarët Kurejsh e vizitoi nëna e saj dhe ajo e pyeti Profetin: “O i Dërguari i Allahut! Më ka ardhur nëna ime dhe ajo është jobesimtare, a ti ruaj lidhjet me nënën time? Profeti i tha: Po ruaji lidhjet me të”. (Buhari)

6-Bamirësia, toleranca dhe drejtësia është e drejtë ndaj çdokujt, që nuk i lufton muslimanët, madje ato lejohen edhe kundrejt atyre që i luftojnë muslimanët, nëse një gjë e tillë do t’i shtyjë ata që ta ndërpresin luftën dhe dëmin ndaj muslimanëve. Allahu thotë: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët. Allahu ju ndalon t’i bëni miq ata që luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe ju dëbojnë nga vatrat tuaja, si dhe mbështesin të tjerët që t’ju dëbojnë. Kushdo që i bën miq ata, është punëmbrapshtë”. (Mumtehane, 8-9.)

Ndërsa të qenit i drejtë është një detyrë si ndaj miqve që të duan edhe ndaj armiqve që të luftojnë. Allahu thotë: “O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut! Pa dyshim, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë që punoni ju”. (Maide, 8.)

Kështu që nuk na lejohet neve të mashtrojmë ata që na mashtrojnë, Profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ktheje amanetin tek i zoti i saj dhe mos e mashtro atë që të ka mashtruar”. Ebu Daudi dhe Tirmidhiu

Këto janë sjelljet dhe virtytet, të cilat muslimanët i kanë kundrejt jomuslimanëve dhe këto sjellje dhe virtyte janë urdhrat e Islamit, të cilat janë të regjistruara në librin e Zotit të Lartësuar dhe në Sunetin e të dërguarit të tyre.

-Shfaqja e ekstremit të teprimit dhe shpërfilljes në parimin e dashurisë dhe urrejtjes në Islam

Është më se normale se ke muslimanë, të cilët i lexojnë të veçuara nga njëra-tjetra argumentet e parimit të dashurisë dhe urrejtjes dhe kështu do të të lindin ekstreme, qoftë në teprimin apo qoftë në shpërfilljen e këtij parimi.

Shfaqja e ekstremit të teprimit kthehet ke dy shkaqe kryesore:

1.Konsiderimi si jobesimtarë të atyre që kryejnë vepra, që në mënyrë të qartë bien ndesh me kërkesat e parimit të dashurisë dhe urrejtjes në Islam, për shkak të mos kuptimit si duhet të arsyes për të cilën konsiderohet si jobesimtar ai që e kundërshton këtë parim.

Shkaku që personi të konsiderohet si jobesimtar është kur ai dëshiron dhe kënaqet që të fitojë feja e jobesimtarëve ndaj Fesë Islame, kur përmbushet kjo ndjenjë ke njeriu, atëherë ai konsiderohet se ka rënë në mosbesim. Sepse, vetëm ndihmesa e jobesimtarëve ndaj besimtarëve nuk mjafton që të konsiderohet kryerësi i saj se ka rënë në mosbesim, për shkak të mundësisë se ndoshta ai ende e do Islamin dhe do që ai të triumfojë mbi fetë e tjera, por që e ka shtyrë në një vepër të tillë ndonjë përfitim i kësaj bote. Pra, besimi i dobët tek ai, bëri që ky person t’i japë përparësi të mirave të kësaj bote para asaj tjetrës. Argument për këtë që thamë është historia e sahabit Hatim b, Ebi Belte, i cili informonte fshehurazi idhujtarët e Mekës se profeti dëshironte t’i sulmonte. Megjithatë Profeti kur e mori vesh një gjë të tillë e thërriti dhe e pyeti rreth kësaj dhe ai ndër të tjera i tha: Unë nuk e kam bërë se mohova fenë, as se dua mosbesimin mbi fenë time. Si përfundim profeti e la duke i lënë të kuptojë se kishte bërë një gabim, por për të cilin nuk mund të konsiderohej jobesimtar”. (Hadithi i plotë është gjendet tek Buhariu dhe Muslimi)

Shejh Islam Ibën Tejmije pohon se ajo që bëri Hatibi ishte gabim dhe jo kufër. (Fetaua, 7/522.)

2.Vënia në zbatim në mënyrë të gabuar të urrejtjes ndaj jobesimtarëve; kjo duke bërë të lejueshme cenimin e gjakut, nderit apo pasurisë së tyre, apo duke u sjellë me ta në mënyrë të vrazhdë dhe të ashpër duke mos pasur ndonjë shkak që fton në këtë sjellje. Përkundrazi më lart sqaruam se bamirësia, toleranca dhe drejtësia është më e mirë të veprohet me ta, duke përjashtuar rastin nëse një gjë e tillë çon në ngritjen e qafirit ndaj muslimanit. Prandaj muslimanët duhet ta studiojnë këtë parim nga të gjitha këndvështrimet, në mënyrë që të mos kryejnë veprime të papërgjegjshme dhe që bien ndesh me Fenë Islame.

Por nga ana tjetër edhe shfaqja e ekstremit të shpërfilljes së këtij parimi kthehet në dy shkaqe:

1.Sulmi i vazhdueshëm që i bëhet këtij parimi (dashurisë dhe urrejtjes në Islam) dhe përpjekja për eliminimin e saj me pretekstin, se ajo rrënjos kulturën e urrejtjes së të tjerëve dhe ndez zjarrin e teprimit dhe të ekstremizmit.

Nëse këta njerëz kanë si qëllim të sulmit të tyre dashurinë dhe urrejtjen, që fton Kurani dhe hadithet profetike, atëherë nuk është e udhës që të dialogojmë me këta njerëz në këtë pikë, por fillimisht duhet t’i ftojmë ata të hynë në Islam, sepse nëse ata na përgjigjen dhe hyjnë në Islam, atëherë zemrat e tyre vetvetiu do të shkojnë drejt dashurisë dhe urrejtjes për shkak të lidhjes që ka ajo me besimin.

Por nëse ata kanë si qëllim shfaqjet e të kuptuarit gabim të këtij parimi dhe teprimin në të, atëherë nuk është e udhës që për shkak të gabimit të disa njerëzve t’i vishet faji një parimi universal dhe të luftohet ekstremizmi i tyre me një ekstremizëm tjetër; i cili është anulimi i këtij parimi.

2.Sulmi ndaj shfaqjeve të sakta të këtij parimi, të cilat janë në përputhje me Sheriatin dhe përpjekja për futjen apo përhapjen e zakoneve të jobesimtarëve, me qëllim që të mundësojnë shkrirjen dhe zhdukjen e këtij parimi mes muslimanëve. Një gjë e tillë është e papranuar, sepse parimi i dashurisë dhe urrejtjes gëzon një vëmendje të madhe në tekstet e Sheriatit, dhe ai do të ekzistojë përderisa ekziston Monoteizëm dhe ateizëm; përderisa ekziston Islami dhe jo islami; përderisa ekziston besimi dhe jobesimi.

Si mund të kënaqet muslimani që shoqëria në të cilën ai jeton të shkrihet nëpër shoqëritë e huaja dhe që të zhvishet nga kultura dhe historia e tij?! Mos vallë kështu është shfaqja e sinqeritetit në përkatësinë e këtij umeti?! Apo kjo thjesht është një argument se të tillë njerëz janë vetëm mercenarë të armiqve të tij?!!

Allahu i udhëzoftë ata që mbajnë urrejtje në zemrat e tyre!
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free