Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Profeti Musa dhe mëkimi

Hyrje
 
Një nënë muslimane, e cila ka duruar vuajtjet dhe lodhjen e shtatzanisë, ka duruar dhimbjet e lindjes dhe rreziqet e saj duke shpresuar kënaqësinë dhe shpërblimin e Zotit, nuk mund të tregohet dorështrënguar për një përqafim plot dashuri e dhembshuri, as për pikat e qumështit që rrjedhin nga kraharori i saj. Në fakt, diçka e tillë i fal asaj lumturi dhe kënaqësi të papërshkruar, madje fiton dhe shpërblimin dhe kënaqësinë e Zotit.
Në rrjeshtat e mëposhtëm, ne do të trajtojmë historinë e nënës së profetit Musa a.s, të cilën e urdhëroi Zoti t'a ushqejë të birin me qumështin e saj dhe më pas t'a hedhë në lum. Edhe pse ndahen, djali do i kthehet sërish nënës për t'a ushqyer me qumështin e gjirit të saj. Më pas do të flasim mbi dobitë e shumta të qumështit të gjirit. Gjithashtu do të përmendim rolin e babait në motivimin e nënës për t'i ushqyer fëmijët me qumësht gjiri. Këtë do e pasurojmë me shpjegimin e disa dispozitave të Sheriatit që kanë të bëjnë me mëkimin.
 
Nëna e Musait a.s
 
Thotë Zoti i madhëruar në Kuran:"Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe,kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.” (Kasas, 7)
Kurse në lidhje me kthimin e Musait tek e ëma që t'a ushqejë me qumësht gjiri, thotë:"Ne bëmë që ai të mos pranonte asnjë mëndeshë. Kështu, e motra i tha atyre (që kishin birësuar Musain): “A doni t’ju gjej një familje, e cila do të kujdeset për të, duke e edukuar me kujdes?”  Kështu, Ne e kthyem atë te nëna e vet, që ajo të gëzohej e të mos pikëllohej dhe që ta dinte se premtimi i Allahut është i vërtetë; por, shumica e njerëzve nuk e dinë." (Kasas, 12-13)
Në këto dy ajete, shohim që Zoti ka bashkuar mes dy urdhërave, dy ndalesave dhe dy sihariqeve. Zoti e urdhëron nënën e Musait a.s t'i japë gji foshnjes së saj dhe më pas t'a hedhë në lum. Më pas e ndalon të ketë frikë dhe të mërzitet për të birin. Pas kësaj e përgëzon se do ia kthejë foshnjen dhe se do e bëjë profet dhe të dërguar.
Me t'a hedhur djalin e saj në det bashkë me arkën e drunjtë, nëna e Musait dërgoi vajzën e saj se mos dëgjon ndonjë haber. Arkën me Musain e gjen familja e Faraonit, të cilët vendosin t'a birësojnë këtë foshnje të braktisur. Kjo erdhi si pasojë e dëshirës së gruas së Faraonit për t'a birësuar. Por, Musai foshnje refuzoi të pijë qumësht nga të gjithë gjidhënëset që i ofroi familja e Faraonit. Duke shfrytëzuar këtë situatë, motra e Musait a.s ndërhyri dhe u propozoi një nënë tjetër – nënën e Musait – të cilën do e pranonte menjëherë. Në këtë formë, Musai iu kthye sërish të ëmës e cila u tregua e matur dhe e duruar.
Ajo që të bie në sy në historinë e Musait a.s, është se jeta e luksit në pallatin e Faraonit, nuk e shthuri Musanë e ri. Ashtu siç dhuna dhe tirania e Faraonit, nuk u përvetësuan nga Musai a.s, i cili vazhdonte të jetë nën mbrojtjen dhe kujdestarinë e vetë Zotit të madhëruar. Këtë ia thotë vetë Zoti i madhëruar Musait në malin Tur "Unë kam hedhur në ty dashurinë Time, që të rritesh nën Syrin (kujdesin) Tim." (Taha, 39)
"Unë të kam zgjedhur ty për Vete." (Taha, 41)
Zoti u kujdes dhe e mbrojti Musanë nga devijimi dhe veset e këqija. Kjo përkujdesje vazhdoi deri në fund të jetës së tij, duke e bërë Musanë a.s një burrë dhe profet të lidhur me Zotin.
Zoti e pajisi Musanë a.s me nëntë fakte, mbi vërtetësinë e profecisë së tij. Thotë Zoti i madhëruar mbi këtë:"Në të vërtetë, Ne i dhamë Musait nëntë shenja të qarta." (Isra, 101)
Këto fakte dhe shenja, janë:
1. Shkopi, i cili i shëndërrohej në një gjarpër të madh, me t'a hedhur në tokë.
2. Dora e bardhë. Me t'a futur dorën në gji, ajo kthehej e bardhë dhe shkëlqente si diamand dhe si hënë.
3. Vitet e zisë, që përfshinë popullin e Musait dhe thatësira e madhe.
4. Prodhimet e pakta. Toka nuk ishte pjellore dhe ato prodhime të pakta që mblidheshin, ishin të një cilësie të dobët.
5. Tufani, i cili shkatërroi të mbjellat, qytete e fshtra.
6. Karkalecët, të cilët shkatërronin të mbjellat.
7. Morrat, të cilët i lëndonin njerëzit.
8. Bretkosat, të  cilat ua bënë tejet të vështirë jetesën njerëzve.
9. Gjaku, që përhapej në ushqimet dhe pijet e tyre.
 
 
Njohuri nga Sheriati, rreth gjidhënies
 
Gjidhënia, është një nga faktorët që e ndalojnë martesën me dikë. Ashtu siç ndalohet martesa nëpërmjet afërsisë së gjakut, ndalohet edhe nga gjidhënia. Sheriati islam është i vetmi ai që e ndalon martesën mes atyre që kanë pirë qumështin e gjirit të një nëne, si në nivel feje ashtu edhe në nivel të kodit civil. Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:"Ju ndalohet martesa me nënat tuaja, me bijat tuaja, me motrat tuaja, me hallat tuaja, me tezet tuaja, me bijat e vëllezërve dhe bijat e motrave, me nënat (gratë) që ju kanë dhënë gji, me motrat tuaja, që kanë  thithur prej një gjiri.." (Nisa, 23)
Kurse profeti Muhamed a.s thotë:"Mëkimi e ndalon një martesë që e ndalon dhe lidhja e gjakut." (Buhari, 2/935, hadithi nr 2502)
Sheriati islam, e ndalon martesën mes dy personave që kanë pirë qumësht nga e njëjta nënë, muslimane qoftë nëna apo jomuslimane. Nëse një djalë dhe një vajzë kanë pirë qumësht nga një nënë, u lejohet të qëndrojnë vetëm me njëri-tjetrin. (Enciklopedia e fikhut e ministrisë së vakëfeve në Kuvajt. 22/241)
Dijetarët kanë mendim unanim mbi faktin se nëse dy persona pijnë qumësht pesë herë nga e njëjta nënë, konsiderohen vëllezër gjiri. Ata kanë mendime kontradiktore nëse kjo bëhet më pak se pesë herë. Shumica e juristëve musimanë, mendojnë se edhe një herë e vetme i bën vëllezër, nëse qumështi është aq sa arrin në barkun e foshnjes. (I njëjti burim 22/244)
Në një rast kur dy fëmijë pijnë qumësht nga gjiri i një nëne të vetme, kjo duhet të bëhet e ditur tek të dy familjet, pasi me një rast të tillë lidhen disa dispozita. Diçka e tillë nuk duhet injoruar, siç ndodh tek shumë njerëz dhe familje sot. Madje do të ishte mirë që në vendet islame, gjykatat të themelonin një organizëm të brendshëm, detyra e të cilit do të ishte vetëm regjistrimi i rasteve të tillë. Kjo, me qëllim që të shmangen martesat mes vëllezërve dhe motrave të gjirit.
Mëkimi, është një e drejtë e çdo fëmije. Thotë Zoti në Kuranin famëlartë rreth këtij fakti:" Nënat le t’u japin gji fëmijëve të tyre dy vjet, për ata që duan t’ia plotësojnë dhënien e gjirit." (Bekare, 233)
Shumica e juristëve muslimanë, mendojnë se është e pëlqyeshme (mustehab) që nëna t'a ushqejë fëmijën me qumështin e saj. Nëse ajo nuk dëshiron t'a ushqejë djalin me qumështin e gjirit të saj, duhet të pajtojë një gjidhënëse tjetër, me qëllim që t'i ofrojë fëmijës ushqimin e duhur. Të gjithë juristët kanë mendim unanim që nëna e ka detyrë t'a ushqejë fëmijën me qumështin e saj të gjirit, në rastet e mëposhtme:
Nëse fëmija refuzon gjirin e tjetërkujt, nëse nuk gjendet ndonjë gjidhënëse tjetër, nëse babai nuk i përballon dot shpenzimet për një gjidhënëse tjetër.
Po sipas shumicës së juristëve, nëna gjidhënëse nuk meriton shpërblim material për mëkimin e fëmijës. Kjo, pasi është burri ai që e ka obligim t'i ofrojë të gjithë shpenzimet e nevojshme për shëndetin e saj dhe të fëmijëve. Por ajo meriton shpërblim, nëse mëkimin e bën pas divorcit, periudhës së pritjes pas divorcit përfundimtar, ose periudhës së pritjes pas vdekjes së burrit. Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:"Nëse fëmija ushqehet me gjirin e nënës, paguajuni atyre shpërblimin dhe merruni vesh me të mirë." (Talak, 6)
 
 
Dobitë e mëkimit me qumështin e nënës
 
-          Ai është prodhuar sipas kërkesës, është i përshtatshëm për konsum në çdo çast dhe në temperaturën e duhur.
-          Ai nuk është i konservuar si shumë ushqime të tjerë, nuk lëviz nga një enë në tjetrën dhe nga një makineri në tjetrën, nuk shkrihet, nuk nxehet etj... shkurt, ai nuk përmban parazite dhe papastërti.
-          Qumështi i nënës tretet shpejt dhe ngrin në copa të vogla në stomak, gjë e cila e lehtëson lëvizjen e tij në zorrën e trashë.
-          Të gjithë produktet e domosdoshme për zhvillimin e fëmijës dhe të organeve të tij jetësore, gjenden në qumështin e nënës, sidomos vitaminat. (Fëmija im. Shtatzania, lindja dhe ditët e para. Amal Itani dhe Asim Itani, faqe 182)
 
Përse qumështi i nënës është më i mirë?
 
Një ndër gabimet më të rënda që disa nëna bëjnë me t'u lindur foshnja, është se përpiqen t'a ushqejnë me qumësht industrial. Këtë e bëjnë me qëllim që të ruajnë linjat e trupit, bukurinë e gjoksit, por edhe për të mos humbur punën. Duke dashur të ruajnë bukurinë fizike dhe për të mos humbur punën, shumë nëna i injorojnë nevojat e fëmijës. Ato e lënë foshnjen të flejë dhe të qëndrojë me shërbëtoren ose babysiter. Rezultati i një injorimi të tillë është se fëmija sëmuret shpesh dhe krijon një atmosferë të mbushur me stres në familje. Ushqimi me qumështin e nënës, është miliona herë më i mirë për shëndetin e fëmijës. Mëkimi, ashtu siç është i dobishëm për fëmijën, është i dobishëm dhe për shëndetin e nënës. Kjo, për arsyet e mëposhtme:
Gjidhënia e rikthen mitrën në pozicionin e saj natyral në një kohë rekord. Ajo e kthen nënën në gjendjen e saj fiziologjike dhe të stabilizuar. Ajo kontribon në planifikimin familjar, pasi pengon daljen e vezëve nga vezorja.  Ashtu siç kontribon në luftën kundër kancerit të gjirit.
Kurse përsa i përket fëmijës, ushqimi me qumështin e gjirit të nënës, e mbron nga ftohja dhe rrufa. Qumështi i gjirit ia rrit imunitetin fëmijës kundër sëmundjeve. Ai është një ndër ushqimet më perfektë, e ndihmon fëmijën të ketë një zhvillim normal, pa pasur nevojë për ushqim tjetër plotësues.
Psikologët pohojnë se qumështi i gjirit i transmeton fëmijës qetësi, dhembshuri dhe dashuri, gjë e cila e bën më të fortë ndaj sëmundjeve nervore. Ushqimi me qumështin e nënës, i forcon lidhjet familjare, sidomos ato fëmijë-nënë.
Qumështi i nënës është steril, gjë e cila i qetëson prindërit dhe i bën të mos kenë frikë se mos u helmohet fëmija për shkak të ushqimit. Gjithashtu, qumështi i gjirit ka një temperaturë konstante, të përshtatshme për fizikun e fëmijës.
Qmuështi i nënës është i gatshëm dhe nuk ka nevojë të pregatitet nga nëna dhe të prishet qetësia e babait të lodhur nga puna.
 
Cili është roli i burrit të një nëne gjidhënëse?
 
-          Të diskutojë me të. Shpesh herë, suksesi i një gjidhënie normale, varet nga lumturia dhe gjendja shpirtërore e nënës. Për këtë, gruaja gjidhënëse ka nevojë që bashkëshorti të diskutojë me të mbi problemet dhe hallet e përditshme.
-          Të ketë parasysh gjendjen psikologjike të bashkëshortes. Ai nuk duhet t'a zemërojë dhe nervozojë atë gjatë periudhës së mëkimit. Depresioni dhe problemet, ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e qumështit të gjirit.
-          Duhet t'i japë kurajo të shoqes, sidomos në ditët e para të mëkimit.
-          Ai edhe duhet t'a lëvdojë dhe vlerësojë, gjë e cila ndikon në gjendjen e saj psikologjike dhe në cilësinë e qumështit.
 
Kujdestaria për fëmijën, i përket nënës
 
Nëna gëzon të drejtën e përkujdesjes ndaj fëmijës. Një grua vajti tek Profeti a.s dhe i tha:"O i dërguar i Zotit! Barku im ka qenë mbështjellës i fëmijës që kam në krahë, gjiri im ka qenë ushqimi i tij dhe prehëri im ka qenë vendi ku qetësohej. Babai i tij më divorcoi dhe tani kërkon të ma marrë."
Profeti a.s i tha:"Kujdestaria e fëmijës të takon ty, përderisa nuk je martuar me një tjetër." (Sunen Ebi Daud 1/693. hadithi nr 2276)
Duke u bazuar në këtë hadith, juristët muslimanë pohojnë se kujdestaria e fëmijës i takon nënës. Ajo është e aftë të kujdeset për fëmijët, shëndetin dhe edukimin e tyre.
 
Mëkimi industrial
 
Ushqimi i fëmijës me qumësht pluhur, në çdo mënyrë që të kryhet, me lugë, biberon apo çfarëdo tjetër, nuk konsiderohet si mëkim dhe gjidhënie në Sheriatin islam. Ajo thjesht konsiderohet ushqim. Mëkimi bëhet vetëm me qumështin e gjirit të nënës. Ushqimi i fëmijëve me qumësht të thatë, në vendet islame ka filluar të përhapet vetëm kohët e fundit. Një mënyrë e tillë të ushqyerit të foshnjeve tona, është importuar nga perëndimi. Atje, gruaja e ndan fëmijën nga gjiri që në ditët e para të jetës të tij, për të ruajtur linjat e trupit nga pesha e tepërt, duke injoruar shëndetin e fëmijës. Sot në perëndim bëhen thirrje që gruaja t'i kthehet natyrës së saj dhe t'a ushqejë fëmijën me qumështin e gjirit, duke i siguruar gratë se kjo nuk i dëmton linjat e trupit dhe bukurinë fizike.
Ne nuk i themi nënës "Ushqeje fëmijën me qumështin e gjirit, pasi kjo e shton bukurinë dhe elegancën tënde!" Lidhjet nënë-fëmijë, nuk janë lidhje shkëmbim interesash. Ne i themi nënës:"Fali fëmijës tënd dhembshuri dhe ushqeje me qumështin e gjirit tënd. Vetëm kështu ti e plotëson domethënien e mëmësisë dhe fiton shpërblimin e Zotit.
 
Përfundim
 
Gruaja besimtare ka një rol të rëndësishëm dhe vendimtar në jetë. Ajo nuk ka përse t'i shpërfillë dhe injorojë aftësitë e saj. Ti o motër duhet t'u falësh fëmijëve të tu dashuri dhe dhembshuri. Nuk ka përse të heqësh dorë nga misioni madhështor i nënës. Ndiq modelin e shumë nënave të nderuara, emrat e të cilave janë të paharruar nga historia jonë e lavdishme. Kjo, për shkak të kontributit që i dhanë njerëzimit gjatë jetës së tyre. Kurani famëlartë, përmend nënën e Musait a.s dhe jo babanë e tij. Kjo, për shkak të mundit dhe përpjekeve të saj për edukimin dhe mbrojtjen e këtij profeti të nderuar dhe komandanti madhështor.
Një model tjetër i paharrueshëm është dhe nëna e profetit Isa a.s. Ajo është kthyer në shembullin dhe modelin më të mirë të nderit dhe pastërtisë morale. Po kështu është dhe nëna e profetit Muhamed a.s, e cila u kujdes për Profetin a.s pas humbjes së babait. Ajo i fali dhembshurinë, dashurinë dhe ngrohtësinë e duhur të nënës. Një edukatë të tillë ajo e vazhdoi derisa ndërroi jetë, duke lënë gjurmë të thella tek i dërguari i Zotit. Për këtë, le të kujtojmë hadithin e Profetit a.s, kur dikush e pyeti mbi personin që merritonte respektin më të madh, ai u përgjigj:"Nëna jote, nëna jote, nëna jote."


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free