Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Ndryshimi i qëllimit

Mbreti del një ditë të shëtisë në mbretërinë e tij. Teksa shëtiste, sytë i ndalen tek një bahçe e bukur. Ai hyri brenda dhe aty gjeti një vajzë të njomë të cilën e pyeti:”E kujt është kjo bahçe?”
Vajza iu përgjigj:”E babait tim.”
Mbreti i tha:”A keni diçka për të pirë?”
Vajza u ngrit, vajti diku dhe i solli një kupë të madhe të mbushur me lëng shege. Mbreti e mori në duar dhe u mrekullua nga ai lëng aq i bukur dhe i shijshëm. Pasi piu ca gllënjka, e pyeti vajzën:”Ku e more këtë lëng?”
Vajza i tha:”Nga një shegë e bahçes.”
Mbreti e pyeti:”Sa shegë shtrydhe për të bërë kaq lëng?”
Vajza iu përgjigj:”Një kokërr të vetme.”
Mbreti u habit dhe i kërkoi t’ia mbushë dhe një herë kupën me lëng shege. Ndërkohë që vajza u largua, mbreti me vete mendoi:”Si ka mundësi që në mbretërinë time të ketë bahçe të tilla, ndërkohë që vetë mbreti nuk ka?! Kur të kthehem në shtëpi, do urdhëroj ushtarët që këtë bahçe t’ia konfiskojnë të zotit dhe t’ia bashkëngjisin pronave të mia.”
Vajza u kthye me kupën me lëng shege, të cilën ia zgjati menjëherë mbretit. Lartmadhëria e mori në dorë, por vuri re se kupa ishte përgjysmë dhe lëngu kishte një shije të hidhur.
I çuditur e pyeti vajzën:”A nga e njëjta shegë e bëre lëngun?”
Vajza i tha:”Po, nga e njëjta.”
Mbreti:”Sa shegë shtrydhe për të nxjerrë kaq lëng?”
Vajza:”Pesë kokrra.”
Mbreti:”Po çfarë ngjau që u rrit numri i kokrrave, u pakësua sasia e legut dhe i ndryshoi shija nga i ëmbël në të hidhur?!”
Vajza:”Mos ka ndryshuar zemra dhe qëllimi i mbretit lartmadhëri!”