Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

GËNJESHTRA NDËRMJET BASHKËSHORTËVE

Gënjeshtra është një veçori e urryer, një cilësi e keqe, një vepër e poshtëruar, por fatkeqësisht edhe fenomen i përhapur pothuajse në të gjitha mjediset shoqërore; në biseda të lira, takime, punë, marrëdhënie të ndryshme ndërnjerëzore, shkollë, studime, etj. Është bërë e pamundur që asaj t`i shpëtojnë i vogël e i madh, mashkull e femër dhe të gjithë njerëzit në përgjithësi, përveç atyre që Allahu i begatoi me mirësinë e Tij.

Gënjeshtra u shndërrua në pronë (mall shitjeje) e tregtarëve, bashkëshortëve, studentëve, shkrimtarëve, masmediave, atyre që merren me art... dhe është bërë e pamundur njeriu të kuptojë se kush nga këta është i sinqerti.

Në Islam gënjeshtra është e ndaluar dhe konsiderohet si një ndër mëkatet e mëdha. Si gënjeshtër definohet çdo thënie që kundërshton realitetin (të vërtetën).

Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Mallkuar qofshin gënjeshtarët!” (Dharijat, 10).

Ja edhe disa hadithe që vërtetojnë shëmtinë e gënjeshtrës: - Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë:

- “Gabimet më të shumta të birit të Ademit (njeriut) janë ato që shkaktohen nga gjuha”, shënon Taberaniu.

- “Gënjeshtra është krim dhe që të dyja (edhe gënjeshtra edhe krimi) të dërgojnë në zjarr”.

- "Gënjeshtra shpie në prishje, kurse prishja shpie në Xhehenem (ferr). Me të vërtet njeriu vazhdon të gënjejë në çdo punë derisa tek Allahu shkruhet gënjeshtar". Shënon Buhariu dhe Muslimi.

Se gënjeshtra është e keqe dhe se është e ndaluar nuk është vërtetuar vetëm në mësimet Islame, por ajo trajtohet si e keqe dhe e papranuar, pothuajse në të gjitha fetë dhe civilizimet.

Urtësia në këtë (pra se gënjeshtra është e ndaluar) është se Allahu i Lartësuar  ka dashur që marrëdhëniet njerëzore të ngrihen në themele të çiltërsisë dhe sinqeritetit, në të kundërtën çdo formë tjetër e raportit që mund të ndërtohet mbi hipokrizi dhe tradhti edhe, nëse mund të ekzistoj si e tillë, ajo nuk është e ndershme dhe jetëgjatë.

Por, pasi që Islami në ndalimin e gjërave dhe urdhërimin e të tjerave synon objektivat me të cilat ruhet dinjiteti i njeriut dhe realizohet arritja e përsosmërisë së tij, ekzistojnë disa raste në të cilat tejkalohet kjo ndalesë dhe gënjeshtra bëhet e lejuar. Para se t`i përmendim rastet në të cilat lejohet gënjeshtra, dëshirojmë të bëjmë një vërejtje të rëndësishme në këtë drejtim, ajo është se shkaku pse Islami e fali gënjeshtrën në këto raste, nuk është pa ndonjë qëllim, por ajo me veti sjell objektiva mjaft të rëndësishme, disa nga të cilat edhe do t`i përmendim, posaçërisht kur të flasim rreth gënjeshtrës ndërmjet bashkëshortëve.  

Rastet në cilat lejohet gënjeshtra në përgjithësi

Sipas shënimit të Muslimit, Umu Kulthum njëra nga sahabiet e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë:

“Nuk kam dëgjuar se Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, ka lejuar në ndonjë rast gënjeshtrën, përveç këtyre tri rasteve:

-      pajtimin ndërmjet njerëzve (të ngatërruar),

-      në luftë,

-      apo burri ta gënjejë gruan e tij dhe gruaja burrin e saj”.

Nga hadithi i lartpërmendur mund të përmbledhim se gënjeshtra është e lejuar në këto raste:

1. Gjatë luftës, do të thotë kur myslimanët janë në luftë, atëherë kanë të drejtë të mos jenë të sinqertë me armiqtë e tyre, pasi që me këtë edhe nuk arrihet luftimi i tyre. Neve na është e njohur se kur Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, përgatiste në Medinë ndonjë ekspeditë për të dalë në luftë kundër armikut nisej me paralajmërimin se shkon drejt perëndimit kurse ai, ia mësynte lindjes, e kështu me radhë. Por, në këtë gënjeshtër të lejuar nuk përfshihet rasti kur vendosim marrëveshje me armikun (nënshkrim i paktit për ndonjë çështje të caktuar si p.sh. armëpushim, etj.) dhe pastaj ta  tradhtojmë atë, kjo në asnjë formë nuk është e lejuar.

2. Rasti tjetër kur lejohet gënjeshtra është atëherë kur dikush ndërmjetëson mes dy të ngatërruarve dhe mundohet t`i pajtojë ata. Në këtë lloj të gënjeshtrës kalohet vetëm në rast të domosdoshmërisë dhe aq sa është e nevojshme kjo, sikur t`i thuash njërit nga të ngatërruarit se tjetri ka mendim të mirë për ty, ose flet mirë, ose është i interesuar të pajtohet dhe gjëra të këtilla. Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, thotë: “Nuk është gënjeshtar ai i cili pajton ndërmjet njerëzve dhe nxit në këtë, ose e thotë ndonjë fjalë të mirë”. (shënon Buhariu dhe Muslimi).

3. Rasti i tretë se kur lejohet gënjeshtra është ndërmjet bashkëshortëve. Ky është  rasti për të cilin do të zgjerohemi më shumë pasi që ndodh më shpesh, se çdo myslimani e myslimaneje në moshë të rritur i është e nevojshme ta kuptoj këtë ashtu siç duhet, me qëllim që në martesë të mos bëjë mëkat ose padrejtësi ndaj partnerit tjetër, me pretekstin se ai me këtë është duke aplikuar një lehtësim me të cilën është i liruar me mësimet Islame.

Martesa dhe sinqeriteti

Në fillim të kësaj duhet ta kemi parasysh se marrëdhëniet ndërmjet burrit dhe gruas duhet të janë të ndërtuara në sinqeritet dhe çiltërsi. Për këtë, çdo formë e bashkimit të tyre duke e përdorur gënjeshtrën është e ndaluar dhe e papranuar, prandaj edhe jo pak herë dëgjojmë për ndonjë çift të pasuksesshëm, që shkak i prishjes së martesës së tyre ishin gënjeshtrat dhe premtimet e bëra gjatë fushatës paramartesore.

Por, meqë Islami në ligjet e tij të përcaktuara si objektiv të rëndësishëm e ka  ruajtjen e pasardhësve dhe nderit, ose të themi më qartë ruajtjen e familjes, atëherë gënjeshtra ndërmjet burrit dhe gruas nganjëherë, konsiderohet përjashtim nga ndalesa e përgjithshme. Me fjalë tjera, gënjeshtra ndërmjet burrit dhe gruas është e lejuar në rastet kur ajo (gënjeshtra) ndalon ndonjë të keqe më të madhe apo realizon një dobi më të përgjithshme.

Mirëpo atë që duhet ta dimë me këtë rast është se ky lejim i gënjeshtrës në Islam nuk nënkupton se ndërmjet burrit dhe gruas është e lejuar gënjeshtra pa asnjë kriter dhe ai që mendon kështu, nuk e ka kuptuar domethënien e hadithit të sipërpërmendur. Madje ajo që është edhe më e keqe, ky keqkuptim ka mundësi t`i sjellë bashkëshortët në situata që ta humbin besimin e ndërsjellë dhe të vijë deri te ndarja e tyre. Prandaj edhe është e nevojshme të qartësohet domethënia e hadithit të sipërpërmendur.

Hadithi në fjalë nuk lejon që gruaja të kryejë ndonjë vepër të ndaluar, si p.sh.: dalja nga shtëpia e burrit pa dijen e burrit dhe pastaj ta gënjejë atë, ose burri me anë të gënjeshtrave të realizojë  interesat personale duke e shpërfillur dhe shfrytëzuar gruan e tij. Të gjitha këto janë të ndaluara dhe në asnjë formë nuk nënkuptohen nga hadithi i sipërpërmendur.

Cila është gënjeshtra e lejuar ndërmjet bashkëshortëve

Gënjeshtra e lejuar nuk është ajo që nënkupton mundësimin e kryerjes së ndonjë ndalese, apo tejkalimin  kufijve të përcaktuar. Por, është ajo gënjeshtër të cilën do ta thoshte burri, respektivisht gruaja, me qëllim që ta ndërpriste ndonjë mospajtim të panevojshëm, ose do ta shuante urrejtjen dhe shtonte dashurinë e ndërsjellë, ose do ta largonte hidhërimin dhe sillte gëzimin, pastaj ajo gënjeshtër me të cilën burri nuk do ta informonte gruan apo anasjelltas me të gjitha sekretet personale, ose edhe kryerja e ndonjë vepre e cila nuk është e ndaluar, por nuk e pëlqen burri, respektivisht gruaja, etj. Do të cekim edhe disa shembuj të kuptohet më qartë kjo:

1. Nëse burrigruaja nuk është ie kënaqur në martesë, ose në një periudhë nuk ndien dashuri ndaj partner-ites. Kur të pyetet ai ose ajo në këtë të përgjigjet në kundërshtim me realitetin.

2. Bashkëshortit i ka pëlqyer ndonjë femër para martesës dhe është interesuar ta martojë atë para gruas që e ka tani. Nëse ai pyetet për një gjë të tillë nga ana e gruas dhe ai e di se pohimi i një gjëje të tillë, do ta mërziste gruan dhe do të nxiste xhelozi, atëherë lejohet ta heshtë këtë realitet. E njëjta vlen edhe për gruan.

3. Nëse burri blen një dhuratë që ta gëzojë gruan, por kjo edhe pse do t`i pëlqente gruas ka çmim të ultë,  atij i lejohet ta shtoj vlerën e çmimit, që tek ajo të shtohet dashuria dhe respekti.

4. Nëse familja e gruas flasin keq për burrin dhe gruaja e thotë të kundërtën me qëllim të afrimit ndërmjet tyre.

5. Është e mundur që gruas mos t`i pëlqejë familja e burrit, apo forma e shtëpisë, mobiliet, etj. Ajo të deklarohet me të kundërtën.

Këta janë disa nga shembujt që tregojnë se çfarë është ajo që i lejohet burrit ta gënjejë gruan dhe anasjelltas. Kjo formë e gënjeshtrës është ajo e lejuara në Islam dhe disa e quajnë këtë edhe “gënjeshtër e bardhë”. Pra shumë qartë vërehet se cili është qëllimi me këtë gënjeshtër; ndërprerja e mospajtimeve të panevojshme, që janë shumë të ndjeshme ndërmjet burrit dhe gruas, pastaj shtimi i dashurisë me fjalë të ëmbla dhe të këndshme, ku nga këto që thuhen është e mundur mos të jenë edhe aq të vërteta.

Një studim që është kryer në Universitetin e Kalifornisë vërteton se është e mundur që sinqeriteti i plotë (absolut) ndërmjet bashkëshortëve të jetë më shumë i dëmshëm se sa i dobishëm në martesë. Suzi Kenith udhëheqësja e këtij studimi thekson se konkluza e këtij studimi vërteton se ekzistojnë disa të vërteta të dëmshme që do të mund ta shkatërronin jetën bashkëshortore. Në anën tjetër, ajo vërteton se janë disa gjëra tjera në të cilat nuk bënë dobi gënjeshtra ndërmjet bashkëshortëve. Duke mos hyrë në analizimin e këtij studimi themi se Islami shumë kohë më parë ka vërtetuar një gjë të tillë, ashtu siç kuptuam nga hadithi i mëparshëm. Gjithashtu, Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, e këshillon një grua duke i thënë: “Nëse ndonjëra nga ju (gratë) nuk e do burrin e saj, mos t`ia shpreh këtë atij, pasi që jo të gjitha familjet ndërtohen mbi themelin e dashurisë”. Qëllimi i Omerit nuk ishte mënjanimi i një kriteri të rëndësishëm e ajo është dashuria, por ai i këshillon ato që për ta ruajtur jetën bashkëshortore, disa gjëra duhet të heshten. Prandaj edhe Allahu i Lartësuar i këshillon bashkëshortët të cilët nuk ndiejnë dashuri ndaj grave të tyre dhe i urrejnë ato, që të bëjnë durim dhe të mos nxitojnë me shkurorëzimin e tyre, pasi që dashuria është relative dhe ne periudha të caktuara mund të dobësohet. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse i urreni ato (gratë tuaja), bëni durim pasi që është e mundur ju të urreni diçka, ndërsa nga ajo Allahu të japë shumë të mira”. Nisa, 19.

Kurse gënjeshtrat me të cilat bëhet thyerja e premtimeve të dhëna, realizohen interesa personale në llogari të bashkëshortes dhe gjërave të ngjashme janë të ndaluara dhe, padyshim, përhapja e gjërave të tilla i bën partnerët të humbin besimin e ndërsjellë. Prandaj është e domosdoshme ta kuptojnë bashkëshortët qëllimin e gënjeshtrës në këto raste, e ajo është për forcimin e lidhjes ndërmjet partnerëve, shtimin e dashurisë së ndërsjellë, ruajtjen e jetës bashkëshortore dhe ndalimin e rrënimit të saj, e në asnjë mënyrë përligjjen e padrejtësive që i shkakton burri, respektivisht gruaja ndaj partnerit, arsyetimin e neglizhencës në llogari të tjetrit dhe gjëra të ngjashme.

Në lidhje me këtë Ibën Haxheri në librin “Fet`hul Bari” thotë: Dijetarët janë pajtuar se gënjeshtra (e lejuar) ndërmjet bashkëshortëve është ajo që nuk cenon të drejtën e burrit gjegjësisht gruas dhe ajo (gënjeshtër) që nuk e bënë ta marrë burri atë që nuk është e tij ose gruaja atë që nuk është e saj”.

Neveviu, nga ana tjetër, gjatë komentimit të pjesës së hadithit të lartpërmendur: ”...ta gënjejë burri gruan e tij apo gruaja burrin e saj”, në koleksionin e Muslimit thotë: “Gënjeshtra e burrit ndaj gruas së tij dhe anasjelltas është me qëllim të shprehjes së dashurisë e fjalës me të cilën ai nuk është i obliguar dhe gjëra të ngjashme. Kurse mashtrimi për të larguar obligimin nga vetja si për burrin ashtu edhe për gruan apo marrjen e një gjëje që nuk i takon atij/asaj, kjo është haram me konsensus të myslimanëve”.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free