Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Mallkimi ne Islam


Në parim, mallkimi është i ndaluar në Islam dhe paraqet mëkat të madh. Muslimani, sipas Pejgamberit, alejhi selam, nuk është as përqeshës, as mallkues, as i paturpshëm e as fyes.

Nëse ndonjëri mallkon një musliman, mëkati do të jetë sikur ta ketë vrarë atë. Pejgamberi, alejhi selam, i ka porositur pasuesit e tij: "Mos e mallkoni njëri-tjetrin me mallkim të Allahut, as me zemërim të Allahut, as me zjarr e as me as me zjarrin e Xhehennemit!" Burrave të mallkuar (që kanë tërhequr mallkimin mbi vete) nuk iu lejohet as të dëshmojnë, as të ndërmjetësojnë. [Shënim. Kur burri e akuzon gruan e vet për tradhti bashkëshortore, ai betohet katër herë se thotë të vërtetën dhe pastaj thotë: "Mallkimi i Allahut qoftë mbi mua, nëse gënjej!" Poashtu, edhe gruaja duhet të betohet katër herë në emër të Zotit se burri i saj gënjen dhe herën e pestë thotë: "Mallkimi i Allahut qoftë mbi mua, nëse gënjej!" Pas këtij betimi, dyshimi mbi gruan largohet dhe bie mbi burrin. Ndërkaq, në botën tjetër është Allahu i Gjithëditur ai që e di të vërtetën dhe gënjeshtarit i jep dënimin e merituar.] Mallkimi i kthehet vetë atij që ka mallkuar, nëse nuk e meriton ai që mallkohet.

Megjithëkëtë, muslimanit i lejohet të mallkojë pabesimtarët, politeistët, shejtanin e mallkuar, në përgjithësi, kriminelët, si: vrasësit, plaçkitësit, pijanecët, lavirët, ata që merren me kamatë, të korruptuarit, keqbërësit, krejt kjo për shkak se këso njerëz janë mallkuar në Kur'anin Famëmadh nga Vetë Allahu i Lartësuar. Për më tej, lejohet të mallkojë edhe besimtari që është shtypur, atij që i është bërë zullum pa të drejtë a ai që është persekutuar. Marrë përgjithësisht, me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme (kur njeriu s'mund të përmbahet), nga besimtari nuk pritet që të mallkojë dikë apo gjëkafshë.

Argumente nga Kur'ani

1) "Ata të cilët fshehin argumentet dhe faktet që Ne i shpallëm, e pasi që ato ua sqaruam njerëzve në librin, të tillët i mallkon Allahu, i mallkojnë edhe ata që mallkojnë!" (Kur'an, 2: 159).

2) "Ata të cilët mohuan dhe vdiqën si pabesimtarë, kundër tyre është mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i të gjithë njerëzve!" (Kur'an, 2: 161).

3) "Kush e mbyt një besimtar me qëllim, dënimi i tij është Xhehennemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh!" (Kur'an, 4: 93).

4) "Allahu nuk do publikimin e shprehjeve të këqija, përveç (publikimit) të atij që i është bërë zullum. Allahu është Dëgjues, i Dijshëm!" (Kur'an, 4: 148).

5) "Ata që mohuan të vërtetën nga beni israilët, u mallkuan prej gjuhës së Davudit dhe Isait, të birit të Merjemes. Kështu u veprua, sepse kundërshtuan dhe e tepruan!" (Kur'an, 5: 78).

6) "Hipokritëve e hipokriteve dhe jobesimtarëve Allahu u ka përcaktuar zjarrin e Xhehennemit, ku do të jenë përgjithmonë, ai mjafton për ta, dhe ata i ka mallkuar Allahu. Ata kanë dënim të pandërprerë!" (Kur'an, 9: 68).

7) "Allahu i ofron furnizim me bollëk atij që do dhe ia kufizon (atij që do). Po ata (jobesimtarët) janë të gëzuar me jetën e kësaj bote. E jeta e kësaj bote ndaj botës tjetër nuk është tjetër vetëm se një përjetim (i shkurtër)!" (Kur'an, 13: 25).

"E s'ka dyshim se ata janë të cilët e fyejnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ata i ka mallkuar Allahu në dunja e në ahiret dhe për ta ka përgatitur një dënim të dhembshëm!" (Kur'an, 33: 57).

Argumente nga Sunneti

1. Ebu Zejd ibën Thabiti [(Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ky është një nga ata që janë besatuar me Pejgamberin, alejhi selam, nën Pemë] rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: "Ai që betohet për një fe tjetër përveç Islamit, ai i takon asaj feje për të cilën është betuar. Ai që e vret veten me një gjë, ai do të torturohet me atë gjë në Ditën e Kiametit. Nuk kërkohet nga njeriu që të përmbushë një zotim rreth një gjëje që ai nuk e posedon. Nëse ndonjëri mallkon një musliman, mëkati do të jetë sikur ta ketë vrarë atë!"
[Shënon Buhariu dhe Muslimi]

2. Ibën Mes'udi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: "Muslimani nuk është as thumbues, as mallkues, as i papëlqyeshëm, as abuzues!"
[Shënon Tirmidhiu]

3. Samura ibën Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut, alejhi selam, ka thënë: "Mos e mallkoni njëri-tjetrin me mallkim të Allahut, as me zemërim të Allahut, as me zjarrin e Xhehennemit!" Në një transmetim tjetër thotë: "As me zjarr!"
[Shënon Tirmidhiu dhe ebu Davudi]

4. Ebu Derdaja (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: "Kur robi mallkon një gjë, mallkimi ngritët në qiell. E dyert e qiellit janë të mbyllura për të (mallkimin). Pastaj, ai rikthehet në tokë, dhe dyert e saj janë të mbyllura për të, poashtu. Atëherë shkon në të djathtë e në të majtë, por, kur nuk gjen asnjë vend për strehim, shkon te ai për të cilin është thënë (dhënë) mallkimi. Nëse ai (për të cilin është bërë mallkimi) e meriton atë, i shkon atij, e nëse jo, atëherë i kthehet vetë atij që e ka shqiptuar atë!"
[Shënon ebu Davudi]

5. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se i Dërguari i Allahut, alejhi selam, ka thënë: "Nuk është e udhës për një njeri vërtet të çiltër që të bëhet mallkues i madh!"
[Shënon Muslimi]

6. Ebu Derdaja (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: "Njerëzit që janë të dhënë pas mallkimit nuk do të jenë dëshmitarë e ndërmjetësues në Ditën e Gjykimit!"
[Shënon Muslimi]


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free