Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Ndihem i demoralizuar dhe i pashpresë

Ndihem i demoralizuar dhe i pashpresë

Pyetje:”Esselamu alejkum ve rahmetullah… Ndonjëherë ndihem i demoralizuar, i pashpresë që gjendja të ndryshojë dhe pa vullnet për të plotësuar rrugën. Kjo, për shkak të përhapjes së korrupsionit, ligësisë dhe shthurjes morale. Si mund të triumfoj ndaj kësaj ndjenje negative? Si mund t’ia rikthej vetes dhe të tjerëve që më rrethojnë besimin dhe shpresën, për të vazhduar para në rrugën e së mirës dhe luftën kundër të keqes?”

 

Përgjigje nga ftuesi Muhamed Musa Sherif

“I dashur vëlla! Është e vërtetë që e keqja është përhapur në formën më bajate, pa lënë birucë pa depërtuar. Sot konstatojmë korrupsion politik, mediatik, ekonomik, shoqëror dhe moral. E gjitha kjo luan rol në përhapjen e pesimizmit dhe demoralizimit tek publiku i gjerë i njerëzve. Unë e shoh të nevojshme të sjell disa parime të rëndësishme, me qëllim që t’i bëjmë ballë dhe t’i rezistojmë kësaj situate:

Së pari: Kjo kalbësirë e tejskajshme shoqërore, sinkronizohet me shpresë të pa kufij dhe sihariqe të shumta, që koha për t’u faktorizuar është afër. Për këtë, flet dhe një hadith i gjatë, të cilin nuk e shoh me vend ta cekim këtu. Gjithë sesi, ajo është diçka që pritet të ndodhë në dashtë Zoti. Hadithi i shpresës dhe sihariqeve, e redukton temperaturën e lartë, të cilën veç sa e stimulojnë lajmet e korrupsionit dhe shthurjes. Ai e mban larg fantazmën e demoralizimit dhe pesimizmit. Shpresa është pjesa më e madhe e punës.

Së dyti: Këta njerëz të kalbur, të korruptuar e korruptues, janë pjesë e betejës së gjatë mes të mirës dhe të ligës, betejë e cila do të vazhdojë përderisa ekziston jeta mbi tokë. Po. Përfundimi i këtyre njerëzve do të jetë thyerja dhe turpi, edhe pse do të ekzistojnë në raporte të drejta dhe të zhdrejta me fuqinë dhe dobësinë. Profeti Muhamed a.s na ka njoftuar se xhihadi do të jetë ekzistend gjer në ditën e fundit. Njerëz të tillë na janë imponuar dhe kanë pushtet mbi ne, për shkak të gjynaheve tona, indiferentizmit, ligështimit tonë për të vepruar për fenë e Zotit dhe triumfin e sheriatit të Tij, si dhe gatishmërisë së pakët për të sakrifikuar dhe shpenzuar nga mundi dhe pasuritë tona.

Së treti: Sakaq, pas njerëzve të tillë qëndrojnë superfuqi të mëdha, si brenda botës islame ashtu dhe jashtë saj. Ata na luftojnë pandërprerë dhe pa u lodhur. Ndërkohë shumica e njerëzve të mirë, nuk kanë asnjë ndikim të fuqishëm dhe kontributi i tyre është i papërfillshëm. Prandaj, fillimisht ne fajësojmë veten dhe indiferentizmin tonë. Nëse forca do të gjendej në duart tona, njerëzit e ulët do i shihje në vendin që meritojnë, në kazanin e plehrave të historisë. Lidhur me këtë, thotë Zoti i lartësuar në Kuran:”

“Ne do t’ju vëmë në provë ju, derisa t’i njohim ata midis jush, që luftojnë (në rrugën e drejtë) dhe durojnë, e derisa të provojmë ato që thuhen për veprat tuaja.” (Muhamed, 31)

Këtë e perifrazon shumë bukur Umer ibnul Hattabi i cili thotë:”Zoti na ruajt nga guximi i të ligut dhe paaftësia e të ndershmit.”

Së katërti: Mos harrojmë se këta njerëz të korruptuar, janë në duart e Zotit, i cili vepron me ta si të dojë. Ai është në gjendje t’i zhdukë me një fjalë “bëhu”, por u ka dhënë pushtet ndaj nesh për disa shkaqe dhe urtësi, disa prej të cilave ceken në ajetin:

“Sikur të donte Allahu, do t’i shkatërronte ata, por Ai dëshiron t’ju sprovojë juve me njëri-tjetrin.” (Muhamed, 4)

Prandaj, duhet ta kuptojmë siç duhet këtë, pasi na vlen në betejën tonë të gjatë kundër të keqes.

Së pesti: Zotit i përket çështja që në zanafillë dhe gjer në fund, universi është i Tij dhe krijesat Atij i përkasin. Njerëzit e liq, janë pjesë e caktimit të Zotit dhe hyjnë tek ligjet universale, të cilat nuk na takon t’i kundërshtojmë. Ajo që kërkohet prej nesh është të përpiqemi të kemi epërsi, ashtu siç thotë dhe Umer ibnul Hattabi:”Largohemi nga caktimi i Zotit drejt caktimit të Zotit.” T’i dorëzohesh caktimit të Zotit, do të thotë ta pranosh atë ashtu siç vjen, me qetësi dhe gjakftohtësi, por duke vazhduar luftën kundër të keqes dhe duke kërkuar epërsi mbi të. I dërguari i Zotit a.s përballej me fatkeqësi, vështirësi dhe sprova të ndryshme, megjithatë kjo nuk ndikonte në qëndresën e tij, nuk ia dobësonin zellin dhe vullnetin. Të gjitha këto, ai i priste me durim, bindje dhe vendosmëri të palëkundur.

Së gjashti: Kërkohet punë serioze në thirrjen për në rrugën e Zotit, kultivim i të mirës dhe besimit islam tek brezat e rinj, gjë e cila konsiderohet si lufta më e madhe kundër të ligës dhe pasuesve të saj. Kjo, e shoqëruar me dënimin e të keqes me të gjithë mjetet e mundshme. Në të kundërt, nuk mund të presim veçse ndëshkimin e Zotit. Thotë Zoti në Kuran:“Por, kur e harruan atë për të cilën ishin paralajmëruar, Ne i shpëtuam ata që këshillonin, kurse i ndëshkuam ashpër keqbërësit, për shkak të mosbindjes së tyre.” (Araf, 165)

Zoti i shpëtoi ata që urdhëronin për mirë dhe ndalonin nga e keqja, sakaq i ndëshkoi bashkë me të liqtë, ata që ishin indiferentë, e pranonin dhe e miratonin të ligën.

Së shtati: Duhet ta lusim Zotin fuqishëm që ta largojë të ligën dhe t’i shporrë njerëzit e ligj. Profeti Muhamed a.s thotë se lutja është arma e besimtarit. Gjithmonë rezultatet e saj kanë qenë të kënaqshme dhe ajo përbën një orientim dhe kahje të paarritshëm nga njerëzit e lig.

Së teti: Shqetësimet që lindin nga kjo situatë dhe ndikimi i madh që shkaktohet kur sheh ligësinë apo dëgjon për veprat e liga, zakonisht ndjellin dy cilësi tek njerëzit:

A)    Tregues i besimit dhe ndershmërisë. Kështu, ndrydhja dhe keqardhja që ndjen njeriu kur sheh ose dëgjon lajme të këqija, është pjesë e shkallëve të besimit dhe tregues se e mira vazhdon të ekzistojë tek ai njeri.

B)    Pastron të këqijat dhe gjynahet. Kjo, pasi çdo shqetësim, mërzi dhe lodhje që e prek besimtarin, i fshihen gjynahet nga Zoti. E çfarë mund të shpresojmë më shumë se këto dy sihariqe? E falënderojmë Zotin për këtë.

A nuk të bëhet qejfi dhe a nuk gëzohesh…?!

A nuk të bëhet qejfi që vepër mirët janë ushtarët e Zotit në tokë, sakaq njerëz të tillë janë ushtarë të shejtanit?

A nuk duhet të na gëzojë që njerëzit e mirë, janë shkak që e mira të vazhdojë mbi tokë, sakaq njerëzit e lig janë shkak të së keqes dhe të ligës?

A nuk duhet të na gëzojë se njerëzit e mirë i shërbejnë çështjes së Zotit, sakaq njerëzit e lig i shërbejnë çështjes së shejtanit?

A nuk duhet të na gëzojë që njerëzit e mirë janë pjesë e karvanit të besimtarëve, tek i cili janë rreshtuar profetët, dëshmorët, evliatë etj…sakaq njerëzit e lig janë pjesë e karvanit të së keqes, tek i cili janë rreshtuar shkatërruesit e kalbësirat dhe që udhëhiqet nga djalli i mallkuar?

Së fundmi…

Ji i bindur se Zoti nuk do na kërkojë llogari për rezultatet, por për përpjekjet, zellin dhe punën që kemi bërë. Ai do na shpërblejë për veprat tona. Sakaq, rezultatet nuk janë në dorën tonë. Ajo që kemi në dorë, është të punojmë të heshtur për vepra të mira. Të shumtë janë njerëzit e ndershëm dhe ftuesit, të cilët kanë ndërruar jetë, pa i parë me sy rezultatet e punës së tyre.

“atë ditë, do të gëzohen besimtarët për ndihmën e Allahut; Ai ndihmon kë të dojë dhe është i Plotfuqishëm e Mëshirëplotë. (Ky është) premtimi i Allahut, e Allahu nuk e thyen premtimin e vet, por shumica e njerëzve nuk e dinë. “ (Rum, 4-6)


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free