Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Krejt varet se çfarë është e rëndësishme për ty

Krejt varet se çfarë është e rëndësishme për ty!
 
Kishte qenë, një herë, një njeri me një mik të vetin dhe po shëtitnin rrugëve. Ishte kohë dreke, ndërsa rrugët ishin të stërmbushura me njerëz. Vozitës veturash po u binin sirenave, taksitë po vërtiteshin përreth, dhe, në përgjithësi, zërat e qytetit pothuaj të shurdhonin. Papritmas, njeriu i tha mikut të vet: "Dëgjoj një bulkth."[1]
 
Miku ia ktheu: "Çfarë? Me siguri qenke çmendur. S'ke mundësi të dëgjosh bulkth në tërë këtë zhurmë!" "Jo, i sigurt jam!" – ia ktheu ky, – "dëgjova një bulkth." "Marrëzi është kjo!" – tha tjetri.
 
Njeriu dëgjoi edhe një herë për një moment me vëmendje, dhe pastaj eci përtej rrugës në drejtim të një saksie prej çimentoje në të cilën rriteshin disa kaçuba. Ai shikoi në ato kaçuba poshtë degëve të saj, dhe me të vërtetë pa një bulkth. Ndërkaq, miku i tij ishte tërësisht i mahnitur. "Kjo është e pabesueshme, – i tha ai, – ti me siguri se ke veshë mbinjerëzorë!" "Jo!" – ia ktheu ky tjetri. "Veshët e mi nuk janë ndryshe nga tutë. Krejt varet se çfarë je kah dëgjon!” “Megjithatë nuk mundet, ore!”, – ia ktheu ai prapë. “Unë asnjëherë nuk do të kisha mundur të dëgjoj një bulkth në gjithë këtë zhurmë!” “Po, e vërtetë është!”, – iu kthye si përgjigje. “Varet se çfarë është e rëndësishme për ty. Ja, më lër të të tregoj (të ta dëshmoj)!”.
 
E futi dorën në xhep, nxori disa monedha dhe vjedhurazi i lëshoi në trotuar. Më pas, prapë përkundër gjithë asaj zhurme që bëhej në rrugë, e cila u gjëmonte në veshë, vërejtën se çdo njeri që ishte në largësi sa një rreze 5-6 metrash e lakoi kokën për të parë se a ishin të tyre paratë që tingëlluan në atë trotuar apo jo.
 
“A po e sheh se për çfarë e kisha fjalën?” – pyeti njeriu.
 
“Krejt varet se çfarë është e rëndësishme për ty!”
 
[1] Në bazë të Fjalorit Elektronik Shpjegues, bulkthi paraqet kandërr si karkalec i vogël, me krahë të errët, që rron zakonisht në vrimat e dheut a të mureve të vjetra dhe që natën nxjerr një zë si të gjinkallës. (shën. i përkthyesit)