Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Bisedë me një beqare

Me një zë të mekur dhe me ndrojtje, ajo më tha:”Shpesh herë ndihem keq dhe në siklet nëpër dasma, pasi po e ndjej se po e humbas trenin e martesës. Deri tani nuk ka ardhur askush të kërkojë dorën time. Nëpër dasma, shpesh herë e shoh veten time në vendin ku është ulur nusja. Kur shoqet ose familja flasin rreth martesës dhe fëmijëve në prezencën time, ndihem aq shumë në siklet saqë s’di si ta përshkruaj. Në fund të fundit, edhe unë femër jam, kam botën time emocionale dhe dua të kem familjen dhe fëmijët e mi. Por ç’të bëj?! Më është mërzitur jeta dhe ndihem e lodhur me komplimentet që më bëjnë disa njerëz.”
Këto ishin fjalët e një beqareje. Zëri i saj, përveç fjalëve përcillte dhe gjendjen shpirtërore dhe psikologjike. Pasi e dëgjova, i thashë:”Motër e nderuar! A mund të mi numërosh të mirat që të ka dhënë Zoti?”
Ajo u përgjigj:”Të mirat? Në fakt janë aq shumë, saqë nuk mund të numërohen.”
Unë i thashë:”Atëherë përse gjithë ky stres?! Unë nuk dua t’ju heq asnjë presje fjalëve të mësipërme dhe të jap të drejtë. Megjithatë, mos harrojmë se nëse nuk je martuar apo nuk e ka kërkuar dorën tënde njeri, kjo nuk do të thotë se është fundi i botës.
Po, është e vërtetë që beqaria simbolizon vetminë dhe kohën bosh, por Zoti i lartësuar na ka pajisur me aftësi dhe energji të cilat nëse shfrytëzohen, e shndërrojnë vuajtjen në lumturi.
Njeri optimist dhe pozitiv, është ai që e krijon lumturinë me duart e tij. Një herë, kam dëgjuar një të ri duke më thënë:”Lumturia e vërtetë është tek jeta familjare, të kesh një grua të mirë, fëmijë dhe para.” Me kalimin e viteve, ky i ri u martua, krijoi familje, lindi fëmijë dhe vuri dhe pasuri. Megjithatë, ai akoma pyet:”Ku është kjo lumturia?!” dhe vazhdon ta kërkojë.
Motër e nderuar! Le të mësojmë si ta shndërrojmë dhimbjen në lumturi. Një person që mban regjim, e privon veten nga disa lloj ushqimesh të shijshme, gjë e cila i shkakton goxha dhimbje dhe vuajtje. Por ajo që ia shndërron dhimbjen në lumturi, është ambicia e tij për të rënë nga pesha dhe imazhi për veten si elegant. Po kështu, agjëruesi e shndërron dhimbjen e urisë në lumturi teksa kujton shpërblimin dhe sevapin e madh që e pret tek Zoti. Secili prej nesh, ka metodën e tij për shmangien e dhimbjes dhe realizimin e lumturisë. Por disa njerëz kanë gabuar rrugë. Kur ndihen të mërzitur, ata ndezin cigaren, thithin mariuhanë, hanë më shumë sesa nevojat, keqtrajton të tjerët etj...
Sakaq, ka të tjerë të cilët e shfrytëzojnë kohën e tyre, merren me sport, mësojnë diçka të re, lexon më shumë, forcon marrëdhëniet me Zotin, mëson disa sure të reja nga Kurani, u shërben të tjerëve etj... Shembullin më të mirë, ju gratë e keni tek Merjemja, e cila ia dedikoi veten Zotit.
Tani më lejo të pyes:”Cila është rruga që ndjek për shmangien e dhimbjeve dhe arritjen e lumturisë?” Merr një letër dhe një laps dhe shëno cilat janë ato gjëra që mund të bëjnë ty të lumtur. Fillo të planifikosh për jetën tënde që tani, duke ndërvepruar me aktualitetin me optimizëm dhe pozitivizëm.
Veç kësaj, kush të ka thënë se të gjithë të martuarit/martuarat janë të lumtur? Kush të ka thënë se beqaria është problem dhe fatkeqësi? Mos e ke lexuar në gazeta dhe revista? Mos e ke parë në aktualitetin që të rrethon? Të them të drejtën, unë nuk e shoh problem beqarinë, ashtu siç nuk e shoh lumturinë tek martesa. Sa beqare ndihen të lumtura dhe sa të martuara ndihen të vuajtura? Lumturinë, unë e shoh tek të qenit i kënaqur me caktimin e Zotit. Lumturinë e konstatoj dhe ndjej kur ndërveproj me caktimin e Zotit me pozitivizëm.
Ndoshta, një ndër shkaqet që të bëjnë të vuash, është koha e lirë. Do të ishte mirë ti vije vetes një qëllim në jetë, diçka që mund ta bësh dhe të kontribuosh në përmirësimin e cilësisë së jetesës. Përgjigju kësaj pyetje:”Çfarë ke realizuar në jetë? Cili është qëllimi juaj në jetë, për ti shërbyer shoqërisë ku jeton? Çfarë qëllimi dhe objektivi ke për veten tënde? Çfarë dëshiron të arrish dhe ku e sheh veten në të ardhmen?
Nëse do arrish tu përgjigjesh këtyre pyetjeve dhe të vendosësh një axhendë, të jesh e sigurt se do e harrosh fare faktin që je beqare. Të gjitha energjitë e tua do të jenë të orientuara drejt objektivit, i cili do të jetë i dobishëm për ty si në këtë botë ashtu dhe në tjetrën.
Njoh një beqare e cila ngriti një institucion përkujdesje për gratë dhe fëmijët. Një tjetër themeloi një fondacion bamirësie për formim profesional të rinjve.
Shejh Ibnu Tejmije, Sejjid Kutb dhe të tjerë që kanë kontribuar, kanë qenë beqarë, të pamartuar. Asnjëri prej tyre nuk thoshte:”Sa herë që merrja pjesë në dasma, na vinte turp dhe ndiheshim në siklet”. Ata i shfrytëzuan energjitë dhe kapacitetet e tyre në shërbim të fesë. Ata ishin optimistë dhe burimet e tyre njerëzore i vunë në shërbim të objektivave dhe ambicieve të veta.
Unë e di se çfarë po mendon në këto çaste. Ti thua me vete që ky po më tregon gjëra me të cilat unë dakordohem dhe pajtohem. Ai i harron nevojat e mia shpirtërore dhe fizike, sidomos në një kohë kur elementët tundues na rrethojnë nga të katër anët.”
Në fakt, unë nuk i harroj dhe injoroj këto nevoja. Gjithçka që mendon dhe ndjen është e vërtetë dhe realitet. Por ajo që e bën njeriun ta vuajë këtë realitet, është koha e lirë dhe shoqëria jo e mirë. Po munde, mbushe kohën e lirë me aktivitet dhe zgjidh një shoqëri të hairit. Atëherë, do të shohësh se vuajtjet do të reduktohen. Veç kësaj, shtoji lutjet që Zoti të mbrojë dhe të kujdeset për ty! Ai ka në dorë gjithçka, kurse ne s’kemi as vetet tona. Largohu nga ambientet e dyshimta dhe epshndjellëse, që të mos e cenosh dëlirësinë tënde shpirtërore dhe fizike.
Tani, kur të marrësh pjesë në një dasmë tjetër, thuaj:”Zoti u dhashtë bereqet në jetën e tyre familjare! Të falënderoj o Zot sido që të jenë rrethanat.”