Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Vrasesi i perbindeshit

Një herë e një kohë, një burrë ngeci në territorin e një fshati me njerëz disi të trashë. Ata jetonin në panik e terror, për shkak të një përbindëshi që qëndronte shtrirë në tokat e tyre. Njeriu i huaj e dëgjoi historinë dhe hallin e tyre dhe pavarësisht frikës që e kaploi, u kërkoi të shkojë ta shohë këtë përbindëshin e tmerrshëm. Njerëzit e shoqëruan për tek ara ku qëndronte shtrirë përbindëshi. Sa më shumë i afroheshin, aq më shumë shqetësoheshin dhe lëshoheshin piskama frike. “Ja ku është! Ja ku është!” dhe ia bënin me shenjë. Njeriu i huaj hodhi shikimin tutje, por nuk po shihte asgjë, përveç një bostani (shalqi) në mes të parcelës.
I habitur, ai i pyeti:”Ku është more se nuk po shoh gjë?!”
Njerëzit i thanë se përbindëshi ishte pikërisht ai objekti i çuditshëm në mes të arës, ai me ngjyrë jeshile.
“Ai nuk është përbindësh!” u tha i sigurt burri i huaj dhe menjëherë u nis drejt tij. Me t’iu afruar pranë, u ul në gjunjë përbri tij, e ndau përgjysmë dhe e hëngri. Mandej, u ngrit dhe vajti tek njerëzit, fytyrat e të cilëve ishin më të verdha, dukej sikur nuk u kishte mbetur pikë gjaku.
Ata e shihnin gjithë habi dhe frikë. Dikush thirri me të madhe:”Ai e vrau përbindëshin dhe e hëngri të gjithin! Ai është më i rrezikshëm se përbindëshi! Shpejt ta heqim qafe!” dhe iu turrën me sfurqe derisa e dëbuan nga fshati.
Një vit më vonë, një nga bërthamat e bostanit përbindësh, mbiu mu tek i njëjti vend, duke u kallur datën sërish banorëve të fshatit. Sërish një burri tjetër i ra rruga andej dhe banorët nuk hezituan ti rrëfejnë për hallin dhe tmerrin që përjetojnë nga ai përbindësh i cili qëndron shtrirë në arën e tyre. Këtë herë, burri i huaj rastisi paksa më i mençur dhe më finok se i pari. Kur e pa si qëndron puna realisht, ai bëri diçka tjetër për t’ua shembur besimin irracional këtyre njerëzve. Ai herë i afrohej bostanit, e herë të tjera ia mbathe vrapit, bashkë me njerëzit. Në këtë mënyrë, ai filloi ti afrohej më shumë bostanit, bashke me fshatarët. Për çdo dy hapa para, bënte një hap pas. Më në fund, krejt i vetëm ai arriti ti afrohej bostanit përbindësh. Në një moment, gjeti kurajën dhe nën shikimin gjithë ankth të banorëve, arriti ta prekë bishën dhe përbindëshin e frikshëm. Gjoja i shtanguar nga fakti që përbindëshi jo që nuk e shqeu, por as që e prishi terezinë, burri i huaj i inkurajoi fshatarët e tjerë që të afroheshin, madje edhe ta prekin nëse duan. Me kalimin e kohës, ai ia doli mbanë që ti sillte të gjithë njerëzit pranë bostanit dhe ta prekin pa frikë fare, madje disa ditë më vonë, i bindi që ta ndajnë dhe ta hanë bashkarish. Sigurisht u shijoi shumë, ishte hera e parë që hanin një përbindësh, më falni, një bostan. Verën tjetër, të gjithë kishin mbjellë “përbindëshat” e tyre në bahçe. Që atëherë, burrit të huaj iu vu nofka “Vrasësi i bostanit të madh”.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free