Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Vajza që i shkroi një letër Zotit. Ç’ti ketë thënë vallë

"Mami! Çfarë po shkruan"? më pyeti vajza. "Po i shkruaj një letër Zotit" ia ktheva aty për aty.

Atë ditë, u zgjova herët, edhe pse ishte një nga ditët e mia të pushimit.

Vogëlushja ime, si gjithmonë, ishte ngritur para meje.

Isha ulur mbi tavolinë, e zënë dhe e zhytur në librat dhe letrat e mia.

“Mami! Çfarë po shkruan?” më pyeti vajza.

“Po i shkruaj një letër Zotit” ia ktheva aty për aty.

“A më lejon ti hedh një sy se çfarë i ke shkruar?” më pyeti.

“Jo e dashur, kjo është një letër personale dhe nuk dua ta lexojë tjetër kush.” i thashë.

Ajo doli jashtë dhomës me turivarë. Ishte diçka e zakonshme kjo, sa herë që refuzoja ti tregoj apo ti jap diçka.

Pasi kishin kaluar disa javë, shkova në dhomën e saj, për herë të parë. Vogëlushja u ndje në siklet kur më pa brenda dhomës. Vallë përse ashtu?

“Vogëlushja ime! Çfarë po bën? Me çfarë po merresh?”

Kjo ia shtoi dhe më shumë sikletin dhe turbullimin. Më në fund mu përgjigj me fjalët:”Asgjë mami... thjesht janë ca letra personale... po i shkruaja një letër Zotit. Ashtu siç bën dhe ti!”

Mandej qëndroi pak pa folur dhe shtoi:”A na realizohen dëshirat tona që ia shprehim Zotit o ma?”

“Sigurisht bija ime! Zoti di gjithçka...”

Refuzoi të më tregojë çfarë i ka shkruar Zotit.

Dola nga dhoma e saj dhe iu afrova tim shoqi, që ti lexoj gazetën si zakonisht.

Edhe pse lexoja gazetën, mendjen e kisha tek vogëlushja ime. Im shoq e vuri re se po mendoja diku gjetkë dhe mendoi se jam e mërzitur. Kështu, u orvat të më bindë të marrim një shërbëtore në shtëpi, që të mi lehtësojë disi punët dhe barrën e rëndë.

O Zot i madh! Nuk doja që ai ta mendojë diçka të tillë.

Sakaq, vogëlushja jonë vajti në shkollë. Kur u kthye, gjeti doktorin në shtëpi. Me vrap u turr tek i ati i saj i paralizuar. U ul pranë tij dhe filloi ta ngushëllojë dhe ti bëjë qejfin me fjalët dhe përkëdheljet e saj plot dashuri.

Pasi më tregoi gjendjen shëndetësore të tim shoqi, doktori u largua. Harrova që ime bijë ishte akoma e vogël dhe i thashë pa pikë mëshire:”Doktori më tha që zemra e madhe e babit, e cila është plot dashuri, ka filluar të dobësohet dhe se nuk do të jetojë më shumë se tre javë.”

Këto fjalë ranë si rrufe në qiell të hapur për vogëlushen time. Ajo shpërtheu në të qara dhe përsëriste herë pas here:”Përse po i ndodh kjo babit?!”

“Lute Zotin që ta shërojë babin bija ime! Veç kësaj, duhet të bëhesh trime! Asnjëherë mos harro se Zoti është i dashur dhe i dhembshur me ne! Ai ka në dorë gjithçka. Ti je vajza e madhe dhe e vetme e babit tënd.”

Vogëlushja e dëgjoi me vëmendje të ëmën dhe mesa duket, e fshehu mërzinë, e shtypi dhimbjen. Pas pak, ajo sikur mori zemër dhe me një vendosmëri të çuditshme tha:”Jo, nuk do të vdesë babi!”

Çdo mëngjes, ajo shkonte pranë të atit dhe i dhuronte puthje plot dashuri. Por, sot, përveç puthjes së përditshme, ajo qëndroi pak para tij dhe i tha:”Ah sikur të ishe si të gjithë baballarët e shoqeve të mia!”

Të atin e pushtoi një valë zemërate, por arriti ta përballojë dhe ia ktheu:”Në dashtë Zoti, do të vijë dita kur të të çoj në shkollë bija ime.”

I tha këto fjalë, edhe pse e dinte se paraliza dhe sëmundja, nuk do e lejonte t’ia plotësojë dëshirën vajzës së tij.

Pasi e çova vogëlushen time në shkollë, u ktheva në shtëpi, ku më mbërtheu një kureshtje e papërballueshme... Çfarë mund ti kishte shkruar vogëlushja ime Zotit në letrat e saj?!

Hyra në dhomën e saj dhe fillova të kërkoj. Hapa sirtarë, zhbirova letra e libra, por pa fajde. Ku ti ketë fshehur vallë? Mos i ka grisur? Mos janë në këtë kutinë këtu? Sa shumë e do këtë kuti! Kushedi sa herë ma ka kërkuar, derisa më në fund, e zbraza nga gjithçka tjetër dhe ia dhashë.

O Zot sa letra paska shkruar! Të gjitha ia adresoka Zotit!

“O Zot! O Zot! O Zot! Dua të ngordhë qeni i komshiut tonë, pasi më fut frikën!”

“O Zot! Dua që macja jonë të lindë shumë kotele për të kompensuar ato që i kanë ngordhur!”

“O Zot! Dua që kushëriri im të kalojë në shkollë, se e dua shumë!”

“O Zot! Dua që lulet para shtëpisë të rriten shpejt, pasi dua që çdo ditë të këpus një lule dhe t’ia dërgoj mësueses!”

Letrat ishin pa fund. O Zot! Të gjitha këto lutje i ishin pranuar vogëlushes time. Qeni i komshiut ngordhi një javë më parë. Macja lindi një kope kotele të vogla. Kushëriri i sime bijë e kishte marrë shkollën. Lulet ishin rritur dhe ajo para se të nisej për në shkollë, këpuste një dhe ia dërgonte mësueses.

Por... përse vallë nuk ishte lutur që ti shërohej i ati?! Përse nuk i kishte dërguar Zotit një letër që i ati i saj ta marrë veten nga ajo sëmundje?! Ah sikur të ishte lutur dhe për shërimin e tij!

Zinxhirin e mendimeve ma shkëputi zilja e telefonit. Pasi u përgjigja, zëri i mësueses së saj më tha se ime bijë kishte rënë nga kati i katërt... Kishte vajtur tek shtëpia e mësueses që mungonte atë ditë, për ti çuar lulen. Duke parë nga ballkoni, asaj i kishte rënë lulja, e cila ishte pasur nga vetë vogëlushja, në përpjekje për ta kapur.

Goditja ishte shumë e rëndë... Se përballova dot as unë dhe as im shoq, i cili u paralizua edhe në fytyrë dhe nuk fliste dot më. Që atë ditë, ai nuk flet dot asnjë fjalë.

Përse vdiq ime bijë?! Nuk po e përtypja dot idenë e vdekjes së saj. E mashtroja veten çdo ditë duke vajtur tek shkolla e saj, sikur e çoja, siç bëja më parë. Bëja çdo gjë që asaj i pëlqente kur ishte gjallë.

Mëngjesin e ditës së premte, erdhi shërbëtorja dhe si e frikësuar më tha se nga dhoma e vogëlushes time, vjen një zë i çuditshëm. Edhe im shoq më kërkoi të hyj brenda dhe të shoh çfarë po ndodh.

Futa çelësin në derë dhe pasi e hapa, mu duk sikur do më pëlcasë zemra.

Nuk e mbajta dot veten...

U ula mbi krevatin e saj dhe shpërtheva në të qara...

U shtriva mbi krevatin e vogëlushes...

Filloi të lëkundej...

Kushedi sa herë më kishte thënë se krevati i saj lëkundej... e unë harroja ti telefonoj zdrukthëtarit që t’ia rregullojë.

Por... çfarë e shkaktonte atë zhurmë?!

Po, ishte një tablo mbi të cilën ishin qëndisur disa vargje nga Kurani. Ime bijë, e zbriste çdo ditë nga muri dhe bënte sikur e lexon.

E mbajta pak tablonë dhe kur u ngrita ta vendos në mur, gjeta një letër të fshehur pas saj.

O Zot i madh! Ishte një nga letrat e time bije.

Çfarë mund të kishte shkruar në atë letër ajo?!

Përse pikërisht pas kësaj tabloje që përmbante vargje Kurani?!

Ishte një letër që ia drejtonte Zotit.

Mbi të kishte shkruar:

O Zot! O Zot! O Zot! Të vdes unë, e të jetojë babi!!!”